Andrea Gudha: Dr. Hodo Çelo, mjeshtër i gjendrës Tiroide
“SËMUNDJA TIROIDIENE AUTOIMUNE “HASHIMOTO” DHE HYPOTIREOZA”
Autorët: Hodo Çelo doktor i shkencave, Altin Goxharaj doktor i shkencave, Bledi Çelo mjek familjeje.
Redaktor: Prof. Dr. Isuf Kalo.
Korektor letrar: Mimoza Zekaj.
Para disa ditësh, si rrallë herë, postieri më sjell në shtëpi një zarf, dërguar nga Dr. Hodo. Brenda zarfit ishte libri “Sëmundja tiroidiene autoimune “Hashimoto” dhe Hypotireoza” me autorët: Hodo Çelo doktor i shkencave, Altin Goxharaj doktor i shkencave, Bledi Çelo mjek familjeje. Redaktor: Prof. Dr. Isuf Kalo.
Dhuratë e bukur!
Dr. Hodo, në njohjen time afro 50 vjeçare, si koleg, bashkëpunëtor në mjekësi, i dashur në rrethin shoqëror me humorin e tij të spikatur, ngelet në vazhdimësi, model i mirësisë. Një shkencëtar modest ndaj punës së tij me vlera shkencore, duke zënë një vend të veçantë në shërbimin e endokrinologjisë shqiptare.
Për gjysëm shekulli me mjeshtëri e ka evoluar njohjen e tij shkencore bashkëkohore me gjendrën tyroide në marrëdhënie me pacientët, me çrregullimet hormonale, që i sjellin pasoja individit: bio-fizike, mendore e psiko-sociale, deri në invaliditet.
Në vitin 1977 nga Dr. Hodo Çelo u fillua studimi “Efektet e kripës të jodizuar në gushat në rrethin e Gjirokastrës”, nën drejtimin e Prof. Dr. Isuf Kalos dhe Prof. Dr. Fejzi Hoxhës.
Gjatë këtij studimi shtrihet dhe studimi i strumave në kafshë, në kecat e Picarit dhe të Lunxhërisë nëpërmjet peshimit të gjendrave tiroide gjatë therjeve në thertore. Ky studim vërtetoi se gusha ishte e përhapur njëlloj në njerëz dhe në kafshë. Qysh nga viti 1977 dhe deri në vitin 1988 u realizua studimi i gushave, u bë depistimi në fillim dhe u fillua profilaksia me kripë të jodizuar.
Në vitin 2002 Dr. Hodo boton librin me përmbledhjen e studimit. Është i vetmi studim në Shqipëri, që shtrin shikimin e tij edhe në kafshë (ka vlerë për mangësinë jodike në ushqimet blektorale).
Pra ky është studimi, që inicioi në industrinë ushqimore tregëtimin e kripës së joduar në rang vendi!
Me këtë vizion të qartë, në vitin 2021, Dr. Hodo inkurajon dhe angazhon në studim dhe 2 mjekët e rinj Altin Goxharaj-doktor i shkencave dhe Bledi Çelo-mjek familjeje. Të tre sëbashku botojnë librin “Sëmundja tiroidiene autoimune “Hashimoto” dhe Hypotireoza”.
Pjesa e parë: anatomia dhe fiziologjia e tiroides (shkurt) duke paraqitur një tablo të shkurtuar të gushave në njerëz dhe në kafsh dhe rezultatet e profilaksisë së gushes me kripë të joduar.
Kapitulli i parë: Tiroiditi “Hashimoto” dhe hypotireoza, historiku, shkaqet, anatomia patologjike, mekanizmat imunitare dhe inflamatore të tiroiditit, fazat e sëmundjes tiroidiene autoimune, ekzaminimet hormonale dhe ekografike.
Pjesa më kryesore është depistimi ekografik nëpërmjet zbulimit të pseudonodeve, mikropseudonodeve dhe striave.
Në përfundim, mendoj se libri ka vlera në fushën e endokrinologjisë, interes për mjekët e familjes, si kontakti i parë me pacientin, në parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të sëmundjes tiroidiene autoimune “Hashimoto” dhe Hypotireozës.
E mbyll këtë shkrim i impresionuar, duke i uruar Dr. Hodos: Shëndet dhe suksese të mëtejshme në punën e tij pasionante në shkencën e mjekësisë!
Gusht, 2023.