Albspirit

Media/News/Publishing

Qerim Vrioni: Fatos Baxhaku dhe fotoja “Dorëzimi i armëve

 

Me rastin e katër vjetorit të ndarjes nga jeta të publicistit të njohur

 

Këtë muaj mbushen katër vjet prej ndarjes së parakohshme nga jeta e gazetarit dhe publicistit të njohur Fatos Baxhaku. Ai ishte i pranishëm në shtypin e shkruar dhe në kanale televizive të vendit si një kryeredaktor plot kulturë, vërtetësi dhe kandje. Ndërkohë, ai nuk la pas dore krijimtarinë letrare dhe shoqërore, duke botuar disa libra të veçantë dhe mjaft tërheqës për publikun shqiptar.

Fatos Baxhaku kishte studiuar për histori në universitetin e Tiranës dhe pas përfundimit më 1986, ai u aktivizua si punonjës shkencor pranë Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave deri në vitin 1992. Gjatë viteve 1993-1998 ai kreu detyrën e kryeredaktorit tek “Gazeta Shqiptare”, mandej si kryeredaktor i televizionit “Klan”, më pas edhe i “Vizion Plus”. Në kohështrirjen 2006-2015, ai drejtoi me mjaft zotësi gazetën e njohur “Shqip”. Në të gjitha këto detyra ai u shqua për aftësie kulturë edhe për korrektesë me bashkëpunëtorët dhe lexuesit e këtyre organeve.

Përgjatë këtyre viteve Baxhaku u dallua edhe për trajtimin me frymë origjinale dhe kulturë të reportazheve e serialeve televizive me tema mbresëlënëse. Veçojmë ndër to serialin “Tunel” (të cilin e kam ndjekur me shumë kërshëri dhe vëmendje) tek “Vizion Plus”, atë “Rrugëtim” tek “Top Chanel”dhe “Shtëpia e vjetër” në platformën “Digitalb”. Në këto emisione televizive shpërfaqej vëmendja e tij për probleme të natyrave të ndryshme, historike, shoqërore, kulturore dhe politike. Po ashtu, duhet shënuar se Baxhaku është autore dhe i disa skenarëve të filmave kinematografikë si: “Atentatet e mëdha”, “Sytë e Lumit”, “Shenjat” dhe “Vetmia”, çka flet për horizontin e gjerë kulturor të tij.

Ndër botimet e Fatos Baxhakut shënojmë përmbledhjen me reportazhe “Gur” (2008), “Në Mirditë & rreth e rrotull” (2009), “Roje” (2010), “Çadra e kuqe: histori fatesh austro-shqiptare në shekujt XIX-XXI” (2013), në të cilat gëlon një publicistikë elegante. Tepër i veçantë mbetet botimi i tij (me bashkëautore) socio-psikologjik me titull “Gra të përgjithshme” (2014) me vlera të shumta për jetën shoqërore në vend në disa kohështrirje. Për disa kohë Baxhaku falë personalitetit të tij, ishte zgjedhur edhe anëtar i “Komitetit Shqiptar të Helsinkit”, ku u dallua për qëndrime të guximshme dhe parimore. Pas vitit 2015, ai doli në profesion të lirë, por natyrisht pa u shkëputur nga krijimtaria letraro-artistike.

Fatos Baxhaku u nda nga jeta më 16 gusht 2019, duke pikëlluar thellësisht familjarët, por edhe miqtë e tij të shumtë. Shuarja e tij e parakohshme u pasqyrua gjerësisht nga të gjitha mediat në gjuhën shqipe, print apo elektronike, në Shqipëri, Republikën e Kosovës, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Një vit më vonë, në “Panairin e librit 2020” në Tiranë, Baxhaku u vlerësua si “Autori më i mirë“ për librin e tij “Në emër të Nojes”. Pak më vonë, për të nderuar veprimtarinë e tij u emetua konkursi vjetor kombëtar për mediat “Çmimi  Fatos Baxhaku”. Po ashtu, me një vendim të posaçëm të Këshillit bashkiak të Tiranës,një rrugë e kryeqytetit për kujtim të tij u emërtua “Rruga Fatos Baxhaku”. Duhet shtuar se të gjitha këto nuk mund të lejnë në hije natyrën dashamirëse dhe tërheqëse të Fatos Baxhakut, çka shpërfaqej edhe nga shoqëria e madhe dhe e zgjedhur e tij, madje jo vetëm në Tiranë.

Veprat e botuara dhe emisionet televizive, i kanë siguruar Fatos Baxhakut kujtesë dhe përmendje të përhershme, jo vetëm nga miqtë e të afërm, por edhe nga të tjerë që e njohin dhe do ta njohin vetëm duke lexuar botimet dhe shikuar serialet e tij tërheqëse.

Gjatë viteve kisha pirë disa herë kafe me Baxhakun, bisedat me të cilin ishin përherë mbresëlënëse dhe rridhnin këndshëm. Temat e trajtuara brenda tyre ishin shumë të larmishme; flisnim për letërsi, gazetari, fotografi, muzikë, madje edhe për politikë dhe çështje shoqërore. Ai shquhej gjatë bashkëbisedimeve për origjinalitet dhe largëpamësi në debat.

Kthehemi tek titulli i shkrimit dhe lidhja e Fatos Baxhakut me foton e njohur të Kel Marubit  “Dorëzimi i armëve”.

Rreth 22 vite më parë, në shkurt 2001, botova shkrimin tim të parë për fotografinë. Asokohe bëheshin rreth dhjetë vjet që merresha me fotografi, kryesisht duke realizuar peizazhe, por edhe me “leximin” e fotove të vjetra. Në vitin 2000, shoku im i vjetër, Qemal Agaj, më kishte dërguar nga ShBA albumin fotografik “The Photo Book” (2000), të shtëpisë botuese angleze “Phaidon”, me 500 foto të zgjedhuranga e gjithë bota dhe kohët. Aty përfshiheshine dhe dy foto të lidhura me Shqipërinë. E para ishte fotoja e njohur e Gjon Milit, “Picasso duke vizatuar me dritë“ (1949), në album me titullin “Picasso”, tjetra shkrepja e Kel Marubit “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari iShalës” (1922).

U përqëndrova tek kjo e dyta. Teksti shoqërues i fotos nuk kthjellonte se çfarë po ndodhte  me ata 11 burra përreth një pushke mbrapsht. Aty, ndër të tjera shkruhej se : “Sot është vështirë të përcaktohet natyra e ngjarjes të përjetësuar në këtë foto të Kel Marubit” (“Il Mondo della Foto”-Phaidon, London, 2003, f. 302, botimi italisht). Duke hulumtuar për subjektin,gjeta në Historinë e Shqipërisë se në vitin e fotos, 1922, në vend ishte zhvilluar nga shteti një fushatë e gjerë me bazë ligjore për çarmatimin e popullsisë civile. Krijova shpejt bindjen se fotoja pasqyronte pikërisht një skenë nga ky aksion i madh politik dhe shoqëror.

Shkrova diçka, rreth një faqe A4 dhe me ndihmën e shokut tim Pandeli Koçi u lidha me publicistin Fatos Baxhaku, i panjohur prej meje, atëherë kryredaktor i revistës së përjavëshme kulturore-shoqërore “XXL”, të cilit i dhashë shkrimin. Ai, pasie lexoi, më telefonoi në shtëpi e më kërkoi që sa më shpejt t’i jepja edhe foton. Pas pak ditësh, ai e botoi artikullin me titullin tim “Çarmatimi në një fotografi të Kel Marubit” dhe pas një jave më kërkoi të shkoja të bisedonim dhe të tërhiqja në zyrat e redaksisë (te Piramida) edhe një kopje të revistës

Në takimin e dytëFatosi, me të folurën e tij të ngadalshme dhe të ngrohtë, më përgëzoi shumë për shkrimin dhe më nxiti të hulumtoj më tej, jo vetëm për dy figurat historike të fotos, Kapitenin Mark Raka dhe Bajraktarin e Shalës, por edhe të personave të tjerë.

Fjalët e tij kurajuese më shtytën që të vazhdoj më tej kërkimet për foton. Ashtu veprova dhe pas një viti e gjysmë e plotësova shkrimin me emrat e thuajse të gjithë personazheve dhe të dhëna të tjera historike për kohën dhe njerëzit, shumica figura të njohura të asaj periudhe. Mandej e botova tek dyfaqëshi i brendshëm i “Gazeta Shqiptare” më 2 maj 2002. Titullin e ndryshova duke menduar se nuk po çarmatoseshin me forcë civilat (të paktën në foto), por po i dorëzonin vetë shtetit armët, të cilat ligjërish tnuk ju takonin. Pra, fotos i vendosa emërtimin e ri “Dorëzimi i armëve në një foto të Kel Marubit”.

Tanimë nga ky titull ka mbetur vetëm“Dorëzimi i armëve”, i cili e shoqëron rëndom këtë foto në shtyp dhe në botime të ndryshme dhe jo emërtimi zanafillor “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari  i Shalës”, si ndodhet edhe në regjistrin e Fototekës “Marubi”. Prej atëherë nuk jam shkëputur nga studimi i fotografisë. Vështirë se do kisha vazhduar më tej në këtë fushë, pas artikullit “Çarmatimi në një fotografi të Marubit”, nëse nuk do shikoja entuziazmin dhe nxitjen dashamirëse të Fatos  Baxhakut.

Takimi im i fundit me të ishte në vjeshtën e vitit 2018, gjatë një ekspozite të fotografit dhe piktorit të njohur Leon Çika. Aty folëm edhe për takimin e ardhshëm, që fatkeqësisht nuk u realizua.

Gjithsesi, FatosBaxhakut do t’i jem përgjithmonë mirënjohës, i pastëdritë shpirti!

 

Botuar ne gazten“ExLibris”, 12 gusht 2023.

Please follow and like us: