Albspirit

Media/News/Publishing

BATALIONI “ASIM ZENELI”, FORMACIONI PARTIZAN I KRAHINËS SË KARDHIQIT

(Në kuadrin e 80 vjetorit të krijimit të batalionit partizan të krahinës së Kardhiqit 7 gusht 1943 – 7 gusht 2023, formacioni luftarak që ja shtoi lavdinë krahinës së Kardhiqit dhe që dha kontribut sinjifikativ në epopenë e madhe të çlirimit të Atdheut).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

 

Lufta Nacionalçlirimtare është lufta e organizuar e popullit shqiptar kundër pushtuesve nazifashistë, kundër dy fuqive agresore më të mëdha të kohës, Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste. Lufta ka qenë ngjarje të madhe e historisë së Shqipërisë. LANÇ-i nga largësia e tetë dekadave kërkon të lëmë mënjanë dallimet e ndasitë ideologjike, duke hedhur vështrimin në lavdinë e luftës, duke çmuar e ruajtur vlerat e idealeve antifashiste, në respektin dhe nderimin e gjakut të deshmoreve dhe për ta parë Shqipërinë në prosperitet të vazhdueshëm. Në Shqipëri u krijuan çeta e batalione partizane si dhe pas krijimit të SHP-së edhe formacionet e mëdha partizane, brigada, divizione dhe tre korparmata një ushtri solide me rreth 70 mijë partizanë. Në vendin tonë deri në fund të vitit 1942 vepruan 23 çeta, kurse në gusht 1943 numri i tyre arriti në 68, ndërkohë që krijimi i batalioneve dhe formacioneve të tjera e rritën dhe forcuan luftën antifashiste duke bërë që të shkruajnë epopenë më të madhe historike për kombin shqiptar.

*

Formacioni i parë partizan i krahinës ishte krijimi i çetës “Çerçiz Topulli” të krijuar më 12.12.1942 në Fushëbardhë dhe të pagëzuar më 27 Mars 1943 në Prongji, ku ju dha edhe emri i çetës “Çerçiz Topulli”. Nga dhjetori 1942 deri në gusht 1943 lufta partizane u rrit e fuqizia shumë dhe hyri në një fazë të re të krijimit të strukturave edhe më të mëdha partizane. Batalioni “Asim Zeneli” është themeluar më 7.8.1943 në rrepet e Kardhiqit. Batalioni u formua nga 360 partizanë të katër çetave: “Çerçiz Topulli”, “Hajredin Tremishti”, “Avni Rustemi” dhe “Toto Bolena”. Partizanët u rreshtuan ndërkohë që rreth dymijë vetë nga populli i krahinës i ndiqte me kurreshtje e gëzim të veçntë atë ceremoni emocioniese të partizanëve, shumica e të cilëve të rinj, nën 25 vjeç. Batalioni partizan “Asim Zeneli” me komandant Riza Veipin dhe komisar Shefqet Peçin luftoi cep më cep të vendit e deri në Vishegrad, ku nga ky batalion rranë dëshmorë e heronj të Atdheut 107 djem e vajza duke dhënë jetën në lule të rinisë. Prandaj edhe nderimi e mirënjohja për gjakun e derdhur për Liri, brezat bijtë, nipërit e stërnipërit e partizanëve e mbajmë gjallë e çojmë përpara amanetin e aspiratën e tyre për një Shqipëri të begatë, pjesë e familjes Euroatlantike! Janë me dhjetra ishluftëtarë, komandantë dhe komisarë, por edhe ish-partizanë të thjeshtë që në tetë dekada kanë përshkruar momemtet kur gjithë krahina e Kardhiqit u bë bashkë në një batalion luftarak partizan që shkroi epope lavdie me aktivitetin e tij luftarak, aktivitet që nisi pikërisht në shtatë gushtin e vitit dyzete tre. Gjithashtu nuk ka fshat i Krahinës së Kardhiqit që nuk kishte bjtë e bijat e veta në këtë formacion solid luftarak që bëri emër në mbarë Shqipërinë. Batalioni “Asim Zeneli” shkroi me gjak e heroizëm rrugën e tij luftarake për liri dhe mbeti një nga batalionet partizane më të lavdishëm në Historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, se njohu vetëm fitore kudo në beteja që luftoi e përballë çdo armiku fashistëve, nazistëve e bashkëpunëtarëve nazifashistë.

Tetë dekada më parë luftetarë tashmë me përvojë nga krahina e Kardhiqit e der inga Rrëzoma, Kurveleshi, Gjirokastra e Bregu i detit i katër çetave partizane: “Çerçiz Topulli”, “Hajredin Tremishti”, “Avni Rustemi” dhe “Toto Bolena”, që ishin formuar gjatë vitit 1942, qe kishin njohur, takuar e biseduar në takime e mbledhje me popullin, oratore e propagandist të flaktë si Dilaver Poçi, Adil Çarçani, Gani Haloçi, Mitat Kondi, Mustafa Matohiti, Memo Meto, Shefqet Peçi, Bedri Spahiu, Haki Toska, Miho Xhani e Bexhet Mema, e dhjetra të tjerë, një pjesë e mirë e tyre shërbyen në formacione të tjera më zë të luftës Partizane. Këta luftëtarë para se të bashkonin armët kundër fashizmit kishin bashkuar zemrat dhe ishin bërë njësh me popullin dhe me hallet e popullit. Atmosferën e partizanëve dhe fshatarëve që perqafoheshin, te njohur e te panjohur, si në një festë të vërtetë dhe të paharruar e kanë përshkruar ishpartizanët dhe artikujshkrues të shumtë në tetë dekada. Historia nuk harron Shefqet Peçi e Miho Xhani, që të shoqëruar nga grupi i këshilltarëve të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Krahinës së Kardhiqit u ngjitën në minitribunën për të parë gëzimin në sytë e atyre që shikonin shpresë tek liria që do sillnin partizanët. Nga të dhënat e shumta historiografike por edhe gojore Miho Xhani ja dha fjalën Shefqet Peçit që bashkëluftëtarët e thërrisnin “Tërmeti”, si i deleguar i Komitetit Qarkor të Partisë të Gjirokastrës, por edhe me cilësinë e kuadrit kryesor të batalionit të ri, sepse edhe komandanti u caktua dy muaj më vonë, Riza Vehipi. Kishte besim, optimizëm dhe bindje në fitore, por edhe krenari e dhimbje për bijtë e bijat e rënë në beteja për liri. Shefqet Peçi në përshëndetjen e tij tha se: “…ky shtatë gusht, shkruan një ditë historike për ne të gjithë. Batalioni që shihni këtu është mishi dhe gjaku juaj. Me armë supit janë këtu djemtë dhe vajzat tuaja. Dhe na do u nerojëm. Lufta jonë Antifashiste Nacionalçlirimtare është e lidhur me vargun e luftërave qe kanë bëre të parët tanë, siç jemi të gjithë vazhdim i mishit dhe gjakut të të parëve tanë. Populli derdhi gjakun qysh më shtatë prill, katër vjet me parë. Shqiptarët s’mund të presin katërqind vjet “të piqet koha për luftë”… ky batalion, me ty o popull pranë, po drejtohet nga Shtabi i Përgjithshëm… ky Batalion që krijojmë tregon edhe për forcën e Ushtrisë sonë të rregullt partizane, duke folur edhe për sihariqet që shpejt në Vithkuq të Korçës, krijohet e para Brigadë Partizane Sulmuese. Ju bashkëkrahinorë kërkoni të shihni midis partizanëve disa heronj që i kini parë në beteja …prandaj Batalioni që krijojmë sot do të quhet Batalioni “Asim Zeneli”, do mbajë lartë emrin e heroit të Mezhgoranit. Po atë ditë komisari i batalionit  Shefqet Peçi mori flamurin e batalionit, Flamur që në mënyrë simbolike ju dorëzua partizanit 14 vjeçar Flamur Micko. Historia njeh luftimet e zhvilluar nga ky batalion, gjate viteve 1943-1944 ne Cepo, qe është porta e krahines se Kardhiqit dhe e Kurveleshit kunder forcave naziste e bashkëpunëtarëve si dhe beteja të shumta të zhvilluara nga batalioni “Asim Zeneli” dhe batalioni territorial i krahines se Kardhiqit. Nuk është e rastit që Cepo është quajtur “Stalingradi shqiptar”. Populli i krahinës këndon : “O Cepo o ballëlart U bëre si Stalingrad”,/luftë ditë e luftë natë,/të mbiu lufta në prag…”. Orteku partisan u provua në të gjithe betejat që bëri batalioni bashkë me luftëtarët e batalionit territorial të Mashkullorës, Plesatit, Humelicës, Shtëpëzit, Prongjisë, Kardhiqit, Fushëbardhës, ZhuIatit, Kolonjës, Medarit, Golemit, Picarit, Humelicës, Palokastrës, do te zinin kodrat nga Humelica e Palokastra tek Zenelaj e Bregu Shehe, por dhe kodrat e Mashkullorës e deri në Virua.  Më 10 gusht 1943 batalioniu ndesh me rreth njëmijë forca fashiste të ardhura në urën e Kardhiqit dhe që u tërhoqën në panik në drejtim të Gërhotit, betejë që armiku la shumë të vrarë e të plagosur. Luftimet e batalionit pasuan edhe më të ashpra në  Zenelaj, Bregu i Shehe, Ura e Kardhiqit me një kolonë armike që vinte nga Tepelena në Gjirokastër. Beteja e 30 gushtit 1943 ku forcat e Batalionit “Asim Zeneli” goditen garnizonin fashist në Libohovë është sinjifikativ. Kudo në Labëri, në Lunxhëri, Libohovë e gjetkë shkruan faqe lavdie e trimërie, por edhe të rënë për idealin e lartë antifashist. Shpesh Ura e Kardhiqit u shndrua në fushëbetejë e djemve të batalionit “Asim Zeneli”, ku djemtë e laberise trime treguan veten si bij të nënave gjalmëzeza. Dëshmorët që binin nga ky battalion nuk e trembën djalërinë labe por u bënë burim frymëzimi për tu ndeshur në beteja edhe më të përgjakshme me armikun në kërkim të lirisë së popullit. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, një kolonë gjermane që vinte nga Janina me 12 makina për në VIorë, me ushtare te rregjimentit 92, ku në ndihmë të tyre erdhi edhe nga gryka e Kelcyres nje autokolone me 25 makina që shënon një betejë të jashtëzakonshme të zhvilluar nga Humelica në Mashkullorë. Humbjet ishin të mëdha dhe kjo ishte një sprovë e madhe për partizanët. Më datën 13 shtator 1943 batalioni “Asim Zeneli”, “Misto Mame” dhe forcat territorial të krahinës së Kardhiqit të Kurveleshit e të Lunxhëriëe iu drejtuan qytetit te Gjirokastres ku ndodhej divizioni “Peruxhia” për të marrë armatimin në dorëzim. Ndërkohë që më pas forcat e batalionit bashkë me partizane të Bregdetit, të Kurveleshit, te Sarandes e Delvines i rrethuan ne Sarande forcat e Divizionit qe, edhe pse kishin epërsi ne forca e armatime e detyruan t’i dorezojne ato. Fakt është se batalioni “Asim Zeneli” u inkuadrua në Grupin e parë të zonës operative Vlore – Gjirokastër -Mallakastër dhe bashke me batalionin “Halim Xhelo” zhvilluan luftime ne qarkun e Vlorës, gjithashtu me 28 nëntor 1943 zhvilluan luftime në qafën e Kiçokut, në kufirin e rrethit të Tepelenës dhe Përmetit, në lartësinë rreth 700 metra, që lidh zonën e Vokopolës dhe të Buzit e Gllavës me atë të Deshnieës. Luftime te ashpra zhvilloi ky batalion në Lajthize, luftime te cilat zgjaten gati 24 orë së bashku me batalionin “Halim Xhelo”. Ata mbrojten pozicionet në qafen e Kicokut me sulme e kundersulme. Nje nga luftimet qe u kurorezua me sukses ishte ai ne Manastirin e Kodrës duke asgjesuar shumë forca pushtuese dhe që kapën disa robër midis tyre edhe nje major.

Luftime u zhvilluan edhe në Këlcyrë, në  Therepele, në Tenden e Qypit, në Prishtë dhe me 14 dhjetor batalioni “Asim Zeneli” kaloi Malin e Gjerë për të vepruar në krahinën e Rrëzomës e në Delvinë. Më vonë batalioni u përqëndrua në Fushëbardhë dhë duke qenë se batalionio nga dita e krijimit pothuaj ishte trefishuar më 12.12.1943, një vit plot nga krijimi i cetës partizane “cerciz Topulli”, në të njejtën vend në Fushëbardhë u krijua batalioni “Abaz Shehu”. Para në fakt u bë ndarja e batalionit  “Asim Zeneli” dhe u krijua batalioni “Abaz Shehu”. Ata partizanë, që kishin luftuar bashkërisht me komandant Abaz Shehun, do të luftonin tani me emrin e tij, që ishte frymëzim për partizanët, në ato çaste. Abaz Shehu, ishte marrë vendimi që do të bëhej komandant i BrVSulmuese, por meqënëse ra në fushëbetejë Abaz Shehu, detyrën e komandantit të rënë Abaz Shehu e voni Shefqet Peçi, që mori detyrën e shokut të vrarë, që mori përgjegjësinë dhe amanetin e një shoku i vrarë nuk e arriti lirinë. Batalioni “Asim Zeneli” ishte në malet e Frashërit, me rreth 500 partizanë, kur u rreshtua si pjesë e brigades se 6-te sulmuese më 26 janar 1944, si batalioni i parë i saj, që përshkroi një rrugëtim luftarak nga Jugu në Veri prej më shumë se 3700 km, duke shkuar edhe jashtë kufijve administrative të Atdheut bashkë me rreth 20 mijë partizanë shqiptarë.

Në ditën e formimit të batalionit “Asim Zeneli”, përulemi me respekt të madh në nderim të këtij batalioni me emër të madh, përpara 107 dëshmorëve që dhanë jetën për liri, përpara partizanëve e udhëheqësve të këtij batalioni që, me luftën e tyre heroike, që luftuan për lirinë e popullit dhe Atdheut. Liria është e shtrenjtë dhe e shenjtë për ata që në rrënjët e saj vunë gjak dhe për ata që krismat e plumbave e baruti u bënë pjesë e trupit e misionit të tyre të madh, për popullin që i dha luftës gjithçka, djemtë e vajzat, që hapi dyert e shtëpive u dha bukë e strehë, por dhe veshje në kohët më të rrezikshme, që u dha mbi të gjitha kurajon e dashurinë e pakufijshme për çmimin e madh të lirisë. Prandaj edhe sot pas tetë dekadash fryma antifashiste rron në brezat e trashëgimtarëve: “O Dëshmorë ç’ndodh me ju,/Vitet tutje dhe Ju tëhu …! një refren jetësor krenarie të shqiptarëve në këto tetëdhjetë vite si mission përmbushës në betejën e madhe të pambaruar kundër fashizmit. Batalioni si pjesë e Brigadës së 6 Sulmuese në pararojë, të Armatës së III Internacionaliste, kaloi kufijtë shtetërorë duke çliruar Tuzin, Titogradin, dike kaluar në thellësi të Bosnjës deri në Vishegrad. Fakt është se Batalioni “Asim Zeneli” u bë pjesë e Brigadës VI S, “Heroinë e popullit” dhe kudo që luftoi në të gjitha aksionet e betejat, në çdo cep të Shqipërisë, dhe jashtë kufijve shtetërorë, doli fitimtar. Kudo që shkoi pati mbështetjen e fuqishme të popullit, sepse partizanët e Batalionit “Asim Zeneli” ishin mishi dhe gjaku i popullit shqiptar. Ata ishin dhe ngelën lavdia e krahinës së Kardhiqit, që përkujtohen me nderim cdo 7 gusht në rrepet e Kardhiqit, pranë lapidarit madhështor të 107 dëshmorëve, apeli i të cilëve vlen të bëhet i përvitshëm atje ku u themelua batalioni partizan që shkroi histori suksesi përgjatë Luftës së Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare. Lavdi të përjetëshme dëshmorëve të batalionit “Asim Zeneli” dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut, që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë!

 

Please follow and like us: