Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Emiri: FOTOGRAFI I QYTETIT

“Homazh për Kristo Zison (xhaxhi Kriston), fotografin historik të qytetit të Përmetit! Falë Kristos, jeta urbane dhe qytetare u dokumentua përmes mijëra fotografive në disa dekada dhe gjithkush gjen në fotografitë e tij çastin magjik të historisë vetjake. Fotot e tij kishin bashkë me blicin e shkrepjes edhe dritën e veçantë njerëzore, që dilte nga sytë e tij të qeshur. Trashëgimia e tij meriton të mbrohet”.
Ky shënim në “facebook” i bërë nga akademiku Vaso Tole në ditën botërore të fotografisë, më kujtoi Kristo fotografin e ndërmarrjes komunale, personazhin minoritar interesant në llojin e vet, “studioja e punës” e të cilit kufizohej me një ndarje çatmaje me dhomën time të fjetjes, të improvizuar në kantier, në fund të viteve 60-të. Si fqinj të mirë, dëgjoheshim çdo darkë, kur unë kthehesha në dhomë i lodhur nga puna e stërzgjatur në objekte ndërtimi, ndërsa ai, pasi kishte bërë një pushim të mirë pasdite, punonte në darkë freskët në studio për larje filmash e stampim fotosh. Sa dëgjonte që hyja në dhomë, më përshëndeste nga mbrapa çatmasë me minoritarçen e tij: “Miserdhi inxhineri, u lodhe inxhinieri…”!
Unë ia ktheja përzemërsisht përshëndetjen, por nuk e nxisja bisedën, se Kristua atë donte, ta shtynte punën me muhabet. Pastaj në të dy anët e çatmasë binte heshtja. Unë lexoja deri vonë nën tingujt e muzikës klasike, që gjeja te radio “Iliria”, kurse fotografi vazhdonte punën rutinë. Ndonjëherë ai më shqetësonte pa dashur, se bënte zhurmë, duke prerë me tranxhë fotot, ose rastiste që ia merrte një kënge me zë të lartë, tërë qejf, kur e vinte punën në terezi.
– Kristo! – i thërrisja unë e ai përmendej.
– Me fal inxhineri, se harrova. Nat e mirë!
Ndonjëherë, si amator i fotografisë artistike që e kisha pasion qysh nga fëmijëria, i shkoja në “studio” fqinjit të mirë e ai gjallërohej e s’pushonte së treguari ndodhi nga jeta. Kur bëhej ndërrimi i pasaportave, Kristua e kishte “aksion me goditja te përqendruar”. Do të fotografoheshin të gjithë personat në moshë 18 vjeç e lart në të gjithë rrethin. Aksioni organizohej nga pushteti e udhëhiqej nga Partia, si të gjithë aksionet e, nuk bëhej shaka! Kristos nuk i zinin këmbët dhè, fshat më fshat sipas grafikut të miratuar. Një beze e kuqe si sfond, një stol apo karrige para bezes, ku ulej personi për t’u fotografuar, shkrepja e aparatit të fotografit dhe shënimi në regjistër nga përfaqësuesi i pushtetit. Kaq duhej për çdo person. Por në një fshat i ngriu aparati në dorë fotografit e… mezi e shkrepi.
– Ngrei sitë, shiko mua ketu! – i tha Kristua, gati për të shkrepur aparatin, një nuseje të re, e cila i mbante sytë përdhe, për namuz. Përgjigja e nuses “Plasa unë të shikoj tya!” e gozhdoi Kriston. Ajo e kish marrë për keq kërkesën normale të fotografit për ta drejtuar shikimin tek aparati. E turpëroi atë në mes të fshatit, e bëri të skuqet, se… ai ishte dhe burrë i martuar e me fëmijë.
– Me fal, nuk të thom ashtu …, mos keqkupto, shiko aparati. – u shfajësua ai.
– Ja, kështu me ka ngjarë, – kujtonte Kristua duke qeshur. – Ke parë tia, të të turpërojë kështu një koperativistia?!
Kristos, që përgjithësisht ishte tip gazmor, i dridhej zëri kur ndodhte që përmendej revista “YLLI”, sepse shqetësohej nga një kujtim aspak i këndshëm për shkak të saj. Revista “Ylli” ka qenë pasqyra e “sukseseve” të regjimit të kohës. Në faqet e saj, nëpërmjet fotografive e ilustrimeve u bëhej jehonë arritjeve të socializmit, jetës së lumtur në Shqipëri, gruas si një forcë e fuqishme që çonte para shoqërinë e deri edhe miqësisë së pathyeshme me vëllezërit rusë fillimisht, apo kinezë më vonë. Që nga vitet 60-të, revista “Ylli”, vitrina e propagandës edhe nëpërmjet fotografisë shqiptare, organizonte çdo vit konkurs fotografik, i cili ishte i hapur, si për profesionistët ashtu edhe për amatorët. Ai “i mallkuar” konkurs aq shumë ia kishte prishur gjakun Kristos, sa i kalonin mornica në trup sa herë i kujtohej. Megjithatë, duke ma treguar atë histori, të cilën po mundohem ta riprodhoj më poshtë, i dukej sikur çlirohej nga një e keqe e së kaluarës.
“Shok Krietari, – i ishte drejtuar gjithë ndrojtje Kristua kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, ndërsa ai ishte duke pirë kafe në klub me disa shokë të partisë. – Mund ta shikoni pak kete fotografia qe kam berë na Guri Qiteti per konkursi, per rivista “Illi”?”
“Mirë e ke bërë”, – i tha kryetari, mbasi i hodhi me indiferencë një sy fotos, që i dha Kristua, ndërsa vazhdoi të pinte kafen.
“Me fal, shok krietari, – vazhdoi ta bezdiste Kristua, me aparat të varur në qafë, duke qëndruar në këmbë përballë tij. – Kam një meraku, se duket perpara ura mbi Vjosa e me tutje duket pak reparti ushtaraku. Prandaj kërkoj leja për ta dërguar te konkursi, se mos është ndonjë gabimi, se e shikon edhe armiku, se rivista “Illi” ikën edhe jashtë shteti”.
Ndërsa Kristua priste gjithë gëzim pjesëmarrjen për herë të parë në një konkurs fotografie e gjithë merak miratimin nga Dega e Brendshme, kryetari u ngrys në fytyrë e i tha prerë: “Fotografinë shko dorëzoje tani në Degë dhe më prit atje”!
– “Si urdhëron, shok krietari”! – u përgjigj Kristua, i cili u prish në fytyrë e u largua i hutuar.
“Edhe kjo duhej. E pësova si breshka. Shejtani flinte e unë, si budalla, vajta e zgjova. Ç’pata që cingrisa folea të arzave?! E kërkova vetë: “Koka bën, koka pëson” Tani s’mbetet tjetër, veç të pres sulmi të egra të arzave. Apo s’jam edhe minoritari. Kristo greku më thonë, si për ta kujtuar kombësia”.
Me këto mendime, që i turbullonin e i rëndonin kokën, shkoi drejt te Dega e Brendshme. Me porosinë e kryetarit filloi menjëherë procedura dhe, pasi u regjistruan hollësisht gjeneralitetet e të dyshuarit Kristo Ziso, e sulmuan me pyetje për fotografinë: Pse dhe kur e kishte bërë? Si e kishte zgjedhur atë pamje? Për kë punonte? Nga kush i merrte porositë? Si?! Qysh?!… Po qarqet reaksionare Vorio-Epirote?!…
Pas pyetjeve të fundit, Kristua e kishte humbur fare, e kishin mbuluar djersët nga sikleti e mezi përgjigjej, duke bëlbëzuar: “Unë… shqipëtari… jo greku… jo armiku… gabimi… më falni… kam fëmija…”.
“Na sill urgjent të gjithë fotot e filmat, ku janë të fotografuara vende strategjike, që përbëjnë sekret shtetëror”! – urdhëroi prerë operativi i Degës.
Kristos iu prish gjaku: “Kaq e pata. Do me rrasin brenda për veprimtaria armiqësore të qarqeve Vorio-Epirote. Do kalbem në burgu, po përse? Ç’qe kjo rrufe në qielli të hapur? Pse më mallëkoi Zoti? S’kam bërë ndonjë mëkati, që të dënohem si mëkatari”. Instiktivisht bëri kryqin e mërmëriti një lutje në greqisht. “Fatziu! Ziso e kam mbiemrin, e si Ziso francezi po e pësoj. Ai i ziu, njeri pa njeri, kishte qenë kurbetçiu në Amerika e Franca dhe erdhi në Permeti për pleqëri. E rrasën në burgu, i bënë një gjyqi të hapura dhe e dënuan 20 vjet si agjenti të imperializmit, se dilte mbi qiteti e shikonte nga reparti ushtaraku. Ai vetëm shikonte e bënte vjersha, s’bënte as fotografia! Po une”?!
“Nuk do largohesh nga qyteti e do paraqitesh në Degë çdo ditë në orën 8 të mëngjesit, kuptove?!” – e sqaroi operativi i sigurimit, pasi Kristua dorëzoi të gjithë fotot e filmat me pamje të vendeve që ai vetë i kishte klasifikuar si “strategjike”.
“Kanë frika mos arratisem në Greqia, – mendonte Kristua, i lehtësuar që nuk po e rrasnin akoma brenda. – Kot kanë frika, mua s’ma mban bitha. Apo të ha një koqe plumbi në kufiri! Jo. Jo. S’ma mban”, – mërmëriste me vete.
Kështu vazhdoi Kristua i shkretë të paraqitej çdo ditë në Degë, duke pritur gjithë ankth arrestimin. “Më mirë të më kishin rrasur brenda në burgu, ta mblidhte mendja, se sa më mbanin kështu varur. Më mirë një fundi i tmerrshme, se sa një tmerri pa fundi!” – kishte lexuar dikur diku.
“Nuk do paraqitesh më çdo ditë, – i thanë në Degë pas ca kohe. – Po të kemi nevojë, të thërresim vetë”.
“Efcharistó ton Theó!” (Falemnderit Zotit!) – mendoi greqisht i lehtësuar dhe instiktivisht bëri kryqin. – “Shpetova nga burgu. Mos e dëgjofsha më emrin rivista “Illi”!
“Shpëtoi” mbasi kishte humbur ca kile në peshë e ishte shfytyruar. Akoma nuk i besohej e të nesërmen në orën 8 e çuan vetë këmbët afër Degës.
“Më bëre gjisëm njeriu, vlasfimía!” (e mallëkuar) – shau nëpër dhëmbë dhe i ktheu krahët ndërtesës së zymte të Degës së Brendshme.
Please follow and like us: