Albspirit

Media/News/Publishing

Hidajete Xhelo: MBRESA NGA ÇAMËRIA (THESPROTIA)


Kishim vite që e mendonim këtë udhëtim e vizitë në vendlindjen e prindërve tanë! E ndjenim si nje detyrim për nënën time dhe vjehrrën që nuk arritën kurrë të kthehen në ato troje ku lindën! Babai im i kishte vizituar disa herë por gjithmonë i survejuar pa guxuar të thoshte kjo është shtëpia dhe toka ime! U rritëm nga gjyshër dhe prindër me aq dashuri, ku sëbashku me ushqimin na mëkuan dhe dashurinë e mallin për rrënjët tona, vendin të cilit i përkisnim! Nuk mund t’i harroj ato ninulla e këngë që aq ëmbël na vinin në gjumë me ndjesinë e paqes për atë vend plot diell e hijeshi! Edhe bijtë e mi u rritën po me atë ndjesi e dashuri për atë vend të begatë me ullinj portokaj, limona, bajame dhe aromat e manxuranës e borzilokut! Mamaja ime u largua me pengun e madh që nuk e pa dot vendlindjen, dhe shpesh na përsëriste “Dua t’u marrë erë atyre maleve e të vdes”. Këtë udhëtim na e mundësuan fëmijët që u bënë bashkë të gjithë me fëmijët e tyre, dhe besoj do të ngelet një ndër më të bukurit! Ishim katër familje me nga katër makina që u nisëm për rrugë! Sa kaluam qafën e botës, u shfaq fshati vjehrrës Lopsi e Sajadha! Ishte fshat i madh me shtëpi të reja por nga larg dukeshin edhe rrënojat e shtëpive të çamëve! Im shoq e kishte vizituar me parë, kishte mbushur ujë edhe tek pusi i shtëpisë, ndaj e lamë ta vizitojme në kthim e sipër! Vazhduam rrugën drejt Pargës së bukur e aq hijerëndë. E kisha parë dhe më parë por këteë herë m’u duk gjithë dritë! Kam udhëtuar nëpër shumë vende të huaja, si Antalia e resorte madhështore, por emocionet që ndjeva sa vura këmbën në atë tokë nuk mund të përshkruhen me fjalë. Kisha krijuar një përfytyrim nga gjithë ato tregime e legjenda e nuk u zhgënjeva! Atje çdo gjë ishte e pastër si kristali dhe uji i detit si lot! M’u kujtuan lotët e gjyshes që shpesh qante me ligjërim kur isha femijë e nuk e kuptoja atëherë, por sot shoh me sytë e shpirtit edhe per to! Mbasi u akomoduam në Parga, vijuam të eksplorojmë të gjitha fshatrat çame me rradhë. Prindërit e mi ishin nga Arpica ose Perdika siç e quan greku! Kisha dëgjuar shumë histori nga babai për ato shtëpi guri të forta, lutervine e vajit sterren si dhe ata sokakë guri të latuar nga vitet! Ishim duke u ngjitur në të përpjetën e fshatit, kur dalloj konturet e disa shtëpive të bardha saqë për një çast m’u fanit Santorini! Arritëm në qendër të fshatit dhe menjëherë më ra në sy rrapi i madh, për të cilin më kishte folur babai. Ky rrap madhështor që kishte parë e kaluar sa e sa furtuna e luftëra, po të kishte gojë çfare s’do të dëgjonim! Arpica ngrihej majë një kodre të butë buzë detit Jon, e rrethuar nga ullinj shekullorë në pjesën e sipërme dhe poshtë vinin plantacionet e portokajve, limonave dhe vreshtave pa fund! Kur po ngjiteshim pak më parë për në fshat, djali na porositi që të mos tregonim që i kemi gjyshërit nga ky vend se do ndoshta mund të kishim probleme me policinë. Ai vend më dukej kaq i njohur sikur edhe unë të kisha lindur në këtë fshat! Ishim me fat që ishte sezon plazhi ndaj vendi gëlonte nga turistët dhe ne u ndamë në grupe e u perziem me ta. Kisha pak që po sodisja godinat përreth kur më afrohet një Zonjë ndoshta 75 vjeçe e me pyet: – Keni njeri kutu?
– Jo! – i përgjigjem. Kemi ardhur për qejf.
– Kemi shumë nuse nga Shqipëria kutu, –  thotë Zonja e cila quhej Parashqevi.
– Një nga Fieri e dy nga Vlora!
E pyes sa vite kishte në këtë fshat dhe ku e kishte mësuar gjuhën shqipe?
– 52 vjet, – thotë, – e jam nga një fshat kutu afër që i thonë Agjia e flasin të gjithë shqip! Kurse kutu në Sivota nuk e flasin të gjithë shqipen ose nuk duan, por mua ma ka mësuar gjyshja. – thotë ajo.
Më pas u nda nga ne duke buzëqeshur me shumë dashamiresi. Bashkë me djalin e vajzën, morëm rrugën për nga sokaku i shtëpise së babait. Djali im e njihte mirë atë vend se e kishte vizituar edhe më parë! Pak metra larg qendrës dallova konturet e gurta te lutervise ose fabrikës së vajit. Ajo dukej si kala me mure të trashë. Ishte fiks siç e kishte përshkruar babai. Ngjitur me të ishte sterra me një grykë të gjerë si një pus. U afrova afër ta shihja mirë: kishte diçka që më tërhiqte në ato troje. Më dukej siku dëgjoja zërin e gjyshit, të cilin nuk e pashë kurrë!
“Erdhe të pastë gjyshi”, e nuja me tumanet e polkën e bardhë më priste tek porta. “Erdhe të pastë nuja se është e ngrohtë qahija”. Në ato mendime u përlota dhe hodha sytë nga themelet e shtëpisë së rrëzuar! Nuk mund të futesha dot sepse përpara kisha një mur të madh. Në avllinë e shtepisë sonë, ngrihej një shtëpi e re që nuk e di se kujt i përkiste. Përkëdhela gurët me lot në sy, ata gurë që i kishin prekur babai, gjyshërit e stërgjyshërit ndër shekuj! Eh..sa zëra fëmijësh, gëzime e dasma kishin parë këta gurë ashtu sikurse dhimbjen e madhe të të zotëve, që u zbuan me dhunë nga këto troje! Vura re se rrëzë murit lulëzonte një trëndafil, ndoshta e kishte mbjellë nuja ime mire, që i donte aq shumë lulet! U ktheva prapë nga ai sokak nga erdha me një trishtim në shpirt! Me duhej të vizitoja edhe shtëpinë e nënës sime e cila ishte një rrugicë më poshtë, pothuaj afër qendrës së fshatit. Dita ishte në të thyer dhe po freskohej. Të gjitha lokalet po mbusheshin me turistë të huaj. Bashkë me vajzën time morëm rrugicën që na tregoi djali. Shtëpia e nënës ishte dy katëshe e mirëmbajtur dhe ende e banueshme! Poshtë kishte qenë këpucaria e gjyshit që ishte nga më të mirat, më tregonte nëna e cila ende e ruante çekicin e tij! Djali im i madh ngaqë shkon shpesh, njihet me shumë pronarë të tavernave që flisnin shqip e na ftonin që të drekonim tek ata! Mbasi drekuam me specialitetet e zonës, që ishin padyshim aq të shijshme, zbritëm pak me poshtë në një ballkon guri plot me turistë. Kur u afrova, para meje u shpalos panorama më mahnitëse që kam parë ndonjëherë. Në sfond ishte deti i pa anë me ca ishuj të vegjël dhe një gjelbërim, që e bënte këtë fund korriku të freskët e ftues. Babai tregonte shpesh se si vidheshin nga sytë e prindërve e rrëshqisnin në këto shtigje për t’u larë në det. Kalonin nëpër ullishte e portokaj të ndarë në sinore, pasi fshati i kishte tokat poshtë në luginë. Sipër fshatit, malet e kodrinat kundërmonin nga aroma e sherebelit, smarthes, rigonit, çajit dhe të shumë bimëve të tjera! Ah… sa kope me dhen e dhi lanë çamët nëpër këto male, tregonte nëna. Në kohë të mira nuk kishte ditë që mos të thernin një qengj apo kec e ta piqnin në furrat që i bënin vetë me baltë e tjegulla të thyera. Bollëku e mirëqenia që kishte ky fshat, nuk krahasohej me të tjerë. I pari ishte vaji i ullirit që çdo shtëpi kishte në sterren e tij si dhe hambari i drithit. Gratë Arpiciote, tregonte nëna nuk i nxirrnin në punë jashtë shtepisë, ama brenda ishin Zonja të vërteta, nikoqire të thekura për gatime, pastërti e punë dore.
Punimet e tyre në tezgjah e qëndismat me sedef, i polkave e mitaneve zinte vendin e parë në tregje. Krehëri i tezgjahut egziston edhe sot e kësaj dite në shtepinë e nënës. Të gjitha këto kujtime me gëlojnë fuqishëm në kokë për gjithë këto jetë të jetuara denjësisht në paqe në këtë vend që u prenë në mes barbarisht! Eh..çfarë mund të merrte me vete gjyshja nga gjithë kjo pasuri? Asgjë veçse një velenxë të madhe që e kishte punuar me duart e saj, një tenxhere të madhe bakri, krehërin e tezgjahut, gjuhumin dhe disa ndërresa e pak ushqim! U përhumba në këtë ballkon, kur mendoj gjyshen një grua të re me shtatë fëmijë: më i vogli dy vjeç dhe i madhi 17 vjeç! Kishte tre vajza e katër djem e burrin të sëmurë që mezi arriti të kalojë kufirin! Kalvari i dhimbjeve të saj ështe i gjatë. Disa javë pasi arritën në Mursi i vdes burri nga ajo epidemi e madhe, pa ujë e pa ushqim, në qiell të hapur! Ajo velenxë u bë mburojë shpëtimtare për fëmijet e saj në dimrin e madh që pasoi! Kam shkruar shumë për nënë Eminenë e nuk lodhem të shkruaj për të sepse ishte burim frymëzimi për ne me vullnetin dhe mençurinë e saj! Ndërsa nëna e babait Nuja ishte një Zonjë më vete me prezencën e vlerat që percolli në vite. Edhe ajo kishte tetë fëmijë dy prej të cilave vajza, humbën jetën në atë eksod biblik ku prekën ferrin! Kam pasur fatin e madh të rritem nga dy Zonja fisnike, që nuk e ngrinin kurrë zërin dhe nasihatet e tyre i kujtoj si vlerat më të mira njerëzore! Kam shumë për të thënë për njerëzit që jetuan në këë vend thëllëzash siç e ka edhe emrin, por do të përqëndrohem tek udhetimi ynë që vazhdon në fshatra të tjera të Çamerise! (Thesprotise). Në perëndim të diellit, i kthyem shpinën Arpices ose Perdikes siç i thotë greku por jo për të mos u kthyer kurrë! Ndihesha e lehtësuar që e realizova këtë ëndërr! E gjithë familja ime nipër e mbesa, panë me sytë e tyre këto brigje egzotike, këtë vend përrallor ku janë rrënjët tona dhe varret e të parëve! S’do të reshtim kurrë së foluri fëmijeve se kujt vendi i përkasin! Njeriu në qoftë se nuk di nga vjen, nuk di as nga shkon! Fëmijët të gjithë bashkë, ndiheshin të ngazëllyer e krenarë duke u betuar se çdo vit do kthehen si peligrinë në këtë vend! U kthyem në Parga tek kjo mrekulli që mbrëmjeve llamburiste nga dritat e rrugët e zhurmshme, nga mijëra turistë të huaj. Ështe një qytet magjik, që të fton ta vizitosh herë pas here e gjithmonë shikon diçka që nuk e ke parë herë të tjera. Xhiroja buzë dedit deri në orët e vona, si edhe pazari i madh i suvenireve, zgjaton nëpër shkallaret e gjata deri tek kalaja dhe këto janë osesioni i turisteve. Kisha qenë dhe herë të tjera në Parga por këtë herë ndenjëm gjatë dhe e shijuam në çdo aspekt. Akomodimin vërtet e kishim në qendër të Parges por plazhin e bënim në vende të ndryshme turistike të cilst nuk ishin më shumë se njëzet minuta larg nga njëra – tjetra. Sot e kishte rradhën Vola ose Sivota për të cilën kisha dëgjuar aq shumë si për bukurinë ashtu edhe për njerëzit dhe vlerat kulturore! Mbas disa brigjeve të lakuara me një panoramë mahnitëse, përpara na shfaqet thuaj të ishte një anije gjigande me shtëpi të bardha që shkëlqenin nga dielli. – Ështe Vola! – thotë djali im që e kishte vizituar edhe më parë. Vola ngrihej madhështore me formën e një vaporri gjigand rrethuar nga skafe e kroçere të vogla. Kisha dëgjuar shumë për Volën si një mol ku ankoroheshin anijet gjatë luftës dhe furnizoheshin me karburant. Tani ishte zgjeruar e zbukuruar akoma edhe më shumë. Gjyshja që ishte vajzë nga Arila, fliste shumë për krushqitë me volotet që i kishin gjitone! Kaluam disa orë të këndshme duke shëtitur në atë bregdet llamburites, ashtu sikurse e gjitha ajo zonë me plazhe egzotike! Vizitën e rradhës dhe plazhin e bëmë afër Agjias ku flisnin të gjithë shqip dhe pastër Ky plazh quhej Sarakoniki dhe kishte një rërë të bardhë me ujërat kristal blu në jeshile. Sapo ishim rehatuar në zheslone, na afrohet një mesoburrë me flokë të bardhë e të gjatë e na flet shqip.
– Kutu i keni të gjitha, – na thotë, –  edhe të hani e të laheni mbas plazhit si edhe qenefin! Po na gërmonte gazi; nuset ia dhanë të qeshurës se kishin vite pa e dëgjuar atë fjalë. E gjithë ajo ditë iku me të qeshura deri sa u ulëm për të drekuar. Shikonim menunë dhe të gjitha ishin si gatimet tona, që nga musakaja dhe deri tek lakrat e egra me kungull e hurdhra! Morëm nga të gjitha dhe po i shijonim kur na afrohet një burrë me përparse e skufje të zezë e na pyet: – Nga cili vend i Shpiperise jeni?
– Nga Elbasani, – i përgjigjemi!
– Keni njeri kutu? – na pyet ai.
Nuk durova dhe i thashë se kam vendlindjen e prindërve në Perdika.
Teksa dëgjoi këtë, ai u ngrit shpejt, mori një qyp (vegël muzikore) dhe filloi t’i bjerë qypit e të këndojë shumë këngë shqiptare. Ne në fillim po shikonim njeri – tjetrin por pastaj u ngritën të gjithë duke kërcyer e kënduar shumë këngë shqiptare të cilat i  këndonin edhe ata. Tumankuqen, luleverdhën, manushaqen, do marre vajzën nga Arpica e shumë këngë të tjera. Ishin çaste prekëse: qeshnim, qanim e kendonim! Ishim një popull, një gjuhë, të njejtat këngë e muzikë. Sa emocione të papara provuam atë ditë! Biseduam shumë për të gjitha si ullishtet e të mbjellat. Edhe ata të njejtat probleme kishin me vajin e ullirit që nuk gjenin treg! U ndamë me lot në sy duke i dhënë adresën njëri – tjetrit me shpresën se një ditë do takoheshim. Ai kishte dobësi për Elbasanin dhe na tha që do të vinte patjetër! U larguam me mbresat më të mira nga ky vend dhe vazhduam udhëtimin drejt Parges se po binte mbrëmja. Ditët në vazhdim, shijuam e vizituam shumë fshatra turistike me plazhe egzotike e në të gjitha gjeje shqiptarë ortodoksë të Çamerisë. (Thesprotise). Ditën e fundit mbas plazhit, djali im na bëri një surprizë që ishte nga më të bukurat, të cilën kisha vite që e mendoja! Ndryshoi intenerarin dhe po vazhdonte drejt Janinës! Para se të futeshim në Janinë, u kthyem në një rrugë të ngushtë ku pashë një tabelë që lexonte: Dobona! U lumturova si një femijë dhe e urova me shpirt për këtë dhuratë të papritur. Mbas disa kilometrash u dukën konturet e Tempullit te Dodonës! Një amfiteatër madheshtor i antikiketit mbi tre mijë vjeçarë! Ishte në restaurim e sipër ndaj nuk mund të ngjiteshim lart por  vazhduam rrugën se ishte shumë i madh në gjatësi. Një Tempull madheshtor me një shtrirje të madhe gjeografike si dhe një histori të lashtë. Është për të ardhur keq që jemi kaq të pafuqishëm dhe nuk mund të dokumentojmë asgjë tonën që na përket dhe na identifikon. U larguam nga ky Tempull madheshtor me trishtim por dhe me shpresën se e vërteta do të triumfojë një ditë. Udhëtimit tonë i erdhi fundi aq sa na u dukën shumë pak dhjetë ditë për të eksploruar Çamërinë tonë të mallit, të dhimbjes dhe dashurisë! Ndihem aq e lidhur me këtë vend që Zoti e ka bekuar me aq shumë dritë, diell, det, ullishte e agrume pa fund! Mbetem me shpresën se një ditë do të na kthehet ky borxh! Mirupafshim Çamëri (Thesproti) Zemra jonë!

Please follow and like us: