Mimoza Agastra: Mbi librin poetik për fëmijë “Shpikësi i vargjeve” të Rifat Ismailit
– Shënime mbi librin me poezi për fëmijë “Shpikësi i vargjeve” të Rifat Ismailit
Kam lexuar diku nje shprehje: Poetët dhe shkrimtarët në përgjithësi janë ata që ende e shohin botën me sytë e një fëmije. Sepse një fëmijë e sheh botën ashtu siç do të donim të gjithë të ishte: e pastër, e çiltër, plot emocion, me gjallëri, ngjyra, dritë e dashuri, besnikëri.
Me bindje, them që, Rifati Ismaili është një ndër këta “Poetë- Fëmijë”, që në çdo krijimtari shpërndan pluhurin magjik të transformimit të çdo vesi në virtyt, të çdo dhimbjeje në forcë, të çdo trishtimi në gëzim, të çdo malli në realitet, të çdo ngërçi në zgjidhje, sepse sytë e tij kanë brenda ëndërra, vizione, liri, shprehi të pafundme mesazhesh paqeje, dashurie e morali. Ai di të dhurojë emocione që fëmija i shikon.
Po, po i shikon.
E di, që do të thoni: “Emocionet vecse ndihen”, sepse gjërat më të mira dhe më të bukura në botë nuk mund të shihen e as nuk mund të preken. Ato duhet të ndihen me zemer, por ja që zemra e Rifatit ka sy për të parë ç’ka fëmija ka nevojë dhe ua sjell atyre të pasqyruar në thesarin e tij që sot po e dorëzon në dorën e atyre që i përkasin të ardhmes, në dorën tuaj Fëmijë.
Ai e bën fëmijën ta shohë emocionin si objekt, si gjallesë, si ndjenjë. Ai fokusohet t’i dhurojë fëmijës të qeshura, pse kur një fëmijë qesh e gjithë bota lumturohet. Ai i dhuron pasuri mendimi, i zhvillon fantazinë dhe ia servir botën në sytë e tyre duke ia lumturuar fëmijërinë, duke u përcjellë atyre mesazhin se çdo gjë është e bukur, e arritshme, e mundur, mjafton që ti ta shikosh, ta ndjesh, ta kërkosh, të insistosh e të mos dorëzohesh kurrë.
Si njohëse e mirë e krijimtarisë së tij, jo vetëm për fëmijë, por edhe për të rritur, madje edhe interpretuese e shumë prej perlave të tij si në gjuhën shqipe edhe në atë italiane, konfirmoj me bindje që gjenialiteti i tij është një aset për letërsinë tonë shqipe.
Letërsia për fëmijë i është falenderuese sot përmes kësaj vepre, pse Rifati ka sjell tek fëmijët copëza të shpirtit të tij “Piter Pan”, është futur në lëkurën e personazheve duke i bërë ata të adhurueshëm, jo vetëm për fëmijët, por edhe për gjyshërit e prindërit, që do t’ua lexojnë mbrëmjeve fëmijëve të tyre pa u lodhur në analizë, pasi ai e sintetizon dhe e sjell kaq rrjedhshëm tek fëmija.
Aftësia e tij për tu shprehur thjeshtë dhe magjishëm përpara fëmijëve është një tjetër tipar i inteligjencës së tij gjuhësore.
Në fund të fundit, a nuk është misioni i çdo libri, i çdo shkrimtari të pasurojë fjalorin e fëmijës, ta njohë atë me botën e të papriturat e saj?
A nuk ndikon çdo liber në karakterin e fëmijës? Rifati përgjigjet e këtyre pyetjeve i ka dhënë më së miri në veprën që ju keni në dorë, me një titull simbolik “Shpikësi i vargjeve”, ku janë përfshirë dhjetëra poezi me tematika të ndryshme, në hulumtim të botës fëmijërore.
Ai mbetet shkrimtari i fëmijëve të çdo kohe, të çdo brezi, pasi mjeshtëria e penës së tij është e tillë që s mund të lejojë që lexuesi ynë i vogël t’a shfletojë librin e të mos e intrigojë për ta çuar deri në fund.
Të dashur fëmijë, nga sot netët tuaja nën shoqërinë e këtij libri do të kenë tjetër aromë, tjetër ndjesi.
Do tē keni netë që ëndërrat tuaja do të bëjnë të ndiheni nën freskinë e pyjeve, netë që do të ngjiteni në qiell, do të ndiheni të lirë, do të frymoni dhe do të thithni oksigjen të pastër qe do t’u vijë nga shfletimi i faqeve të librit brenda të cilit do të zhvilloni e shfrenoni fantazinë, do të deheni nga aroma e luleve, do të freskoheni nga vesa e barit, do të relaksoheni nën gurgullimën e guralecëve të lumit, do të luani me fjollat e borës, do të prisni vitin e ri e baba gjyshin, do të kuptoni gjuhën e kafshëve teksa dialogojnë. Pra, do të perceptoni gjithçka ju meritoni për të jetuar një fëmijëri të përralltë.
Mos harroni! Librat janë pasuri shpirtërore, por ajo ç’ka Rifat Ismaili na porosit është që të jemi selektivë.
Jo çdo libër sjell me vete mrekullinë e komunikimit me të brendshëm tuaj, ndaj mos hezitoni ta lexoni deri në fund për të shijuar të gjithë ngjyrimet emocionale që shkrimtari Rifat Ismaili shpalos me ylberin e tij poetik.
Personalisht, ndihem fëmijë sa herë lexoj shkrimet e Rifatit për fëmijë:
“Piter panin kam mik
Në qiell fluturon
Vogëlush vërtet magjik
Ëndërrave jeton…”.
Madje, ndihem dhe krenare qē jam pjesë e këtij libri, pse ai gjithmonë apelon:
“Me përkushtim të punojmë
Të shprehim veç vlera!”
Frymoj e lirë ne fluturimin e vargjeve të tij:
“Dua, e çfarë s’ dua!
Librat dhe heronjtë!
Siç duan fluturimet,
në qiell zogjtë…”.
I dashur lexues, nëse këtë moment që po shfleton, je një i rritur dhe po kërkon të edukosh fëmijën tënd me mesazhe, mos ngurro, mos ngurro edhe për faktin që teksa do ta shfletosh do përjetosh përsiatje të fëmijërisë tënde.
Nëse këtë moment që po shfleton, je një fëmijë të uroj: mirëserdhe në botën e sigurtë të një krijimtarie që ju rrit dhe ju formon cilësisht përmes argëtimit dhe fantazisë.
Kushdo që të jesh, ndihem e lumtur të kem intriguar sado pak të udhëtoni në botën magjike të fëmijëve, sepse: “Një libër i zgjedhur mirë të shpëton nga gjithçka, madje edhe nga vetja”, shkruante i famshmi Daniel Pennac!
Tiranë, korrik 2023.
Please follow and like us: