Rifat Ismaili: POETËT DHE POEZIA
Poetët janë si buzëqeshje e natyrës pas stuhisë. Me ndjenjat dhe vargjet e tyre depërtojnë në shpirtrat e njerëzve, duke u dhënë atyre mesazhe të ndryshme paqeje, lirie dhe duke i ftuar të jetojnë me më të bukurën dhe me më të drejtën.
Poeti sheh tek vargu një urë komunikimi midis tij dhe botes së gjallë përreth, çdo imazh përkthehet brenda shpirtit në vepra dhe ëndrra.
Poeti duke jetuar me nje paqe të brendshme shpirtërore, jep për lexuesin mesazhe për jetën, për atë që shihet dhe për atë që fshihet, për lirinë dhe shpengimin që njeriu duhet të ketë në vetvete, duke iu falur çdo ditë rrezeve të dritës dhe hënës magjike. Lirinë për të dashur dhe për të qenë i dashuruar, lirinë për të rendur pas luleve dhe natyrës dhe për të qenë pjesë e saj, lirinë për t’u shtrirë në shtratin e dallgëve të detit dhe si Magelani të përshkosh nëpër ëndrra gjithë botën.
Lirinë për të qenë Vetvetja.
Pra, poezia, shpeshherë është si antibiotik, kundërvepron duke shfarosur vrerin dhe mërzinë, kthehet në shiringë me magjinë për të të mbrojtur nga kotësia dhe si shërim i shpirtit.
Është e vërtetë që poezia nuk e ka shpëtuar dhe nuk e shpëton dot botën, por së paku shpëton shpirtrat, përmirëson, paqëton. Duke filluar që nga shpirti yt, pra nga vetë poeti. Poezia është pak a shumë si dashuria, tē dyja gjendjet të çojnë në një mohim të vetes për atë tjetrin, për atë që dashuron. Dhe dashuria e vërtetë ka aftësinë të sfidojë e të mundë çdo lloj rreziku.
Shpesh, vargjet që hera-herës shkruajmë, vijnë vetë, vijnë si dallgë deti e s’pyesin fare për ne! Është shpirti ynë që lundron mes ajrit të jetës, herë përshkon dritën, herë zhytet në errësirë… Dhe në këtë lundrim individual plot kuriozitet, do tē gjejmë shumë gjëra që s’kishim për t’i gjetur kurrë pa dëshminë dhe dashurinë prej Kolombi ndaj botës së poezisë.
Por si të gjitha gjërat, edhe poezia do kohën e saj për t’u pjekur do kohën e saj për t’u bërë, nuk komandohet. Shumë krijues shkruajne e shkruajnë vargje përditë, po nuk përcjellin ndjenjë, mesazh, pothuajse asgjë. Nuk është zgjidhja e duhur. Nuk e shoh si solucion. Duhet shkruar vetëm atëherë kur ndjehesh i frymëzuar dhe i motivuar. Ka periudha që nuk e kemi këtë motivim, ndaj është më mirë të mos shkruajmë. Nuk përmbyset bota po nuk shkruajtëm. Ka plot gjëra të tjera me të cilat mund të mbushim jetën tonë. Rëndësia ka që të jesh i motivuar.
Shpesh, poetët pyesin veten “Poet apo vargshkrues”? Jo jam poet, jo s’jam poet. Po ç’ndryshim ka midis një poeti dhe vargshkruesi? Edhe poetët mbahen për të tillë sepse janë varg shkrues që i përkushtohen me dashuri vargut. Ndaj, dashuria dhe përkujdesja ndaj vargut janë themeli i banesës shpirtërore të çdo poeti. Përveç kësaj, edhe punë, vetëpërgjegjësi, vullnet.
Sa herë ulem të shkruaj, më duket sikur koha ndërpritet dhe nga errësira që më rrethon, sikur shpërthejnë mijëra drita, që duke u bashkuar, bëhen diçka unike, e përjetshme. Të shkruarit ndoshta janë çaste hyjnore, aq të papërsëritshme për magjinë që na dhurojnë. Kjo ka rëndësi. Akti i të shkruarit. Komunikimi i brendshēm me gjithësinë përreth. Me bukurinë që e shohim.vetëm ne. Me hyjnoren. Jo pyetjet pa rëndësi e hamendësimi në je a sje poet. Duhet të dini një gjë: Poeti pa besim është si pusi pa ujë.
Leksionet mbi poezinë janē ato që të orientojnë drejt poezisë. Dhe këto i merr nga studimi i poetevë paraardhës që kanë bërë epokë në poezi. Duhet të lexosh Borghezin, Montalen, Pesonë, dhjetrëra poetë që e kanë lartësuar poezinë dhe të fitosh nga eksperienca e tyre. Por mund t’i marrësh kēto leksione edhe nga poetët kombëtarë. Nga Lasgushi, Dritëroi, Kadareja, Arapi e shumë të tjerē.
Nuk është e thënë kur shkruan, që çdo poezi duhet të jetë perlë, e të konkurosh Dritëroin e Kadarenë. Rëndësi ka që çdo krijim të përcjellë sinqeritet e një copëz jete…
Pra, duhet shikuar nga ana pozitive. Nuk bëhet poezi për t’u dukur më i madh e më i rëndësishëm se të tjerët, po si terapi shpirti. Nëse pastaj talenti yt i superon të tjerët, është një fat që se ka kushdo. Në të kundërt njeriu kënaqet me aq sa ka mundësi dhe kur shkruan apo boton diçka respekton veten.
Po kur të duket se ia fut kot, më mirë hiq dorë nga të thururit vargje poezie. Merru me qëndisje, me gatim, me peshkim, me ç’të kesh qejf merru, vetëm me poezinë jo. Se poezia eshtë si flutura e brishtë, do duar të kujdesshme për t’u prekur. E keni para syve njē rrobaqepës me sa dashuri e ujdis një copë dhe e e kthen në gjithçka me duart e tij të arta? Ashtu është edhe poeti për poezinë, sqimatar i madh.
E keni parasysh një vorbull brenda ujit? Edhe poezia ngjan me vorbullën. Ajo e dalë nga shpirti është si gropë thithëse. Në këtë rast jo mjerë kush, por fatlum ai që bie në perimetrin e asaj vorbulle dhe ndjen ta tërheqin poshtë ujërat dhe rrymat e vargjeve që dalin si burime të fshehur nga nëntoka e humnerat.
Kredoja e poetit është dhe ka qenë gjithëherë dashuria. Një dashuri që sublimon qëllimin për të cilin kemi ardhur në këtë botë, duke përfituar jo vetëm ajër, oksigjen e jetëgjatësi, por edhe eksperienca të ndryshme, dije, mençuri e kulturë.
Poezia është “dashni”…
Kur kjo dashuri për fjalën pushton letrën, kur fjalët e dashurisë, nuk vlejnë veç per të lidhur zemrat, por edhe si elezir kundër vetmisë, pasigurisë, paudhesive, si forcë shtytëse për të vazhduar jetën.
Kur vijnë për ne këto vargje, duke na lënë ndjesi të bukura brenda shpirtit!
Ka njerez qe kur bien në dashuri, harrojnë vetveten; tërē përqēndrimi i tyre fokusohet tek personi qē duan.
E tillë është dhe dashuria për poezinë.
Përkushtimi ndaj saj kurrë s’mjafton.
Poezia është çast sublim, midis njeriut, poetit dhe zotit.Eshtë si përplasja e rrymave të ndryshme të ajrit, që sjellin borën. Dhe bora nuk vjen sa herë duam ne. I tillë është dhe frymëzimi. Frymëzimi lind nga stuhi ndjenjash, nga një luftë emocionesh të brendshme, që duan të shpërthejne jashtë, të mishërohen në shkronja e fjalë, të mbeten të patretura në letër.
Një poet e njeh më së miri këtë lloj ndjenje dhe stuhie kur i shtyrë nga një forcë e padukshme dhe e pakontrollueshme, ulet të shkruajë vargjet e tij si copëzatē vogla pasqyrash me dritësi perjetësie…