Albspirit

Media/News/Publishing

Festa poetike e Lulëzime Malaj në Vlorë

 

Nga MSc. Albert Habazaj

Dita e poetes Lulëzime Malaj

Këto ditë të nxehta gushti në Vlorë i freskon deti paradite dhe mbasdite takimet me poetë, shkrimtarë dhe artistë. Veprimtaria e radhës u zhvillua të mërkurën e 8 gushtit, ora 18.30’ në mjediset e Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali” – Dera e Hapur jo vetëm për njerëzit e dijes, por patjetër dhe për misionarët e artit dhe kulturës. Ishte dita e vëllimit më të ri me lirika “Gruaja me këpucët e kuqe” i poetes Lulëzime Malaj. Një festë poetike -e cilësoi z. Albert Habazaj, Drejtor i Bibliotekës së Universitetit dhe kryetar i shoqatës sëshkrimtarëve dhe artistëve “Petro Marko” Vlorë. Merrnin pjesë poetë, shkrimtarë, gazetarë, studiues, përkthyes, historianë, që me ardhjen, mbështetjen, fjalët, komentet vlerësuese në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm për autoren dhe krijimtarinë e saj si: poet, studjues, bibliograf Msc. Albert Habazaj – moderator i veprimtarisë; poete, gazetare, studiuese, përkthyese Laureta Petoshati – redaktore e librit “Gruaja me këpucët e kuqe”; shkrimtar i njohur Gezim Zilja, Docent, historian, poet Odise Çaçi; shkrimtar, poet, studiues Eqerem Canaj; poete, mësuese Anila Toto; poet, shkrimtar Myrteza Mara; poete Lela Qejvani; poeti lirik Hiqmet Mehmetaj, përkthyese Elisabeta Aliaj, njohëse e letërsisë, mësuese Lejla Gorishti, poet, studiues Idajet Jahaj, poete Alma Sinan Feruni, poete mësuese Fatbardha Amzaj. Emocionuese ishte ardhja e mikeshave të autores, që i bashkon profesioni i ekonomistes dhe pasioni për letërsisë si poetja ekonomiste Vjollca Aliaj, poete Silva Alisa Xhemo, apo mikesha e hershme e Lulit, ekonomistja Elida Gjoni Marko, që ndodhen në Vlorë me pushime dhe suprizuan e nderuan me ardhjen e tyre autoren dhe auditorin. E veçanta në këtë promovim ishte pjesëmarrja e zonjushës Juxhina Malaj, (vajza e autores), e cila ka mbaruar studimet Master për Shkencat Ekonomike në Vjenë dhe jeton e punon në Portugali.

Vëllimime lirika “Gruaja me këpucët e kuqe” me këtë titull domethënës, është një homazh për gjithë vajzat, motrat, grate e nënat e dhunuara dhe që kanë humbur jetën. Një problem social ogurzi, i viktimave në sistemin shoqëror sa të vjetër dhe të ri, që fatkeqësisht nuk po di të ndalet.

Poezia e Lulëzime Malaj, është sa prirje e brendshme, aq dhe shtytje e vetë dijshme sepse brenda saj është ajo me talentin e saj, me thellësinë e mendimit, mirësinë dhe buzëqeshjen lulëzimjane, patjetër dhe me humorin e shëndetshëm.Ajo është poete e dashurisë dhe e natyrës, sepse pikërisht në vargjet me motive të tilla ka origjinalitet, dëlirësi, ka vargje pa mbingarkesë figurash letrare. Sidomos në këto poezi, që pasqyrojnë 100 % botën e brendshme të autores vërehet tejdukshëm qytetaria e një njeriu të guximshëm, plot energji e dëshirë për jetën, idealet e një njeriu ëndëriimtar. Mund të veçojmë poezi të tilla si “Karrigia nr. 20”, “Akuarel pranveror”, “Natë groteske”, “I fshiva puthjes”, “Det aristokrat”, “Martesë e gabuar”, “Kitaristi” apo “Kërce me mua sonte” etj. Poeti është një mikrounivers më vete dhe lajtmotivi i një poeti lirik është dashuria, parë e ndjerë që nga vetja, familja, fëmijët, vendlindja apo vendorigjina, qyteti, atdheu, bota humane, mirësia, përparimi. Para se të jemi poetë, jemi njerëz të mirë, qytetarë të devotshëm për ta jetuar jetën bukur dhe me dinjitet, me dëshirat e gëzimet, me shqetësimet e hidhërimet që koha hedh për ne.një grua e mirë dhe poete e denjëështë edhe Lulëzime Malaj. Tek  “Gruaja me këpucët e kuqe” i ka bërë përshtypje shumëkujt sidomos poezia “Do të më gjeni”kushtuar luftës në Ukrainë. “Është një poezi aktuale, shumë e ndjerë, e cila në mënyrë poetike jep gjithçka ndodh në Ukrainë dhe atë që ndjen njeriu i thjeshtë, njeriu i ndershëm” – siç e theksoi mësuesi, politikani, gazetari dhe shkrimtari Gëzim Zilja – është një lloj poezie që i qëndron kohës.

Poezitë e Lulit janë disi të veçanta, sepse gjithmonë kanë një mesazh për jetën, pa përfunduar në moralizuese të bezdishme. Ndërkohë, që gjithë, ne që jemi punëtorë të mirë të fjalës së shkruar artistike, nuk duhet t’i bëjmë lëshime të dëmshme vetes, sin ë ca raste kur vargu mbyllet me folje, sidomos vargu i fundit e krejt strofa e fundit që duhet të jetë vula letrare e poezisë. Këtëna e kanë mësuar mësuesit dhe pedagogët e letërsisë, praktika dhe përvoja letrare, krahsimtarie me të tjerët në vend dhe në botë: Folja në fund të vargut e venit, e fik poezinë.

Lulëzime Malaj me vargun e ëmbël të poezisë së ngrohtë qytetare

Polifonia letrare e Vlorës bëhet më fisnike nga letërsia femërore e autoreve tona simotra të penës, ndërsa jeta jonë bëhet më humane.Në detashmentin simpatik të shkrimtareve dhe poeteshave të qytetit tonë spikat edhe autorja Lulëzime Malaj me vargun e ëmbël të poezisë së ngrohtë qytetare. E vërteta është se Lulëzimja ka dalur vonë në botën e letrave, ajo nuk dallon si prodhimtare, sepse nuk rend mbas sasisë, por spikat për kualitetin e lartë artistik, sepse synimi i saj është niveli cilësor i letërsisë që shkruan, duke përmbushur harmonishëm tre elementët e domosdoshëm për profilin e një poeti: mendim, ndjenjë dhe figuracion të shëndetshëm stilistik. Dhe ne ndihemi shumë mirë dhe kënaqemi kur lexojmë poezi të bukura, ku pasqyrimi artistik i jetës në gjerësinë dhe thellësinë e saj deri në imtësi, ku vetëm poeti mund të futet me gjetjet befasuese dhe aq të kënaqëshme si këto të markës “Made in Lulëzime Malaj”.

Lulëzime Malajështë me profesion ekonomiste e lartë. Dashuria për letërsinë dhe artin përkon qysh në fëmijërinë e saj të hershme.Në vitin 2018 ka botuar vëllimin e parë me poezi me titull “Në Ballkonin e një reje”. Në vitin 2021, ka botuar vëllimin me poezi me titull “Prelude dashurie”. Ndërsa “Gruaja me këpucët e kuqe”, ky vëllim me 80 lirika, që i festojmë ditëlindjen sot në mjediset e Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, është i tretë në radhën e botimeve poetike të autores Malaj.Ka në dorëshkrim edhe një vëllim me vjersha për fëmijë, ndërsa në proces botimi ka një tjetër libër me poezi që ndoshta mund ta titullojë edhe “Kërce me mua sonte”, apo varet si t’i thotë Pegasi i frymëzimit, se poeti, edhe në çastet e fundit, para dorëzimit në shtëpinë botuese, e ndryshon mendimin për emrin e librit, që është vërtet fëmija i bekuar shpirtëror i poetit. Shtëpia botuese është materniteti i poetit dhe unë uroj përzemërsisht autoren, po ashtu falënderoj sinqerisht shkrimtarin dhe botuesin e njohur Mark Simoni me “Muzgun” – maternitetin e “Gruas me këpucë të kuqe”. Një falënderim i veçantë kam për doktoreshën e kësaj lindjeje të shëndetshme, ing. Laureta Petoshati, poete, prozatore, përkthyese, mikesha jonë e palodhur, e cila, me shumë vëmendje u kujdes që libri të kishte këtë strukturë dhe tematikë të pasur dhe të pëlqehet nga lexuesit me kërkesa dhe interesa të larta leximi.Autorja Malaj ka gjithashtu në dorshkrime; ese, tregime, tekste këngësh… Bashkëpunon me shumë gazeta dhe revista ku boton krijimet e saj letrare – artistike. Është përfshirë në shumë antologji kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe në veprimtaritë në vazhdim. Është e vlerësuar me çmime brenda dhe jashtë vendit, por nuk janë çmimet lajtmotivi kësaj mbasditeje, është poezia e Lulit, me lirikat e hijshme që na ka dhuruar, është poezia e saj që sa të lumturon, po aq të dhemb si tek poezia “Këpucët e kuqe”, një lirikë e hidhur, ku melankolia shndërrohet në protestë shpirtërore. Autorja ia ka arritur qëllimit, sepse na ka rrëmbyer, na ka bërë për vete, me këtë poezi, ne e përjetojmë sikur të jetë e vërtetë, nuk e dallojmë dot ku është trilli dhe ku është realiteti, sepse dhuntia dhe urtësia letrare e autores mjeshtërisht e zotëron mirë timonin shkrimor.

Malaj është një poete e palodhshme, e përkushtuar ndaj poezisë e dashuruar me të, dhe ndoshta ky është motivi që e shtyn të kujdeset për të me devotshmëri e merak, si për lulet në shtëpi. E shikojmë dhe e dëgjojmë emrin e saj tek shfaqet në televizor kur jepet pasqyra e shtypit të përditshëm të premteve tek “Pena Shqiptare” e “Telegrafit” dhe gëzojmë e ndihemi krenarë, që krahas emrave të tjerë shqiptarë, patjetër dhe të autorëve vlonjatë, lexojmë me ëndje edhe poezitë e formuara letrarisht të poeteshës sonë Lulëzime Malaj. Ajo është vëzhguese deri në kapilarë e jetës njerëzore dhe e jep në poezitë e saj, ajo ka gjeografi në poezi, ka univers, ka shije dhe vlera vargu i saj, ajo i ka të gjitha stinët, të gjitha ngjyrat e ngrohta, të ndezura dhe të ëmbla. Vargu i saj të mbush me mirësi, jo me hidhërim, me optimizëm jo me mërzi të këqija. Ka ideal, ka moral, ka frymëmarrje, ka botë e së pari ka letërsi vargu i Lulit, se ajo ka lindur për të qenë qytetare e mirë, nënë shembullore, veprimtare e spikatur, poete e urtë e filozofisë së dinjitetshme, që di të fshikullojë veset, duke e mjekuar plagën, jo duke e acaruar atë më tepër. Është një autore e veçantë në plotësimin me virtyte, e mbi të gjitha Luli nuk nuk di të mburret, ajo e ka hasëm të mbajturit për e madhe.

Na tërheqin vëmendjen poezitë për Vajsarin dhe Tepelenën… Seç ka një magji gati hyjnore vendlindja për autoren Lulëzime Malaj, sepse poetja na vjen si misionare e rrënjëve dhe shpirtit prandaj edhe unë po shprehem me vargje për mikeshën tonë të penës: Tepelena me lavdi, art dhe kulturë,/ Ç’fisnike Tepelena e Poetëve!/ Vasjari, mbi Vjosë, ç’ e kulluar gurrë/ Ku Luli në vargje bëri hojet e bletëve

Nuk do të rrok përmbajtjen e librit, se ndoshta do të flasin të tjerë dhe patjetër që mendimet na rezonojnë, se na ndihmon Luli më këtë fëmijë kaq të bukur, që duan të gjithë njerëzit e mirë, por do të vështroj pak më gjatë poezinë  “Këpucët e kuqe”, që jo vetëm na trishton, por na revolton për barbarët që ekzistokan ende në kohët moderne. Në fakt, në rrafshin e formës poetike poezia e parë, që çel portën e vëllimit ëndërrimtarja romantike “Shpresa”, trishtuesja “Xhaketë ia vesha një manekini” apo vjersha dramatike “Këpucët e kuqe” të japin përshtypjen se kanë bulëza soneti, që vijnë në trajta tingëllime, por që nuk janë as në strukturën shekspiriane të soneteve, as në strukturën e soneteve të Petrarkës. Në fakt, soneti është shumë i vështirë në strukturë, me strofat, me rimat përkatëse, me katrenat, tercinat apo distikun (dyvargëshin) në mbyllje. Në Shqipëri, ndër të paktët krijues që u morën me këtë lloj të veprës së shkruar letrare në vargje shkëlqeu Mjeda me poemthat sonetikë “Liria”, “Lissus” dhe veprën e pambaruar “Skodra”, ku ka përdorur vargun njëmëbëdhjetërroksh, varg i konsideruar tipik italian, por i thurur nga Mjeda tingëllon natyrshëm në shqip dhe ka një bukuri të madhe.  Në Vlorë është poeti lirik Hiqmet Mehmetaj që e zotëron teknikën e vështirë të sonetit, e ka të tijën, si të thuash dhe thur tingëllima të bukura. Një poet i mirë edhe duhet të lexojë letërsinë e mirë të të tjerëve, që krijohet në Shqipëri apo në botë, duhte të studiojë teorinë e letërsisë dhe kritikë letrare, të krahasojë e të ulet në bibliotekën e tij apo në laboratorin krijues dhe të na dhurojë trëndafila të freskët në vargje, sikurse bën Luli poetja e kësaj feste letrare.

Përse përmenda mjeshtrat e tingëllimës Petrarkën, Shekspirin, Mjedën tonë apo kujtojmë të fundmin e romantikëve dhe të parin e poezisë moderne parizienin Sharl Bodler?Sepse mua më pëlqen tingëllima, e vështira deri në pamundësi, e bukura deri në mrekulli. E kërkoj sonetin se është i pakët në visetv tona, si floriri, e dua, e shijoj sepse është, si të thuash, matekatika spontane e vargut, dhe kryesorja për këtë rast, unë kam besim se autorja Lulëzime Malaj do të na shfaqet në vijim edhe me profilin e një poeteshe lirike të sonetit.

I uroj Lulit shëndet dhe poezi të bukura të natyrës “Kërce me mua sonte/ nën tingujt e valsit…/ në gotë perludi/ me fund ta pimë…”!

Përurimi i librit “Gruaja me këpucët e kuqe”ishte një veprimtari e bukur, me kualitet në pjesëmarrje, e ngrohtë, e dëlirë, dashamirëse.Ashtu siç ka shpirtin poetja doli.

 

Please follow and like us: