Albspirit

Media/News/Publishing

Enver Memishaj: Mbi librin me poezi të Kujtim Murataj

SIKUR TA KISHTE FILLUAR NË MOSHËN 20 VJEÇARE!

Rreth librit me poezi të Kujtim Murataj “Sikur qielli të ishte blu”, Vlorë 2023

Për asnjë arsye mos e harroni,

dhe po u fika në krahët e urisë,

mbi rrasën e varrit të shkruani,

këtu po prehet dashnori i Lirisë. [Epitaf]

 

 

Pas tre botimeve poetike: “Nata flë mbi tokë” 1996, “Pa emër” 2013 dhe “Prapë nata” 2021, poeti Kujtim Murati vjen me librin e katërt me poezi “Sikur qielli të ishte blu”, Vlorë 2023. Libri i katërt i tij na jep mundësi për të kuptuar talentin e tij në fushën e krijimtarisë, por edhe te inteligjencës së tij. Dhe pas katër librave me poezi, menjëherë për ne që vuajtëm në atë sistem na shkon në mëndje: po sikur Kujtim Murati me shokë, ta kishin filluar botimin në moshën 20 vjeçare kur çelin tek njeriu trëndafilat e kuq dhe të bardhë të dëshirave, talentit dhe optimizmit për jetën? Kujtim Muratit me shokë ia prenë në mes dëshirën dhe optimizmin për krijimtarinë, poezinë dhe jetën. Ende djalë i ri ai u mbyll në burgun e zi të Burrelit. Tashmë Kujtimi, si njohës i thellë i jetës na jep një poezi më të pjekur, që vështron thellë shpirtin dhe jetën shqiptare. Në rini ai nuk pati mundësi të shkruaj, kështu që ai duhet t’i përsëriste dhe ripërsëritëse vargjet e poezive që buronin nga shpirtitij human, nëpër qelitë e burgjeve komuniste, për të gjetuar pasqyrimin e tyre ne libra që do të botonte në një moshë të madhe pas vitit 1990.

Deputeti Bujar Leskaj, duke analizuar krijimtarinë dhe personalitetin e Kujtim Murataj shkruan: “Ai është simbol i qytetarit fisnik vlonjat, njeri i letrave, personalitet i kulturën në qytetin tonë dhe simbol i qëndresës antikomuniste. Është kjo një trini e shenjtë që fisniku, qytetari dhe antikomunisti i vërtetë, ai që ka kaluar në gulagun komunist, rrallë bashkohen në një… Të treja këto cilësi janë bashkuar tek zoti Kujtim Murataj. Ka shumë njerëz në qytetin tonë që janë simbole të qëndresës antikomuniste, por nuk kanë talentit për të krijuar. Sikundër ka shumë qytetarë të tjerë në Vlorë të talentuar, por që nuk kanë provuar këto vuajtje të terrorit komunist”.

 *       *      *

Temat e poezive të vëllimit  me një titull metaforik “Sikur qielli të ishte blu”, janë të larmishme që nga atdheu, Neroni shqiptar, burgu, këngët e detit… vasha e bukur, etj. Dëndur në veprën e Kujtimit zenë poezitë që i kushtohen Atdheut, herë direk e herë indirekt, atdheu është në poezinë e tij edhe kur i këndon vashës edhe kur i këndon nënës. Poezitë e Atdheut mbyllen me këtë klithëm e betim të poetit: “dhe njëqint herë po të duhet,/ do vdisja ende, për këtë vend”. Në poezinë “Për vendin tim”, poeti i dalë nga zgafellat e zeza të burgjeve dhe minierave të kromit betohet:

Në u dashka të bëhem Krisht,

Me dëshirë do shkoja në kryq,

Veç të mos ketë qiell të trishtë,

Dhe as të vrarë me gjoja gjyq.

Pra poeti denoncon gjyqet komike, por me përfundime tragjike të diktaturës komuniste. Dhe ja bukur poeti shpreh ëndërrën e jetës së tij:

Kur frymën muzgu të ma marrë,

Ndoshta qysh tash apo më vonë,

Më bëni ndonjë të çarë në varr,

Të shoh shqipen teksa fluturon. [“Para vdekjes”, f. 91]

Dashuria dhe vlerësimi i poetit për popullin e tij shprehet aq bukur në poezinë: “Dramë e pa mbaruar”:

Po bota mbarë kur lirinë lexoi,

Në tërë vështrimin tonë krenar,

Ndoshta dhe pa dashur lançoi:

Madhështi do të thotë shqiptar!

Ndjenjat nacionaliste të trashëguara nga të parët e tij i shfaq që në parathënie, një ese që të vë në mendime, ku bën apologjinë e Gjergj Fishtës, Hysni Lepenicën etj. Ai ruan në memorie dhe përmend në poezi vlerat e personaliteteve historik, e këto pezi fillojnë me “Prapë Ismail Qemalit”. Që në titull poeti përçon tek lexuesi përjetësinë e babait të kombit atij që bëri Shqipërinë, pra atij, prapë e prapë do ti këndohen këngë e poezi sepse:

Po me shumë gjasa portret i tij,

Do rri i gdhendur në qiellin blu. [f. 13]

Një vend të veçantë zë poezia për Ibrahim Rugovën që poeti duke e shënuar vetëm me iniciale: I. R. , duket sikur konfirmon përjetësinë e këtij patrioti të madhe. Edhe pse poeti nuk na thotë asnjë fjalë për lartësimin e I.R. në rangun e Ismail Qemalit, atë na e lë ta kuptojmë. Ismail Qemalin e lartësin ne faqen 13 të librit dhe Rugovën në faqen 89, por poezinë e Rugovës duke e nxjerrë edhe në kopertinin e pasëm të librit e barazon me faqet e para e barazon ose e afron me Ismail Qemal Vlorën.

Me shallin lidhur mes qafës,

Tok me bacën kurrë nuk u tutën,

Dhe pastaj me tehun e shpatës,

Zinxhirët sllavë sapo i këputën.

S’mund të liheshin jashtë poezisë së Kujtim Murataj edhe bashkëvuajtësit e tij, kështu ai u ngre këngë Musine Kokalarit e Astrit Delvinës dhe këtu poeti duket sikur ka mbajtur me “hatër”, pasi ka zgjidhur dy personalitete të “racës “ së tij shkrimtarë, por dy përfaqësues të denj të qëndrestarëve kundër diktaturës. Për Kokalarin poeti thotë:

Ca njerës të mirë dhe Sovran,

Sot në bronc të kanë derdhur,

Sikurse, ato hijena që të vranë,

Në hon të turpit i kanë hedhur. [f.90]

Ndërsa Astrit Delvinën, shkrimtarin e talentuar,  që vdiq në burgjet e zeza të Enver Hoxha, autori e ngre lart si eruidit:

I tillë do ishte Astrit Delvina,

Një erudite dhe ithtar i Kantit,

Nga ana tjetër nëpër vitrina,

Të verbonin librat e xhelatit. [f. 99]

Jashtë poezisë së Kujtim Murataj nuk mund të mos trajtohej edhe ajo pjesë e jetës së tij që kaloi në burgjet e zeza të Enver Hoxhës. Poeti evidenton faktin çnjerëzor se diktatura nuk kënaqej me vitet e gjata të burgimit të rëndë dhe punen e rëndë nën tokë, por edhe kur i burgosuri lirohej ai ndiqej e suverjohej nga spiunët, kalecët, thotë poeti:

Nuk më ndahej një dreq kalec,

Por më ndiqte pas si një manar,

Ndoshta do tu vleja si dordolec,

Për të trembur shpendët në arë. [“Rrinë të fshaur”, f. 55]

Dhe natyrisht poeti nuk mund të linte pa prekur edhe ata oficerët e zinj të asaj organizatës kriminale, terroriste të Sigurimit të Shtetit komunist:

Pas kollaros fshehin krimin,

Dhe hiqen shpesh si babëlok,

Si ca deputetë që s’dinë himnin,

Po si hajdutë nuk kanë shok. [“Pas kollaros”]

Një thirrje qytetare në emër të së vërtetës bën poeti kundër xhelatëve të diktaturës, pasi ata nuk u gjykuan dhe nuk u dënuna për krimet, dhunën dhe terrorin e ushtruar mbi popullin shqiptar, ndërsa xhelatët vazhdojnë të shijojnë frytet e lirisë, padrejtësisht goditen e përbuzen viktimat e tyre që “për të hedhur lumin”, për të shpëtuar kokën, a për të shpëtuar fëmijën ndofta u dhanë informacion xhelatëve të tyre:

Po i turren vuktimës si çakenj,

Dhe për xhelatë nuk flasin kurrë,

Ca ndër ta u bënë të mëdhenj,

Dhe kryqit sërishi i bien me gurë. [f.100]

Do ta përfundonin këtë kapitull të poezive të tij me përkufizimin ai vetë  jep për burgjet e diktaturës komuniste: “Dante kur skicoi atë ferr, patjetër do ketë qënë në Spaç”  . Pas i prenë ëndërrat e rinisë në mes, pasi e prangosën, pasi e dënuan sepse me vetdije iu kundërvu ideologjive të huaja të vendosur me dhunë ndaj shqiptarëve, vjen pyetja se në ç’pozitë është poeti sot në moshën e thyer. Ai na i thotë vetë pozicionin e tij:

Dhe ndihem krenar sado pak,

që i këndova kaq shumë lirisë,

Dhe sa herë që pështy gjak,

Do mallkoja këlyshët e Serbisë. [f.72]

Në poezinë e Kujtimit prej fillimit deri në fund analizohen dhe kritikohen hallet dhe problemet e shoqërisë sonë, kështu poeti ndërsa udhëton në detin Jon, ja heqin humorin ca bunker! Po kështu poetit i shfaqen fantazmat e diktaturës komuniste, në forma të ndryshme, me figuracion të larmishëm ai e cilëson diktatorin herë si Neron, herë si korb e herë si sorrë, herë si vampirë, herë si pervers, dhe herë me klithmat: “Duam babën”:

E ky bastard që veten adhuroi,

Dhe si vampire, hyri në çdo oxhak,

Mbi piedestalin e ngjizur me gjak.

 

Vasha në poezinë e Kujtim Muratit

Poeti e barazon vashën me poezinë. Vashën e lartëson, e përgëzon, e hijeshin e takon në errësirë, buzë detit Jon, e quan univers, sy kaltër, në aeroport do rreket t’i marrë një puthje etj. Si duket nxitohet të plotësojë difiçitin që ia vodhën xhelatët  në rininë e tij.  Shpirti dhe zemër poeti s’ka sesi të lihej pa i kënduar ndjenjës sublime njerëzore, dashurisë. Vasha e bukur dhe dashuria si ndjenja më e lartë njerëzore gjen pasqyrim e shpërthim në poezinë e Kujtimit. Edhe në errësirën e burgut ëndërron vashën dhe i thur poezi asaj, pasi poetit mund t’i burgosësh trupin, por s’mund t’ia burgosësh idetë dhe ndjenjat. Idetë dhe ndjenjat e poetit i shpërthejnë hekurat dhe dyert e burgjeve ku u mbyll Kujtim Murataj. Ëndërrat e ndërprera nga burgu vijnë e shfaqen me forcë tani vonë në muzgun e jetës:

Tek isha në pranga dhe bëja lutje,

Vegime nimfash më vinin shpesh,

Dhe befas ëndërrat më çonin tutje,

Madje shumë herë dhe sipër resh. [f. 127]

Poeti tregohet zemër gjerë me vashën e bukur, edhe kur ajo qëndron indiferente ai i thur poezi duke dëshmuar shpirtin e tij qytetar e human:

Edhe në varr pa asnjë dilemë,

Nuk do t’i fshihesha të vërtetës,

Edhe po më pyetën do t’u them:

Që vasha do ish poezi e jetës. [f.20]

Herë herë edhe me fjalë të zakonëshme poeti arrin ai të na emocionoi dhe të na lërë mbresa për vashën e bukur:

Luaja shpesh me fjalët e tua,

Gjersa një ditë prej lagjes ike,

Atëherë e ndjeva se për mua ,

Ti ishte më shumë se një mike. [f. 58]

Burgi i kishte burgosur edhe ndjenjat e njerëzore të dashurisë dhe këo ndjenja vijnë e zgjohen me vargun në moshë të thyer. Kështu që autori ka mbetur difiçt nga ndjenja e dashurisë. Kjo është arsyeja që prej fillimit deri në fund ai thotë:

Dhe mes lulesh sërish spikat,

Me sytë e kaltrët tamam si det,

Do desha atje të zhytesha gjatë,

që të mos humbisja si një asket. [f.62]

Ose më tutje në errësirën e burgut të Burrelit dhe të Spaçit:

Me fanitet vasha me sy blu,

Po aq e shtrenjtë dhe tërë nur,

Për të do ulesha gjer në gju,

Madje dhe sot që jam burrë. {f.64}

Kaq thellë vasha e bukur e ka pushtuar dhe tronditur saqë e krahason me nënën:

Por falë Zotit më erdhi poezia,

Ndoshta për nënën dhe për ty. [f.65]

Është e pranueshme dhe e kuptueshme që vashë e bukur me sy të kaltër buzë detit Jon e takojnë në vijueshmëri në poezinë e Kujtim Muratit dhe kjo s’ka sesi shpegohet ndryshe veç asaj se poetet nuk ngopen me një godë, shpirti tyre kërkon një oqean të të tërë, për t’u kënaqur e ngopur.

 

Këngët e detit

Si vlonjat deti i bukur pa fund e pa anë është i pa ndarë nga poezia e Kujtimit. Deti për të është madhështi, kënaqësi, frymëzim, shok dhe mik që qan hallet me të veçanërisht, Joni. “Nuk gjen det në tërë globin, të jetë kaq magjik sa në Jalë”. Ka disa dukuri të tjera të poezisë së Kujtim Murataj që me të njëjtën fuqi emocionale dhe ide trasmetohen tek lexuesi. Kështu ai flet për poetët e vrarë, luftën për liri, për pranverën e përgjekur të vitit 1997, duke denoncuar me emër ata që shtynë popullin në vëllavrasje, dogjën Shqipërinë dhe Vlorën e tij, flet për padrejtësinë e shoqërisë njerzore:

Po kush bëri për vendin mirë,

Mjerisht do vdiste në merak,

Dhe kush e shiti për një birrë,

Patjetër që do bëhej oxhak. [f. 134]

Dhe natyrisht s’mund të mos fliste edhe për kollën e thatë të tij si peshqesh nga qelitë dhe sjellja çnjerzore e xhelatëve komunistë.

Nuk ka poet që nuk është adhurues i agimit, pasi agimi është fillimi i shpresës i jetës drejt dritës e diturisë, kështu edhe Kujtimi në shumë poezi të tij në forma të ndryshme hasim fjalëm agimi, agon.

 

Përse poezia e Kujtim Murataj na mbetet në mëndje pasi e lexojmë?

Poezia e Kujtim Muratit është poezia e kohës, pasi ai na tregon plagët tona. Në gjithë poezinë e tij vihet re mjeshtëria artistike e vargut dhe poezisë që lexohen me lehtësi e kënaqësi, kështu që me katër librat e botuar ai mbetet një zë i qartë poetik. Në botimin e veprës së katërt  Kujtim Murataj na paraqitet si një poet me ndjeshmëri njerëzore dhe artistike, por edhe si një qytetar që ndin përgjegtjësi për vendin e popullin e tij. Kujtimi me veprën e tij bëhet përfaqësues i asj letërsie të quajtur letërsi e burgut, por që me talentin e tij del jashtë kësaj letërsie. “ Kujtim Murataj me letërsinë e poezinë e tij qëndron dinjitoz me jetën dhe veprën e tij në këtë plejadë qëndrese, fisnikërie, kulture e qytetarie. Sepse qëndresa që ai dhe shokët e tij të burgosur i bënë diktaturës, ruajtja e vlerave njerëzore, fisnikërisë e qytetarisë i shndërruan Kujtimin dhe ata qindra heronj të tjerë si ai në modelin ndaj të cilit duhet të përulemi me respekt”, shkruan deputeti Bujar Leskaj.

Testamenti i Kujtim Murataj janë librat e tij, veprat e tij të cituara në hyrje të këtij shkrimi. Poezia e Kujtim Murataj është realiteti i diktaturës komuniste dje dhe shpresa e ditëve të sotme që shoqëria jën të gjej udhën drejt qytetërimit europian. Kujtim Murataj është poet me një frymëmarrje të gjerë poetike, me figuracion të larmishëm, poet që me poezinë e tij sjell ide, mesazhe dhe emocione. E për këtë mjafton të citojmë tre poezi:

Hëna po krihej në paradhomë,

Për të qenë e bukur në takim

Janë rrekur plot ilirë e grekë,

Madje dhe unë bëra një hap,

dielli ka mijëra vjet që e ndjek,

dhe akoma s’ka arritur ta kap. [Prapë hëna, f. 78]

Po me këtë forcë bukurie dhe emocionale janë edhe poezitë: “Hëna”, “Poezia”, “Yjet dhe vasha”, Në poezinë “Prapë këngë” f. 105, poeti  thotë se i ka dhënë këngës:

Shpatë të larë në ar,

Të hapte udhët edhe në shqotë,

Mandej i dhash dhe një kitarë,

Ti binte rreth e qark nëpër botë.

Poezia e Kujtimit përshkohet fund e krye prej një figuracioni të larmishëm letrar, kryeisht metafora, por edhe krahasimi, përcaktimi, cilësorët etj. Shumë poezi të tij janë akuza të drejtpërdrejta për regjimin dhe kreun e tij, po aq fshikulluese për spiunët e servilët. Në fund do të thoshim se që nga titulli i librit të tij bluja e mbizotëron edhe poezinë, bluja që ngjall shpresë e optimizëm, bluja e qiellit dhe e detit, bluja e shpirtit të poetit, pra poezia e tij është shpresë.   Poezia e Kujtimit është thurur me gjuhën e thjeshtë të popullit, herë herë me ndikimin e gjuhës së qytetit tij të lindjes, por me talent ai i vë fjalët dhe fjalitë në vendin që duhet duke e bërë edhe fjalën e thjeshtë edhe shprehjen e zakonëshme me fuqi emocionale, pra ai di te thurë poezi. Si vërejtje korektimit gjuhësor dhe redaktimit nuk i është kushtuar kujdesi i duhur dhe poezitë paraqiten me gabime gjuhësore.

 

Please follow and like us: