Albspirit

Media/News/Publishing

Mirela Kanini: Mbi dashurinë dhe urrejtjen ndër shqiptarë

Ne që jetojmë larg mëmëdheut kemi dy kategori miqsh realë ose virtualë, të cilët kanë ndryshime thelbësore me njëri-tjetrin në disa gjëra. Një grup janë shqiptarë, grupi tjetër turli kombësish. Ky grupi i përzier, amerikanët, pavarësisht statusit social/shoqëror poston nëpër rrjete sociale kryesisht  gjëra  që  kanë lidhje me kafshët, udhëtimet e tyre ose vendet që duan të vizitojnë. Ndonjë ceremoni familjare ose  shoqërore kryesisht ato të  gëzueshmet. Foto të perimeve apo luleve që kanë mbjellë nëpër bahçe, ndonjë citat që ka lidhje me shëndetin dhe harmoninë shpirtrore. Pije të bukura që kanë konsumuar fundjavave.  Postojnë  ndonjë  gjë për të qeshur, rekomandojnë librin e radhës që i ka pëlqyer ose jo, ndonjë ulje cmimesh gjëkundi, ndonjë film që kanë parë dhe përshtypjet  përkatëse. Pothuajse asnjëherë nuk postojnë statuse me subjekt politik ose nëse e bëjnë nuk japin opinione të drejtperdrejta për të mos ofenduar askënd në shijet dhe pëlqimet e tyre. Sa më të ngritur të jenë nga ana intelektuale aq më shumë i mbajnë për vete opinionet e tyre për çështje të tilla. Po ku dinë nga jeta këta? Ata e kanë mendjen të bëjnë ecje në pyll, yoga, not, të rrëshqasin mbi dallgë si të çmendur (surfing), të lexojnë libra vazhdimisht, të merren me ndonjë hobi, të ndihmojnë vullnetarisht nëpër qëndra bamirësie dhe nuk u mbetet shumë kohë të iluminojnë të tjerët me postime bombastike. Asnjëherë nuk postojnë kundra grupeve të caktuara minorene. Pastaj vjen grupi i popullit tonë që është vital dhe tejet social. Ne jemi popull pasionant, ekspresiv që na pëlqen shumë të përfshihemi në biseda. Popull artdashës që 80% të popullsisë e ka poetë dhe pjesën tjetër analistë politikë, psikologë, gjithollogë të shquar që ndoshta pa e kuptuar shpërndajnë ndonjëherë toksikacion të dëmshëm negativ nëpër rrjetet sociale. Kritikohet gjithshka e mundshme, ose  lavdërohen deri në marrëzi figura të sajuara në epokën e komunizmit ose pas saj. Vreri, cinizmi,  urrejtja janë aq të dukshme sa të  shkaktojnë  një ankth të pakuptueshëm sepse ke mall të  ndeshësh  mirësinë njerëzore, humanizmin,  modestinë,  dashamirësinë pa kushte për njëri- tjetrin.   Shpërndahen dhjetra herë lajme toksike të portaleve të cilat ne përpiqemi t’i shmangim, ose  kotësira boshe. Megjithatë  është faqja jonë dhe e drejta jonë të ndajmë ç’të duam në rrjetet sociale. Ky është thjesht një konstatim dhe jo paragjykim. Pavarësisht se supozohet që duhet të egzistojë një lloj respekti, ose kortezie e pashkruar dhe një lloj mirëkuptimi ndaj të tjerëve për gjëra që konsiderohen ofensive. Kjo gjë patjetër që është zgjedhje individuale. Vetēm se duket sikur ky grup në fjalë ka harruar të jetojë jetën dhe të gjejë gëzim në  gjëra të bukura e të thjeshta  që  janë shumë herë pa shpenzime monetare. Energjia toksike negative është ngjitëse ashtu si dhe pozitiviteti. Kemi  qënë  shumë më keq, por nuk jemi urryer  kurrë kaq  shumë.  Shumë ankesa mund të qëndrojnë dhe janë vërtet legjitime, por me sa di  unë historikisht asnjë ndryshim nuk ka ardhur nga shfryrjet prej më shumë se një dekade nëpër rrjetet sociale, sepse do kishte ndodhur. Kaq kisha për sot dhe nëse jam gabim “speak now or forever hold your peace”.

Please follow and like us: