Herman Hesse, ndër shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit XX
Antigonë Salihu
Hermann Hesse është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit XX. Lindi më 2 korrik 1877 në një qytet pranë Württembergut dhe vdiq në Lugano të Zvicrës më 9 gusht 1962. Ishte djali i një pastori (prifti) dhe nipi i një misionari kalvinist. Ky ambient familjar ndikoi në formimin e personalitetit të tij. U dërgua të studionte për teologji, por mësimet fetare i braktisi shpejt! Punoi si mekanik dhe librar në Tübingen. Në botëkuptimin e tij moral e filozofik ishte natyralist, mistik, budist, aktivist faustian, por gjithmonë intimisht fetar.
Lufta e Parë Botërore i shkaktoi një krizë të rëndë shpirtërore. Doli haptas publikisht kundër dallgës së barbarive që përshkoi Evropën dhe madje arriti ta ndiente veten fajtor për të këqijat e kohës. Edhe më vonë, nga vetë formimi i tij shpirtëror, ishte që në fillim kundër nazizmit. Hermann Hesse është poet e prozator me prodhimtari me vlera artistike të larta e sasi të jashtëzakonshme. Librat e tij me romane, poezi shkrime kritike politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrin në 80 milion ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu njërin nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë.
Më 1921 u bë qytetar zviceran dhe 1946 iu dha çmimi Nobel në letërsi. Romani i tij i parë ishte “Hermann Lauscher” (1901) por ai që e bëri të shquhej ishte romani “Peter Camenzind” (1904) më vonë mjaft i admiruar u bë romani “Unterm Rad” (Nën rrotë) 1906 tek i cili, me thekse tragjike e patetike paraqitet kriza e një adoleshenti të vënë nën një disiplinë antinjerëzore të shkollës prusiane. Vazhdojnë pastaj libra të tjerë me novela e tregime: “Diesseits” (Këtej, nga kjo anë, 1907) “Nachbarn” (Fqinjë, 1908) “Umwege” (Rrugë e gjatë, 1912) etj. Shënime udhëtimesh në Indi – Aus Indien (1913). Gjatë Luftës së Parë Botërore, nxori tregimin “Schön ist die Jugend” (Rinia është e bukur, 1916). Por katastrofa e luftës në Evropë solli tek ai një përmbysje të thellë e bashkë me të dhe një pjekuri të motiveve personale. Frut i këtyre ishte libri “Damian, die Geschichte von Emil Sinclairs Jugend” (Demiani, historia e rinisë së Emil Sinclair-it, 1919). Kjo është një vepër e rëndësishme, sepse është ndër të para në Evropë që ve në dukje ndikimin e psikanalizës. Te Demiani paraqiten të rinjtë e universiteteve gjermane, jeta e të cilëve shkatërrohet nga presioni i luftës.
Perla të vogla të vërteta të artit tregimtar janë “Kurgast” (Miku i kurimit) dhe “Bilderbuch” (Libri i portreteve) të dy, më 1925. Shumë i rëndësishëm është veçanërisht romani “Stepenwolf” (Ujku i stepës, 1927) ku, siç thoshte, tregoi: “Ferrin e brendësisë së vet”. Kriza shpirtërore dhe forma e jetës së njeriut modern është tema e “Ujkut të stepës”, të kësaj autobiografie që ndonëse e varfër në veprime është e pasur në mendime, ku lexuesit të vëmendshëm i tregon “kaosin e botës së tij shpirtërore”. Origjina e kësaj krize identiteti është urrejtja ndaj një shoqërie që shkon verbërisht nga një luftë botërore
në tjetrën, neveria ndaj një kulture servile dhe frika ndaj një jete të brendshme “të përciptë e të normuar”. Ndër veprat e tjera mund të përmendim “Narzic und Goldmund” (Lulet Narcis dhe gojëartë) e veçanërisht “Das Glasperlenspiel” (Loja e perlave të qelqta, 1943) që përbën “shumatoren” e të gjitha shqetësimeve, studimeve dhe anktheve fetare të shkrimtarit të shquar.
Përveç shkrimeve në prozë, Hermann Hesse shquhet si poet me më shumë se 680 poezi të përmbledhura në 12 vëllime. Poezitë e tij dallohen për ndjesi të hollë e përsosmëri të vargut. Temat e tyre janë ato të anëve më delikate e më të rëndësishme të shoqërisë njerëzore, si vëllavrasja (Kënga e vdekjes së Abelit), trishtimi, vetmia etj.Vëllimet e tij me poezi janë:
“Romantische Lieder” (Këngë romantike, 1898), “Gedichte” (Poezi, 1902), “Unterwegs” (Në rrugë, 1911), “Musik des Einsamen” (Muzika e vetmitarit, 1915), “Ausgewehlten Gedichte” (Poezi të zgjedhura, 1921), “Krisis” (Krizë, 1928), “Trost der Nacht” (Ngushëllimi i natës, 1929), “Vom Baum des Lebens” (Nga pema e jetës, 1933), “Neue Gedichte” (Poezi të reja, 1937), “Der Blütenzweig” (Dega e lulëzuar, 1945), “Die späten Gedichte” (Poezitë e vona, 1963). Pavarësisht nga titujt e vëllimeve dhe temat e shumta të poezive të tij, ato, përmbledhtas, mund të quhen autobiografi lirike e poetit. (Petraq Kolevica, Shtëpia botuese, “Naim Frashëri”, Tiranë, 1987).
Ndërsa stili i veprave të Hesse-s është tradicional, mesazhet e tyre janë tepër moderne. Hesse u tregon atyre që kërkon këshillë se si mund ta gjejnë brenda vetes. Sipas tij, hapi i parë për ta përmirësuar botën është ta përmirësosh veten. Për të realizuar drejtësi sociale dhe politike, ai vë në dukje rëndësinë e ndërgjegjes personale. I kundërshton pikëpamjet fetare sipas të cilave njeriu është i lig prej natyrës dhe duhet të poshtërohet. Kundër kësaj ai vë bërthamën pozitive të të gjitha feve, kontributin e tyre për një ekzistencë njerëzore kuptimplotë. „Kush e mohon veten as nuk mund t’i thotë ‚po` Zotit”, shkruan, dhe: „Besoj se njëra fe është përafërsisht aq e mirë sa tjetra”. Hesse është bërë shkrimtari gjerman i shekullit të XX-të që lexohet më shumë. Kundërshtimin mes mendjes dhe jetës (natyrës), që i ishte rrasur në kokë dhe që përshkon prozën e tij si filli i kuq, e ka kapërcyer duke arritur njësinë e artit me jetën. ( Silke Liria Blumbach, përkthyese, Gazetare – Shkrimtare, AL-GJ-EN-FR-PT)
“As të gjithë librat e botës nuk të japin dot lumturinë, por në fshehtësi të kthejnë në vetvete. Atje gjen gjithçka për të cilën ke nevojë: dielli, yjet dhe hënën. Sepse, drita që po kërkoje jeton brenda teje. Urtësia që ke kërkuar për një kohë të gjatë nëpër biblioteka, tani shkëlqen në çdo fletë, sepse tashmë është e jotja”. Kështu shkruante Herman Hesse, shkrimtari, poeti dhe piktori gjerman, fitues i çmimit “Nobel” për letërsinë në vitin 1946. Për lexuesin shqiptar, shtëpia botuese “Besa”, me seli në Itali, por e njohur për botimin e letërsisë shqiptare, sjell shqip disa tregime të pabotuara nga Hesse, përkthyer nga Zana Vokopola. Libri i titulluar “Miqësia” nis me një nga tregimet e njohura të shkrimtarit gjerman, ndërkohë që në kopertinë paralajmërohet se në këtë botim do të gjenden edhe tregime të tjera të pabotuara më parë. Në fakt, Hesse jetoi një jetë të larmishme. Momente të veçanta lindën veprat e tij, vëllime të tëra në poezi, tregime dhe romane. Pjesa më e madhe e tyre përshkohen nga interesat e tij për ekzistencializmin, spiritualizmin, misticizmin, e jo më pak nga filozofia hindu dhe budiste. Herman Hesse u lind në një familje me bindje të forta fetare, të cilët e nxitën drejt studimeve teologjike. Por ai, me një natyrë rebele që e karakterizonte, arriti të çlirohej nga këto angazhime dhe t’u kushtohej prirjeve të tij artistike. Jeta dhe vepra e Herman Hesse-s që në fillim u karakterizua nga kontrastet mes traditës familjare dhe ndikimit të ambientit të jashtëm.
“Më 2 korrik 1877, një të hënë, në fund të një dite të lodhshme, Zoti na dha fëmijën kaq shumë të dëshiruar. Hermani ynë, i bukur dhe i shëndetshëm sapo kishte lindur dhe ishte i uritur. I kthente sytë blu të kthjellët drejt dritës; shembull i një fëmije të shëndetshëm dhe të fuqishëm”, – shkruan në ditarin e saj, e ëma e tij, Maria Gundert Hesse, e cila kishte sjellë në jete Hesse nga martesa e dytë. Më 1904 u martua me Maria Bernoulli, një fotografe profesioniste me të cilën pati edhe tre fëmijë: Bruno, Heiner dhe Martin. Bashkë me Marian u shpërngulën në një fshat me synimin që pranë natyrës do të ishin më pranë pikturës, fotografisë dhe arteve, por në fakt nuk ndodhi ashtu. Martesa e tyre nuk shkonte mirë. Ajo ishte nëntë vjet më e madhe dhe shumë natyrë e lirë. Të kësaj kohe janë disa romane si: “Të afërmit” (1908), “Gertrude” (1910), dhe vëllimi me poema “Nën tokë”(1911). Përjeton suksesin. Vlerësohet me çmime dhe bëhet pjesë e rretheve të njohura letrare. Por, sërish ndjehej i vetmuar. Provoi pikturën, teosofinë dhe besimet indiane. Përjeton Luftën e Parë Botërore, ndërsa vitet ’20 shënuan një tjetër krizë emocionale për të. I kësaj kohe është romani “Ujku i stepës”(1927). Martohet për të dytën herë me këngëtaren Ruth venger, 20 vjet më të vogël se ai, por martesa nuk zgjati. Për të tretën herë u martua me Ninon Dolbin Auslander, e cila i qëndroi pranë deri në vdekje. Regjimi nazist i solli probleme për veprat e tij letrare, ndërkohë që ai mendonte se artisti nuk duhet të ndikohej nga klima politike. Pas Luftës së Dytë Botërore, më 1945, Hesse zbulohet papritur nga kritikët dhe lakohet shumë në media. Por, nuk i munguan edhe telashet, për qëndrimin që kishte mbajtur regjimi nazist ndaj veprave të tij. Edhe pse mori shumë çmime, përfshirë këtu edhe ‘Nobel’, Hesse u zhgënjye nga zhvillimet e reja të shoqërisë. Vdes më 1962, në moshën 85-vjeçare.
(Zana Vokopola, libri Miqësia, Shtëpia botuese “Besa” në Itali)
Duke shkruar për veçoritë krijuese të shkrimtarit të madh gjerman Herman Hesse, kritikja letrare italiane, Ornela Leone, nënvizon se Herman Hesse ishte një krijuar në kërkim, Krijimtaria e tij artistike nuk kufizohet vetëm me faktin se ai mori çmimin Nobel për letërsi në vitin 1946, por edhe për rravgimet e tij jetësore. Gjatë rrugëtimeve të tij nëpër vende të ndryshme të botës e deri në Indi, ai përjetoi edhe një krizë personale, e cila është edhe pika qendrore e krijimtarisë së tij, sidomos sa iu përket bindjeve të tij religjioze dhe fetare. ( Ornela Leone: Herman Hesse ishte kërkimtar gjatë tërë jetës)
Romani “Loja e perlave të qelqta”
Romani “Loja e perlave të qelqta”, “Das Glasperlenspiel” i shkruar në vitin 1943, është njëra ndër veprat më të realizuara të Hessit, ku ai ka përshkruar shqetësimet e tij intelektuale, studimet dhe konceptet fetare përmes një gjuhe të pasur me figura e metafora të shquara artistike, të ngjeshura me një harmoni të çuditshme . Në pjesën e parë të librit ai ka përshkruar disa zhvillime historike në shkencë dhe në arte, duke ndërthurur edhe definicionin e tyre, që lidhet me zhvillimin e lartë të fshehtësisë gjuhësore, ku sipas tij kanë ndikim të jashtëzakonshëm artet dhe shkenca, përkatësisht matematika dhe muzika. Kjo përbën lojën e tij specifike me të gjitha përmbajtjet dhe vlerat e kulturës. Kjo lojë, sipas romanit të Hessit ka lindur në të njëjtën kohë në Gjermani dhe në Angli.
Fillimisht kjo lojë kishte shërbyer si një mënyrë hyjnore për ushtrimin e mbamendjes te nxënësit.
Shpikësi, Bastijan Pero prej Kalves, kishte shfrytëzuar perlat e qelqta në vend të numrave, apo notave muzikore. Ai kishte konstruktuar një kornizë me tela dhe në ta kishte vendosur perla të qelqta me ngjyra të ndryshme, formë dhe madhësi, të cilat i akordonin vlerave të notave. Në këtë mënyrë ai kishte shpikur citatet dhe temat muzikore.
Gjuhën e shenjave dhe formulën e lojës e kishte themeluar Bazelaku.
Franca për herë të parë kishte lejuar organizimin e këtyre lojërave e më vonë edhe Anglia. Po ashtu me rastin e organizimit ishte emëruar edhe dirigjenti suprem, i cili mbante titullin Magister. Një magjistër i tillë ishte Jozef Knehti për të cilin thuhet se kishte mësuar gjuhën latine në Berolfingen ndërkohë që ishte bërë mësues i muzikës. Autori përshkruan rrugën jetësore të Knehtit dhe arritjet e tij në lojën e perlave të qelqta.
Ujku i stepës “Stepenwolf”
Njëra ndër veprat më të lexuara të shkrimtarit gjerman, Herman Hesse, është edhe romani i titulluar “Ujku i Stepës” i botuar në vitin 1927. Pikërisht për këtë roman në vitin 1946, herman Hesse shpërblehet me çmimin Nobel për letërsi. „I vetëm dhe i keqkuptuar nga të gjithë”, kështu ndihet edhe Hesse vetë për një pjesë të madhe të jetës së tij. Në shtëpinë prindërore, në familjen e një misionari protestant baltik, përgjegjës për Indinë, mbizotërojnë një klimë e stërfalur dhe metoda mizore edukimi, që synojnë të thyejnë vullnetin e fëmijëve. Kur Hermann arratiset nga shkolla e manastirit të Maulbronn-it, futet pa një pa dy në një shtëpi kurimi. Nga ndryshimi i përshtatjes dhe rebelimit, që është tipik për rininë, por ekstrem te ai, shënon sukseset e tija të para letrare. Nëpërmjet vuajtjeve dhe luftërave të veta, që gjejnë pasqyrim në veprat letrare, Hesse i fton lexuesit për t’u identifikuar me njerëz që e kërkojnë rrugën e vetë, dhe njëkohësisht tregon pika orientimi dhe qëllime të mundshme. Pika kyçe këtu është pranimi i vetvetes, që përfshin edhe anët e errëta të personalitetit, të ashtuquajturën hije.
Romani “Siddharta” i Herman Hesses
Romani “Siddharta” i Herman Hesit, shkrimtarit më të njohur gjerman, fitues i çmimit Nobel për letërsi, është ndër veprat më të përkthyera dhe më të lexuara në botë. Ky shkrimtar është i njohur edhe me romanet: “Ujku i stepës”, “Loja e perlave të qelqta” Përveç shkrimeve në prozë, Hermann Hesse shquhet si poet me më shumë se 680 poezi të përmbledhura në 12 vëllime. Poezitë e tij dallohen për ndjesi të hollë e përsosmëri të vargut. Temat e tyre janë ato të anëve më delikate e më të rëndësishme të shoqërisë njerëzore, si vëllavrasja (Kënga e vdekjes së Abelit), trishtimi, vetmia etj.Vëllimet e tij me poezi janë: “Romantische Lieder” (Këngë romantike, 1898), “Gedichte” (Poezi, 1902), “Unterwegs” (Në rrugë, 1911), “Musik des Einsamen” (Muzika e vetmitarit, 1915), “Ausgewehlten Gedichte” (Poezi të zgjedhura, 1921), “Krisis” (Krizë, 1928), “Trost der Nacht”
(Ngushëllimi i natës, 1929), “Vom Baum des Lebens” (Nga pema e jetës, 1933), “Neue Gedichte” (Poezi të reja, 1937), “Der Blütenzweig” (Dega e lulëzuar, 1945), “Die späten Gedichte” (Poezitë e vona, 1963). Pavarësisht nga titujt e vëllimeve dhe temat e shumta të poezive të tij, ato, përmbledhtas, mund të quhen autobiografi lirike e poetit. (Petraq Kolevica, Shtëpia botuese, “Naim Frashëri”, Tiranë, 1987).
Siddharta është një kryevepër e letërsisë së përbotshme, meqë trajton një temë universale, temën në kërkim të dijes dhe të jetës, në kërkim për të zbërthyer qëllimin e pazbërthyeshëm të fenomenit jetë.
Në “Sidarta”, një nga kryeveprat e tija, Hermann Hesse arrin një
sintezë të feve perëndimore dhe lindore. Krahas konceptit budist të njësisë së të gjithë të qenëve, sidomos të vetes individuale me atë universale, vihet koncepti i krishterë i dashurisë për gjithçka që jeton dhe ekziston. Mirëpo, në fund të fundit Sidarta, pas takimit me Budën, preferon të mos ndjekë asnjë doktrinë, por të shkojë rrugën e vet. ( Silke Liria Blumbach, përkthyese, Gazetare – Shkrimtare, AL-GJ-EN-FR-PT)
Hese ka bërë përpjekje që përmes fragmenteve nga jeta e Sidarta Goatama Budës, i cili ka jetuar në Indi rreth viteve 560-480 para Krishtit, të trajtojë fenomenin e jetës dhe religjionit sipas pikëpamjeve të Budës. Në këtë segment ai ka arritur të sintetizojë tërësinë e mendimeve gjeniale të Budës në referenca të shkurtra dhe në dialogun specifik, por shumë të thjeshtë e të kuptueshëm të personazheve, për ta bërë veprën dhe përmbajtjen e saj më të kuptueshme dhe shumë më të kapshme për lexuesin.
Hese ka ngritur një monument letrar, të cilin nuk e zbeh dot asnjë kohë. Për më tepër, në botën e sotme të shpejtësive kozmike, në botën e digjitalizimit të shkencës dhe teknikës, në botën e globalizimit të zhvillimeve kapitale në të gjitha segmentet e jetës, njeriu gjithnjë e më tepër po varfërohet, po tjetërsohet dhe po e humb ritmin normal dhe natyror të të jetuarit.
Siddharta, sikur e përshkruan shkrimtari, Herman Hese ishte pinjolli i bukur i brahmanëve, i cili qe rritur dhe edukuar në jetën tradicionale të kohës, me shumë të mira e begati.
Rrëfimi për Sidartën
Duke vërejtur se nuk e joshte jeta brenda rrethit familjar e shoqëror, meqë nuk gjente dot lumturi, ai niset në rrugë për ta zbuluar qëllimin e jetës. Në rrugën e tij të asketit, Siddhartës, i bashkohet shoku më i ngushtë, Govinda. Të dy, ndërkohë, takohen me samanët, me pjesëtarë të kastave të murgjve asketë, të cilët agjëronin, ecnin, meditonin dhe jetonin nga lëmosha që u jepnin të tjerë. Ata jetonin shpengueshëm në natyrë pa menduar për ushqimin, pa e lodhur kokën për obligimet jetësore, por duke iu përkushtuar besimit dhe meditimit.
Siddharta, ishte nisur në rrugë ta gjente vetveten, qëllimin e jetës, nirvanën e paarritshme. Dhe kjo, sipas tij, arrihej duke vuajtur, meqë shpëtimi kërkohej duke sakrifikuar gjithçka nga të mirat që sillte jeta, duke anashkaluar të gjitha dhuntitë dhe hiret e saj. Ai jetonte në skamje, me qëllim për të zbuluar edhe atë anën tjetër të jetës. Në rrugëtimin e tij të gjatë nëpër pyje e male, Siddharta kupton se edhe vuajtja si e tillë nuk sillte asgjë më shumë, meqë gjithçka sillej në rreth, gjithçka përsëritej. Duke kuptuar se nuk e kishte gjetur jetën, të tillë sikur e kërkonte, ai pas shumë viteve ndahet nga Govinda dhe fillon jetën tjetër, jetën e epsheve dhe të kënaqësive, që i ofron jeta.
Takohet me kurtizanen Kamala, e cila ushtronte “zejen” e dashurisë, por Siddharta nuk gjen dot prehje as kënaqësi, as mendonte se kishte arritur qëllimin e jetës, sepse dashuria trupore, sipas tij, iu takonte njerëzve fëmijëror dhe jo njerëzve të përkushtuar për të zbuluar hiret e vërteta të jetës. Takohet me tregtarin, Kamasvami dhe për një kohë të shkurtër bëhet i pasur duke shijuar të gjitha kënaqësitë e jetës, pijen, dashurinë, paratë, jetën e shfrenuar, por sërish ndien zbrazëti dhe e braktis atë jetë, të cilën do ta quante jetë e “njerëzve fëmijëror”.
Pasi i ka provuar të gjitha të mirat e jetës, ai sërish fillon rrugën e asketit meqë nuk gjen dot prehje duke gjurmuar jetën. Ai sërish kthehet në natyrë te “Lumi i rrjedhshëm” për të vështruar, qetësinë e rrjedhën e përjetshme të ujit në lumë. E zë gjumi afër një rrapi dhe kur zgjohet sheh pranë një njeri, i cili e kishte ruajtur derisa ta bënte gjumin, me qëllim të mos e helmonte ndonjë gjarpër. Në moment ai njeh shokun e tij të dikurshëm, asketin e papërmirësueshëm, Govinda. Rinjohja me Govindën i jep kuptim jetës, por ai vazhdon rrugën e tij. Ndërkohë takohet me lundërtarin Vasudeva, të cilin e lut të bëhet ndihmësi i tij.
Gjithçka rikthehet
Kanë kaluar shumë vjet dhe gjatë një pelegrinazhi ai takon Kamalën, kurtizanen e dikurshme, pikërisht në kohën, kur atë e kishte helmuar gjarpri. Ajo, edhe pse me dhembje, në përpëlitje për të dhënë shpirt e njeh, Siddhartën dhe i tregon se djali, i cili i rrinte pranë, ishte biri i tij. Siddharta gëzohet që kishte gjetur djalin, për të cilin nuk kishte ditur se ekzistonte, ndërkohë që Kamala vdes.
Siddharta tashmë jeton me Vasudevën dhe djalin, i cili nuk mësohet dot me jetën e babait asket dhe një ditë e fyen për jetën e tij të mjerë dhe ikën duke marrë botën në sy. Siddharta ndien brengë të thellë për djalin, i cili kishte mbetur në botën e madhe e të pamëshirshme. Ai brengoset për fatin e tij, por nuk e kthen dot, ashtu sikur nuk kishte arritur ta kthente atë i ati, shumë kohë më parë.
Fillon koha e Sansarës, që është burimi i dhembjes për të birin, i cili do të ikte sikur ai kishte ikur nga i ati… “Unë të urrej, nuk dua të bëhem i butë, më mirë bëhem cub, i kishte thënë ai.
Siddharta tashmë lundërtar kishte kuptuar simbolikën e rrjedhës së ujit në lumë, meqë edhe jeta zhvillohej rrjedhshëm, po ashtu si uji që derdhet herë qetë herë rrëmbyeshëm në shtratin e limit. Sërish takohet me Govindën, asketin e përjetshëm, të cilit ia zbulon disa nga sekretet e jetës, që tashmë i kishte fituar nga përvoja e gjatë.
Kjo është shkurtimisht përmbajtja fabulare e romanit Siddharta, të shkrimtarit të mirënjohur botëror, Herman Hese. Në dukje kemi të bëjmë me një rrëfim të thjeshtë të jetës së një brahmani, por gjatë leximit të kujdesshëm të veprës zbulojmë esencën e filozofisë budiste, e cila ka vlera të pamohueshme në drejtim të njohjes së fenomenit jetë.
Diturinë mund ta rrëfesh, urtësinë jo
Ky libër i meditimit dhe mençurisë zbulon para nesh konceptin budist mbi jetën, jetën të cilën Buda e kishte krahasuar me telin e instrumentit. “Telin po ta lësh krejt lirshëm, nuk nxjerr melodi, po ta shtrëngosh fort këputet”. Pikërisht kësaj filozofie iu ka përmbajtur shkrimtari Hese gjatë shtjellimit të romanit.
Siddhatra ishte në rrugën e tij jetësore duke hulumtuar për ta zbuluar misterin e mesit, e atij mesi që nuk duhet shtrënguar sa të këputet, pa e lënë edhe aq lirshëm, sa të mos jetë në gjendje të nxjerrë tinguj.
“Diturinë mund ta rrëfesh, por urtësinë jo. Urtësinë mund ta gjesh, mund ta jetosh, mund të bartesh prej saj, mund t’i bësh mrekullitë e saj, por ta thuash e ta mësosh nuk mundësh. Urtësia, që përpiqet ta rrëfejë ndonjë i urtë tingëllon si budallallëk…” Kështu thoshte Buda, për të konstatuar se njeriu ishte i tillë çfarë ishte, duke përkufizuar se “kurrë në jetë nuk mund të gjendet një njeri tërësisht i shenjtë, apo tërësisht mëkatar.
Kënaqësitë që sjellë epshi janë sikur flaka e kashtës, e cila digjet përnjëherë por edhe shuhet shpejt dhe nuk lë asgjë prapa përveç hirit, që sakaq do të bëhet pluhur. Jeta e vërtetë është sikur guri, i thotë ai Govindës. Merr në dorë një gur dhe thotë: “Ky këtu është një gur dhe në një kohë të caktuar do të bëhet dhe, baltë, e prej dheut do të bëhet bimë, pastaj kafshë apo njeri. Kështu kam menduar dikur ndërsa tani tash mendoj se ky gur është edhe gur, është edhe kafshë është edhe Budë… Në momentet e fundit të jetës Siddharta pa fytyrën e një peshku që po ngordhte me sy të nxjerrë…. fytyrën e një fëmije të sapolindur të kuqe nga të qarët… pa fytyrën e një vrasësi duke ngulur një thikë në trupin e një njeriu. Siddharta vështroi në ujë, dhe në ujët që rridhte iu shfaqen atij pamje e figura, iu shfaq i ati i vetmuar, i hidhëruar për të birin, iu shfaq vetvetja edhe ai i lidhur në pranga malli për të birin e larguar, iu shfaq i biri edhe ai i vetmuar duke rendur plot lakmi në udhën përvëluese të dëshirave rinore, secili drejt qëllimit, secili i djegur nga qëllimi i vet, secili i vuajtur dhe i brengosur…
Gjithçka kthehet përsëri në vendin e vet, mbase sipas ligjeve apo programit hyjnor, pjesë e të cilit jemi edhe ne njerëzit, të cilët rrojmë në këtë botën tonë të madhe e të vogël. (Ahmet Qeriqi: “Gjithçka kthehet përsëri”, shënim për romanin “Siddharta”, të shkrimtarit të madh gjerman, Herman Hese, RKL)