Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Roman historik për Princeshën Rugjinë

 

Roman me figura historike

“Princesha Rugjinë” është romani i shkruar nga Eqerem H. Canaj, që aktualisht është përfaqësuesi i letërsisë moderne në Shqipërinë e Jugut. Këtë vepër letrare autori e publikon në jubileun e pesqind e pesëdhjetë vjetorit të Gergj Kastriotit, Skënderbeut. Romani “Princësha Rugjinë” është një roman historik, ku përshkruhet figura historike e princeshë Rugjinë, e cila në kohën e saj bëri epokë dhe la pas histori. Nisur nga të dhënat historike, nga ngjarjet e ardhura deri në ditët e sotme, shkrimtari Eqerem Canaj, e ka ndërtuar në mënyrë artistike dhe me plot kolorit të pasur, më përshkrime të figurave tipike labe, të heronjve të romanit, të natyrës dhe të mjedisit, si dhe të personazheve pushtues dhe grabitqarë. Në kontekstin historik ngjarjet zhvillohen rreth viteve 1412-1422, por copëza të historisë së Labërisë dhe të Lumit të Vlorës, vijnë deri në kryengritjet e Tanzimatit të Shqipërisë së Jugut në vitet 1847-1848. Gjergj Balsha, princi i Arbrit, ishte i martuar me Komitën, bija e despotit Andrea Muzaka dhe nëpërmjet këtij bashkimi lindi Rugjina, e cila u bë princesha e Vlorës dhe e Kaninës.

Autori, si një “ushtarak” i formuar ka arritur të skalisë figurat e gjeneralëve të luftës të Rugjinës si, Caush Kucka, Diftir Derveni, Zadir Drenika, të cilët ishin krahët e hekurt të saj. Në zhvillimin e ngjarjeve në roman Rugjina mjaft mirë dhe bukur dialogonte me gjeneralët e Detit, të Tokës dhe të Kështjellës, thërriste Skërkën e thinjur, si dhe Gjinin e Mesapit, figura tipike labe, të paraqitura me mjaft mjeshtëri në faqet e romanit. Nga ana tjetër autori ka ditur të përshkruaj saktë dhe qartë batërdinë e gjakatarit Frankon Zia, për të vazhduar më tej me Skiard Xibraku e Dudë Bastisa, me dredhitë e pashoqe të tyre, për të mos mundur të bënin më këmbë deri në këtë vend. Të gjithë bashkë dhe veç e veç princeshës Rugjinë, i patën vënë kushtin më tmershëm për të dorëzuar kështjellën dhe të ishte robe në duart e Frankon Zias.

Rreth legjendës kështjellare

Nëpërmjet kapitujve të ndërtuar me mjeshtëri dhe të skalitur artistikisht vjen legjenda kështjellare, të cilën në histori e ka përshkruar Eqerem bej Vlora në librin Kalaja e Kaninës. Nuk po analizoj këtë, pasi dhe autori në rrjedhën historike, i është përmbajtur saktësisht burimeve të kohës, por kjo kështjellë dhe Rugjina, arritën të zbusnin dhe kafshën më të egër, të kapur në Malet e Vetëtimës dhe të prurë aty si dhuratë për princeshën, që ta përdorte për kalërim.

Princesha me “kalin e egër”, të zbutur prej saj ju drejtua grykave dhe malësisë për të njohur dhe dëgjuar njerëzit, ku midis të tjerash, asaj i thanë se ne jemi një grusht popull që Perëndia na ka hedhur mënjanë, këtu mes maleve, askush nuk na vërshëllen e asnjeriu nuk i bindemi. Kur na shtrëngon uria, këputim gjysmën e kopesë dhe zbresim në Pazar të detit dhe, me tregtarët i shkëmbejmë për kokë e okë… Kur përfundon lufta, këto na i rrëmbejnë qafirët e na lënë me gisht në gojë.

Në këngën e kukuvajkave

Në një fshat në kërthizë të krahinës së Shullërit, hasmëria kishte arritur dhe brenda fisit për hiçgjë dhe kënga e kukuvajkave dëgjohej kudo. Tek ky fshatit, me shtëpi të ulta, që dukeshin si çerdhe shqiponjash në shkëmb, vetëm tymrat e oxhakëve, mun të sodisje dhe asgjë tjetër. Dhe kur udhëtari kërkonte të mësonte se sa i madh ishte fshat, numëronte oxhaqet. Dhe princesha dëgjonte: Janë ligjet e vendit, o princeshë, kush gabon, paguan, – foli një grua me zë burri. Dukej, që ishte guximtare nga natyra apo e lënduara nga togu i të grumbulluarve. Vetëm atëherë, kur mësuan se kishin të bënin me princeshën Rugjina Balsha, kush nuk hapi më gojë. Fjalët e princeshës ishin “ne përgatitemi për luftë, sepse duam të sigurojmë paqen. Përmes paqes shtillet lumturia”.

Studiues të huaj në qytetin e Rugjinës

Në zhvillimin e ngjarjeve të romanit, autori nga larg na sjell me avion studiues të huaj të cilët ngulen në qytetin e Aulonës. Kështu Gaveni, i një moshe as e re, as e thyer, ndofta i të pesëdhjetave, ardhur enkas në Qytetin e Rugjinës, ndërsa Rikardi lëvizte si ujku në mjergull. Për këta udhëtarë të huja nuk kishte rëndësi fakti se kishin ardhur në Rugjinën e luftimeve, vrasjeve, gjakut të derdhur dhe pirgjeve të vrarish, jo, as në se qyteti ndodhej praglufte, prag etheje, as se ekzistonte paqja e lume a lulëzimi ëndërrimtar. Gaveni, qysh pati njohur vendin, në studio kishte nxjerrë mbi tavolinën e punës letrat e bardha dhe, si fillesë, pati shkruar: “Rugjina”… “Qyteti i Rugjinës”… “Kështjella kali i egër”… “Kalaja mbi ujanë”… “Lumëhoni”.

Ndërsa në këtë kohë Rugjina pasi kishte ardhur në kështjellë nga fshatrat e malësisë jepte porosi për “kalin e egër”, që ti hiqnin shalën dhe të pluhurosnin qimet e tij me dhe’ apo rërë, se kafsha e djersitur ftohet më keq se njeriu. Udhëtarët e huaj kërkonin të mësonin se pse quhet “Qyteti i Rugjinës”, historiani plak, i cili i kishte thënë se familje kishte luftën, grua e fëmijë, gjithçka, edhe atdhe luftën quante. Ndërsa Princesha e impresionuar, pati porositur të vetët që atë të mos ta lëndonin.

Gjaku i tradhëtuar dhe kërcimi i Rugjinës

Për të marrë kështjellën batareja ulërinte nga fusha e detit. Bormardonin nga kupa e qiellit, nga kodrat përreth, nga kulla e Sahatit: nga lindja, perëndimi, veriu, jugu, gjithandej e në çdo anë. Grykat e topave gjëmimtare, dukej se patën vendosur t’ia thyenin brinjët asaj kështjelle gjer në rrafshinën më përçudnuese. E, ajo princesha me emrin “Rugjinë”, ndërsa bënte të shkelte mbi eshtra të vrarësh, teksa llangosej mbi gjakun bastar, ndofta, një ditë: hajt, pra! Dhe, do t’i binte më gjunjë atij lakmitari me emrin “Franko” dhe gjakut të tradhëtuar.

Kalaja e Cerjes e fisit “Mesap” në krahinën malore jugore të Labërisë, kalaja e Amanties, në Ploçë dhe kalaja e Kaninës sipas princeshës, të tri kështjellat, vendosur në trajtën e një trekëndëshi, dukej se ishin në një të vetme. Tek bashkimi i të triave, qëndronte pathyeshmëria, shpëtimi i të pafajshmëve që kërkonin jetë. Me të tre gjeneralët, të Tokës, Diftir Derveni, të Detit, Zedir Drenika, të Kështjellave, Caush Kucka, princesha komunikonte rrallë me ta, pse gjeneralët ishin shtylla e kështjellës dhe ata qenë betuar vetëm një herë para princeshës.

Princesha ju tha “O vëllezër! O burra lufte! Ju thirra për një këshillë, për një vendim. Duhet t’i peshoni fjalët jo nga ndjenjat, po nga momenti. Kalaja, në fund të fundit, është thjesht simbol qëndrese… Ky popull, i etur për liri, vetë malet i ka kështjella të pathyeshme. Dhe, një princeshë s’është asgjë përpara dhunimit të pengjeve në duart e armiqve… I bëni llogaritë mirë! Unë, i kam bërë të miat!”. Më tej vazhdoi “dëgjo, or ti, Skiard Xibraku! Edhe ti Çingistar! E Dudë Bastisi! Një kështjellë nuk dorëzohet aq lehtë. Dhe një princeshë, gjithashtu. Por e kam marrë këtë vendim prej të marri. Në emër të paqes. Dhe të lirisë…”.

Gjeneralët e Rugjinës i përpiu era. Sekush në të vetat: Zadir Drenika do të printe e përcillte varganin e pengjeve, drejtim kalasë së Circës, Batjes, Katafiqit në Kurveleshin e Poshtëm. Caush Kucka do të lefteroste kështjellën. Diftir Derveni do të riorganizonte këmbësorinë. Valltaret u ngjitën përbuzë bedenave, u ulën përsëri e u ngjitën sërish, ndërsa mësuesi pensionist, Banush Derveni foli gjatë për një emblemë interesante të një shoqate “Hopinga”, përfundoi Gaveni duke folur gati me vetveten.

Skërka e thinjur nga luftërat

Larg Qytetit të Rugjinës, midis kalave Circa e Batja, mbretëronte Skërka e thinjur. Çentin pasha ju kërkonte kokën e Rexhinës në tavë, ja fshatin do ta shkojmë në hell! Djali, që u dha bukë, u rrëmbye në këmbë duke thënë se është motra ime, por pashai, i preu kokën. Rexhina e Skërkës, ndofta e fundit e familjes nga të Caush Kuckës, me shpejtësinë e dritës, ia nguli thikën në zemër pashait. Të fala, o pasha! Nga Rexhina e Skërkës së thinjur. Nga im vëlla që e vrave me bukë, o Çentin!

Po vjen prijsi i Mesapit

Vetëm kërkoj të marr një varr, për prijsin e Mesapit, që më përket mua. Vetëm mua e askujt tjetri, varrin e njeriut tim. I vetmi që kam mbetur nga ai fis i shuar jam unë dhe mbushi sytë me lotë burri me emrin “Cen Kucka”. Iu kujtua Caush Kucka, me leshra ngritur përpjetë, me rremba gjaku ngrirë mbi fytyrë, ai që bëri batërdinë me të paparë në kampin e Frankon Zias, vetëm e vetëm për shkak të përdhunimit të një femre.

Ndërsa Mehmet Ali Misiri luftonte në More të Greqisë, në mbështetje të tij mbërritën atje dy mijë e ca kordhëtarë, të udhëhequr nga kryetrimi i Mesapit të Lumëhonit. Dhe, me tërheqjen e forcave të Mehmet Alisë, ai u kthye në Rugjinë, ku do të bënte një riorganizim të ri. Të dy djemtë e prijësit të Mesapit, sapo qenë kthyer nga fushata e Mehmet Ali Misirit, porsa dolën në Sazan, zaptuesit i pritën me gjuhën e armëve… Lajmëtarët nisën të tjerë njerëz drejt shtëpisë – kështjellë të gjeneralit të Rugjinës. Ndofta, tash e tutje, s’do të kishte më bajrak, u vra Gjini, prijësi i Mesapit.

Eqerem Canaj ka nisur vrapimin kaloresk

Romani “Princesha Rugjinë” është i shkruar me ndjenjë dhe ka një gjuhë sa labe, aq dhe moderne, aty gjen fjalë të hershme, si dhe të kohës, të cilat gërshetohen mjaft këndshëm dhe e bëjnë tërheqës gjithë rrjedhën e ngjarjeve. Fjalët e zgjedhura janë të menduar mirë dhe të goditura, që nuk lënë vend për mëdyshje, por dhe togu i fjalëve e lezetojnë rrjedhshmërinë e leximit të romanit. Eqerem Canaj ka nisur vrapimin kaloresk dhe nuk ndalet më, ai tashmë kapërcen çdo pengesë. Edhe pse pensionist dhe me të ardhura të pakta, shkruan dhe boton, kjo është një forcë, rezistencë dhe përkushtim për të lënë gjurmë në botën e artit dhe të kulturës në mjedisin shqiptar.

Eqerem Canaj ka lindur në shkurt të vitit 1944, në fshatin Mesaplik, Vlorë. Ka kryer arsimin e lartë, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi shqipe, në vitin 1975 dhe prej 46 vjetësh (1976-2008) ka punuar si mësues i Gjuhës dhe Letërsisë në shkollat 8 dhe 9-vjeçare, në gjimnaz dhe drejtor shkolle.

Ai është marrë me krijimlari letrare, prej 42 vjetesh (1976-2018), duke realizuar 30 botime: vëllime poetike, tregime, novela, romane, dedikate dhe kritikë letrare. Për novelën “Vlora-Vlora”, 1982, në konkursin Kombëtar të Pavarësisë, ka fituar Çmimin e Dytë. Për romanet “Njeriu me nofulla të hekurta”, “Disku i artë” dhe “Rebeli” ka fituar disa çmime lokale. Për romanin “Ethet e gjakut”, 2003, ka qenë kandidat për çmimin kombëtar.

Vepra letrare e shkrimtarit E. Canaj është marrë në studim nga Katedra e Gjuhësisë Tiranë (prof. dr. Rami Memushaj, 2013), nga Universiteti i Vlores (prof. dr. Nexhip Merkuri, 2014-2015) përkatësisht: “Gjuha dhe stili në veprat e Eqerem Canajt” dhe “Vështrimi i gjuhës së Eqerem Canajt sipas semantikës gjenerativiste”.

Në vitet 2011-2015, ka drejtuar Shoqatën e Shkrimtarëve “Petro Marko”, Vlorë.

Romanet “Çatia e gjarpërinjve” dhe “Rebeli”, si dhe vëllimi poetik “Gjethi i kuq” janë promovuar edhe në Londër.

Please follow and like us: