Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Trupi dhe Truri

Charles Darwin
Në fund të karrierës së tij, në 1872, Charles Darwin botoi studimin “The Expression of the Emotions in Man and Animals”. Deri kohët e fundit, shumica e diskutimeve shkencore të teorive të Darvinit ishin fokusuar në Origjinën e Specieve (1859) dhe Prejardhjen e Njeriut (1871). Por studimi Shprehja e Emocioneve rezulton të jetë një eksplorim i jetës emocionale. Është gjithashtu një pikë referimi në ilustrimin e librave – një nga librat e parë që përfshin fotografi. (Fotografia ishte ende një teknologji relativisht e re dhe, si shumica e shkencëtarëve, Darvini donte të përdorte teknikat më të fundit për të shprehur idetë e tij).
Ai e nis diskutimin duke vënë në dukje organizimin fizik të përbashkët për të gjithë gjitarët, duke përfshirë qeniet njerëzore.
“Njeriu dhe kafshët më të larta kanë instinkte të përbashkëta. Të gjithë kanë të njëjtat shqisa, intuitë, ndjesi, pasione, afeksione dhe emocione, madje edhe ato më komplekset si, xhelozia, emulimi i dyshimit, mirënjohja dhe zemërgjerësia.”
Darvini vëren se njerëzit ndajmë disa nga shenjat fizike të emocioneve të kafshëve, si ndjenja e rrëqethjes (ngritjes se qimeve) kur jemi të frikësuar, ose shtrëngimi i dhëmbëve kur jemi të zemëruar, mund të kuptohen vetëm si gjurmë të një procesi të gjatë evolucioni.
“Kur një njeri shfryn, dhëmbi i qenit ose i syrit drejtohet përballë personit nga i cili kërcënohet”.
Për Darvinin, emocionet e gjitarëve janë të rrënjosura në biologji; burimi i domosdoshëm i motivimit për të filluar veprimin. Emocionet (nga latinishtja emovere – për t’u larguar) i japin formë dhe drejtim çdo gjëje që bëjmë; shprehja kryesore është përmes muskujve të fytyrës dhe trupit, që u komunikojnë të tjerëve gjendjen dhe qëllimin tonë mendor: Shprehjet e zemërimit dhe qëndrimet kërcënuese i paralajmërojnë ata të tërhiqen; trishtimi tërheq kujdesin dhe vëmendjen; frika sinjalizon pafuqinë ose paralajmëron  rrezikun. Ne lexojmë instinktivisht dinamikën e njerëzve, thjesht nga tensioni ose relaksimi i tyre; nga qëndrimet dhe toni i zërit, apo shprehjet e ndryshimit të fytyrës s tyre. Shikoni një film në një gjuhë që nuk e dini dhe mund të merrni me mend cilësinë e marrëdhënies midis personazheve. Ne shpesh mund të lexojmë gjitarët e tjerë (majmunët, qentë, kuajt) në të njëjtën mënyrë.
Darvini vëren se qëllimi themelor i emocioneve është të fillojë lëvizjen që do të rivendosë trupin në sigurinë dhe ekuilibrin fizik. Këtu është komenti i tij mbi origjinën e asaj që ne sot e quajmë PTSD:
“Sjelljet për të shmangur rrezikun kanë evoluar shumë për ta bërë çdo organizëm konkurrues në aspektin e mbijetesës. Por sjelljet e papërshtatshme do ta vendosin kafshën në disavantazh pasi ruajtja e suksesshme e specieve kërkon riprodhim, i cili, nga ana tjetër, varet nga ushqimi, strehimi dhe aktivitetet e çiftëzimit.”
Nëse një organizëm është i mbërthyer në modalitetin e mbijetesës, energjitë e tij përqendrohen në luftimin e armiqve të padukshëm, gjë që nuk lë vend për edukim, kujdes dhe dashuri. Për ne, kjo do të thotë se për sa kohë që mendja mbrohet nga sulmet e padukshme, lidhjet tona më të afërta kërcënohen, së bashku me aftësitë për të imagjinuar, planifikuar, luajtur, mësuar dhe për t’i kushtuar vëmendje nevojave të njerëzve të tjerë.
Darvini shkroi gjithashtu për lidhjet trup-tru që shkencëtarët ende janë duke i eksploruar sot. Emocionet intensive përfshijnë jo vetëm mendjen, por edhe stomakun dhe zemrën;
“Zemra, stomaku dhe truri komunikojnë nëpërmjet nervit “pneumogastrik”, nerv i përfshirë në shprehjen dhe menaxhimin e emocioneve si tek njerëzit ashtu edhe tek kafshët. Kur mendja është shumë e ngacmuar, ajo ndikon në gjendjen e organeve të brendshme.”
Natyrisht, ne përjetojmë emocionet më shkatërruese si ndjenja të dhimbshme të stomakut dhe zemrës. Por sa probleme të shëndetit mendor, nga varësia ndaj drogës tek sjellja vetëdëmtuese, nisin si përpjekje për të përballuar dhimbjen e padurueshme fizike të emocioneve tona?
Deri kohët e fundit, ky komunikim i dyanshëm midis trupit dhe mendjes ishte injoruar kryesisht nga shkenca perëndimore, edhe pse kishte qenë prej kohësh qendrore në praktikat tradicionale të shërimit në shumë pjesë të tjera të botës, veçanërisht në Indi dhe Kinë. Sot ajo po transformon të kuptuarit tonë për traumën dhe shërimin.
Please follow and like us: