Albspirit

Media/News/Publishing

“Në fillim, një zyrë…”. A do ta njohë (dhe si do ta njohë) Ukraina, Kosovën

Ukraina ka ndjekur një kurs të afrimit gradual në pikën e njohjes së Kosovës. Ajo ka njohur pasaportat e Kosovës dhe në 25 pril 2023 në votimin në komitetin ministerial të Këshillit të Europës për anëtarësimin e Kosovës në atë organizatë, nuk votoi “kundër” siç dëshironte Serbia, por abstenoi.

“Ky qendrim i Ukrainës e tërboi Beogradin dhe ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, e kërcënoi atë ditë Ukrainën në mënyrë qesharake se “kjo mënyre votimi do të ndikojë në marrëdhëniet e Beogradit me të”. – shkruan diplomati dhe publicisti Shaban Murati në rubrikën e tij gjeopolitike në DITA.

Burime diplomatike bëjnë të ditur për gazetën DITA se në fillim Ukraina mund të hapë një “zyrë diplomatike” ose një “zyrë ndërlidhje” në Prishtinë, siç kanë bërë edhe disa shtete, që nuk e njohin Kosovën si Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Kina.

“Pritet që pas kësaj Kievi të vlerësojë momentin konkrekt të njohjes zyrtare të shtetit të pavarur të Kosovës, gjë që është direkt në kompetencën e presidentit të republikës Volodymyr Zelenski.

Shqetësimi i Serbisë dhe i Rusisë nga procesi në ecje i Ukrainës drejt njohjes së Kosovës vjen nga frika se një hap i tillë i Kievit do të çvleftësojë përfundimisht tezën kryesore diplomatike antiperëndimore të Rusisë se Kosova është e ngjashme me Krimenë dhe kush njeh Kosovën duhet të njohë edhe Krimenë e aneksuar nga Rusia…” – thotë z.Murati.

Gazeta Dita, 19 gusht 2023.

Shaban Murati: Pse alarmohen Serbia e Rusia që Ukraina po njeh Kosovën?

Please follow and like us: