Gavrosh Haxhihyseni: ALGORITHMUS…
Shkrimi im i fundit kundër pseudo-teorisë së algoritmit simbolik të Petro Zhejit ka shkaktuar një stuhi të vockël në gotë.
E çmoj shumë këtë studiues të palodhur poliglot dhe enciklopedik që në vëllimet e tij studimore përdor të gjithë dijen e botës për të provuar se gjuha jonë, pra gjuha shqipe është Gjuha e Perëndive. Si shqiptar dhe shqipfolës kjo do të më bënte krenar sa më s’bëhet, por kur thellohem paksa në historinë e gjuhëve të botës vërej se të njëjtin pretendim kanë dhe gjuhët e tjera.
Nuk ia kisha idenë se vjetërsia e gjuhës dhe teoritë rreth saj qënkeshin një domain shumë i ndjeshëm etnik, filozofik, fetar, politik, etj.
Thuajse të gjitha gjuhët tradicionale, autentike të rruzullit, të vjetra e të reja pretendojnë përparësinë ndaj gjuhëve të tjera.
Sipas Biblës, Zoti krijoi botën, tokën, gjallesat mbi tokë dhe në fund Adamin e i tha atij t’i emërtonte të gjitha gjallesat e të bëhej zot i tyre. Dhe meqë Bibla e parë, Tanakh-a, e Hebrenjve është shkruar në gjuhën hebraishte të vjetër, Zoti ka folur këtë gjuhë.
Pastaj ndodhi ngjarja me kullën e Babelit dhe u lindën gjuhët e të gjithë botës.
Një pretendim edhe më të fortë kanë Indianët me gjuhën e tyre të origjinës, sanskritja.
Sanskritja ka qenë gjuha zyrtare 3500 vjeçare e Indisë së lashtë, një nga gjuhët më të lashta Iindo-europiane. Sot ajo është ende e gjallë në një nga 22 shtetet e Indisë. Është gjuha liturgjike e Hinduizmit, e filozofisë hindu dhe e Budizmit.
Sanskrishtja e lashtë ka lidhje të drejtpërdrejtë me gjuhën proto-indo-europiane, ndaj dhe popujt Hindu pretendojnë se gjuha e tyre, si gjuha më e vjetër e dokumentuar dhe që rrjedh nga proto-gjuhët e mëparshme është gjuha e Perëndive Hindu dhe Budiste.
Ja çfarë thotë Agripa në vitin 1510, në librin e tij ” Tre Libra mbi Filozofinë Okulte”:
“Ne s’kemi si ta dimë nëse Engjëjt dhe Demonët si shpirtra të pastër, përdornin mes tyre dhe me ne, ndonjë gjuhë të folur… por Pali diku thotë se shumë njerëz mendojnë se ata flasin në gjuhën hebreje, sepse kjo ishte gjuha e parë që vinte nga qielli dhe ishte para kullës së Babilonit, përmes së cilës Zoti, Ati ynë i dha njerëzve Ligjin dhe biri i tij predikoi Ungjillin, fjalën e Zotit… Dhe ndërsa gjuhët e tjera pësuan ndryshime me kalimin e kohës, hebraishtja mbeti e pa ndryshuar”.
Kura’ani islamik është shkruan në arabishten klasike dhe Myslimanët besojnë se Kura’ani është Zbulesa hyjnore – ai është një dokument i shenjtë, i përjetshëm dhe si i tillë besohet se është fjala e Zotit. Ndaj besimtarët myslimanë thonë se Kura’ani i vërtetë është vetëm ai i shkruar në arabisht. Përkthimet e tij në gjuhë të tjera nuk quhen Kura’ani i vërtetë. Ato quhen interpretime të Kur’anit. Për këtë arsye edhe shërbesat fetare mbahen kudo në gjuhën arabe.
Siç e shohim nuk gjejmë një gjuhë të vetme të zotit, ato janë disa.
Gjuhëtari ynë, Petro Zheji, ka bërë një përpjekje titanike që të provojë para botës se gjuha shqipe është gjuha primordiale, pararendëse e të gjitha gjuhëve të botës, pra gjuha e Zotit. Ai niset nga një metodë origjinale e quajtur Algoritmi Simbolik dhe duke u nisur nga etimologjia e fjalëve të gjuhëve të huaja ai na tregon se të gjitha kanë një rrënjë të përbashkët që të çon në atë çfarë simbolizon fjala. Për të mbërritur këtu ai shfrytëzon të gjithë arsenalin e dijeve njerëzore jo vetëm në gjuhësi por dhe në mitologji, histori, psikologji e deri në shkencat ekzakte si logjika, matematika, fizika, etj.
Zor se mund të gjëndet një poliglot i dytë në botë për nga erudicion dhe zbatimi i këtij arsenali për të shpjeguar zanafillën e fjalëve dhe gjetjen e një meta gjuhe që shkon më thellë në kohë se gjuha proto-indo-europiane.
Zheji nuk niset nga ndonjë farë nacionalizmi patetik, por argumenton mbështetur në koncepte universale që shkojnë deri në misticizëm. Ai thotë se gjuha shqipe është hyjnore, është gjuha e frymës së shenjtë apo vetë fryma e shenjtë.
Zheji mistik nuk argumenton në asnjë rast i mbështetur në evolucionin e gjuhës. Ai nuk na thotë se gjuhët e botës kanë lindur jo nga një gjuhë e vetme primordiale, hyjnore por nga nevoja e shumë fiseve të shpërndarë anë e mbanë globit për të krijuan një mjet komunikimi siç është gjuha.
Unë nuk dua të futem në detajet dhe formulat që ai i përdor gjerësisht dhe që mua shpesh më duken si lojra logjike-linguistike, si ide me ngarkesa të mëdha që shpesh nuk bëjnë sens.
Mund të gjejmë ndonjë analogji midis shkencave ekzakte dhe fenomeneve gjuhësore por aplikimi i metodës shkencore në studimin evgjuhës nuk funksionon. P.sh. Zheji përdor holografinë në kuptimin e fjalëve dhe rrënjëve të tyre sipas parimit holografik pjesa na jep të tërën. Për ata që s’e dinë, në fizikë holograma është krijimi i imazheve tre dimensionale të objekteve mbi një sipërfaqe me dy dimensione, psh. mbi një pllakë fotografike. Duke e implementuar këtë koncept në gjuhësi, Zheji pretendon të nxjerrë një univers të tërë gjuhësor nga një fjalë e vetme.
Në vështrim të parë për dikë që s’ka shumë njohuri në shkencat diçka e tillë i duket një zbulim madhështor, por përtej aftësisë sygjestionuese të studiuesit, një njeriu të shkencave kjo analogji i duket qesharake.
Janë pikërisht këto arsyet e mija që teorinë e Algoritmeve simbolike ta quaj një pseudo-teori.
Për mua nuk ekziston një gjuhë primordiale, për më tepër gjuhë perëndish. Gjuhët janë krijuar të larmishme në vartësi të kushteve gjeo-klimatike të mjedisit ku grumbullimet e para që erdhën pas Homo Sapiensit krijuan natyrshëm mjetin e tyre të komunikimit. Belbëzimet e para çuan dora doraz e me kalimin e shekujve formësimin e gjuhës së folur me ca rregulla të caktuara që çuan më pas në nevojën e shkrimit të kësaj gjuhe. Shumica e tyre u asimiluan me kohë, por disa mundën të mbijetojnë dhe të gjallojnë deri në ditët e sotme. Gjuha shqipe është njëra nga këto gjuhë të vjetra të kontinentit tonë dhe ne duhet të mburremi pa u ekzaltuar që jemi një komb i lashtë që e ka ruajtur me fanatizëm gjuhën e të parëve.
Please follow and like us: