Albspirit

Media/News/Publishing

STRUKTURA E SHËRBIMEVE SEKRETE DHE TË SIGURISË NË FEDERATËN RUSE

Nga Dr. Dritan Demiraj

Pas vitit 2021 dhe në vazhdim, duke marrë në konsideratë edhe ndryshimet gjeopolike në botë, përpjekjet për të krijuar një rend të ri botëror, aktorët dhe faktorët e rinj të cilët po punojnë së bashku hapur dhe fshehtas papushim për të sfiduar SHBA-të si superfuqi e vetme ushtarake, politike, ekonomike, teknologjike dhe demokratike në botë, përpjekjet e vazhdueshme të presidentit Vladimir Putin për ta çuar Federatën Ruse në një nivel tjetër lidershipi në botë, pushtimi i paprecedentë dhe i paprovokuar i Ukrainës, përpjekjet dhe përplasjet e paprecedenta midis SHBA-ve dhe Kinës e cila nën lidershipin e presidentit Xi Jinping ka objektiv të arrijë dhe më pas ta kalojë fuqinë ekonomike dhe ushtarake të SHBA-ve, të pushtojë me anë të forcës Tajvanin, të mbizotërojë ujërat ndërkombëtare në Oqeanin Indian dhe Paqësor, Republikën Islamike të Iranit e cila gjithmonë e më shumë po sfidon haptazi politikën paqeruajtëse të SHBA-ve në Lindjen e Mesme, Korenë e Veriut, fuqia bërthamore e së cilës po bëhet gjithmonë e më shumë shqetësuese në këtë rajon të botës duke kërcënuar drejtëpërsëdrejti sigurinë kombëtare të Japonisë, Koresë së Jugut, bazat amerikane në Pacifik por jo vetëm, të gjitha sa më lartë duhen lexuar me përgjegjësi shtetare nga lidershipi i vendeve perëndimore përfshirë këtu edhe drejtuesit e vendit tonë dhe të Dardanisë.

Studimi dhe analiza e gjeopolitikës, gjeostrategjisë, gjeoekonomisë, politikës së jashtme, shërbimeve sekrete, strukturave ushtarake dhe fuqisë luftarake të Federatës Ruse, Republikës Popullore të Kinës (PRC), Republikës Islamike të Iranit (IRI) dhe Republikës Popullore Demokratike të Koresë (DPRK), të cilat duket se kanë krijuar një aleancë të re e cila në dekadën që po jetojmë, paraqet një kërcënim të madh për demokracitë në botën perëndimore por në të njëjtën kohë ka rëndësi shumë të madhe për të ardhmen e vendeve tona demokratike.

Tashmë prej 10 vitesh vëmendja e SHBA-ve, BE-së, NATO-s, shërbimeve inteligjente civile dhe ushtarake të vendeve perëndimore është përqëndruar në veprimtarinë destruktive të Federatës Ruse, frikë e cila u vërtetua me rastin e pushtimit dhe shkatërrimit të plotë të Ukrainës në datën 24 shkurt 2022 dhe në vazhdim.

Nënvleftësimi i aftësive ushtarake dhe i kapaciteteve operacionale të agjensive të inteligjencës, forcave të armatosura të Federatës Ruse dhe e presidentit Vladimir Vladimiroviç Putin është një gabim i pafalshëm. Shërbimet e inteligjencës të Federatës Ruse janë një kundështar i fuqishëm i shërbimeve sekrete, agjensive ligjzbatuese dhe qeverive perëndimore, por vetëkuptohet një kundërshtar aspak i pamposhtur.

Përballja me aftësitë dhe kapacitetet e shërbimeve të tilla, kërkojnë nga shërbimet sekrete të hapësirës mbarëshqiptare, ballkanike, europiane nën drejtimin e agjensive amerikane një qasje gjithëpërfshirëse, profesionale, investime më të shumta në pajisje, teknologji, burime financiare dhe drejtues profesionistë në krye të këtyre agjensive. Për më tepër, suksesi i këtyre shërbimeve do të lidhet në radhë të parë me bashkëpunimin me shërbimet e inteligjencës amerikane, vend i cili ka dhënë ndihmën më të madhe në strukturimin dhe rritjen e kapaciteteve operacionale të shërbimeve sekrete, agjensive ligjzbatuese dhe forcave tona të armatosura.

Në gjykimin tim, në ditët e sotme Federata Ruse paraqet një nga rreziqet më të mëdha të sigurisë kombëtare për SHBA-të dhe aleatët e saj. Këtë fakt më shumë se asgjë tjetër e vërtetoi pushtimi i paprecedentë, i paprovokuar, i paligjshëm dhe kriminal i Ukrainës në muajin shkurt të vitit 2022. Federata Ruse pavarësisht faktit se nuk ka një ekonomi të fortë, përsëri ajo ka kapacitete shumë të fuqishme ushtarake dhe inteligjence.

Ajo ka objektiv parësor që së bashku me Republikën e Kinës, Republikën Islamike të Iranit, Korenë e Veriut, etj  të kundërshtojë me çdo mjet interesat e SHBA-ve dhe të aleatëve të saj, ku në këtë rast mund të përmendim rreziqet dhe kërcënimet e vendit tonë dhe të Republikës së Kosovës, për shkak se Federata Ruse mbështet fuqishëm politikën e saj të jashtme në Ballkan nëpërmjet mbështetjes së presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe presidentit të Republikës Serbska Milorad Dodik. Për këtë qëllim, SHBA-të së bashku me vendet e tjera anëtare të NATO-s duhet që këtë kërcënim në këtë rajon të brishtë ta marrin më seriozisht në të adhmen, duke mbajtur qëndrim të qartë dhe të prerë kundër ‘veglave’ të Vladimir Putin-it në Ballkan. Por nga ana tjetër, Rusia ka një dobësi të madhe sa i përket institucioneve politike të brendshme dhe ekonomisë e cila varet shumë nga eksportet e energjisë jashtë vendit.

Të gjitha sa më lartë, por jo vetëm demostrojnë dhe vërtetojnë strategjinë e tij për të ringritur Federatën Ruse si një fuqi botërore. Presidenti Vladimir Putin e shikon Europën Lindore në të ardhmen nën kontrollin e Moskës dhe të integruar në sferën e influencës kulturore, ekonomike dhe politike të Rusisë. Por në të njëjtën mënyrë, ai po përpiqet në maksimum që edhe Europa Perëndimore të jetë e varur nga enegjia ruse, një politikë izoluese dhe më e rëndësishme anti-amerikane e cila është shfaqur haptazi gjatë vitit 2022 dhe në vazhdim.

Objektivi strategjik i presidentit Vladimir Putin është rithemelimi i Federatës Ruse si një fuqi e madhe botërore, duke u siguruar se asnjë vendim global nuk mund të merret në OKB pa miratimin e saj. Për këtë qëllim, presidenti Vladimir Putin së bashku me presidentin kinez Xi Jinping po punojnë që të sigurojnë se rritja e fuqisë së politikës së jashtme e vendeve të tyre të limitojë sa më shumë aftësitë e SHBA-ve për të qënë superfuqia e vetme në botë.

Në gjykimin tim, drejtuesit europianë dhe amerikanë deri përpara pushtimit të Ukrainës në datën 24 shkurt 2022 janë shfaqur të verbër sa i përket strategjisë së largët të presidentit Putin. Presidenti Obama iu përgjigj pa forcë pushtimit të paligjshëm të Gadishullit të Krimesë në vitin 2014, duke e paralajmëruar Putin-in se: “Ju jeni në anën e gabuar të historisë”, ndërkohë duhet pranuar se presidenti Putin po shkruan “historinë” e tij me këto pushtime, por në të njëjtën kohë në gjykimin tim edhe fundit e tij. Në këtë kontekst, autori i shquar amerikan Ralph Peters jo pa të drejtë ka shkruar se: “Ndërkohë që Obama flet, Putini vret”.

Në këtë këndvështrim, gjykoj që është e rëndësishme të nënvizojmë se konfliktet dhe luftërat ndërkombëtare që ka realizuar deri më sot presidenti rus Putin, kanë shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve, ushtarakëve dhe shkatërrimin e shumë qyteteve në Ukrainë. Për këtë arsye, gjykoj se është e rëndësishme që drejtuesit tanë por jo vetëm, të kuptojnë në thellësi dhe gjerësi se çfarë po planifikon presidenti Putin në Ukrainë, në të ardhmen edhe në Bjellorusi, vendet Baltike, Moldavi, Kauzaz, Ballkanin Perëndinor, Europën Lindore, Azinë Qëndrore, Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore dhe Qëndrore, në SHBA dhe në Azinë Jug-lindore.

Agresiviteti i 16 muajve të fundit të Federatës Ruse, nuk është asgjë tjetër më shumë sesa vazhdimi i një plani të qartë 20 vjeçar, i cili vazhdon të zbatohet dhe “suksesi” i saj në gjykimin tim ka ardhur si pasojë e mosveprimeve, kundërveprimeve të pamjaftueshme dhe masave të dobëta, joproduktive të SHBA-ve (sipas vetë zyrtarëve më të lartë të agjensive të sigurisë në SHBA) NATO-s, BE-së dhe aktorëve të tjerë të rëndësishëm në botë.

Në këtë këndvështrim, gjykoj se është e rëndësishme të analizojmë përmes shumë ngjarjeve dhe fakteve, strategjitë e agjensive sekrete dhe të inteligjencës të Federatës Ruse, implementimi i së cilave ka bërë që Rusia të shtojë rreziqet, kërcënimet dhe agresivitetin e saj kundër të gjithë botës perëndimore. Përveç ndërhyrjes në Gjeorgji dhe në Ukrainë, kemi parë ndërhyrjen e Rusisë në të kaluarën në SHBA, Britani, Francë, Gjermani, Poloni, Estoni, Moldavi, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnje dhe Hercegovinë, Republikën e Kosovës sidomos në këtë të fundit duke përdorur strategjinë e saj të dizinformimit, propagandën, veprimet destabilizuese në veri të vendit, duke implementuar “fuqinë e butë” në bashkëpunim me aleatin e saj strategjik në Ballkanin Perëndimor Serbinë së bashku me ministrin e propagandës së Milosheviçit, Aleksandër Vuçiç.

Për më tepër, Federata Ruse si një fuqi relativisht më e dobët se SHBA-të pa marrë parasysh gjithë NATO-n dhe aleatët e tyre të fuqishme si Japonia, Koreja e Jugut por jo vetëm, ka patur arsye për të adoptuar qasjen e ‘gjeopolitikës guerrile’, ose përdorimin e mjeteve dhe taktikave jokonvencionale, me qëllim që të përpiqet ta zhvendosë konfliktin atje ku ka më shumë avantazhe. Një interes të madh në rastin e aplikimit të ‘Doktrinës Gerasimov’, ka patur përdorimi i mjeteve dhe i metodave jo ushtarake si psh përmbysjet e pushtetit dhe shpërndarja e dizinformimit, të mbështetura në fshehtësi me operacione luftimi nëpërmjet përdorimit të forcave speciale dhe shërbimeve sekrete, gjë e cila sidomos gjatë viteve 2004 dhe deri në ditët e sotme ka treguar dhe reflektuar rritjen e fuqisë së shërbimeve të sigurisë dhe të inteligjencës së Federatës Ruse. Në këtë sukses, padyshim një rol të rëndësishëm ka edhe ish agjenti i KGB-së presidenti Vladimir Putin, i cili gjatë viteve 1998-1999 ishte drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB).

Pas zgjedhjes së tij në krye të vendit, shumë prej kolegëve, aleatëve dhe këshilltarëve të tij të ngushtë kishin të kaluar nga shërbimet sekrete dhe të sigurisë ruse. Personi më i afërt, i cili është ekuivalent i këshilltarit të sigurisë kombëtare të presidentit të Amerikës në Federatën Ruse, është kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Nikolai Patrushev. Ai e drejton këtë këshill që nga viti 2008. Nikolai Patrushev është një oficer me karrierë në KGB, i cili zëvendësoi si drejtor të FSB-së Vladimir Putin-in. Ai ka qënë drejtor i FSB-së nga data 9 gusht 1999 deri në datën 12 maj 2008. Në shumë raste Nikolai Patrushevi ka deklaruar se: “Unë besoj se SHBA-të do të dëshironin që Rusia të mos ekzistonte fare si shtet. Ai është siguruar që të këshillojë në çdo rast presidentin rus Putin  në një linjë konfrontimi me perëndimin. Shumicën e informacioneve dhe këshillave për situatën e sigurisë në botë, ai e merr nga shërbimet e përbashkëta sekrete ruse.  

Çdo ditë e punës së presidentit Vladimir Putin fillon me leximin e kujdesshëm të 5-6 agjensive kryesore të inteligjencës dhe të sigurisë. E para dhe më e rëndësishmja është studimi ose leximin i informacioneve nga Shërbimi i Huaj i Inteligjencës (SVR-Sluzhba Vneshnei Razvedky) mbi situatën dhe ngjarjet jashtë Federatës Ruse.

Më pas, një rëndësi të madhe ka siguria e brendshme dhe informacionet e dërguara nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB). Presidenti Vladimir Putin, merr informacione të përditshme të detajuara rreth situatës nga elita e tij personale, Shërbimi Federal i Mbrojtjes (FSO-Federalnaya Sluzhba Okhrany). Nga burime të inteligjencës perëndimore, deklarohet se presidenti Putin më shumë beson informacionet e agjensive të sigurisë dhe të inteligjencës sesa ato të Ministrisë së tij të Jashtme. Agjensitë e shërbimeve sekrete ruse kanë akses të jashtëzakonshëm tek presidenti Vladimir Putin. Dy drejtorët kryesorë të SVR-it dhe të FSB-së  (Naryshkin dhe Bortnikov) takohen çdo javë me presidentin Vladimir Putin.

Buxheti i këtyre agjensive është shumë i madh dhe i paprekshëm, madje edhe më shumë sesa i Ministrisë së Mbrojtjes në termat e mbështetjes por jo të shumës së përgjithshme. Në këto momente kur përplasja me perëndimin është rritur në maksimum, ato janë bërë edhe më të varura nga Kremlini zyrtar. Ndryshe nga agjensitë homologe në perëndim, roli i tyre asnjëherë nuk ka qënë kaq i rëndësshëm sa i përket grumbullimit të informacionit, veçanërisht tani që më shumë se 160 miliardë dollarë janë dhënë si asistencë ushtarake në mbështetje të ushtrisë së Ukrainës. Ato janë agjensi që roli i tyre ka shumë rëndësi në kohë lufte, sa i përket misionit të tyre për grumbullim inteligjence, analizën e situatës të sigurisë, lobimin për politikat e qeverisë së tyre (SVR) dhe ekzekutimin e operacioneve direkte (GRU). Si një shërbim që është më shumë i fokusuar në grumbullimin e inteligjencës me njerëz (HUMINT), agjensia SVR në shumë raste krahasohet me misionin e CIA-s dhe të MI6 britanike.

Struktuara e shërbimeve sekrete ruse

Për më tepër, mentalitetin e luftës pak elementë e demostrojnë më shumë sesa agjensia ruse e inteligjencës ushtarake GRU dhe Njësia e saj Nr-29155. Që nga koha e krijimit të saj në vitin 1918 si ‘Registrupr’, inteligjenca ushtarake ruse ka urdhëruar njësitë e saj të ekzekutojnë vrasje politike, misione sabotazhi, ‘punë të pista me gjak’, por Njësia Nr-29155 u krijua në vitin 2009. Misionet e saj kryesore janë të një game të gjerë, që nga përdorimi i sulmeve me eksplozivë në Ukrainë, deri tek hedhja në erë e depove të armatimit ‘Vrbetice’ në Republikën e Çekisë në vitin 2014, përpjekja për helmimin e trafikantit bullgar të armëve në vitin 2015.

https://gazetadielli.com/struktura-e-sherbimeve-sekrete-dhe-te-sigurise-ne-federaten-ruse/

Please follow and like us: