Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Kirill, Vuçiç dhe kishat e tyre të Krishtit apo të Antikrishtit?

24 Shkurt 2022, gjithë bota u trondit nga një ngjarje që shumë besonin se nuk do të mund të ndodhte kurrë më: Sulmi i Rusisë kundër Ukrainës! Shumica, madje dhe në në Kiev, besonte atë që propagandonte zyrtarisht Rusia: se lëvizja e tankeve dhe mbledhja e trupave ruse në kufirin e Ukrainës ish thjesht pjesë e një manovre ushtarake. Edhe më shokuese ishin ngjarjet që e pasuan këtë sulm: Në lajmet shikonim se si tanket ruse kalonin mbi makinat civile të ukrainasve të cilat udhëtonin në mënyrë paqësore, pa ndrojtje pranë tyre, shikonim bombardimet në qëndrat civile, ekzekutimet e popullsisë civile, dhunimet… Të gjitha këto kundër atyre që deri dje i kishin quajtur ”vëllezër”…

Po kështu u trondit bota nga ato që ndodhën në territorin e ish-Jugosllavisë në kohën e Millosheviçit. Në atë kohë madje u befasuan dhe u shokuan jo vetëm europianët po edhe vetë kroatët e bosnjakët, si edhe shumë nga shqiptarë nga mizoria, urrejtja dhe sadizmi që tregonin kundër tyre fqinjët e tyre serbë, ata fqinjë, ata kolegë pune me të cilët kishin patur marëdhënie të mira, madje familjare dikur: Një vajzë e re boshnjake dëshmonte se si, menjëherë pasi plasi konflikti, i fejuari i saj serb vjen në shtëpinë e saj kur ajo ish vetëm. Ajo ia hapi derën me nxitim e dashuri sapo ia dëgjoi zërin. Atë ditë ai kish sjellë tre veta të tjerë, persona të panjohur. Ai u thotë atyre ta dhunojnë të fejuarën e tij aty para syve të tij. Ata e zbatojnë me zell e egërsi të madhe këtë urdhër, ndërsa i fejuari i saj, duke injoruar britmat e lotët e saj qëndronte i ulur në karrige aty pranë dhe pinte duhan i qetë sikur të ish para një panorame të bukur natyrore!

Sa e sa shembuj të tjerë mund të sillnim… Shumë vetë edhe sot pyesin vetveten: Si është e mundur të shpërthejë një dhunë e tillë e ushqyer nga një urrejtje e nga një përbuzje kaq e përbindëshme nga persona që deri dje u ke besuar, ke qenë i bindur se janë paqësorë madje miqtë e tu? Po si mund të ndodhë kjo madje edhe nga personat që ti i ke dashur megjithshpirt?! Si ish e mundur të ndodhnin ato krime nga serbët kundër fqinjëve të tyre pas një kohe aq të gjatë bashkëjetese në paqe, gjatë gjithë asaj kohe kur flitej e propagandohej vetëm për vllazërim-bashkimin? Si mund të kryenin, e të vazhdojnë të kryen papritur krimet e përbindëshme ndaj ukrainasve vëllezërit e tyre rusë? Shumë vetë nuk e dinë përgjigjen. Të tjerët, ata që e dinë të vërtetën për shumë arsye i shmangen përgjigjjes së drejtpërdrejtë të këtyre pyetjeve. Por e vërteta duhet thënë, hapur, qartë e publikisht:

Fakt është se burimi kryesor, rrënja e kësaj  dhune dhe urrejtje është teologjia e Kishës Pansllaviste, teologjia e kishave të Rusisë e të Serbisë. Po, është pikërisht teologjia e kishave ruse e serbe që i shndërron ata në marioneta të urrejtjes, në kamikazë të ideve të Rusisë e Serbisë së madhe. Kjo teologji i bën ata të urrejnë e të maskrojnë sot ata që deri dje i kanë quajtur vëllezër, siç po e shohim të gjithë sot në rastin e Rusisë dhe Ukrainës. Po ashtu, po kjo teologji i bën serbët që ta konsiderojnë si vend të shenjtë, varrin e një shqiptari, të një prej personave që deri dje i urrenin më shumë se  gjithë të tjerët dhe që i kishin futur në listat e tyre të vdekjes: varrin e Esad Pashë Toptanit. Është pikërisht teologjia e kishës serbe që i bën politikanët e intelektualët që drejtojnë sot Serbinë ta shohin këtë varr si një “vend të shenjtë” si një vend ku ata duhet të shkojnë të falen e të marrin forcë shpirtërore…

Shumë vetë, gabimisht, çdo veprimtari të kishave që vetquhen të krishtera e lidhin dhe madje e barazojnë me Jezu Krishtin dhe Krishterimin. Ky qëndrim është krejtësisht i gabuar pasi kishat që sipërpërmendëm dhe shumë të tjera janë në fakt institucione të cilat pavarësisht se duan të paraqiten publikisht si përfaqësuese të idealeve të Jezu Krishtit dhe Krishterimit, në shumë raste drejtohen nga ideale e kanë synime krejt të tjera, madje të kundërta.

Historikisht Krishterimi u predikua fillimisht në Rusi nga dy misionarë të cilët kishin synime të sinqerta, Konstandini (826-69), i cili u quajt më vonë Cirili; dhe Metodij (c. 815-85). Këta misionarë shkuan në Rusi me kërkesën e Rastislavit, princit të Moravisë. Princi Rastislav kërkonte dikë që t’i mësonte popullit të tij të vërtetën rreth besimit të Krishterë… Edhe për vite me radhë në territorin e Rusisë si princat ashtu dhe ata që predikonin qëndruan të pastër. Por fatkeqësisht kjo ndryshoi më vonë. Vendin e misionarëve e zunë personat karrieristë të cilët velerësonin shumë më lart karrierën dhe interesat e tyre sesa Jezu Krishtin dhe idealet e tij. Ishte koha kur faktikisht Papa në Romë, si dhe elita kishtare në shumë vende të tjera të Evropës Perëndimore, shpesh kish më shumë pushtet politik dhe ekzekutiv se vetë Perandorët, Princat, etj. Për hir të së vërtetës duhet thënë se drejtuesit e Kishës në Perandorinë Ruse kurrë nuk e arritën dhe nuk mund ta arrinin këtë status, kryesisht për shkak të vetë strukturës që kish Perandoria Ruse. Por ata u munduan ta kompesonin këtë “mangësi” në forma të tjera. Nga Carët ata kishin marrë pushtet të pakufizuar për të ndryshuar jetën, zakonet, traditat e shoqërisë, për të ushtruar ndikim në mëndjet dhe zemrat e kombit dhe ata e shfrytëzuan këtë pushtet deri në maksimun. Fillimisht ndryshimet që ata bënë ishin pozitive, disa edhe sipas mësimeve të Biblës, siç ish ndryshimi i emrave të ardhurimit pagan të ditëve të javës etj. Por më vonë, në kohë kur karrieristët e arrivistët morën në duar dretimin e kishës gjërat ndryshuan rrënjësisht. Në emrin e Jezu Krishtit ata filluan të përhapin e t’i imponojnë kombit ide të cilat në fakt i kishin huazuar nga Perandoria Kineze e nga burime të tjera, (koha nuk na lejon t’i analizojmë me imtësi), por që në fakt janë krejt të kundërta me idealet e Jezu Krishtit e Krishterimit. Ata filluan të propagandonin konceptin e racës superiore sllave, gjakun e pastër sllav, etj. Këto ide e koncepte i mori dhe i përdori Hitleri duke nxjerrë konceptin e racës Ariane. (Faktikisht po ta shohim nga ana shkencore as sllavët dhe as ata që Hitleri i quante pjestarë të racës Ariane, që të dyja këto grupime, nuk nuk të quhen raca të veçanta. Që të dyja grupimet janë në fakt pjesë e së njëjtës race, racës Evropiane). Po që të dyja palët, si Hitleri ashtu edhe teologët e Pansllavizmit para tij e dinin mirë: Në qoftë se do ta kontrollosh e manipulosh një grup personash, hapi i parë është ta veçosh atë nga të tjerët.

Hapi i dytë: lajkatimi.

Dhe kështu vepruan teologët që themeluan konceptin e Kishës Pansllaviste. Ata propagandonin se rusët dhe gjithë ata që ata i quanin pjestarë të Kishës Pansllaviste ishin një racë e zgjedhur së cilës Zoti i kish caktuar privilegjin e të sunduarit mbi të tjerët, por me një mision: Krijimin e Perandorisë Pansllaviste.

Hapi i tretë: Frikësimi.

Ata propagandonin se ky ish një mision e nder i madh, por edhe gjithashtu ish edhe një përgjegjësi e madhe që rusët si dhe kombet e tjera sllave kishin para Zotit. Përjetësia, fakti nëse secili pjestar i kombit rus do ta kalonte përjetësinë në Parajsë apo Skëterrë varej nga fakti se sa ai person kish kontribuar në krijimin e Perandorisë Pansllaviste. Nga ana tjetër sipas kësaj teologjie, teologji e cila drejton edhe sot Kishat e Rusisë dhe të Serbisë, kriminelët më të mëdhenj ndaj njerëzimit, si dhe ndaj vetë Zotit në përjetësi, janë ata persona që u kundërvihen përpjekjeve për të krijuar Perandorinë Pansllaviste, pjesë e të cilës ish dhe krijimi i Serbisë së madhe. Fatkeqësisht këdo ide që propagandoheshin në të gjitha mënyrat e mundshme pushtuan mendjet e zemrat e rusëve, serbëve e kudo që ato propagandoheshin.  Edhe personalitete të tilla si Lev Tolstoi (1828–1910), jo vetëm që i besonin po edhe i propagandonin me gjithë fuqinë e mendjes dhe talentit të tyre. Sa herë shohim të shkruhet në veprat e Tolstoit: “Ky ose ai person ish një talent i tillë kaq i shkëlqyer, një mrekulli e përmasave të tilla të cilat mund të ndodhin vetëm në Rusinë tonë…”. Në librin e tij “Lufta dhe Paqja”, Tolstoi na paraqet një nga personazhet e tij kryesorë, Kontin Vronski i cili pasi kish bërë disa gabime, shkon të luftojë në betejë, për të marrë falje e pastaj për t’u “shenjtëruar” duke  të luftuar që ky teritor të bëhet pjesë e Perandorisë Pansllaviste. Këtu duhet të themi se personat të cilët i merrnin më pak seriozisht këto ideale teologjike ishin perandorët Rusë, sepse në shumë raste ata ishin persona me kulturë, njihnin edhe Biblën si dhe origjinën e vërtetë të teorive të tilla teologjike. Prandaj edhe ata vepronin sipas logjikës politike dhe kështu, ndërsa Tolstoi shkruante se duhej shkuar në Kosovë të luftohej për të fituar shenjtërinë, Perandori Aleksandri i Parë, i cili mbretëronte në kohën që përshkruhet në librin ‘Lufta dhe Paqja’ nuk mendonte aspak të lëviste në drejtimin që tregonte teologjia Ruse e Pansllavizmit. Historikish, vetëm pak nga Carët e Rusisë i morën seriozisht këto ide teologjike. Cari i fundit që desh ta orientonte politikën e tij sipas këtyre idealeve teologjike  ish Perandori Nikollai i dytë. Po edhe ai e adoptoi programin politik të projektuar para shumë vitesh nga kisha Pansllaviste vetëm pasi dështoi në përpjekjet e tija në Azi për të pushtuar Kinën e Persinë.  Por populli rus, që nuk e kish nivelin e perandorëve, shumica, pranonte pa kushte teologjinë e Kishës Ruse, teologjinë Pansllaviste.

Teologjia e Kishës Mbretërore të Serbisë është edhe më ekstreme. Nuk kish diskutim për teologët e saj se serbët ishin raca më e zgjedhur në territorin e Ballkanit dhe atyre, dhe vetëm atyre u takonte të sundonin. Për këtë ide ata kishin dhe kanë edhe sot mbështetjen e plotë të Rusisë. Sipas teologjisë serbe, çdo vend ku jetonte, madje edhe aty ku ekzistonte thjesht vetëm varri i një serbi, ishte territor serb. Ish detyrë e përgjegjësi e lartë hyjnore për çdo serb, kudo që të ndodhej, të luftonte për përmbushjen e këtij misioni hyjnor. Kjo ide gjindet sot në flamurin e Serbisë ku gjendet një kryq në katër anët e të cilit gjendet gema c simbol për fjalët samo saves sërbima spasava. (vetëm bashkimi i serbëve na shpëton). Nën sombolin e kryqit katror me 4 c janë kryer gjatë gjithë historisë si edhe në kohën e Millosheviçit mizoritë më të mëdha. Ekstremizmin e këtyre teologëve dhe pasuesve të tyre mund ta shohim të dokumentuar në deklaratat e tyre publike si: “Kudo ku gjendet një serb, madje edhe varri i një serbi është Serbi; madje edhe sikur në Hënë të kish qoftë edhe një serb të vetëm do të ish detyra jonë hyjnore të shkonim e ta pushtonim!”… Në qoftë se dikujt i duken si ekstreme e të pavërteta këto që po themi, le të hulumtojë burimet historike se gjen edhe më tepër se kaq…

Shtrohej pyetja: Si të arrihej ky qëllim? Me të gjitha mënyrat: Vrasjet, dhunimet, shpërnguljet e popullsive për të realizuar këto synime ishin sipas kësaj teologjie “vepra të shenjta” dhe ata që i kryenin ato shpalleshin shenjtorë. Kushdo mund të verifikojë këto fakte: Le të analizojë dhe të shohë se sa persona që kanë kryer vepra të tilla konsiderohen si shenjtorë nga kishat Serbe e Ruse. Le të analizojë deklaratat publike të patriarkut të Kishës Ruse Kirillit, i cili ka guximin të shpallë sot, publikisht, para gjithë botës së qytetëruar: gjithshka që të kryejnë ushtarët rusë në Ukrainë, duke përfshirë masakra e krime të çdo lloji nuk përbën mëkat. Mëkatarë dhe dënimin e Zotit do të marrin ata që ju kundërvihen këtyre krimeve.

Të njëjtën gjë deklaroi pak vite më parë publikisht jo vetëm Kisha Serbe por edhe Aleksandër Vuçiçi, nga pozita e ministrt të propagandës së Sllobodan Millosheviçit. Midis të tjerave ai mallkoi publikisht Bill Klintonin e Toni Blear duke thënë se ata kishin bëre krime të rënda duke penguar masakrat në Bosnjë e në Kosovë. Vuçiçi i kërcënonte Bill Klintonin e Toni Blear se ata me siguri do t’i gjente ndëshkimi i Zotit për krimin e tyre të madh: Pengimin e masakrave që desh të përfundonte Millosheviçi…

Kur këta persona kanë guximin të bëjnë publikisht deklarata të tilla, çfarë flasin, çfarë planifikojnë ata në fshehtësi?

Për ne shqiptarët, për të gjithë evropianët por edhe për gjithë njerëzit e qytetëruar, është me rëndësi jetike t’i njohim këto fakte.

Të gjithë ata që besojnë në teologjinë Pansllaviste konsiderojnë çdo person, grupim apo kombe të tëra, ata që u kundërvihet ideve të tyre cilësohen si agjentë të Skëterrës që duhet të zhduken me çdo kusht, përndryshe ata vetë dhe kombi i tyre do të shkojnë në Skëterrë. Vëllai i sotëm mund të bëhet nesër armiku më i rrezikshëm. Rusët dhe Ukrainasit janë popuj të afërt nga gjuha, zakonet, gjaku… Kanë që të dyja kombet të njëjtën fe: Ortodoksinë. Deri dje ishin vëllezër, po në një moment të caktuar Ukraina vendosi të mos pranojë të jetojë nën diktaturën autokratike të Putinit dhe vendosi të shkonte drejt demokracisë. Nuk mohuan as Ortodoksinë, as miqësinë me popullin rus, aq më pak të ishin rrezik për të pushtuar tokat ruse. Megjithatë, një devijim i vogël mjaftoi për ti shpallur armiq, jo armiq të thjeshtë, po si komb që duhet zhdukur krejt pasi sipas teorisë së fundit të Rusisë na qënka një komb artificial, i cili në fakt nuk na paska ekzistuar kurrë! A janë antirusë ata që luftojnë sot kundër Rusisë? Vëllezërit Kliçko? Nëna e tyre është ruse! Po të tjerët? E megjithatë çfarë nuk thotë propaganda ruse kundër tyre. Kurse Kirilli e quan detyrë të shenjtë pikërisht vrasjen e masakrimin e këtyre personave.

Pas këtyre ngjarjeve të fundit në Ukrainë të gjithë shtetet evropiane shtruan pyetjen: Sa garanci ka miqësia; traktatet e marrëveshjet e nënshkruara me Rusinë?

Në këto kushte, a është logjike për shqiptarët që të hapin kufijtë dhe të besojnë në miqësinë me Serbinë?!

Tani duhet sqaruar përfundimisht edhe një pikë: Të gjitha këto veprime bëhen në emrin e Zotit, nën shenjën e kryqit, në emrin e Jezu Krishtit. Këta teologë, patriarkë si dhe kriminelët e zellshëm, zbatues së ideve të tyre, të gjithë këta që i kryejnë këto krime me bindjen se për këto veprime do të marrin shpërblimin e përjetshëm nga Zoti.

Të gjithë ata që tremben se po të mos i kryenin krimet do ti priste Skëterra, a kanë ata të drejtë?

A mëson Bibla, Jezu Krishti vërtet këtë gjë? A janë këta vërtet përfaqësues të Jezu Krishtit e të Krishterimit?

Sipas teologjisë së Kishës Ortodokse Serbe shpëtimi i shpirtit, e ardhmja e serbëve në përjetësi varet nga ajo që ata bënin për krijimin e “Serbisë së madhe”. Kushdo që punon për këtë synim ka fituar jo vetëm faljen e mëkateve po edhe statusin e shenjtorit. Për këtë arsye edhe sot politikanët serbë shkojnë dhe i bëjnë homazhe nderimi varrit të Esad Pashë Toptanit, për të fituar forcë shpirtërore të vazhdojnë në rrugën e tyre. A buron vërtet kjo lloj force shpirtërore nga Jezu Krishti? A mëson vërtet Jezu Krishti se duhet të vrasish e të dhunosh, të shpërngulish e të masakrosh në Ukrainë, për Rusinë, në Bosnjë e Kosovë për hir të “Sërbisë së madhe”? A është vërtet kjo rruga drejt Parajsës për rusët e serbët?

Në fakt kushdo që lexon Biblën shikon se është e kundërta. Po citojmë:

1 Gjoni 3:

14 Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit; kush nuk e do vëllanë e vet, mbetet në vdekje.

15 Kushdo që urren vëllanë e vet është vrasës; dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme të qëndrueshme në vete.

16 Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit.

17 Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë?

18 Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë.

Mateu 5:

44 Por unë po ju them: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin,

45 për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët.

46 Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?

47 Dhe nëse përshendetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?

48 Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej”.

1 Timoteut 1:

5 Qëllimi i këtij urdhërimi është dashuria, prej një zemre të pastër, prej një ndërgjegjeje të pastër dhe prej një besimi jo të shtirur.

Luka 23:

33 Dhe kur arritën në vendin që quhet ”Kafka”, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë.

34 Dhe Jezusi tha: ”O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”….

Veprat 7:

59 Kështu e vranë me gurë Stefanin, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: ”O Zoti Jezus, pranoje frymën time!”.

60 Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të lartë: ”O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!”. Dhe, si tha këtë, fjeti.

Këto vargje dhe shumë të tjera flasin qartë prandaj nuk ka nevojë të komentojmë.

Po si ta klasifikojmë, si ta emërtojmë një kishë që me teologjinë e saj, në emrin e Jezu Krishtit, në vend të dashurisë sjell urrejtjen, luftën dhe krimet?

Bibla për këtë ka një përgjigje të qartë:  Antikrishtin.

Antikrishti në Bibël na përshkruhet si personi që përfaqëson kulmin e së keqes, personin të cilin vetë Zoti do të vijë e ta shkatërrojë. Gjithashtu na thuhet se shpirti i Antikrishtit, shpirti që shtyn dhe ndihmon ata që e keqpërdorin emrin e Jezu Krishtit për qëllimet e tyre është në veprim. Thuhet në Bibël se ata që qëllimisht e keqpërdorin emrin e Jezu Krishtit për qëllimet e tyre egoiste janë të aftë të bëjnë krimet më të tmerrshme, ashtu si vetë Antikrishti:

1 Gjoni 2:

18 Fëmijë, është ora e fundit. Dhe, sikurse e dëgjuat, antikrishti duhet të vijë, dhe tani janë shfaqur shumë antikrishtë; prej nga e dimë se është ora e fundit.

19 Mes nesh dolën, por nuk ishin nga tanët, sepse, po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne; por kjo ndodhi që të dalë se nuk janë të gjithë nga tanët.

Mateu 24:

3 Pastaj, kur ai u ul të rrinte në malin e Ullinjve, dishepujt e vet iu afruan mënjanë dhe i thanë: ”Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?”.

4 Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ”Ruhuni se mos ju mashtron ndokush!

5 Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: “Unë jam Krishti” dhe do të mashtrojnë shumë njërëz.

6 Atëherë do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash…

Nuk duam të bëjmë shumë citime dhe të bëjmë një analizë të thellë për këtë temë. Po japim një sqarim të thjeshtë:

-Emri Antikrisht në fakt është një fjalë e përbërë: Anti-Krisht.

Parafjala anti ka dy kuptime: 1 Kundër, 2- Në vend të. Nga vetë emri kuptojmë se kur dikush na vjen dhe pretendon të jetë përfaqësues i Jezu Krishtit, po në fakt bën të kundërtën është në fakt një nga persona të cilët Bibla i quan shumë antikrishtët “e vegjël”, që në fakt punojnë për të pregatitur terrenin që të vijë Antikrishti “i madh”, që përfaqëson kulmin e së keqes.

– Bibla na paralajmëron se prej këtyre personave duhet të presim më të keqen.

-Atje ku këta persona arrijnë të mashtrojnë dhe të pranohen krijojnë terenin për të filluar luftëra…

Tani shtrohet pyetja: Çfarë të bëjmë?

Në radhë të parë të kemi guximin ta shohim të vërtetën në sy dhe t’i quajmë personat e institucionet me emrin e tyre të vërtetë: Të kemi guximin që ti themi një personi që vjen në shënjën e kryqit, flet në emrin e Jezu Krishtit po mashtron, dhunon e masakron, t’i themi se ti  nuk përfaqësues  i Krishtit, je përfaqësuesi i Antikrishtit!

Të jemi të qartë se çfarë mund të pritet prej personave, institucioneve, shteteve dhe ushtrive që motivohen nga ideologji e teologji të tilla.

Dhe për ata serbë e rusë apo kushdo qoftë tjetër që debatojnë me ne dhe duan të na mbushin mendjen për vërtetësinë e kauzës së tyre, le t’u citojmë atyre Biblën, fjalët e Jezu Krishtit vetë. Mbase iu hapen sytë dhe e shohin të vërtetën. Le të mos harrojmë: Argumentat më të forta të mashtrimit që ka skllavëruar mendjet e zemrat e tyre sot janë “argumentat” teolgjike. Dhe këto “argumenta” ne mund t’i luftojmë në mënyrën më të suksesshme me citime biblike.

Please follow and like us: