Astrit Lulushi: Thoreau dhe mosbindja
Në 1845, Henry David Thoreau, 27 vjeç, i mërzitur nga jeta në qytet, u zhvendos në një kabinë që ndërtoi me duart e tij përgjatë brigjeve të Walden Pond në Massachusetts. Nga kjo përvojë lindi Walden, libër me mbresa dhe ndjenja nga jeta në pyll.
Në atë kohë, ai hoqi dorë nga luksi dhe estetika dhe lidhjet me njerëzit, duke besuar se ishte një sfidë më e nderuar për të ripërcaktuar kuptimin e një jete të mirë. Thoreau shkroi në Walden për rëndësinë e të qenit gjithmonë “zgjuar” – për të jetuar me qëllim dhe për të shijuar elementet thelbësore dhe hyjnore të të qenurit gjallë.
“Doja të jetoja thellë dhe të thithja të gjithë palcën e jetës”, shkroi ai, duke shtuar,
“Unë nuk di asnjë fakt më inkurajues sesa aftësia e njeriut për të ngritur jetën e tij me përpjekje të vetëdijshme … për të gdhendur dhe pikturuar vetë atmosferën dhe mediumin përmes të cilit shikon”.
Formimi i këndvështrimit për jetën është arti më i lartë nga të gjithë. Me një stil të natyrshëm, në Walden, fjalët e tij janë të ndërlikuara dhe të thjeshta në të njëjtën kohë. Zgjedhja e fjalëve përcjell një gjendje të caktuar. Për shembull, kur Thoreau përshkruan heshtjen e natyrës, lexuesi mund të ndjejë atë moment të qetë. Ai qëndron i lidhur me natyrën gjatë gjithë librit, duke përshkruar atë që përjeton dhe sheh.
Thoreau korri nga toka si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Ai shpjegon se si ndarja nga bota e njerëzve mund të zgjojë vërtet veten e fjetur. Thoreau i qëndron fort nocionit se nuk keni ekzistuar me të vërtetë derisa të adoptoni një mënyrë jetese të tillë – dhe vetëm atëherë mund të rihyni në shoqëri, si një qenie e ditur.
Këto mendime të thjeshta por të thella – si dhe “Mosbindja Civile”, protesta e tij kundër ndërhyrjes së qeverisë në lirinë civile – kanë frymëzuar shumë njerëz që të përqafojnë filozofinë e tij të individualizmit dhe dashurisë për natyrën. Më shumë se një shekull e gjysmë më vonë, mesazhi i tij është më në kohë se kurrë.
Please follow and like us: