Hans Christian Andersen: Princesha mbi bizele
Përktheu Agim Xh. Dëshnica
Shumë vite më parë na ishte një princ, që kërkonte të martohej me një princeshë që të ishte vërtetë. Prandaj, ai udhëtoi për një kohë të gjatë nëpër botë, por asnjëherë nuk u ngut të vendoste. Gjeti princesha në shumë vende, por a ishin ato të vërteta? Si mund të ishte i sigurt? Vinte re se çdonjërës diçka i mungonte. Më në fund, i trishtuar vendosi të kthehej në shtëpi, meqë nuk gjeti dot pinceshën që donte.
Në një natë të frikshme, kur shkrepnin rrufetë, gjëmonin bubullimat e kur shiu derdhej nga qielli me rrebesh, dikush trokiti disa herë në portën e rëndë të kështjellës së qytetit. Sapo mbreti plak i dëgjoi, dha urdhër ta hapnin menjëherë. Princi i shoqëruar nga rojet u trondit, kur jashtë portës pa të mbeshtetur në murin e kështjellës një vajzë të re, të lagur kokë e këmbë.
“O Zot! – tha ai me vete, tek vuri re se si uji – curril rridhte nga flokët e saj nëpër rroba e rrëshqiste mbi këpucët nga majat deri te takat.
Vajza e panjohur ngulte këmbë:
“Unë jam princesha e vërtetë”. Po këto fjalë tha, edhe kur hyri në pallat.
“Të shohim, se ç’mall është!” – mendoi mbretëresha plakë pa nxjerrë zë dhe vajti në dhomën e gjumit. Ngriti dyshekun nga shtrati dhe fshehu poshtë tij një bizele të njomë. Pastaj mbi bizelen shtroi njëzetë dyshekë dhe mbi ta, vuri njëzet jastëkë me pupla.
Në mbrëmje vajza e sapoardhur u shtri mbi ta dhe fjeti.
Të nesërmen në mëngjes e pyetën si e kishte kaluar natën.
– Keq, shumë keq! – u ankua ajo. – Nuk mbylla sytë asnjë çast! Kushedi se ç’kishte ky shtrat i frikshëm! Ndieja se qesh shtrirë mbi diçka të fortë. Më bëhej se isha ngjyrosur në kafe a blu. Qe diçka e tmerrshme!
Nga këto fjalë të tjerët kuptuan e u bindën se vajza ishte priceshë e vërtetë, sepse e kishte ndjerë bizelen e fshehur nën njëzet dyshekët e njëzet jastëkët me pupla. Vetëm një vajzë e atillë mund të kishte një lëkurë aq të ndjeshme.
Pra, princi pati bredhur më kot nëpër botë, se ja tek tani fati i trokiti në derë, edhe pse ishte kohë shtrëngate me shi e vetëtima.
Më në fund, ai e mori princeshën e vërtetë për grua. Bizelen e mbyllën në një konak, ku askush nuk mund të hynte e ta grabiste.Thonë se bizelja ndodhet edhe sot atje.
A e dini se tërë kjo që tregova është një histori e vërtetë?