Mevlan Shanaj: ÇASHKU…
Pothuaj nuk ia di njeri emrin, por pothuaj gjithë shqiptarët e dinë që Çashku është personalitet. Më së miri e dimë ne kolegët dhe nuk dyshoj që as bota politike të mbetet prapa. Mua më ka ndodhur të njihem në një verë që ishte me pushimet e shkollës nga Bukureshti! Shkëmbyem mendime se si ishte shkolla atje, pasi i tregova impresionet e mia nga një vizitë dy javore! Kujtoj se i tregova për artistët e njohur të asaj kohe të Rumanisë si Irina Petresku, Dan Nucu, Hamza Pele etj. Po ashtu për Livi Çulej që e kisha parë në teatrin ‘Bulandra’. Kuptohet që qe një ngjizje me studentin e filmit që bënte kujdes në përzgjedhjen e fjalëve! Në fund bëra humor duke përdorur shprehjen ”Prifti vjen nga Stambolli, priftëresha mollois”. Më pas kur erdhi regjisor në Kinostudio, nga të fundit që ktheheshin nga jashtë shtetit të asaj kohe, si në të njëjtin profesion shkëmbenim jo vetëm përshëndetje. Më rastisi ta shikoja si regjisor nga afër te filmi” Ballë për ballë”, impresioni ishte se në çdo sekondë nuk kishte qetësi, por i preokupuar! Në një çast i them se temperamenti yt në distancë të krijon përshtypjen se diku këtu rreth ka rënë zjarri! Çashku solli në ekranin shqiptar imazhin në lëvizje me elipsin që parapëlqen. Nëse shprehja “Se stilografi i regjisorit është kamera” duket se si ngacmim duhet të ketë modelin ala Çashku! Kjo vihet re edhe në trajtimin estetik të imazhit të tij! Si edhe unë shumë herë, parapëlqen nëntekstet filosofike, ndoshta pika jonë lidhëse që në kryhet të herës. Kështu në një udhëtim me avion nga Zvicra në Tiranë, besoj se kemi njohur apo kënaqur pritshmëritë e dijeve me njëri-tjetrin. Për mua Çashku ishte bërë regjisori i imazhit, përfaqësues i ekranit të madh! Kujtoj “Pas vdekjes”, “Dora e ngrohtë”, “Të paftuarit”, “Syri magjik”, “Vrasja në gjueti”, “Kolonel bunker”, “Balada e Kurbinit” etj. Filmat e tij sillnin lëvizje të mendimit! Si njeri social kërkonte të shfaqej dhe asnjëherë nuk pati stepje! Kemi bashkëpunuar në shkollën “Marubi” që me një këmbëngulje apokaliptike arriti të jetë model në çdo drejtim, mbi të gjitha i rezistencës ndaj administratave. Sot ka triumfuar administrativisht, por nuk i dorëzohet apo nënshtrohet mediokritetit. Së bashku i jemi kundërvënë mendësive provinciale në mbrojtje të lirisë krijuese dhe personalitetit të autorsisë! Një karakteristik qytetare e tij, si një intelektual, deri më sot nuk e kam dëgjuar të përflasi njeri. Ne rregullisht shkëmbejmë mendime si ata idealistët e pamposhtur në përmirësim të pandalshëm jo vetëm të filmit, por edhe mendimit estetik! Çashku është një aset kombëtar ku në rastin më të keq mëson nga psikologjia e tij progresiste! Nuk di se kemi ngjashmëri fizike, po në disa raste më kanë ngatërruar me emrin e tij. Mua në kësi rastesh më ka ardhur mirë! Çashku e ka emrin Kujtim! Bukur të kujtosh në këtë jetë!