Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Agastra: Çok güzel- Shumë bukur

Ese
Dhe ja, si çdo fillim e ka edhe një fund. Kështu edhe pushimet shënuan mbylljen e tyre. Sado keq të vjen, cikli i tillë është. Së paku, kur i kalon bukur, të duket se mbarojnë edhe më shpejt. Kjo është mjaftueshëm ngushëlluese për të pranuar faktin që ti të pranosh lehtësisht, kalimin nga ditë plot aktivitete argëtuese, në rutinën e përhershme, pa frikën e përjetimit të sindromës post-pushime ose depresionit post-pushime.
Teksa po konsumoja mendueshëm mëngjesin duke menduar për shmangien e kurtheve të kësaj periudhe përshtatshmërie me monotoninë që më priste në vazhdim, sytë u ndalën te tavolina përbri ku nje çift po debatonte me zë e  mimika.
Ishin të huaj e asnjë fjalë s’kuptoja por gjestet, mimika dhe lotët janë universale për të ndjerë keqardhjen e asaj gruaje që me fëmijën në prehër mbante peshën e gjithçkaje po ndodhte. Dukej se po hante bukë me lotë, ndërsa i shoqi përballë saj vazhdonte e ngrinte zërin duke u mbllaçitur me forcen e inatit të debatit, ndërkohë  fëmija në prehërin e nënës që s ishte as dy vjeç e shikonte me sy të hakërryer të atin si për ti thënë: “ Ah, ç’të bëj që jam i vogël, se s’do mundje ta lëndoje dot nënën time”, por ai nuk e lexonte shprehinë e fytyrës së fëmijës e si duket nuk kishte lexuar ndonjëherë që : “Një baba i mirë është ai që gjithmonë përpiqet që ta bëjë nënën e fëmijëve të tij të buzëqeshë.”
Sapo kalonin njerëz, ai e ulte pakëz zërin, por sërish sytë i nxirrnin xixa. Ajo mundohej ta ushqente fëmijën e përpiqej me të gjitha format e saj aq sa i lejonte ambjenti ta hutonte atë që të mos e përjetonte edhe ai skenën që po ndodhte. I fliste butësisht e plot ledhatim, ndërkohë i kthehej  të shoqit duke e urdhëruar të largohej, me forcën që zoti ia fali për të mbrojtur fëmijën nga ajo dhunë verbale.
Menjëherë nga gjuha mësova që ishin turq. Familjariteti me këtë gjuhë, kulturën dhe historinë që na lidh, përpos pjesës së filmave që kanë zaptuar ekranet tona më bëri të kuptoj fjalën: “Git, git”, “Ik, ik” që me forcë i doli nga shpirti.
Me lotët që i mbushën pjatën, pavarësisht dhimbjes që ndjente, ajo vazhdonte mëmësinë, vazhdonte të kujdesej për fëmijën, jo vetëm e ushqente por edhe i këndonte e luante me të duke e mbrojtur nga panorama që ai kishte përballë, nga inati i babait të tij, që me egoizëm  mashkullor vazhdonte në të tijën duke mos e kuptuar që po dhunonte dyfish.  Ai u ngrit dhunshëm duke përplasur pjatën e boshatisur, që e kishtë  ngrënë si i babëzitur me forcën e inatit që po manifestonte.
U largua duke i lënë  të dy në tavolinë sëbashku me një çantë të stërmadhe në të cilen ajo kishte vendosur veshjet e femijës për ta ndërruar, peshqirat e rëndë, si edhe lodrat e plazhit.
Fëmija u kthye nga e ëma dhe i fshinte lotët nga faqet e saj, gjë të cilën e bënte ndoshta instiktivisht, por ndoshta edhe se ndjente dhimbjen e saj.
Më pas i futi kokën në gji dhe e ëma i nxori gjirin duke i buzëqeshur si për ta qetësuar e të dy së bashku u lidhën në bekimin e zotit , që është qumeshti i nënës. Është pikërisht kjo ushqyerje e sigurtë dhe unike, jo vetëm për përmbajtjen e tij, por edhe  për trasmetimin e qetësisë shpirtërore dhe afektivitetit të domosdoshëm ,sidomos në dy vitet e para të rritjes së fëmijës.
Më pas atë e zuri gjumi dhe nëna u ngrit me peshën e saj të dhimbjes duke ngritur  në njërin krah fëmijën e në krahun tjetër çantën e peshqirat e ashtu ngarkuar humbi nga sytë e mi.
Doja shumë ta ndihmoja por….si femër e dija që ajo s’do të donte që askush ta mëshironte, apo askush ta kuptonte që ajo po vuante.
Iku duke lënë pas një hije të rëndë të ngjarjes dhe të diskutimit me veten :  Pse femra është e destinuar të jetë kaq e dhunuar? Çështje kulture? Çështje emancipimi? Çështje dominance?
Meqë çifti në fjalë ishin turq, pra te besimit fetar islam po ju sjell nje pasazh ilustrativ  nga feja islame por qe edhe ajo katolike e pohon të njëjtën gjë: “Gruaja ka dalë nga brinjët e burrit dhe jo nga këmbët e tij që t’a shkelni me këmbë”; …qe shpjegon rëndësinë dhe  forcën e gruas, sepse Zoti flet një gjuhë:
Thotë i dërguari i Zotit a.s:”U këshilloj të silleni mirë me gratë, pasi gruaja është krijuar nga një brinjë e lakuar. Pjesa më e lakuar e brinjës është maja e saj. Nëse do të orvatesh ta drejtosh, do ta thyesh. Nëse do e lësh ashtu, e lakuar do të mbesë. Prandaj, silluni mirë me gratë!” (Buhariu dhe Muslim). Lakueshmëria e brinjës, është një domosdoshmëri e cila i shkon për shtat natyrës së gruas. Ajo që e vërteton këtë, është se vetë brinja fizike, është e lakuar, pasi vetëm kështu ajo ofron mbrojtjen maksimale për organet e brendëshme.
A nuk vepron kështu gruaja edhe ne familje, shoqëri, e ne çdo ambient?
Valle, kur  maskilistet do te kuptojne qe gruaja eshte e barabarte me ta?
Kjo jo vetëm në të drejta e detyrime që i percakton feja dhe ligji, por edhe në potenciale  e dimensione ?A e dinë vallë këta meshkuj që thuhet se Zoti i numëron lotët e një gruaje?
Mendoj, që këta meshkuj  janë kaq të dobët saqë fshihen pas autoritetit të ashpër si një maskë mbrojtëse nga frika e brendshme karshi potencialeve  të gruas që kanë në krah. Ata reagojnë kështu edhe prej faktit  që ajo mund të marrë drejtimin e familjes, sepse këte te drejtë e përcakton edhe feja e cila thotë: Burri ka të drejtë  për të udhëhequr familjen, por nga ana tjetër ajo thotë që nëse ai eshte i paaftë kjo e drejtë i kalon gruas. Si duket kjo i trëmb më shumë se çdo gjë tjetër këta burracakë, të cilët  nuk e kanë lexuar deri në fund dhe abuzojnë me fjalinë e parë.
Ndoshta e zgjata paksa më shumë  trajtimin në aspektin fetar, por mora shkas nga fakti që gruaja ishte e veshur myslimane dhe rrjedha e mendimit shkoi në atë drejtim, si edhe për arsyen tjetër që shumë njërëz keqinterpretojnë disa ligje fetare në interes të tyre duke abuzuar  haptazi si rasti në fjalë.
U ngrita nga tavolina me peshen e dhimbjes së saj e solidarizimit femëror, duke ecur me padurimin të hidhja në letër këtë përshtjellim që më la ky mengjes i fundit  i pushimeve. U bashkova me familjen dhe sapo më panë njohën dhe lexuan ne tiparet e mia një shqetësim. Menjëherë filluan të bënin shaka me mua që po ndihesha keq që pushimet mbaruan, ndaj mu desh ta bashkendaja me ta dhe ndjeva qe keqardhja u trasmetua dhe tek ata.
Sëpaku në këto pak ditë pushimesh, s’ mundemi dot ta lemë zemërimin gjetkë e të rrokim paqen e adrenalinen që të falin këto ditë?
Është kjo energji e domosdoshme e cila do të karikojë zemrat, shpirtrat dhe trupat tanë për pjesën tjetër që na prêt e që sigurisht është mozaik i të tëra ndjesive së bashku.
E si në përgjiigje të këtyre lutjeve u  shfaqën ata të tre sëbashku që zunë vend pranë  çadrës sonë. Ai dukej më i qetë dhe ajo kishte ravijëzuar një buzëqeshje hyjnore. Po flisnin qetësisht dhe me duart e bashkuara te njeri- tjetri mbi karrocën e femijës që flinte i qetë. Muzika e lartë e argëtuese i ftonte njerëzit në aktivitete të ndyshme e në dëfrime pa fund.
Ai u ngrit, solli  dy koktelje lëngjesh frutash dhe pas një trokëllime gotash, thanë diçka, por që  këtë rradhë  se kuptova por e ndjeva që paqja kishte ardhur sërish mes tyre dhe u mbyll me fjalën Güzel (Bukur).
Ndoshta i uroi një jetë të bukur në vazhdim, ndoshta i tha;” më fal gruaja ime e bukur”.
Çfarëdo t’i thoshte, rëndësi ka që u mbyll çok güzel (shumë bukur).
Kjo na gezoi të gjithëve.
Kemer, 11. 08. 2023.
Please follow and like us: