Albspirit

Media/News/Publishing

Fitnete Gruda: Kur “ndyrësia” paraqitet si bukuri pa limit!

Ka kohë që nëpër panele dhe jo vetëm flitet për një mjedis të kriminalizuar në vend, madje se me këtë mjedis drejtësia kaq mund të bëjë – aq sa po bën. Përpos në Shqipëri demostrohet, në forma të ndryshme, humbja e besimit tek qeverisja, tek sundimi i ligjit, tek drejtësia, tek media, tek shoqëria civile, tek sindikatat… tek arsimi – si sfera më e rëndësishme. Padyshim, që kjo do të thotë ka humbur besimi jo vetëm tek qeverisja, por edhe tek institucionet e pavarura, paçka se partia aktuale – pushtet votohet e rivotohet tre mandate radhazi (me letra se faktiken një ZOT e di). Ky mosbesim përkthehet ndryshe – “shteti zotëron gjithçka” dhe mbetemi në kushtet e pamundësisë së zbatimit të ligjit, duke krijuar disnivele, padrejtësi të theksuara mes njerëzve dhe mundësi të mëdha depërtimi të krimit. Dukshëm që elitat kanë humbur besimin, legjitimitetin dhe janë kthyer në shërbim të vetvetes. Nga njëra anë këto që thuhen/shihen, dëgjohen e kuptohen, ndërsa në anën tjetër kemi shtetin – me kryetarin e tij, që çdo ditë reklamojnë një vend ndryshe nga sa komentohet nga specialistët përkatës në panele. Nëse i referohemi realitetit kjo situatë kontraditore mund të përmbidhet me një fjali: “… kur ndyrësia paraqitet si bukuri pa limit”. Etiketimi i sipërcituar për mjedisin (i kriminalizuar) i referohet më së shumti ngjarjeve – në vecanti këtyre të kohëve të fundit, të cilat janë bërë publike. Por nëse konsiderojmë shumë e shumë të tjera të pa – zbardhura, shtuar ato të nën-tokës, që i vuajnë njerëzit nga eksponentë kriminal apo mafia shtetërore, situata dramatizohet. Përpos, nëse njerëzit do të guxonin të flisnin çfarë përjetojnë apo çfarë shohin që të tjerët po përjetojnë(fqinjët, kolegët, kalimtarët, njerëz të komunitetit ku jetojnë etj) do të dilte në pah niveli i kriminalizimit. Padyshim që në një mjedis të kriminalizuar njerëzit ndihen të pafuqishëm për të ndikuar në ndryshimin e fatit të vet, e për rrjedhojë edhe në ndryshimin e fateve të vendit. Sa e sa femra dhe meshkuj me buzëqeshjen e tyre, veshjen, qëndrimet… ftohtësinë apo butësinë mundohen të fshehin ato që përjetojnë, por në sytë e tyre s’është e vështirë të dallohet që diçka fshehin – dhimbjen që kanë përjetuar apo përjetojnë në këtë vend të kriminalizuar ku frikërat nga kërcënimi / kanosja nuk i lejojnë të guxojnë. Ndodh që sa herë bëhen ndryshime ministrash të Brendshëm apo drejtorë të Policisë së Shtetit, menjëherë fokusohen tek qetësia publike (zhurmat, muzikat në lokalet e natës etj). Sigurisht që këto kanë rëndësinë e vet, por çfarë kuptimi ka kjo lloj qetësie për komunitetet, familjet, individët në tërësi kur shteti, krimi / apo bashkëpunimi “krim  – shtet”, “krim  – politikë” kërkon të udhëheqin / udhëheqin jetët e tyre?! Asnjë kuptim! Qetësia publike e propoganduar, në këtë rast, mbetet e pakuptimtë. Mirë indiferetin e bëjmë shpesh në situata që nuk kanë lidhje me ne, por e pakta, naivin të mos e bëjmë kur shihet / kuptohet e dëgjohet që në komunitete ka grupe hije që komandojnë komunitetin me forma nga më të ndryshme, përdorin, kontrollojnë e përndjekin njerëzit, stisin zënka e konflikte mes njëri – tjetrit – deri në familje, duke qëmtuar dobësitë njërëzore, me qëllim kryerjen më lirshëm të veprimtarisë së tyre të errët. Këto grupe do të përpiqen nëpërmjet kanosjes të përdorin njerëz jashtë çdo dëshire të tyre (siç shpjegojnë specialistë aty ku veprojnë bandat). Nuk është çudi që një pjesë e komuniteteve ta dijnë se në cilat banesa e kanë “vend – përqëndrimin” apo “vend – bashkëpunimin” këto grupe, por kush do ti zbulojë apo parandalojë, ky shtet që bashkëpunon e bashkëvepron me krimin! Çfardo qofshin ato grupe (grupe kriminale, eksponentë të pushtetit qendror ose lokal, eksponentë të lidhur me pushtetin apo politikanë të ndryshëm, individë nga institucionet e rendit dhe sigurisë kombëtare, OJQ apo OJF, njerëz të drejtësisë që kanë lidhje të nëndheshme me krimin apo …) kjo i takon shtetit ti identifikojë dhe të mbajë përgjegjësi për ekzistencën e tyre. Përveç institucioneve të rendit dhe sigurisë kombëtare një përgjegjësi për sigurinë si dhe identifikimin e veprimtarive të dyshimta në komunitete dhe kudo (në ndërtesa private, apartamente apo biznese të vogla e të mëdha) i bie edhe pushtetit lokal me të gjitha hallkat e tij sipas përgjegjësive dhe detyrave. Por këtyre pushtetarëve nuk i intereson të shkatërrojnë këto grupe (banda), përkundrazi bashkëpunojnë me to për të mbajtur pushtetin, për të rritur përfitimet, për të fituar zgjedhjet sa herë që fitorja lëkundet. Këta pushtetarë të shkatërrojnë karrierën dhe gjithçka që ke ndërtuar sepse nuk duan hije – njërëz që nuk u binden dhe thonë mendimin e tyre hapur, ndërsa pushtet hije i duan, u interesojnë dhe shpesh i krijojnë vetë. Nuk ndihesh aspak mirë të flasësh kështu për vendin tënd (tonë), por si mund të mos flasësh kështu, kur tek këmbët të ndalon një makinë policie në mes të rrugës kryesore – rrugë automjetesh në kryeqytet dhe nxjerrin kokën të kërcenojnë njerëz me uniforma! Për çudi, atë që ata thanë, e bëri realitet një bandë në arsim, disa muaj më vonë.S’ka pikë dyshimi që këto bëhen ndaj njerëzve, që thonë hapur publikisht, atë që mendojnë e besojnë dhe familjarëve të tyre. Ishte vërtet policia apo ishte krimi në makinën e policisë, këtë duhet ta dijë shteti – aq më tepër që kërcënimi vinte nga një makinë policie. Çfarëdo që të themi kjo ka vetëm një emër – “krimi sheshit”. Si mund të mos flasësh kështu, kur shikon – po në Tiranë – rreth 500 metra larg Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dikush “anonim” bllokon rrugën duke vënë makinën e tyre, me pretekstin se po bëhen punime në një banesë, ndërsa një tjetër (po anonim) hypur në një çati vëzhgonte nëse po vinin makina apo kalimtarë nga rrugicat e tjera… – tamam skena filmash, dyshuese se dikujt po i përgatitej një kurth – përtej bllokimit të paligjshëm të rrugës nga njerëz pa kompetencë. Si mund të mos flasësh kështu, kur sapo del nga Gjykata e Lartë – jo shumë larg saj, në një lokal të madh e të dëgjuar të intimidojnë një grup njerëzish – të shpërndarë ca në këmbë, ca në tavolinë – midis tyre edhe civilë me stemën e policisë, duke përmendur pjesë nga opinionet e mija në shtyp  (konkretish, kritikat mbi diplomat false në arsim  dhe jo vetëm) – tamam siç vepronte banda në një institucion arsimor në Tiranë! Që do të thotë, dikujt i janë prekur interesat nga ngritja e këtij fenomeni real dhe vetë shtetit i interesoka mbulimi i tij. Si mund të mos flasësh kështu, kur të fshihen e – maile që shërbejnë si provë në procese gjyqësore – pikërisht komunikime që nxjerrin zbuluar institucione të arsimit të të gjitha niveleve si dhe komunikime me institucione të tjera që kanë lidhje me drejtësinë! Si mund të mos flasësh kështu, kur ngrenë ministrinë përkatëse, problemin e regjistrimit fals të një banese dhe jo vetëm që nuk japin zgjidhje dhe as nuk merren me “shkeljet e rënda institucionale”, por në përgjigje – pa përgjigje, të venë në “cc” njësinë administrative që ka bërë regjistrim fals. Kjo, si për ti thënë pushteti qendror atij lokal: “Shikoni përgjigjen  – ne ju mbrojtëm!”. Si mund të mos flasësh kështu, kur ato që ke dëgjuar e lexuar për gjyqet popullore në kohën e monizmit, i sheh dhe përjeton në gjyq tani – në formë më të keqe se atëherë, në kohën e një demokracie – të pretenduar, por jo funksionale, në një vend ku pretendohet se Vetting –u ka vënë në shina drejtësinë – gjyqtarë e prokurorë që guxojnë të tallen me njerëzit e thjeshtë, fshehin e manipulojnë akte në funksion të vendimeve që urdhëron shteti apo krimi! Ndërsa nga ana tjetër bëhen “copë” për të liruar kriminelë e pushtetarë (referuar rasteve në media). Ka dhe raste të tjera për të sjellë si shembuj, por kaq mjafton për të ilustruar mendimet si dhe për të mos u lënë shteg të prekurve nga këto të listuara, për tu mbrojtur me refrenin shumëvjeçar justifikues “Është e çmendur, mos besoni!” – refren për këdo që flet kaq hapur.

Të pangopurit e pushtetit – mes tyre me qindra injorantë, që e kanë policinë dhe organe të tjera të sigurisë kombëtare në dorën e tyre, para se të dalin të prononcohen pas çdo skandali duhet të përgjigjen se si tipat me rekorde kriminale janë të lirë e të plotëfuqishëm; se si batakçinj e horra kanë depërtuar në institucionet shtetërore apo politikë; si janë pasuruar në përmasa të mëdha e stër – mëdha vetë pushtetarë e politikanë dhe pasuritë e menjëhershme të vëna nga njerëz të ndryshëm që mbajnë pranë vetes dhe jo vetëm; të përgjigjen se si njërëz pranë tyre arrijnë të shtypin, kanosin fqinjët e këdo që u del përpara, sepse ata i kanë “promovuar” si të tillë vetë (pushtetarë e politikanë) duke i përdorur për të bërë zullumet e tyre (!); të tregojnë pse nuk kanë reaguar dhe marrë masa ndaj atyre personave që kanë zhvatur pasuritë publike / kanë abuzuar me detyrën, me pagat e punonjësve, me emërimet, kanë shkatërruar shkollat – arsimin në tërësi, kur të tjerët i kanë ngritur këto shqetësime (!Jo); të tregojnë kush kishte dijeni dhe kush i paguante ata punonjës, në institucione arsimore,që nuk shkonin në punë me muaj të tërë duke u marrë me të tjera punë ( ata e dijnë se me çfarë) e më pas hidhnin lekun si letra të zhubravitura duke joshur e përdorur të tjerët, deri në kërcënimin e atyre që reagonin dhe familjarët e tyre (!); duhet të përgjigjen pse… bashkëpunimi “krim-shtet”dhe korrupsioni kanë arritur të jenë kaq të përhapur! Duke qenë një shtet i korruptuar, ku pandëshkueshmëria e kësaj kategorie është kthyer në modë, i krijohet terren krimit të organizuar të lulëzojnë duke groposur së bashku me korrupsionin e zyrtarëve të të gjitha niveleve edhe krimet në pjesën e nëndheshme. Këtu ka ndikuar edhe kapja e gjykatave nga shteti (e cila nuk e vështirë të kuptohet se ka të tillë prokurorë e gjyqtarë, mjafton të kesh një çeshtje ku palëështë shteti. apo si indicie ka qenë shteti – përtej asaj që thonë ekspertët) duke i dhënë mundësi që institucionet shtetërore si në nivel lokal e qëndror, si legjislativ dhe ekzekutiv të kriminalizohen e të fuqizohen kupola dhe krahët e saj në të gjitha nivelet zinxhir. Në këto kushte edhe kur ndërohen ministrat apo drejtorat e drejtorive e kanë të pamundur të bëjnë spastrime sepse në zinxhirin e krijuar shumica e punonjësve kanë me 20 apo 30 vite në të njëjtin institucion dhe kanë krijuar lidhjet e tyre, një pjesë dhe lidhje të dyshimta. Më e lehtë është të gllabërrojnë ministra e drejtorë drejtorish, se sa të preken këto soj individësh të inkuadruar (i referohem më së shumti përvojës në arsim në veçanti pas vitit 2013 – s). Pasojat e keqëqeverisjes po i vuajmë dhe do ti vuajmë me gjenerata të tëra si shtet e si popull. Të gjitha përvojat politike padyshim bëhen në kurriz të popullit, që shpesh ngelet si “dashamirës” i padrejtësive ndaj tij duke mos u ngritur – lejuar të vijojnë njëra pas tjetrës padrejtësitë. Por bashkëpunimin e shtetit me krimin apo lejimin e krimit të drejtojë çdo gjë – deri në tendencë për të hyrë në familje e nxitur “vëllavrasje”, këtë nuk mendoj, se e kanë menduar njerëzit që do ta këtë dhuratë të politikës që kanë ndjekur pas tërë këto vite demokracie. Kurrë mos ndodh -të që të harrojmë se këta nuk na lejnë të gëzojmë asgjë! Nëse ne harrojmë, atëhere ata do ti gëzojnë ato që i kanë fituar me mashtrime e bashkëpunime me krimin. Përpos, do të vazhdojnë t’ia nxijnë jetën njerëzve të thjeshtë, emrin këtij vendi dhe do vazhdojnë timbulojnë këto duke paraqitur situatën e ndyrë si bukuritë pafundme.

Please follow and like us: