Albspirit

Media/News/Publishing

Kostandin Mosko: TRI SHPIFJE TË RËNDA PËR VËLLEZËRIT SOTIRI

 

–         Shtrëmbërime të fakteve historike që kanë hyrë në fjalorë enciklopedikë, libra historie, wikipedi, gazeta dhe emisione televizive –

 Vëllezërit Pandeli Sotiri, Mësues i Popullit dhe Koço Sotiri, nismëtar i shkollave të para shqipe, janë dy rilindas të shquar, por të përndjekur e të martirizuar nga armiqtë e kombit shqiptar. Jetuan e milituan në një periudhë të vështirë dhe tepër armiqësore ndaj kombit tonë dhe gjuhës shqipe.I pari çeli Mësonjëtoren e parë në Korçë, ndërsa i dyti në Pogradec e Manastir.Ata e kishin të mbrujtur zemrën dhe çdo qelizë të trupit të tyre me dashuri të zjarrtë për lirinë e mbrothësinë e kombit shqiptar dhe nuk u trembeshin rreziqeve e kërcënimeve nga armiqtë, të cilët në atë periudhë ishin me shumicë.

Faik Konica në gazetën e tij “Albania”, në vitin 1898, shkruante:

Kur Pandeli dhe Koço, vendas nga Gjirokastra, hapën shkollën e parë shqipe në Korçë, midis paraardhësve orthodoksë u bë një shtangim i indinjuar: shqipja, ajo gjuhë e ulët dhe sakrilegjike, guxoi të mësohej! Dhe menjëherë filluan intrigat”. E vazhdon: “Dy burra guximtarë, të devotshëm, dy shqiptarë të vërtetë muarr përsipër këtë inisjativë atdhetare dhe ja duall deri në një pikë[1]”.

Vëllezërit Sotiri, me këtë dashuri fisnike-atdhetare u brumosën që në fëmijërinë e tyre, në fshatin Selckë ku u lindën dhe morën dituritë e para.U mëkëmbën në një mjedis patriotik të zjarrtë i cili ishte në luftë e përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur e zhvilluar traditat e të parëve dhe gjuhën amtare, gjuhën e nënës. Në edukimin patriotik e atdhetar, përveç prindërve të tyre, sidomos nënës, ndikim të madh ka patur mbi ta edhe familja e xhaxhait të tij të kamur, Thimjo Sotiri.

Personalisht unë, autor i këtyre radhëve, jam me origjinë nga fshati i vëllezërve Sotiri, lindur e rritur me historitë e tyre, treguar e stërtreguar qindra herë. Kam lexuar çdo gjë, çdo fakt e çdo gërmë që ndriçon jetën e vëllezërve Sotiri. Përfundimisht jam i brengosur dhe i hidhëruar duke parë e zbuluar hap pas hapi se e vërteta e shkollave të para shqip e në këtë kuadër veprimtaria patriotike e dy vëllezërve Sotiri, është e manipuluar dhe e shtrembëruar në të gjitha drejtimet. Nuk mund të them me qëllim apo pa qëllim. Në internet, Wikipedia, gazeta e shumë shkrime të tjera dhe emisione televizive, nuk ndriçohet e vërteta. Jeta e veprimtaria e tyre nuk bazohet mbi fakte historike. Prof. Musa Kraja për vëllezërit Sotiri shkruan kështu:

“… në Arkivin Qëndror nuk kishte dosje, ndryshe nga disa personalitete të Rilindjes sonë Kombëtare. Për Koton nuk u habita, por për Pandeliun mendoja se duhet të egzistonin materiale të posaçme, për një dosje të tijën. Shkrime të lëna me emrin e tij drejtpërdrejtë, nuk kishte[2].”

Nuk jam historian, por i përkushtuar për jetën dhe veprën reale të vëllezërve Sotiri, i dashuruar ndaj historisë së vendlindjes sime. Ndiej detyrim moral dhe qytetar para gjithë bashkombësve të mi, të shpalos, gjersa të kem frymë, historinë e vërtetë dhe patriotizmin e flaktë të këtyre rilindsave martirë të cilët nuk kursyen asgjë për mbrothësinë e Atdheut dhe gjuhës shqipe. Punuan e luftuan për këto ideale deri në minutën e fundit të jetës.

Si ndikoi vendlindja e tyre, Selcka e Gjirokastrës në formimin e tyre atdhetar?Shkollimin fillestar ata e kanë kryer në fshatin e lindjes, pastaj në Stamboll e më pas në Europë, Vjenë – Austri.Këto janë fakte të provuara e të pamohueshme, të cilat shqelmojnë e hedhin poshtë me neveri të gjitha gënjeshtrat, shtrëmberimet e hamendësimet që janë thënë e po thuhen deri tani dhe janë shkruar e transmetohen në media pa asnjë lloj përgjegjësie. Askush nuk dëshiron të ballafaqohet me të vërtetat, por gjithkush përsërit mekanikisht çfarë është shkruar e thënë me hamendje më parë, pa iu referuar fakteve, arkivave dhe historisë. E pafalshme, revoltuese.

Fshati Selckë, Gjirokastër ku lindën vëllezërit Sotiri, është fshat me tradita patriotike e arsimdashëse të thella.Godina e shkollës që është edhe sot, u ndërtua që në vitin 1811[3].Në këtë shkollë rreth viteve 1847-1855 kanë marrë dijet e para edhe vëllezërit Sotiri.Shkolla bëhej në gjuhën greqisht, por në intervale të caktuara mësohej edhe shqip, me libra të ardhura fshehurazi prej Stambollit.Një histori që tregohej shpesh në fshat është ajo e Hoxhë Myftar Aliut.

Hoxhë Myftari ishte një rilindas me origjinë nga Kallarati i Kurveleshiti, cili po sillte fshehurazi libra shqip nga Stambolli. Për t’iu shmangur kontrollit doganor dhe syrit të xhandërmarisë turke, ai ndiqte rrugën e maleve, nga një stan në tjetrin, nga një fshat malor në tjetrin. Hejbetë e tij ishin të mbushura me abetaret e gjuhës shqip të shtypura jashtë Shqipërisë. Ai ishte i besimit mysliman dhe selciotët të krishterë, por për ta mjafton që ai ishte shqiptar dhe bëntë një shërbim atdhatar, patriotik. Libri në gjuhën shqip ishte një sukses, një sihariq i madh.Abetarja i bashkonte edhe më shumë gjithë shqiptarët. Shqiptarët i dallonte gjuha nga kombet e tjerë dhe jo feja e cila shpesh është këmbyer me një fe tjetër. Selciotët kanë mbijetuar midis minoritarëve grekë, luxhiotëve orthodoksë dhe libohovitëve myslimanë.Historia vërteton se ata kurrë nuk janë grindur për probleme feje apo ndasi krahinore.Ata vetë, më mirë se kushdo e kuptonin dhe e vlerësonin mësimin dhe librat e penguara shqip. Hoxha, në misionin e tij fisnik dhe atdhetar, në udhëtim e sipër, u sëmur dhe dy fshatarë e gjetën  në një shpellë, poshtë fshatit, në një ditë të keqe me shi e suferinë. E morën në krahë dhe e çuan lart në Selckë.E lanë, e ndërruan me teshat e tyre, e ushqyen dhe duke e mjekuar me barna popullore. U kujdesën që ai të shërohej sa më shpejt, por Hoxhë Myftari nuk ja doli dot, kishte marrë plevit të rëndë dhe vdiq pas 3-4 ditësh.

Fshatarët, në nderim të sakrificës së tij patriotike, e varrosën me nderime të mëdha, sikur të ishte bir i tyre.Që fshati Selckë kishte një respekt të veçantë për këtë Hoxhë, e tregon edhe zgjedhja dhe vendosja e varrit të tij. Meqë feja ortodokse nuk e lejon të varrosej në varrezat e fshatit, selciotët e varrosën në një vend të shenjtë, afër kishës, pranë një konizme orthodokse ngritur me gurë, ku më parë duhet të ketë qenë një kult i lashtë paleokristian, ose edhe pagan. Tek koka e varrit të Hoxhës ishte vendosur një pllakë me gur të zi ku qe gdhëndur emëri i tij në alfabetin shqip të kohës dhe në greqisht.Konizma dhe Varri i Hoxhës janë shumë afër, 2-3 metra pranë, ballë përballë.Më vonë, vendi aty mori emrin “Varri i Hoxhës”.Edhe sot ashtu thirret.Varrin e Hoxhës fshati e ruajti përmbi 150 vjet. Kur e vizitoi këtë varr në vitin 1999 Prof. doktor Musa Kraja, i befasuar, por dhe i mrekulluar ka thënë:

“Është e vërtetë, që i mençuri nderon të mençurin, atdhetari nderon atdhetarin, bujari pret bujarisht dhe këto nuk janë pak në Selckë”[4]

Eshtrat e Hoxhës i morën bashkëfshatarët e tij nga fshati Kallarat i Vlorës në vitin 2007[5] dhe i rivarrosën me nderime në fshatin e tyre kur u njoftuan për ngjarjen, shumë vite më vonë. Fshatarët e Selckës, këtë Hoxhë patriot e kanë përjetësuar edhe në këto vargje:

“O i ziu Babashe,  

ke fëmijë apo nuk ke?

S’kemi ç’të bëjmë dhe ne, 

të përcollëm si babanë, 

Për ty tri kambana ranë”.[6]

 

Hoxha u përcoll me nderime në banesën e fundit nga prifti i fshatit duke u rënë këmbanave në të dy kishat; Shën e Premte dhe Shën Nikollë. Ajo ditë u konsiderua si ditë zie ku u kryen të gjitha nderimet e rastit.Një prift organizon ceremoninë mortore të një Hoxhe në një cep të trojeve shqiptare, në mezin e shekullit të XIX-të. Kjo është shumë domethënëse! E denjë për një skenar filmi.

 

Një këngë Myftar Aliut i kanë ngritur edhe fshatarët e fshatit të tij Kallarat. Mbledhësi i apasionuar i këngëve popullore labe, Fatos Mero Rapaj ka regjistruar këtë këngë:
Patriotët ven e vijnë

Plot me vilva mbushur gjinë.

Ç’thonë për Myftar Ali

Dyzet ditë nga Stambolli

Rruga mbarësi s’i solli.

La pas Sarajet e ngjolit,

Hyri fshtatrave të Pogonit,

Vate në një fshat të thellë,

Nga katër male mbështjellë.

Kur vdiq Hoxha dhe dha xhanë,

Tre këmbana për të ranë,

Bënë nder si për babanë.

Kur ia hoqën xhamadanë,

Dualën librat shqipe radhë.[7]

 

Librat shqip nga Stambolli selicjotët i binin edhe vetë fshehurazi duke sakrifikuar e përballuar rreziqet e shumta.Ka shumë gojëdhëna e histori që tregohen.  Në fshat thuhej kjo këngë ku bëhet fjalë për një Siko Dhimadhi, (Dhima):

 

Siko Dhimadhi kur vije, 

Në Selckë dilje lëminje, 

Ç’bëhej në Stamboll e dije,

Kokën në trastë e vije

Për sebep të ca vivlije, 

Qysh bëje kur dilte ujku,

Pastaj të qepej dhe cfurku. 

Mbi dy fundoma sënduku

Shqiponjën s’e zë dot turku”[8]

 

Sa ngushtë duhet ta ndjejnë veten kur ti lexojnë këto të vërteta të fshatit Selckë ata që zhgaravitin edhe sot nëpër gazeta e internete duke shkruar se në fshatin e tij Selckë Pandeliun s’e lejuan grekomanët të hapte shkollën, nuk e qasën, etj… Këto janë gënjeshtra dhe përpjekje për ta nxirë Selckën patriote. Në fshatin e Pandeliut ishte ajka e shqiptarizmës.Aty ai mori në zemër e u brumos në shpirt me dashurinë e zjarrtë e të pakufishme për Atdheun, Shqipërinë.  Gjithsesi nuk mund të kishte atë jehonë çelja e shkollës së parë shqip në fshatin e izoluar malor Selckë sesa Korça, qytet i madh, me kulturë, popullsi, intelektualë dhe lidhje me botën e huaj.Jo më kot Rilindasit caktuan Korçën.Dhe kishin të drejtë.Ngatërrimi me vendlindjen e vëllezërve Sotiri, Selckën, është dashakeqësi dhe qëllimkeq për t’I ulur vlerat patriotike.

Në kohën kur Pandeliu me Koton ka marrë arsimin fillestar në fshat, shkolla duhet të ishte 7-vjeçare (plotore).Ajo kishte edhe një bibliotekë ku kishte libra shqip, e cila pasurohej nga viti në vit, por ato u dogjën kur ra një zjarr i mistershëm në vitet 1880.Ishte koha kur vëllezërit Sotiri merreshin me botimin e shpërndarjen e librave shqip në Stamboll.  Shkolla u rindërtua përsëri në vitin 1895, por me përmasa më të vogla.[9]

Në fshatin e vellezërve Sotiri, në kishë meshohej edhe shqip me libra me gërma greqisht.Një libër kishtar shqip po me gërma greqisht ishte edhe “Dhjata e Vjetër”, botim i vitit 1849 sipas studjuesit teolog Dhimitër Beduli[10]. Atë libër e mbaj mend edhe unë. Madje kisha dëgjuar  kur meshohej shqip nga prifti dhe psalltët, ata i kishin mësuar përmendësh shqip shumë pjesë lturgjike nga ky libër. Librin e ruante prifti At Stefan Thanati, kushëri i parë i babait tim. Në faqen e parë që ishte bosh, ishte shkruar me gërma shqip: “Dhuratë nga Shoqëria “Përparimi” e Stambollit për shkollën Plotore, (7-vjeçare).”  

Shkolla në fshatin Selckë ku kanë studjuar vëllezërit Sotiri, shtëpitë e Sotiraj ashtu siç janë, Varri i Hoxhës me Konizmën duhet pa tjetër të kthehen në objekte muzeale të klasit të parë.Të meremetohen, të rrethohen e të mirëmbahen si dëshmi e gjallë e bashkejetesës në shekuj e shqiptarëve, por dhe si dëshmi e gjallë e përpjekjeve titanike për shkollat dhe shkrimin shqip nën sundimin pesëshekullor otoman. Do të jetë muzeumi më i goditur, më i bukuri dhe më i veçanti i cili do t’u mbyllë gojën fallsifikatoreve përgjithmonë.

****

Të nginjur me atdhedashuri dhe të etur për libra, dituri e shkollë shqip, vëllezërit Sotiri, nga fatkeqësia që u ndodhi, kur u vranë babain për hasmëri, u detyruan të largohen për në Stamboll e të vazhdonin shkollat nën kujdesin e xhaxhait të tyre të mirë e human, Thimjo Sotiri.  Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985 thuhet se Pandeli Sotiri ishte nxënës i Koto Hoxhit!![11]  Të gjitha dokumentet e mëvonëshme, edhe sot në internet, shkrime apo emisione televizive të ndryshme e përsërisin kudo këtë gënjeshtër të madhe, si përallë. Kjo është e pafalshme.

Po të bësh vetëm një llogari të thjeshtë del ndryshe, dhe ja sesi. Dihet se shkolla e mesme greqisht në Qestorat u hap në vitin 1874.[12] Në atë kohë vëllezërit Sotiri ishin në moshën 30-34 vjeçare.Kishin përfunduar shkollën e mesme në Stamboll dhe të lartën në Vjenë, Austri. Pandeliu ishte rreshtuar dhe për afro 10 vjet shërbeu në ushtrinë Austro-Hungareze. Ai mbante gradën major.U kthye në Stamboll duke u vënë në shërbim të veprimtarisë patriotike.

Koto Hoxhi nuk ka qenë mësues, por kujdestar konvikti në shkollën e Qestoratit të Lunxhërisë. Ndërsa vëllai i Pandeliut, Koto Sotiri qëndroi sup me sup me të vëllanë dhe gjithë rilindasit e tjerë në të gjitha rreziqet, veprimtaritë e aktivitetet patriotike. Ishte mësuesi më jetgjatë e punëtor, pafjalë e i thjeshtë, si asnjë tjetër në ato kohëra të vështira. Punoi mësues në Pogradec e Korçë, afro dhjetë vjet, sa të gjithë mësonjësit bashkë që i përmendin dendur e u numurojnë meritat në shkrime e emisione televizive. Koçoja e vazhdoi këtë aktivitet në Maqedoni, në Rekë e Manastir, gjersa autoritetet osmane e burgosën dhe e dënuan me burg.[13] Bëri pesë vjet burg.Sa keq, nuk është kujtuar asnjeri të shkruajë për këtë patriot të flaktë e fisnik që i dha jetën arsimit shqip.

Jo vetëm nuk përputhen vitet, por dihen mirë edhe shkollat e mesme që kanë kryer në fakt vëllezërit Sotiri. Autori Koço Mosko Stegopuli, në biografinë e Pandeli Sotirit që i ka dorëzuar në shkollën Pedagogjike Gjirokastër, ish drejtorit Tomor Tushe, me rastin e 10-vjetorit të saj, në vitin 1959 dhe me rastin e marrjes së emrit Pandeli Sotri kësaj shkolle, shkruan:

“I rriti dhe i mësoi në Stamboll, xhaxhai, Thimjo Sotiri. Atje kanë ndjekur shkollën e mesme të “Gallatës” (Galatasaray High School, bashkë me Janko Minxhën nga fshati Krinë)”. [14]

Këtë biografi K. Mosko Stegopuli shkruan se e ka dorëzuar edhe në Komitetin e Veteranëve të Rrethit Gjirokastër të asaj kohe. 
Koço Mosko Stegopuli, ish inspektor i Arsimit ne Komitetin Ekzekutiv të KP Rrethit Gjirokastër, i ka mbledhur këto te dhëna  së bashku me Vaso Konomin, ish Sekretar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Gjirokastër. Ata u kujdesën për historikun e Lunxhërisë dhe në vitin 1972 Koço Mosko Stegopuli ishte pjesmarrës në një komision që ishte ngritur për hartimin e historikut të rrethit Gjirokastër. Këto të dhëna i ka marrë nga Aleksandra Pano (Telo) kushërirë e vëllezërve Sotiri, e cila në Stamboll ka banuar në shtëpinë nga ku u rrëzua nga kati i tretë Pandeli Sotiri.Aty në vitin 1922, ajo ka lindur edhe djalin e saj, aktorin e Teatrit Popullor, “Artistin e Merituar” Andon Pano.

Shkolla e “Gallatës” në Stamboll, ishte një shkollë e mesme nga më të mirat e kohës, madje dhe në Europë.Aty mësimet bëheshin në gjuhën frënge, sepse ish kolegj francez i themeluar që në vitin 1481.Me mbarimin e kësaj shkolle, rreth viteve 1860, vëllezërit Sotiri, sigurisht përsëri me kujdesin e xhaxhait të tyre, Thimjo Sotiri, ndoqën shkollat e larta në Vjenë, Austri.Pandeliu studjoi për mjekësi, në “Medical University of Vienna”, ndërsa Koçoja studjoi për drejtësi.Me mbarimin e shkollës së lartë, Pandeliu, rreth vitit 1864, u rreshtua në ushtrinë Austro-Hungareze me gradën major. [15] Në ushtrinë Austro-Hungareze duhet të ketë qëndruar afro 10 vjet. Ndërsa për Koçon gjatë kësaj periudhe nuk ka të dhëna për punët e tij.Ndoshta ishte në Stamboll. Në fillim të viteve 1870, Pandeliu kthehet në Stamboll, për ironi të fatit, atëherë kur nuk qe ndërtuar ende, ose ishte në ndërtim e sipër shkolla e mesme greke e Qestoratit. Në Stamboll vëllezërit Sotiri filluan të merren me një veprimtari të dendur patriotike-atdhetare, së toku me rilindasit e tjerë.Përfundimisht bie poshtë versioni se Pandeliu ka qenë në shkollën greke në Qestorat.

Duhet të përgënjeshtrojmë edhe një shpifje tjetër.Në shumë shkrime thuhet se Koto Hoxhi në Stamboll i lidhi ose i njohu vëllezëerit Sotiri me vëllezërit Frashëri.Vëllezërit Sotiri ishin stambollinj të hershëm.Ata ishin rritur në një lagje me vëllezërit Frashëri, por i bashkonte edhe qëllimi i përbashkët dhe Shoqatat patriotike shqiptare.Sigurisht që kishin njohje të hershme, nuk ishte nevoja këtu të ndërmjetësonte Koto Hoxhi. Nuk kemi ndonjë të dhënë se ku banonte në atë kohë patrioti Koto Hoxhi dhe a njihej ai me vëllezërit Sotiri apo Naim Frashërin.  Mendoj se ky fakt është një hamendje ose shpifje për të ngritur lart vlerat e Koto Hoxhit. Kështu i bëjmë dëm historisë dhe të vërtetave duke i bërë të pabesueshme ngjarjet dhe zhvillimet patriotike.

Fakte e të dhëna të reja kemi zbuluar edhe për aktivitetin patriotik të vëllezërve Sotiri, të cilat do t’i bëjmë te njohura në vazhdim. Përsa kohë nuk i njohim vlerat reale të ajkës së patriotëve tanë, vështirë është të na i thonë apo të na i vlerësojnë të huajt.

Solla disa fakte dhe dokumente që hedhin poshtë shpifjet dhe gënjeshtrat për vëllëzërit Sotiri, këta korifej dhe të parët patriotë që u angazhuan për shkollat shqip dhe çeljen e tyre, duke sakrifikuar jetën dhe të ardhmen e tyre. Akoma më keq kur këto të pavërteta, shpifje apo gënjeshtra, quani si t’i doni, bëhen pjesë e fjalorëve enciklopedikë, librave të historisë, internetit, gazetave apo emisioneve televizive, gënjeshtrat kështu fitojnë qytetrinë dhe është vështirë t’i shkulësh. Duhet të harxhosh tërë jetën tënde për të vënë në vend padrejtësinë dhe korregjuar historinë.

Koço Mosko
Boston, Gusht 2023

[1] Faik Konica –  Gazeta “Albania” nr. 8; suplimenti fërgjisht.

[2] Musa Kraja – “Bij të Lunxhërisë për Arsimin Shqip” f. 7 ; Tiranë 2002

[3] Dhimitër Beduli – “Shenime për fshatin Selckë”

[4] Prof. dr. Musa Kraja – Gazeta “Shkolla rurale”; Tetor 1999

[5] http://kallarati.com/arsimi/historiku-i-shkolles-ne-kallarat

[6] Enver Strati – “Historiku i Kallaratit” 

[7] Enver Strati – “Historiku i fshatit Kallarat. 

[8] Dr. Jorgo Thanati, etj. – “Selcka e Lunxhërisë …” f. 189 Tiranë 2011.

[9] Dr. Jorgo Thanati, etj. – “Selcka e Lunxhërisë …” Tiranë 2011

[10] Dhimitër Beduli – “Shënime për fshatin Selckë” Tiranë 1986. 

[11] Akademia e Shkencave e RPSSH- Fjalor Enciklopedik Shqiptar –Tiranë 1985 faqe 975

[12] Leko Mako – “Ju o djem do më kujtoni “, Tiranë – 2007.  faqe 97. 

[13] Musa Kraja – ““Bij të Lunxhërisë për Arsimin Shqip” f. 110 ; Tiranë 2002

[14] Koço Mosko Stegopuli – Kujtime, shkruar dhjetor 1988

[15] Musa Kraja – ““Bij të Lunxhërisë për Arsimin Shqip”,  Tiranë 2002

 

 

 

Shkolla tani fillore e Selckë pas rindërtimit në vitin 1894
ku kanë kryer arsimin plotor Pandeli e Koço Sotiri ( foto: Artur Mosko)

 

Please follow and like us: