Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Zonja Çurre, luftëtarja e lirisë
Gruaja tragjasiote pjesëmarërse në luftë
Në Targjas të Vlorës në vitin 1920 lindi luftëtarja Zonja Arif Çurre. Targjasi ishte i dëgjuar për tradita të hershme luftarake, por mbi të gjitha si një vend i arsimuar dhe me kulturë të gjerë. Nga ky fshat kishin mësuar dhe përfunduar studimet në vendet perëndimore në fillimin e shek. XX mbi 60 të rinj. Po nga ky fshat kishte mjaft të emigruar kryesisht në SHBA, të cilët në vijimësi sollën një kulturë jetese dhe përparimi. Këtu edhe gratë e vajzat ishin të arsimuara, luftëtare dhe qëndronin përkrah burrave dhe vëllezërve të tyre, si në qëndresën e qeverisë së Vlorës të vitit 1912, në luftërat e viteve 1913-1914, ashtu dhe në Luftën e Vlorës të vitit 1920. Në këtë mjedis luftarak u rrit dhe u formua dhe luftëtarja e ardhshme e lirisë Zonja. Ajo e kaloi jetën e saj mes vështirësive dhe vuajtjeve, ku babai e la të vogël dhe duhej të punonin familjarisht me nënë, vëllezërit dhe motrën për të mbajtur frymën gjallë. Vështirësitë e rritën dhe e kalitën përpara kohe.
Këshilli i grave antifashiste të fshatit në vitet e LANÇ-it bëri një punë të madhe për furnizimin e çetave me materiale për partizanët, por dhe për të shtuar radhët e tyre me vajza e gra luftëtare. Në përgjigje të thirrjeve të bëra për pjesëmarrje në luftë nga Fronti Nacionalçlirimtar dhe nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, mbi 40 vajza e gra dolën luftëtare dhe u rreshtuan në repartet dhe njësitë partizane nga fshati Tragjas. 10 prej tyre ranë në ballë të luftës kundër pushtuesve, populli i përjetësoi me këngë heroizmin e tyre, ku midis tyre është dhe motra e Zonjës, Hyrie Çurre. Ndërsa 6 gra e vajza u plagosën në luftë. Në Kongresin e Parë Antifashist të Grave të Shqipërisë të mbajtur në Berat, morën pjesë nga Tragjasi Hanko Muço, Afërdita Thanasi e Inajete Ramadani.
Lufta dhe aksionet që ndiqnin njeri tjetrin, krahas burrave, përfshiu edhe mjaft gra. Kështu, në Luftën e Drashovicës në shtator 1943 gratë e Tragjasit ishin të mobilizuara plotësisht, duke qëndruar çdo ditë pranë partizanëve në front dhe i ndihmuan me çdo mjet si furnizim me bukë, ushqime e municione dhe trasportim të të plagosurve për në spitalet partizane. Gjatë operacionit të Dimrit, midis viteve 1943-1944, gratë e Tragjasit shpinin thasë me bukë në mal të fshatit e në Shpellën e Kavasallit, ku ishin grumbulluar rreth 170 partizanë, midis të cilëve kishte edhe të plagosur. Shumë gra nga Tragjasi çuan në spitalin e Ramicës ushqime e materiale të tjera për partizanët e plagosur.
Zonja në ballë të aksioneve
Në mbarë Shqipërinë, në qytete e fshatra ishin krijuan njësite guerrile, u shfaqën çetat e para partizane. Në rrethin e Vlorës u krijuan çeta “Plakë”, “Rinia”, “Halim Xhelo”, “Hodo Zeqiri”, “Zigur Lelo”, “Ismail Qemali” e të tjera. Zonja Çurre i simpatizonte dhe i donte luftëtarët e lirisë. Shpesh u vinte në ndihmë duke ndarë kafshatën e bukës, duke i pritur e i përcjellë, duke thurur triko dhe çorape për ta. Zonja u zgjodh përgjegjëse e rinisë në Tragjas. Në fillim të vitit 1943, la mënjanë punët e shtëpisë dhe ju kushtua gjithë kohën çështjes së luftës për çlirim. Zonja Çurre mori pjesë në mjaft aksione të rëndësishme në zonën e Vlorës. Ajo u dallua për inisiativë e trimëri, sidomos në Luftën e Drashovicës në shtatorin e vitit 1943, ku me shembullin e saj u gjend në ballë të sulmit për marrjen e garnizonit të Drashovicës.
Kur Zonja do të nisej për në çetën partizane, nëna e pyeti si mund të shkosh kështu në luftë? Pastaj, je vetëm, pa njeri dhe e shqetësuar ju lut dhe të priste… Por Zonja, ashtu siç ishte, duke nxituar dhe e vendosur të dilte luftëtare ju përgjigj: Nuk jam vetëm, jo, nënë. Kam edhe dy shokë. Dy shokë të fortë. Po ku janë, silli t’i shoh, t’i njoh edhe unë … Ja ku janë, nënë. Zonja kishte nxjerrë nga xhaketa dy bomba dhe i mbante në duar. E sheh që s’jam vetëm?
Skuadërkomandantja në ballë të vështirësive
Operacioni armik i Dimrit i vitit 1944 ishte në kulmin e tij. Në Targjas u përhap lajmi se një skuadër partizane, duke çarë me guxim dëborën e stuhinë e dimrit të egër, kishin kaluan Qafën e Shëngjergjit në lindje të Dukatit, në drejtim të malit të Lungarës dhe kishin rënë në përpjekje me forcat gjermano-balliste.
Skuadërkomandatja e kompanisë së katërt të batalionit të katërt, Zonjë Çurre bashkë me 14 partizanë, gjatë ofensivës së dimrit luftoi me heroizëm, si me natyrën, ashtu edhe me repartet e zbulimit gjerman në Qafën e Shëngjergjit. Por asnjë nga këto vështirës nuk e pengoi skuadrën që komandonte ajo, të kryente detyrën që i ishte ngarkuar për vendosjen e lidhjeve të batalionit me një pjesë të forcave të tij, të cilat në këtë kohe ishin futur në prapavijat e armikut dhe vepronin në malet e Tragjasit, në Radhimë e Mazhar. Në këtë dimër të ashpër ngrinë nga të ftohtit e madh partizanët, bij të Tragjasit: Kujtim Hoxha, Lilo Asllani e Azbi Mete.
Tre partizanë të rinj, shokë të saj, të dobësuar nga vuajtjet, me këmbët e enjtura nga dëbora ishin gati të mbeteshin në dëborë. Ajo i mori në krahë, megjithëse edhe vetë ishte e lodhur dhe këmbët i kullonin gjak. U zvarris me shokët e saj në krahë, bëri gjithçka ishte e mundur për t’i shpëtuar ata. Koha ishte e keqe, dëbora e madhe, opingat i humbën, mishrat e këmbëve i ranë. Zonja marshoi! Tre shokët i mbetën. Gjysmë e vdekur arriti në Tragjas. “Shponi, shpëtoni shokët”!, ishin fjalët e saj të fundit dhe ra pa ndjenja.
Por Zonja, në mes të kësaj lufte, kur Atdheu kishte shumë nevojë për bij të tillë, nuk mund të qëndronte shumë kohë e shtrirë në krevat. Ndonëse këmbët i kishte të enjtura e të çara, fytyrën krejt të hequr, të dobësuar, me t’u përmirësuar disi, u nis për në batalion tek shokët e saj. Komanda e batalionit e porositi Zonjën të qëndronte disa ditë në spital, gjersa t’i shëroheshin mirë këmbët dhe të merrte veten por ajo nuk pranoi.
Fjalët e luftëtares kur i kërkohej të shtrohej në spitalin partizan: “Unë kam ardhur të qëndroj me shokët e mi të luftës, të luftoj bashkë me ta, të marr pjesë në çdo aksion dhe të hakmerrem mbi armikun dhe tradhëtarët. Unë nuk i harroj porositë e Hazbiut, Lilos dhe Kujtimit që më thanë, kur u ndava prej tyre në malin me dëborë të Dukatit. Nuk harroj vuajtjet, këmbët e tyre të zbathura e të enjtura, duart e tyre të enjtura e të gjakosura, fytyrën e tyre të re dhe të njomë, të jeshilosur nga vuajtjet e rrugës. Nuk harroj plagët e shokëve, dhe gjakun që u rridhte në shpatullat e mia, në Qafën e Shëngjergjit. Jo shoku komisar, dua të luftoj me çdo kusht!
Përsëri në luftë…
Zonja Çurre mori pjesë në shumë aksione nga më të rëndësishmet që bëri Brigada V Sulmuese (BrVS). Kudo ajo tregoi virtytet të larta të partizanes, guxim, vendosmëri të papërkulur. Pas operacionit armik të Dimrit, ajo u gjend përsëri në rreshtat e BrVS. Duke çmuar vendosmërinë dhe guximin e rrallë të saj, shtabi i brigatës e ngarkoi me detyrën si komandantes së skuadrës. Kur Divizioni I Sulmues kaloi lumin Shkumbim për çlirimin e Shqipërisë së Mesme e të Veriut, Zonja u bë shembull vendosmërie e vetmohimi për luftëtarët. Kudo që u paraqit rasti, në përpjekje të vogla e të mëdha, ajo ishte në krye të detyrës. Si luftëtare e BrVS, ajo diti të përballojë me heroizëm të shkëlqyer të gjitha vështirësitë e jetës partizane: lodhjen dhe pagjumësinë, etjen, urinë, të ftohtit e madh, vapën e padurueshme, ashpërsinë e betejave. Në detyrën e zëvendëskomandantes së kompanisë, shtabi i brigadës kishte besim të madh tek Zonja. Ajo hidhej e para në sulm dhe qëndronte e fundit në tërheqje, gjithmonë duke shtrënguar fort me të dy duart mitralozin e saj. Nuk ishte vetëm një trimëreshë, por edhe një agjitatore e flaktë për çështjen e popullit.
Në librin “Fragmente nga epopeja e lavdishme”, komandanti i BrVS, Shefqet Peçi do të shkruante: Edhe gjatë ditës 22 korrik 1944 forcat e batalionit të kësaj brigade vazhduan luftimet kundër forcave të mëdha tradhtare në Gurabardhë, duke i shkaktuar kundërshtarit humbje të rënda. Në këtë luftë ra heroikisht Zonja Çurre, e cila ishte nënkomandante kompanie. Ajo ishte me të vërtetë një trimëreshë, gjithmonë në ballë të kompanisë dhe nuk i trembej syri kurrë.
Zonja Çurre ndodhet kudo në ballë të aksioneve dhe kudo lufton me trimëri, duke u bërë kështu një luftëtare e shquar për çështjen e çlirimit të popullit tonë. Ajo mendonte vetëm për luftë, ishte serioze, por e dashur me shokët. E gjithë kompania e kishte në zemër, e respektonte dhe zbatonte me përpikëri urdhrat e saj. Megjithëse nënkomandante kompanie, Zonja nuk e lëshonte kurrë mitralozin nga dora, ishte vetëm trimëreshë, agjitatore e flaktë për çështjen e popullit. Komandanti luftëtares do t’i kushtonte një poezi ku theksonte: Nga ti morën shembull të rinj e të reja/ trimëresha vend, flakë si rrufeja./ Në ballë të luftës ti luftoje shpesh,/ Nuk të trembej syri nga plumbat rrebesh.
Vlerësimi për luftëtaren
Për guxim të rrallë dhe heroizëm e treguar gjatë LANÇ-it, Zonja Çurre është shpallur Dëshmore e Atdheut dhe vlerësuar me titullin Heroinë e Popullit. Për luftëtaren institucione, shkolla dhe rrugë të atdheut mbajnë emrin e saj. Për të janë shkruar dhe shkruhet në shtyp, është shkruar në libra, janë bërë këngë dhe poema, janë bërë portrete, tabllo dhe buste.
Zonja Çurre është bërë simboli i luftëtares, i një vajze të guximshme, e cila në kushte mjaft të vështira të terrenit dhe të motit, por edhe të luftës, e frymëzuar nga ideali atdhetar dijti të mbijetonte dhe të bëhet burim frymëzimi për mjaft gra dhe vajza të Shqipërisë.