Mentor Kikia: Një ndjesë të thellë të gjithë lexuesve dhe miqve
Të dashur lexues, të njohur dhe të panjohur.
Krejt papritur u gjenda në mes të një gjirizi ku gëlojnë shumë gjallesa kënetore. Shkak u bë një shënim i shkurtër në faqen time këtu në FB, mbi një lajm të përhapur per 2 këngëtarë. Në status shpreha edhe konsideratën time për dy personazhet e “lajmit”.
Pak pasi e postova, reflektova, jo për mendimin qe shpreha, por për faktin se kjo nuk është në “menunë” dhe në misionin e faqes sime dhe e hoqa postimin.
Por shumë portale e kishin marrë ndërkohë dhe e kishin shpërndarë. Disa orë më pas, shumë herë më tepër faqe-media online, i bënin jehonë reagimit fyes të një prej personave, për të cilin unë kisha shprehur konsideratë jo pozitive ne aspektin profesional (nuk po i përmend emrat sepse nuk dua t’i jap ushqim gjirizit mediatik me titullin “Vjen reagimi i Mentor Kikisë”).
Nëse më ndodh të publikoj ndonjë informacion të pa saktë, e kam në etikën time të kërkoj ndjesë. Por ky nuk është rasti.
Ndjesa ime shumë e fortë dhe shumë e sinqertë shkon për çdo lexues timin, çdo person që është dakord apo jo, që mbështet apo kritikon brenda etikës, qëndrimet e mia.
Ndjesë që rashë në këtë moçal dhe u bëra ushqim për krimbat e këtij moçali.
Ndjese që ju bëra të lexoni dhjetra e dhjetra “lajme” saktësisht nën të njëjtin titull fyes. Jam i bindur, askush s’ka asgjë personale me mua, por etja për klikime bën që të mos konsiderohet asgjë.
Për etikë nuk bëhet fjalë.
Ndërkohë, kjo faqe do të vazhdojë të jetë një dritare përmes së cilës unë dua të ndaj, të diskutoj dhe të debatoj mbi ide se çfarë mund të bëjmë të gjithë bashkë, më shumë për vendin dhe shoqërinë.
Ndërsa ju të portaleve, e keni të ndaluar ta shpërndani këtë shënim nën tituj miklues: “Ja reagimi i gazetarit ndaj filanit”, sepse kjo është thjesht një ndjesë për lexuesit dhe miqtë e mi.
Please follow and like us: