Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Urrrejtja anapulla e shqiptarëve

 

Samiti i djeshëm në Athinë, ishte thjesht një përkujtim i atij të Selanikut në vitin 2003. Pra plot 20 vjet. Dhe sa për të freskuar kujtesën, ai i Selanikut kishte si qëllim futjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane. Ishte një ftesë projekt me qëllim të mirë për zgjerimin administrativ të Europës. Pra 20 vjet rrugë dhe pavarësisht se cilat vende janë futur apo jo? Pavarësisht problematikave që ka apo kishte Maqedonia me Greqinë dhe më tutje akoma me Bullgarinë etj., ne jemi akoma jashtë Europës. Megjithëse fizikisht dhe shpirtërisht thuajse më shumë se gjysma e kombit jetojnë në Europë, shteti akoma jo. Dhe ne si shqiptarë në vend që të merremi me këtë fakt, se përse kanë dështuar nga 2003-shi e deri më sot, të gjitha qeveritë shqiptare, Nano, Berisha, Rama etj…, merremi me një kandidat lokal, me faktin që nuk na ftuan Ramën, me refuzimin e presidentit apo me hilet greke etj. Qofshin majtas apo djathtas, të gjithë duhet t’i mëshojnë vetëm një pyetje, përse qeveritë tona kanë dështuar? Përse nuk na futi në Europë qoftë Nano, qoftë Berisha dhe ky i tanishmi, qoftlargu Rama? Askush nuk merret me thelbin. Të gjithë merremi me turistët kur 95% e tyre janë emigrantët, miq të tyre, deri dhëndurrët e vajzave tona. Apo edhe nuset tona të huaja akoma të panatyralizuara në shqiptare. Janë nipojtë tanë me mbesat që një pjesë dërrmuese kuptojnë shumë mirë shqip, por nuk e flasin dot atë. Megjithatë u pëlqen vendi i të parëve, ofrohen, pranojnë dhe vinë. Eshtë kjo aryeja që i dëgjon doganave shpesh fjalët, agapi mu, my love, amore, a, me corason etj. Jeni mërzitur përse nuk patë Edi Ramën mes liderëve të Ballkanit? Nuk ia vlen. Mërzituni duke i bërë pyetjen vetes, se perse akoma edhe pas 20 vjetëve nuk jemi pjesë e Europës? Kush e ka fajin? Ju që rrini të vetmuar në shtëpitë tuaja? Ju që prisni e përcillni ditën me sytë tek mesengeri. Erdhi apo nuk erdhi goca këtë vit? Erdhi apo nuk erdhi djali? Asesi jo. Ju nuk firmosni dekrete. Nuk bëni biseda dypalëshe. Nuk e dini se si hartohet një plan territorial me një shtet tjetër. Mësoni dhe flisni se çfarë u thonë ata. Por dini mirë që iks kushuri ka djalin në Athinë. Fqinji ka vajzën në Gjermani. Një tjetër në Amerikë në Kanada. Ai që ka kioskën tek rruga i ka në Australinë e largët. Madje ju dini shumë mirë se sa solli motra për vëllain apo anasjelltas. Se kush pagoi këtë faturë dasme apo listën e veresies. Megjithatë jeni bërë kaq shumë armiq me njëri-tjetrin sa për kokën e Berishës apo Ramës, mund ta shqyeni gjithë Shqipërinë. Po kurrë nuk e vratë mendjen një çast të vetëm. Përse ka kaluar 20 vjet dhe ne akoma shtetërisht nuk jemi pjesë e Europës? Mos urreni njëri-tjetrin, urreni bosët, fajtorët, dështakët. Lërini se kush ka të drejtë, Greqia apo Edi Rama? Nuk mbahet Shqipëria me urrejtje anapulla, por me gishtin kokës atyre që keni në krye. Këtë bëjnë fëmijët tuaj aty botës ku edhe janë.

Please follow and like us: