Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Agastra: BUKOWSKI, I SHENJTË E PROFAN

Ese
Të shkruash për një penë kaq të përfolur, mendoj se është guxim dhe ndjeshmëri ,gjithashtu.
Të gjithë kur kemi lexuar pjesë nga krijimtaria e Bukowskit, kemi shijuar lirinë dhe drejtpërdrejtshmërinë e tij, sarkazmën dhe cinizmin ithtak, kemi ndjerë e përjetuar bukurinë e vargjeve të tij dhe kemi frymuar të shpenguar, herë herë edhe jemi përhumbur në të. Shprehitë e tija filozofike me origjinë nga përvoja jetësore, nga jeta e shthurur, në kufinjtë e perverses, janë kaq aktuale ende.
 Kujtoj këtu një nga shprehjet e tij: “Duhet të jetoni me njerëz të gabuar, për të vlerësuar, vlerën e atyre që janë të drejtë kur ti takoni”.
Ndonëse jeta e goditi me steriotipe e vështirësi ai shprehet: “Mirësia mund të gjendet ndonjëherë mes ferrit”.
 ”Edhe pse i trishtuar, apo i dehur nga vuajtja, duket se s’ka hequr dorë kurrë së gjeturi mes errësirës së fatit, rrugën drejt mirësisë dhe shpëtimit. Nuk mendoj të jetë thjesht tendencë instiktive e një njeriu që kur është në fund të pusit të kërkojë dritën që ta shpëtojë, përkundrazi ai është personifikimi i atij njeriut që në pamje të parë shfaq atë pamjen antikonformiste dhe rebele, por që brenda tij ruan si guacka perlën në fund të oqeanit.
I tillë është edhe për mua Bukowski, i thellë, i rrallë , i vështirë për ta pranuar, por nëse arrin ta shohësh produktin e tij të shpirtëzuar në vargje, dashurohesh me vargun, me forcën, me mesazhin, me mënyrën sesi e sheh dhe e shpreh dashurinë.
Mjaft të kujtosh dialogun në vargje:
“-Atëherë ç’do bëjmë?
-Dashuri
-Vërtetë?
-Po
-Bukur atëherë, po zhvishem!
-E pse të zhvishesh?
-Për të bërë dashuri
-E kush të ka thënë që për të bërë dashuri  duhet të jesh lakuriq?
-Se di unë, kështu bëhet….
-Jo, ajo nuk është dashuri. Eshtë pushtet, dhunë me dashje mbi tjetrin”.
Pra ai e shpirtëzon dashurinë, aktin seksual,  i jep dimensione jo fizike, i jep një ngjyrim poetik të ndërthurur me ndjesi pasioni e gjenialiteti siç vetëm ai di ta bëjë.
Syresh, diskutohet për perversitetin e tij, për dualitetin e tij “Seks- Alkol”, për të qenurit e tij gjithmonë në anën e të dobtëve, të varfërve.
Ironia therëse e tij ka bërë që të jetë mjaft i diskutuar në ambjentet letrare, madje e kanë etiketuar rëndom si poeti Bohem,  poeti i kabareve, pijaneci që me vulgaritetin e tij hedh vargje të pavlera për shoqërinë nën  efektin e avujve të alkolit, duke degraduar moralin e shëndoshë të shoqërisë.
Kaq do të mjaftonte për këdo të ngrinte një mur refuzimi për të hulumtuar më thellë në krijimtarinë e tij.
Personalisht, mendoj që shumë pak njerëz e kanë parë në prizmin psikologjik jetën dhe penën e tij, pse ai kishte një background të tillë, pse jetonte në simbiozë me rebelizmin, urrejtjen, ndërkohë  që fjala e derdhur e tij, ishte sa e drejtë, aq edhe ngushëlluese.
Pikërisht kjo është edhe pika nevralgjike e esesë sime.
Diku kam lexuar se fëmijëria e tij ka qenë, sa izoluese nga bota, aq edhe e dhunshme verbalisht dhe fizikisht nga i ati , faktorë këto që  e kanë detyruan të zgjedhë “arratinë” e lirinë e shfrenuar duke bërë atë jetën underground, shpërfillëse nga realiteti përreth që e moralizonte dhe ai ishte kundra  çdo gjëje që predikonte rregulla.
Jeta e bëri të provonte profesione të rëndomta për të mbijetuar. Çuditërisht kjo është edhe  periudha më e mbushur e krijimtarisë  së tij, lulëzimi i forcës së shfryrjes së gjithë mllefit shpirtëror, gjë e cila e bëri atë gjenial e unik.
Pas shumë kalvaresh, mundimesh e sfidash, fati do ti ndriste edhe atij, për tu ngritur aty ku i takonte.
Falë kësaj “dore të ngrohtë”, që e nxorri nga jeta e tij e errët ku fati e kishte degdisur, ai iu përkushtua poezisë duke i dhënë plejadës së asaj kohe një shkëlqim  e një nivel letrar që e çoi atë të prekte famën në Europë dhe suksesin ne Amerikë.
Dielli lindi edhe për të, falë njohjeve me njerëz me reputacion dhe me një botë shpirtërore të pasur e të bukur që kishin sy dhe vëmendje për të diktuar talentin dhe gjenialitetin e tij. Ata i dhanë një kthesë rrënjësore  jetës së tij, gjë e cila manifestohet edhe në krijimtarinë e tij.
Tashmë shkrimet filluan të njihnin aspirate, shpresë, moralizime, kjo e fundit ishte makthi i tij dikur, tashme ai apelonte:
“Jeta jote është jeta jote
Ti nuk mund ta mposhtësh vdekjen
Por mund të mposhtësh vdekjen ne jetë
Dhe sa më shpesh që ta mësosh ta bësh
Aq më shumë dritë do të ketë
Ka rrugëdalje
Diku ku ka dritë…”.
Ja pra, a s’eshtë paragjykimi arma më e egër që ne njerëzit kemi në dorë dhe e përdorim dendurisht duke i kufizuar vetes mundësinë të shijojmë vlerën e vërtetë të njohjes dhe gjykimit të punës në mënyrë të drejtpërdrejtë.
 A nuk është ky një gabim që bëjmë rëndom me njëri tjetrin, apo dhe me të panjohurit, thjesht duke besuar në mitet që ngrihen për të.
Siç e thotë edhe vetë Bukowski, kjo tendencë si pakuptuar, të bën të humbasësh miqtë, bashkëshortët, të afërmit dhe madje edhe vetë mendjen tënde.
Në përmbyllje, do të sillja në vemendjen tuaj edhe një tjetër anë shumë të diskutuar, objekt i përjashtimit dhe penalizimit ndaj tij: Blasfemia.
Ndoshta, për shumë besimtarë, pikërisht kjo shfaqje e tij e ka bërë të hyjë në skutat e harresës. Kujtoj një pasazh të tij:
“Unë jam zot i vetes.
Ne jemi këtu për të çmësuar mësimet e kishës, të shtetit dhe të  sistemit tonë arsimor.
Ne jemi këtu për të pirë birra…”, por me kalimin e kohës, kur ai pësoi metamorfozën e tij dhe purifikimin e tij shpirtëror, arriti të kuptojë e të pranojë ekzistencën e Zotit e fuqinë e tij, madje vdiq në duar të murgjërve.
Pra, pavarësisht kontradiktës që ekziston në tërësinë e tij, sërish mbetet aktual, i lexuar dhe magjik.
Pse siç thotë vetë ai: “Gjenial është ai që arrin të depërtojë lehtësisht e thjeshtësisht në masë”.
Do të doja ta mbyllja opinionin tim me një nga shprehjet e tij shume inkurajuese e apeluese njëkohësisht: “Ne jemi këtu për të jetuar jetën aq mirë, saqë edhe vetë vdekja të ketë frikë të na e marrë”.
28/07/2023
Please follow and like us: