Albspirit

Media/News/Publishing

Llesh Gjoka boton librin poetik “Hije në muzg”

 

Llesh Gjoka ka lindur nё Kaҫinar tё Lezhёs mё 6 shkurt 1957. Mёsimet i kreu nё gjimnazin “Hydajet  Lezha” nё Lezhё, ndёrsa studimet e larta i pёrfundoi nё Institutin e Lartё Pedagogjiktё Shkodrёs, nё degёn e Ciklit tё Ulёt. Gjatë profesionit të tij ai ka dhёnё mёsim nё disa shkolla 9 – vjeçare nё Lezhё. Krijimtarinё letrare Llesh Gjoka e ka nisur qё nё vitet e gjimnazit.Gjatё viteve studentore dhe pastaj si mёsues botoi disa herё nё organet e shtypit poezi dhe shkrimetё ndryshme.Kёtu po pёrmendim disa prej këtyre gazetave: Gazeta ”Jeta e Re”, ”Zёri Rinisё”,  ”Mёsuesi”, revistat ”Pionieri”, ”Horizonti”dhe sё fundi ka qenë i pranishëm nё gazetёn “Lisalba”. Shumё poezi  tё tij janё publikuar gjithashtu nё shumё rrjete sociale.  Në mars tё vitit 2022, botoi librin e parё me poezi “Heshtja e lumit”, ndёrsa nё qershor tё vitit 2023, botoi librin e dytё me poezi “Shenjat e muzgut”. Tashmë nё pension vazhdon pёrsёri krijimtarinё e tij poetike. Ёshtё aktiv nё platformat dhe nё gazetat qё promovojnё krijimtarinё letrare, me poezi dhe shkrime tё ndryshme.

 

 

 

PRITJE

Dhe ti pret diçka tjetër

kujtimit që rënkon, pasthirmë e ndjerë mes brinjësh

ecjes së gjatë, në pendulin e kohës që dridhet

në dekorin e dritave bluhe në dritare

duke fashuar plagët që zemra i la hapur

hematoma, ënjtur në mish.

Dhe ti pret diçka tjetër

diçka të ndritshme, të neontë

të ndriçojë enigmat e një dashurie që la pas hirin

kur gjithçka është asgjë, një hiq

jetës nihiliste, pjellë e një fantazme.

Ti pret, e djegur

zhurit që la koha piromane

duke marrë doraz copëra trofesh të thyera

duke bashkuar grimat e mbetura hapërdarë

ditëve

që kalëruan pa kapistër.

Ti pret, ti pret…

diçka tjetër që do të vijë

nga grafomania e reve të tjerrura

në dizajnin e lindjes së diellit

zogun lajmëtar të ëndrrës që diku jeton.

 

 

THYERJE LIGJI PËR JETËN

E di ligjin, e di

dita që pikon shi

nën qerpikë gjethesh blerane

kur kufijtë e stinës shtyhen

E ne mbetemi në pritje

nën një treme të vjetër dërrasash…

E di ligjin ky shi

që ujvaret nga një qiell i vrenjtur

me re të paftuara

në thatësinë që ftillon vera

stina e munguar.

E di ligjin kjo pemë

që rrëzon frutat para kohe

Si një shtatzënë dështon

fëmijën e saj në placentë.

E di ligjin dashuria

kur bien dyst vargane premtimesh

mbrëmjes plot ëndrra…

Pluhur e hi bëhet rruga e trëndafilave

andej nga do shkonim

në flirte zemrash idilike.

E di ligjin ky dhé, kjo tokë

që rrjedh lumenj gjaku rrugëve të botës

duke paguar doganë të lartë

për lirinë e tradhtuar

për qumështin që na mëkoi…

E di, e di, gjithçka ka lindur

për të thyer ligje e profeci…

Ka nisur që në Eden

e rrugës mëkatare është mbarsur

ka njohur krisje të reja…

 

 

FJOLLË DRITE

Jam një fjollë drite e flashkët

rrëshqas poshtë yjeve

pas perdes së tistë të natës

Avitem dritareve të ulta

për të nanuritur fëmijët

para se të flenë andrrave.

Hera herës vagulloj te një shpirt i këputur

rrezoj të fundit fije shprese

si fjollë kandili në një kasolle të varfër

Udhëz e hollë drite në udhëtim

kaloj duke ndriçuar

aty ku varet muzgu.

Jam një fjollë drite prej agut

të mëshirshëm që lindi posaqëm për ne

Thur pëlhurat e andrrave

të atyre që mbetën jashtë

kur emrat u thirrën në një apel mëngjesi.

Jam sadakaja, dritë prej allahut

e butë, e paqtë për nevojtarët

duke ndarë gjithçka të imtë hyjnore

Pikat e lumturisë që ndriçojnë

jo vetëm prej nesh

jo vetëm për veten tonë.

 

 

 

SOZIA

Valëvitet rrugëve

maskë e çngjyrosur

e pabindur ndaj të zotit që e lindi

qëkur vdiq Dostojevski…

Merr trajta shumëngjyrëshe

E aftë të intrigojë

apo të gëzojë pjalmin e dashurisë…

Zëvendësuese roli pa merita

Nuk e njeh gjuhën e ngjashmërisë

Tradhëton rrugës, të zë fronin

Luan teatër, gëzohet me humbjen tënde

Ka kohë që ka dalë nga vetja

dhe rreket të rikrijohet

duke u shformuar si meduzë

thur klane, shkon shumë larg

nominohet në role të reja…

Dhe ti rend, rend pas saj

i humbur qindfish, nënshtruar fatit:

Jam unë apo s’jam?!

 

 

 

KTHIMI I EMIGRANTIT

Udha jote me fillesë nën një qiell të huaj

nis ashtu me një kryq në ballë

herë ujore me dallgë të ngritura nga malli

herë e ajërt me re që udhëtojnë me ty drejt atdheut

pastaj mbaron nën një qiell tjetër me yje natën

që ndriçojnë mbi pragun e shtëpisë së nxirë me njerëz të vetmuar

me njerëz të harruar në pritje.

Ata janë babai dhe nëna

dyfish të plakur

dhjetëfish të zbrazur shpirti nga mungesa e gjatë e bijve

bijve të mërguar dhjetra male tutje

dhe dhjetra lumenj, detra larg, larg…

Ata janë prindërit e kërrusur nga pesha e dhimbjes

me sytë mpikur udhëve që nisin nga një portë

dhe pastaj zgjaten e zgjaten

shteteve, kontinenteve të tjera

udhëve të flladitura me lutje dhe psallme

dherave të zbrujtur me shi lotësh…

Kthimi yt i ngjan shpeshherë kthimit në Itakë

pritja e gjatë e prindërve i ngjan Penelopës

Por ti gjithsesi do të kthehesh, do të vish

me pendesën e rëndë që të vret

se ti nuk je një bir rrënjëdalë

dhe s’ka si të jesh, s’ka si të jesh

gjaku të thërret…

Kthimi yt është atdheu që derdh lot për ty

është fëmija motak që kërkon gjyshërit përherë

dhe kur ata të mos jenë në pragje

kur gjallë të mos jenë

i vështron hëna vajtuese mbi varre..

 

 

AJO QË SHKOI…

U lind femër

Pastaj u bë motër

U rrit, u bë nënë…

Sa shpejt vrapon jeta!

Lindi pesë fëmijë

Fëmijët u bënë burra e gra

Pastaj mjalti i mjaltit, drita e dritës…

Hija e nënës po bridhte oborrit

Ish gati të çmendej…

Pse blofin po luan jeta?

Lakores së ditëve ndodhi

Mizat mblodhën helmin në hoje

Mjalti i mjaltit, drita e dritës…

Sytë lotonin korridorit të errësirës

Pse jeta nuk po i ndahet?

Në harresë, në lot

Si dje dhe sot

Në furkë po tirrej e pabesueshmja

Nesër!

Nata u bë nyje rreth qafës së saj

Para se të lindte dielli…

 

 

ABSURDE

Këngën e absurdit po këndoj

bashkë me gjinkallat cingëritëse

poshtë qiellit ngjyrë plumbi.

Këngën që s’është më këngë

këngën që vajton

sepse këngët e hershme vdiqën

I mori lumi…

E shoh jargavitjen e zengjinëve

krekosjen e tyre tallëse

kur kënga e absurdit zgjohet.

Dhe ata bashit të ditëve

në tym ndërrojnë truprojat…

Edhe unë i pafjalë tkurrem

tymit që ma tret pamjen

E hapat e mi dridhen

kur këngës ia numëroj vrajat…

Këngën e absurdit po këndoj

këngën e miellit me krunde

Ditët i përhij

në duart e lypsarëve.

Dhe nevojtarëve u fshihem

s’mund t’i shoh në sy…

Një dorë më shtrihet

Një gjymtyrë

Pastaj gishtat më mblidhen

një grusht në ajrí…

Mali është i lartë

Blasfemi…

 

 

NË NJË BLLOK TË VJETËR KUJTIMESH

Në një bllok të vjetër, të zvetnuar nga koha

fshiva me gisht pluhurin mbi fletë

si mbi një ekran ngjyrë gri.

Vargjet mbi fletë filluan një pëshpëritje të ëmbël

Ishin skenoprovat më të bukura

që kisha sajdisur për ty…

Sa e sa fletë u zgjuan nga gjumi letargjik

me emrin tënd të kapitalizuar

dhe me kujtimet e një perle që lotonte e fshehur aty…

E theva guackën e kujtimeve

në trallisje të ëmbël, në herezi

për të të rigjetur ty…

Ti e di se nuk kam shenjën e rinjohjes në llërë

Nuk nxjerr tym nga baladat

jam i vdekshëm, i yti, njeri…

Ti e di sa jam urtësuar në jetë

dhe vagonat e viteve i shtyva shumë larg

Tash veç kujtimi fle mbi varg…

Mbeta i hepuar mbi fletët

si retë mbi kokë në një ditë me shi

Isha lagur i tëri; s’e di nëse ti…

Në një bllok të vjetër kujtimesh

U ndalova… Nuk e di se si!

Vargjet i shkriva për ty!

 

Përgatiti Angela Kosta shkrimtare, poete, publiciste, përkthyese dhe Zv. Kryeredaktore në Gazetën Albania Press.

28 gusht 2023

 

Please follow and like us: