Albspirit

Media/News/Publishing

Shefqet Meko: MITA, MËNGJEZI DHE PIKTURA

-Një fillimdite i veçantë në Tiranë-
“Eja të hash një mëngjez tek unë”, do më thoshte Dhimitra Lalaj (Buka), motra e Meri Lalajt dhe ish-mësuesja ime Mita e klasës së pestë, qysh vizitën e kaluar në Tiranë. Koha nuk premtoi dhe i kujtova se 50 vjet më parë kisha bujtur tek shtëpia e saj në Pogradec dhe mëngjezi i asaj kohe mbahej mend. Ajo qeshi duke thënë: “Po ky mëngjez që po ofroj nuk do t’i ngjante hiç atij të shkuarit”.
Dhimitra Lala është një njeri i veçantë që ngjitet në dekadën e nëntë të jetës së saj. Ajo i përket atij brezi intelektualësh, që po rrallohen përditë dhe nuk kthehen më. Përulja dhe respekti ndaj tyre është detyrë e diturisë sonë. Prej dekadash jeton në Tiranë dhe ka mbetur sa pogradecare, po aq edhe qytetare moderne e kryeqytetit. I ka lexuar librat e mi dhe nuk ka ngurruar të shpreh krenarinë që jam “nxënësi i saj”. Ka qënë miqësia e saj me Prof. Hulusi Hakon që befasisht na bashkoi pas dekada kujtimesh. “Ah si nuk e njoha pakëz më parë”, do më thoshte duke qeshur Hulo, ndërsa Mita me krenari reagon: “Shyqyr kaq vonë se nuk më bën dot ateiste siç je vetë”.
Mita është simbiozë e shpirtit, diturisë dhe bukurisë së fjalës. Për mua mbetet “e bukura” e viteve 70-të me hijen e Mësueses që me heshtjen në shikim të bën “të mësosh”. Kur erdha këtë radhë nuk harroi të më kujtonte se “duhet ta kisha në axhendë”. Ishte një vëmendje që nuk mund ta harroja. U takuam diku tek Pazari i Ri, “në kerkim të një paçeje”, të cilën e pagoi ish-mësuesja sepse nuk kisha thyer ende dollarët. “Ja, edhe mëngjezin që kishe merak ma dhe në Tiranë”, i thashë ndërsa bisedonim për jetën dhe fatet e çuditshme në kurbën e saj. Mita duke qeshur do më thoshte “Kjo nuk quhet Shefqet dhe paçe mos ha më se janë të yndyrshme”. Qesha me këshillat e mësueses dhe nuk debatova. Ajo kishte të drejtë, sikurse edhe unë mund të justifikoja shkeljet me “mallin për shijet e djeshme”… Më ka ngelur në mendje ajo dëshirë fisnike e Dhimitra Lalajt (Buka) që të mos ikja në Amerikë, pa shijuar mëngjezin “gatuar nga Mësuesja”.
Ky brez “noton” në botën e vet unike ku gatuhen së bashku përvoja e jetës, endrrat që “nuk tregoheshin”, përfytyrimet filozofike, dashuritë e tretura dhe pasioni që nuk vdiq kurrë. I shoh të gjitha këto tek Mita, ndërsa ka bërë gati “mëngjezin e punës”: tre kokrra vezë të skuqura “notuar në ujë”, djathë e kos i bërë vetë, liko qershije e pjeshke, një gotë raki
… Të duket tavolina si një oaz bujarie shqiptare që merr një ngarkesë emocionale kur ta ofron bujarisht nga shpirti ish- mësusja me autoritet absolut…Duke u përtypur e duke folur, sikur “bllaçitja” dy shekuj kujtime në pakëz minuta, që rrëkëllehen si orteqet e borës. Këmbyem se e sa fjalë, por befasia erdhi në fund:
– Nuk kam dashur të bëhem mësuese, por më bënë… – më thotë Mita dhe nga tavolina hedh sytë tek një pikturë që të ndez shpirtin me ngjyrat dhe mesazhet në telajo. Nuk di pse me këtë që thotë, ajo më sjell në mendje fatin tim, që tjetër desha, tjetër studiova, tjetër u bëra dhe duke qeshur them:
– Shyqyr që “zbatove urdhërin” së ku do kisha unë kujtimet që kam, – i them dhe qeshim së bashku.
Pastaj ajo fillon e më rrëfen:
⁃ I jam kthyer ëndrrës së rinisë në të 70-tat e mia. E kam dashur tmerrësisht pikturën. Atë kërkova të satudioja kur isha e re, por nuk ma dhanë. Ngjyrat në telajo më shlodhin shpirtin dhe më ndezin fantazinë gati në mënyrë të pakontrollueshme. Kjo ripërtëritje ëndrrash më ndodhi kur isha në Nju Jork dhe vizitova galeritë e artit. Më ka lënë pa mend Kandinski, një piktor rus me ca ngjyra ndezëse që të sjellin rini. Ja shikoji “kopjet” në shtëpinë time…
Në dhomën e ngrënies Mita më rrëfen një pikturë. Me krenari më thotë: “E kam bërë vetë duke kopjuar…”. Në fytyrë sikur i lëvrijnë ngjyrat e telajos ku ka rrëshqitur peneli i saj tërë pasion. Më shokon. Shoh një mrekulli pranë mëngjezit shqiptar dhe ndihem i ngopur dhe po aq i etur për të parë “punën pa pagesë” të ish-mësueses sime. Ka ripridhuar dukshëm V. Kandinskin, si dashuri e parë në Nju Jork, por më rrëfen edhe “riprodhime” të Van Gogut, Joan Miro etj… Ndiej sikur telajot janë ende të njoma, dhe pasioni si një lëngëzim shpirtëror është derdhur aty. Të gjithë shtëpinë e ka mbushur me pikturat e preferuara dhe më shtëtit nëpër dhomat e bollshme, duke u kthyer në një cicerone e shekullit të 21-të në mes të Tiranës. Kthej vështrimin tek pikturat-kopje. Shtangem. Shoh përsosmëri ngjyrash, saktësi davinçiane dhe shpirt pogradecareje në çdo telajo. Jam gati të ngashërhem mbi ngjyra e telajo për këtë lloj “rilindje” ngjyrash që nuk ngjson kurrkund me “rilindjen politike” të Tiranës. Thjesht mbetem pa mend dhe fjalët më janë “arratisur”….
Sikur kanë zbritur gjithë ngjyrat e Kandinskit, Van Gogut, në atë apartament në kat të tretë në mes të Tiranës. Më vjen në mendje Pogradeci dhe piktori Todi Mato që shëtiste me telajo mbi shpinë buzë liqenit dhe unë adoleshent i asaj kohe e ndiqja me sy. Nuk kam asnjë lloj instikti në pikturë dhe piktorët më duken “Krijues të së bukurës”. Më shokon që pas 50 vitesh edhe mësuesja ime ka marrë “Diplomën e pikturës”. “Bëra ca kurse, se më duheshin, por tani peneli dhe ngjyrat vallzojnë vetë kur nis pikturoj…” më thotë tërë emocione. “E çfarë nuk i ke pogradecarët”- thashë me vete. Mu kujtua miku im Ahmet Prençi që duke shëtitur pranë monumenteve Kuteli-Poradeci, do më thoshtë : “Ka shumë piktorë Pogradeci, shumë”. Kur miku im tha këtë mu kujtua vetëtimthi Nesti Maçolli, miku im i rinisë nga Mokra, kujtova Anastas Konstandinin, Gjergji Lakon, por nuk e dija se edhe ish –mësuesja ime ishte bërë së fundmi piktore, madje duke riprodhura artistë të mëdhenj të botës që ajo dashuron…
Në shëtitjen magjike mes pikturavë që më dëften mësuesja, bie zilja e telefonit. Është miku im Ahmet Prençi që më kujton një takim që po afronte. “E di, i thashë, por po shlodhem me ca piktura të mrekullueshme që po më rrëfen ish-mësuesja Mita…Se dhe kjo ështrë bërë piktore duke shtuar më shumë piktorët pogradecarë”, i them duke qeshur…
Shëtitja mes ngjyravë dhe fromave të habitshme në telajo, ma bën tejet të shijshëm këtë mëngjez të gatuar enkas për mua në Tiranë. Pasioni i gatimit, bujaria , shija dhe përndezja e ngjyrave në telaje, krijojnë brenda meje një një aliazh ngjyrash plot emocion. Ndihem një nxënës “gdhë” në pikturë para ish-mësueses dhe me vjen në mendje se edhe miku im Arben Çejku, ka kthyer në “pasion të dytë” ngjyrat dhe telajot, por në moshë shumë më të re se sa “aventura” e Dhimitra Lalajt (Buka). Pasi kam soditur gjithç “kopjet” e Mitës, ajo ndal tek një pikturë në cep dhe më shikim, pa fjalë por e ndezur në fyrtyrë si ngjyrat vallëzuese sikur thotë: “Kjo është e imja… Fantazi ngjyrash moderrne”. Shokohem. Pas “kopjeve” shoh një origjinalitet pogradecar që më rrëmben si dallgët joshëse të liqenit ku kam ëndërruar në rininë time konfuze, por fatlume…
Si ta falenderoj Mitën?… Nuk di. Në mendjen time si dallgë deti lëvizin pikturat që krijojnë një “turbullirë të bukur” si mysafir tek një njeri i mirë. Kujtimet,Mita, mëngjezi dhe pikturat janë mbledhur së bashku duke krijuar “mirazh shkretëtire” në mes të Tiranës, ku edhe vapa sapo ka filluar…”Mirazh mëngjezi në Tiranë” pëshpëris dhe përqafoj mësuesen i pafjalë. Shpirti dhe pasioni i njeriut nuk njeh as moshë, as caqe, as klone, duke mbetur në jetë gjëja më e habitshme e shoqërisë njerëzore në tërësi. Dhimtra Lalaj(Buka) është pjesë e kësaj shoqërie të avancuar në Shqipërinë tonë. Sa mirë ndihesh në Tiranë kur sheh “Atë që nuk sheh Bota”…
Minneapolis, 30 Korrik 2023.
Please follow and like us: