Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: Yllka…     

Një ndër çiftet e krijuara në kinema nga regjisorët jemi ne të dy, pra Yllka dhe unë, siç ishte krijuar Rikardi me Rozën. Në kinemanë botërore ka disa shëmbuj të kësaj “manie regjisoriale”. Në filmin “I teti në bronx”, si të thuash na gjeti regjisori Viktor Gjika dhe ajo ishte paraqitja jonë e parë. Ndërtimi dramaturgjik sikur na dha mundësi të krijonim një dyshe të mirë! Siç thuhet pati një kimi artistike mes nesh! Kjo u vu re më së miri nga publiku! Bile aq mirë na pritën sa filluan të krijojnë një “film” si vazhdim! Ne më shumë pas filmit krijuam miqësi relativisht të mirë! Me Yllka Mujon jashtë filmit ishim partnerët më korrekt! U takuam edhe më pas në dy filma të tjerë! Përsëri te “Rrugicat që kërkonin diell”, dramaturgjia na jepte marrëdhënie të veçanta. Kaluan shumë vite u ritakuam në një moshë tjetër te “Lule të kuqe, lule të zeza”, ndoshta në marrëdhëniet më komplekse! Natasha si autore e skenarit na vendosi të na lidhte me litar dhe të kafshoheshim me njëri-tjetrin! Besoj se është nga episodet kulmore në ekranin shqiptar! Nuk di nëse do kem rast tjetër të jemi së bashku në ekran! Së fundi e kam parë në disa karaktere dhe ndihem bukur kur shikoj arritjet e saj. Më duket sikur diku aty pranë suksesit të saj jam si hije edhe unë! Një ndër kujtimet më të rralla është se në “Lule të kuqe, lule të zeza” mes nesh ishte dhe Elia, vajza e saj! Isha para Radio Tiranës, nga rruga e famshme e Liceut Artistik drejt bulevardit dhe po vinte Elia. Isha në përgatitjen e filmit! Në çast e thirra Elian dhe “vendosa” ta merrja në film në rolin e së bijës së Yllkës! Dhe ashtu u bë! Mbeta shumë i kënaqur me interpretimin e Elias! Kam pasur edhe dy projekte të tjera të menduara po me Yllkën partnere, por që nuk munda siç na ndodh që nëpër sirtare ndoshta kemi më shumë projekte se sa të realizuara! Një sëmundje e gjithë krijuesve! Ëndrrat, projektet na shoqërojnë duke shpresuar se veprën më të mirë e kemi nëpër mend apo nëpër sirtare! Në rastin me Yllkën, aktoren e madhe të teatrit shqiptar, mendoj se ekrani nuk arriti dot në nivelin e saj të mjeshtrisë! Ndoshta, ndoshta ekrani i madh i mbeti borxh për shumë vite Yllka Mujos! Unë nuk i jam borxhli pasi i kam dhënë një kryerol te “Lule të kuqe, lule të zeza” ku shkëlqen! Le që, ku nuk ka shkëlqyer Yllka!

6 gusht 2023.

Please follow and like us: