Cikël poetik nga Avdush Canaj
DIKUSH
Dikush shet pranverën me zogj
Dikush djepin e valëve të detit
Ai tjetri fluturimin e lejlekëve
Kush qengjat e bardhë te retë
Një tjetër kërcimin e ujëvarës.
Shoku im ul çmimin
Për shallin e manushaqes.
Unë fal si përherë
Lumturinë e degëve
Kur kthehen gugutë.
PIKTUROJMË NË VARGJE
Ti mbledh ëndrrat
e luleve
unë cicërimat
e pemëve
bashkë i pikturojmë
në vargje
me lapsin
e gushëkuqit
t’ua lexojmë
fluturave
në tangon e mëngjesit.
SYTË I QESHIN VERËS
Pulëbardhë shkoj në Ulqin
me bistekun e gjatë
më bën të zeshkët deti
djemtë më thërrasin
Çokollatë
I gostit me buzëqeshje
përditë vetë e dytë
nën kapelën diellore
verës i qeshin sytë.
PUTH E PUTH
Puth dielli
Puth lulja
Puth
E puth
Deri në perëndim.
Lulja u lumturua
Edhe nesër
Puth
E puth
Edhe nesër.
Dita e buzëqeshur
Mbylli kanatat.
NË SYTË E TU PREJ DETI
Në sytë e tu prej deti
Lundrojnë përditë
Anijet me përqafime.
DETI PA KËMISHË
Deti pa këmishë
Të pret te bregu i kaltër
Delfinët t’i shalosh
Si kuajt e përrallave
Jo fillikat
Me atë guguçen për dore
Që të tha dje
Në sytë e tu
Qenka deti.
I DHASHË PAK ZEMËR
S`pata çka t`i jap lypësit
në dorën e shtrirë
I dhashë pak zemër
do ta bëjë Zoti mire
Cilën ditë athua
më pyeti i kapitur
Nesër a pasnesër
edhe sa duhet pritur
Edhe sa, o vëlla
Para meje ra një gjeth
edhe atij shpirti iu rrëqeth.
EDHE DITËS I PIKUAN LOTËT
Ata erdhën siç vjen tufani
babën me plis
e lidhen për mani.
Mos e vritni, i luta,
mos, babën tim plak!
Askujt s’i ka hak!
Jemi në Tokën tonë,
s`jemi ardhacak`.
Babën e dua, jam gjaku i tij i dëlirë,
më vritni mua më mirë!
Më vritni mua!
Një sy lubie
më shkundulloi për flokë:
Dëgjo ti, shqiptari i vogël,
plumbin s`e harxhoj në ty
tek ky mur,
dikush duhet të tregojë histori
se ç`bëmë ne dikur.
Dhe babën e bënë shoshë,
shoshë edhe plisin!
E motrën? Ah, motrën
që i ngjante krejt nënës,
në sy të mi
ia prishën bistekët,
bistekët e bukur si të hënës!
Ç`të të them tjetër?
Edhe ditës i pikuan lotët
bashkë me blerimin!
Dielli u fsheh pas reve
të mos e shoh trishtimin!
Qershor, 2017.
KUR TË NISESH
Kur të nisesh
kah zemra ime
kur të nisesh
tregomë.
Nëse bie shi
do ta ndalë.
Borë nëse resh
në çast e shkrij.
Po qëlloj furtunë
ia vë gjoksin unë.
E bëj verë, pëllumbi im
verë për ty
të vish
e lulet e mallit
të qeshin.
Gjilan, 8 korrik 2018.