Sadik Bejko: In memoriam, Havzi Nela!
Dje ishte 35 vjetori i ekzekutimit në litar më 10 gusht 1988 të poetit 56-vjeçar Havzi Nela. Ai kishte lindur në fshatin Kollovoz të krahinës së Shishtavecit Kukës. Një vend, një fshat ky Kollovozi, që kur kam qenë para disa vitesh, ishte në një pjerrësi aq të thepisur, sa makina jonë të dukej se një rrotë e kishte në xhaden malore, por tjetra puqej buzë më buzë me humnerën.
Më 1993 Pjetër Arbnori dhe Shefqet Hoxha, dy deputetë demokratë, me helikopter eshtrat i zbritën aty. E rivarrosën Havziun si njeri, në tokën e tij, te njerëzit e tij.
Gjithë krahina ishte shkulur dhe mbiu në atë rivarrim. Po nderonte birin e saj po shkarkonte veten nga vdekja e pa faj.
Më të mirin e tyre, djalin më të bukur, më të pafajshmit mbi dhe, ua kishin këputur. Krahina shkarkohej në këtë nderim.
Krahina e kishte vuajtur si poshtërim të të gjithë bashkësisë së saj ekzekutimin me varje në litar të mësuesit, të poetit, të më mirit qytetar që kish dalë nga gjiri i tyre.
Për më tepër, ky ishte një bir i burgosur dhe i internuar prej 20 vjetësh.
Dhe pastaj atë e ekzekutojnë dhe ekspozojnë publikisht të varur në litar në Kukës.
Më tej, kufomën e masakrojnë, i heqin kokën. E poshtërojnë më tej si kufomë: e varrosin vertikalisht në gropën e një shtylle të telefonit.
Pse shteti nuk ngopet në hakmarrjen ndaj tij, dhe me keqtrajtimin e kufomës së vdekur të Havzi Nelës. Kush është krimi i tij?
Diktatura nuk u ngop me dënim, me masakrim, gjymtim fizik të të vdekurit dhe me profanim të kufomës në një varrim monstruoz.
Janë një sërë aktesh kanibaleske, kund të pashoqe në botë, në këtë ritual poshtërues të kufomës së Havzi Nelës. Një poshtërim i tillë, barbaria, përdhosja e kufomës, përçudnimi i varrimit, nuk praktikoheshin as për dënimet e skllevërve kriminelë në Romën e lashtë.
Ky ishte komunizmit i viteve mbas Enver Hoxhës. I stalinistëve të regjur shqiptarë, i stalinistit… Ramiz Alia.
Edhe i ati i Edi Ramës, anëtari i Presidiumit komunist të kohës, artisti skulptor Kristaq Rama, ka firmosur për varjen në litar të Havziut.
(Në… vazhdim) ai ka firmosur, edhe për proçedura të tillë makabre, jashtënjerëzore, firmoste pa asnjë kontroll për çfarë i thoshte Partia. E kishte pranuar të jetë me krimin… si detyrim se e urdhëron Partia.
Nuk e them këtë si akuzë personale kundra E. Ramës, por e them si denoncim për klasën e pasardhësve të komunistëve të vitit 1988, për pinjollët e atyre monstrave komunistë që morën pushtetin bashkë me Edi Ramën.
Janë pasardhës kriminelësh.
Havzi Nela edhe sot akuzon.
Please follow and like us: