Albspirit

Media/News/Publishing

Imazhi i Shën Nënë Terezës në monedhat përkujtimore të  Urdhërit të Kalorësve të Maltës dhe Vatikanit

 

 

  Melsen Kafilaj, studiues

Portreti zyrtar gjatë kanonizimit të Nënë Terezës si Shenjtore, porosi e Kalorësve të Kolombit dhe realizim i artistit amerikan, Chas Fagan- “Piktorit të Presidentëve”   © Chas Fagan, 2016

 

Në një artikull tonin të vitit 2020 me titullin grishës “Kartëmonedha Kombëtare, Feminizmi dhe Emancipimi Mendor: Disa Propozime” (https://www.voal.ch/kartemonedha-kombetare-feminizmi-dhe-emancipimi-mendor-disa-propozime-nga-melsen-kafilaj/multimedia/press/) midis të tjerash tërhiqnim vëmëndjen edhe për përfshirjen e imazhit të Shenjtores Tonë Nënë Tereza në kartmonedhën kombëtare, si një shenjë jo vetëm e emancipimit tonë mendor por gjithashtu edhe treguese e humanizmit dhe dashurisë së Saj të pa kufi, ndjenjë për të cilën bota ka nevojë më shumë se kurrë në ditët tona. Propozim, i rënë si gjithmonë në vesh të shurdhët dhe pa kurrëfarë vramëndjeje nga ana e atyre që kemi mbi krye. Kjo për arsyen e vetme se politikanët dhe burokratët tanë, këta kolltukofagë monomaniakë janë më tepër të dhënë pas rëndësisë së Qosheve sesa fuqisë së Ideve, mallkim ky që na përndjek si Komb në shekuj.

Nënë Tereza, një figurë e njohur ndërkombtarisht dhe e nderuar si imazh me monedha përkujtimore edhe nga vende që shqiptarët si gjejnë dot në hartë si Palau, Nauru, Ishujt Solomon apo Ishujt Turk & Caicos në vendin tonë përkujtohet me monedhën 200 Lek (Au dhe Ag) vetëm në vitin 2012, përmes një dizajni i cili për nga vlerat artistike dhe realizimi jo vetëm që lë për të dëshiruar dhe as që mund të krahasohet estetikisht me vendet e lartpërmëndura (Monedha e Palaut, psh konsiderohet si një prej më të bukurave në botë), por madje në pjesën e pasme të saj përmban edhe një imazh pëllumbi “të huazuar” haptazi nga Pablo Picasso, imazh të cilin ky i fundit e dizenjoi për posterin e Kongresit Botëror të Paqes, të zhvilluar në Moskë gjatë datave 9-14 Korrik të vitit 1962.

© Banka e Shqipërisë, 2012

Por ajo ç’ka është mjaft interesante dhe përbën fokusin e këtij artikulli është fakti se imazhin e Nënë Terezës për herë të parë në monedhat përkujtimore nuk e fut as Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut (diçka që duhet ta bënin). Këtë gjë e realizon për herë të parë në vitin 2001 përmes monedhës 5000 Lirash Ar Urdhëri i Kalorësve të Maltës, një Urdhër Kalorsiak Katolik 900 vjeçar dhe një entitet i pavarur, i njohur për vetqeverisjen, ekstraterritorialitetin dhe misionin e tij nga E Drejta Ndërkombtare. Karakteristikë tipike për këtë monedhë përkujtimore të Mijëvjeçarit të Ri, ndryshe nga monedha shqiptare nuk është vetëm realizimi fantastik i portretit të Nënë Terezës- “Engjëllit të të Varfërve”, por edhe mesazhi i fuqishëm që ajo përcjell: “Lufto Urinë për të pakësuar Varfërinë”!

© Sovereign Military Order of Malta, 2001

Një nismë kjo e pasuar gjithashtu edhe në vitin 2003, ku në serinë e “Kampionëve të Paqes”  Urdhëri në fjalë do ta vendoste sërish Shenjtoren- Nobel për Paqen (1979)  në monedhën përkujtimore 500 Lira Argjend. Mesazhi domethënës përcjell esencën e vokacionit dhe misionit jetësor të vet Shenjtores: “Shërbe, Duaj, Dhuro”!

Shqiptarët asnjëherë nuk ju kanë kushtuar nderimin e duhur figurave të tyre madhore dhe gjithmonë kanë qënë të vonuar në kapjen e momenteve apo ngjarjeve të caktuara historike. Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe. Historia përsëriti vetveten edhe me rastin e Kanonizimit të Nënë Terezës si Shenjtore nga ana e Selisë së Shenjtë. Teksa shtete të ndryshme të botës nxituan që të realizonin monedha me imazhin e Shenjtores Tonë për ta përkujtuar këtë ngjarje, Qeveria dhe Banka e Shqipërisë nuk e vuri ujin në zjarr fare për ta materializuar monetarisht një moment të tillë historik. Diçka e cila nuk mund t’i shpëtonte nga fokusi fqinjit tonë lindor, Maqedonisë së Veriut, me realizimin e një portreti dinjitoz të Shenjtores në monedhën përkujtimore 100 Dinar, por gjithashtu edhe Vatikanit me realizimin e një pulle postare, medaljeje argjendi por edhe një sërë artifaktesh të tjera.

© Ufficio Filatelico Numismatico Vaticano, 2016

Imazhi i Nënë Terezës në monedhat përkujtimore të Vatikanit do të autorizohej nga Papa Françesku në vitin 2022 me rastin e 25 vjetorit të kalimit në amëshim të Shërbëtores së Zotit.Për këtë qëllim dhe në kujdesin personal të Atit të Shenjtë, Vatikani do të komisiononte dy prej artisteve më të mira të Romës për dizenjimin e monedhave dhe medalionëve, Orietta Rossi dhe Gabriella Titotto. Rossi, e cila për Morinë që se njeh ka realizuar mes të tjerash edhe punë madhore si monedhën përkujtimore me rastin e 60 vjetorit të Koncilit të Dytë të Vatikanit (1963-2023), monedhën përkujtimore të 500 vjetorit të themelimit të Gardës Zviceriane (1506-2006) apo edhe atë të 60 vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (1945-2005) e nderon Shenjtoren tonë me dizenjimin e imazhit të saj si një simbol i gjallë i Caritas në monedhën përkujtimore 2 Euro të Vatikanit.

© Ufficio Filatelico Numismatico Vaticano, 2022

Nga ana tjetër, po kaq interesant është edhe dizajni atipik i monedhës përkujtimore të Titottos. Monedha e argjendtë katërkëndore prej 25 Euro rafiguron një Shën Terezë të qeshur dhe të paqtuar nga rënia e butë dhe e ëmbël e dritës mbi fytyrën e saj; Drita e Besimit.Po aq i fuqishëm dhe kuptimplotë për këtë Shenjtore e cila dritën e besimit e përktheu në dritë shprese për miliarda njerëz në botë teksa njihte “Jezusin e Fshehtë” në ta qëndron edhe mesazhi i nxjerrë nga Ungjilli i Gjon Shqiponjës: “Duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju kam dashur unë”!

 

Please follow and like us: