Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: AMANETI I GJYSHIT…

Tregim

 

Gishti mbi hartë…

Tregimet e gjyshit për vendin e vogël malor buzë detit i kishin mbetur në mendje që në fëmininë e saj. Ndërsa mësonte të notonte në pishinat, apo në  brigjet oqeanike të Australisë, ajo kujtonte përkëdheljet e tij dhe tregimet nga vendi i largët. Dëshira për të parë nga afër këtë vend rritej me vitet që kalonin.

…Një ditë në shkollë mësuesja e gjeografisë po shpjegonte kontinentin europian. Ajo pa në hartë vendin e vogël, të cilin gjyshi ja kishte treguar shumë kohë përpara e papritur e nxiti atë, padashur për t’ju drejtuar mësueses, me padurimin për të thënë të gjithëve aty, atë që e mbante si një zbulim të madh.

– Çfarë do të thuash, Eva? – e pyeti mësuesja.

Ajo u ngrit instiktivisht nga tavolina e saj dhe këmbët e vogla ju afruan ekranit të madh, ku pranë qëndronte mësuesja. Të gjithë po e vështronin me vëmendje veprimin e saj. Ajo zgjati krahun mbi hartën e Europës dhe vuri gishtin mbi tokën që i kishte treguar gjyshi.

– Kjo është ALBANIA,- tha ajo duke parë në sy mësuesen.

Mësuesja vuri re se në fytyrën e vajzës i hypi një i kuqëremtë i bukur dhe sytë po i shndrrinin plot zjarr.

– Ç’mund të na thuash gjë tjetër? – pyeti mësuesja vogëlueshen.

– Gjyshi më ka thënë, – vazhdoi vogëlueshja, – se ai është një vend magjik, shumë i bukur, ka male të lartë, por ka edhe lumenj, liqene e dete ngjyrë blu, – ajo ndali pak dhe vështroi nga nxënësit e klasës, të cilët ishin hutuar dhe nuk po kuptonin çfarë po ndodhte. Mësuesja buzëqeshte.

– Dhe unë kur të rritem, do të shkoj atje patjeter, sepse aty ka lindur gjyshi im,  – vazhdoi ajo duke ju drejtuar dritares së klasës, që përkonte nga ana e oqeanit, si për të treguar pikërisht udhën nga mund të niseshe për të shkuar në vendin e vogël magjik…  

Kurreshtja shtohej për këtë vend nga viti në vit. Kur gjyshi mbeti pa gjyshen, ish mësuese, e cila ishte me origjinë nga Irlanda, një ditë ajo i shkoi atij në vilën ku jetonte. Tashmë, ajo ishte goxha e rritur dhe ishte bërë një notare e mirë duke fituar disa nga garat e rëndësishme të Australisë. Ajo, e përqafoi  gjyshin e ulur në një poltron aty pranë dritares.

– Po si u largove nga ai vend aq i bukur, gjysh? – i tha ajo, kur hapi bisedën e vendit të vogël magjik nga e kishte prejardhjen gjyshi.

Gjyshit i kishte ardhur e beftë pyetja, sa që nuk po e kuptonte pse po e bënte tani ajo atë? Ai kurrë nuk e kishte trajtuar këtë moment në bisedat e tyre. Ai hodhi veshtrimin nga dritarja dhe tek shihte bregun e detit tutje përhumbi në kujtimet e asaj kohe…

…Isha i sapodiplomuar dhe kisha kryer disa nga punimet e rëndësishme të bonifikimeve në vendet ku malarja po bënte kërdinë. – vijoi i qetë tregimin e tij. Ajo ju afrua edhe më pranë dhe i shtrëngoi dorën e dobësuar, vendosur mbi dorezën e kolltukut. Ai e ndjeu përkëdheljen e saj dhe energjia e tij u ndez, për t’i plotësuar dëshirën mbesës së tij… Kështu e shtrëngonte dorën e saj, fort tek dora e tij, që kur ishte e vogël, kur ata qëndronin pranë e ai i tregonte për vendin e largët nga kishte ardhur.

…Ishin ditët e para të prillit të 1939. Ëndrrat për inxhinierinë shqiptare të ujrave u ndërprenë, pasi kudo ndjeheshin erërat e pushtimit të huaj italian. Ai vet kishte studiuar në Harvard të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i diplomuar në universitetin më të mirë të botës, ëndërronte të kishte lirinë e tij të demostrimit të profesionit, aq të dëshiruar. “- Atë ditë, që vendosa të largohesha, ishte ditë e bukur, kur lulet po shpërthenin nëpër pemë dhe bari po rritej”- vazhdoi gjyshi tregimin e tij…

 

Largimi dhe sytë e nënës…

…Ai kishte veshur kostumin e ri dhe në krah mbante edhe pallton. Vendi ku do të shkonte, pranvera nuk do të ishte aty. Nëna, doli tek pragu, por nuk e dinte planin e tij. Ajo ishte mësuar me ikje-ardhjet e tij. Por, kësaj rradhe ndjeu se një hije e fshehur brenda shpirtit të tij i kishte shqetësuar vështrimin, i kishte hequr buzeqeshjen. Asaj i bëri përshtypje valixhja më e madhe dhe palltoja në krah.

– Ku po ikën bir?- i tha ajo me sytë e shqetësuar. Ai e vështroi në sy dhe e puthi fort duke e shtrënguar.

– Pak, kohë dhe do kthehem shpejt. – i tha, por ajo nuk e besoi. Ajo e ndjeu se nuk do ta shihte shpejt.

– Po pallton pse po e merr tani ku vera është pranë?- e pyeti ajo duke i prekur krahun.

Shoferi i erdhi pranë, i cili në vesh i tha:

– Zotëri do të vonohemi.

Ai i morri pallton dhe valixhen, të cilat i futi në makinën e udhëtimit.  

– Mos u bëj merak nënë! – Ajo, ndjeu shtrëngimin e fort dhe puthjen e të birit ndërsa në zemër rrahjen e saj të pazakontë. Dora e ngritur lart i ngriu ndërkohë që sytë e saj shoqëruan makinën e zezë të vogël tutje midis pishave. Ajo dalloi mes lotëve edhe njëherë të birin, që nxorri krahun e tij nga dritarja e makinës. Ajo ditë do të mbetej gjatë në kujtesën e saj, deri sa ai të vinte, pas afro 30 vjetësh për ta takuar, por tashmë me nusen nga Australia dhe dy djemtë e tyre. Gjatë gjithë atyre viteve, ai kishte bërë mjaft emër në inxhinierinë e ndërtimeve ujore, duke realizuar ndërtimin e mjaft veprave hidrike në mbarë botën…

 

Ai hoqi sytë nga deti dhe vështroi Evën. Ajo kishte sy blu, të bukur dhe vështrim shumë të ngjashëm me nënën e tij në Tiranë. Atij i kishte mbetur peng në shpirt, që ata sy të saj nuk i kishte parë para largimit nga kjo botë. Ngjyra e detit dhe vet jeta e tij ishte e lidhur me të, me lumenjtë, liqenet. Ai u përlot dhe mbështeti kokën në kolltuk, gati i humbur.

– Gjysh si je?,- gati bërtiti Eva. Ajo pa lotët e tij. Ai burrë nuk ishte përlotur kurrë në sytë e saj.

– Vendi im është një mrekulli. – shpërtheu plaku mes lotësh. – Ai është një vend xhevahir, të cilin duhet ta njohësh bijë…- tha ai.

Ajo mbrëmje vetëm për vetëm me gjyshin kishte mbetur për Evën si një oaz ëndrrash dhe përfytyrimesh, të cilat kishin arritur kulmin e përfytyrimit tek ajo. Fjalët e gjyshit, i cili pas disa kohësh kishte mbyllur sytë ishin bërë mesazhi i jetës së saj, një amanet në këtë botë të madhe dhe të rrëmujshme, plot ngjarje dhe sfida… është një vend xhevahir, të cilin duhet ta njohësh bijë…- I vinin si jehonë nga larg këto fjalë, sidomos kur ajo i shkonte pranë… tek varri i tij në Australi. Ato përplaseshin në brigjet australiane, përpiheshin në ujrat oqeanike dhe treteshin në hapësirat qiellore duke kaluar male e lugina dhe të ripërtërira mbrrinin në vendin e vogël të quajtur ALBANIA…

Sfida e Otrantos

Kishin kalur 15 vjet nga ai takim buzëmbrëmje me gjyshin dhe ajo ishte bërë një avokate e njohur në Sidnei… Por sa herë hypte bordit të avionëve dhe anijeve në udhëtimet me detyrat e saj si avokate mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut, asaj do t’i shkonte vetëtimthi si shkreptëtime mendimi tek Shqipëria. Kushurinjtë që kishte njohur në vitin 2015, në Berat dhe Tiranë, e kishin frymëzuar dhe etja për ta njohur më mirë Shqipërinë i shtohej nga dita në ditë. Ajo po njihte historinë e vendit të gjyshit, po kuptonte botën shqiptare me korrespondecat që kishte krijuar. Por, nuk mjaftonte me kaq. Amaneti i gjyshit ishte ajo që i shkonte menjëherë në mendje, sa herë që prekte diçka nga bota shqiptare.

*  *  *

Ndërkohë që po drejtonte me makinën e saj nëpër rrugët e Sidneit, një mesazh nga Tirana u shfaq në ekran. Ajo vinte nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë. Autoritetet shqiptare, po i kthenin përgjigje kërkesës së saj. Ajo lexoi rrëmbimthi mesazhin e ardhur, në një udhëkryq, semafori. Fytyra i buzëqeshi dhe ndërkohë që shihte nga pasqyra makinën pas, e cila po i binte borisë, asaj do ti mbeteshin në mendje fjalët: “Jeni e mirëpritur të vini në Shqipëri, nuk do të ketë asnjë problem. Do të respektohen rregullat e njohura ndërkombëtare, kur kalohet kufiri me not”. Ajo sa nuk fluturoi nga gëzimi dhe makina bashkë me të mori krahë. Iu deshën disa ditë të koordinonte me bashkëpunëtorët për të hartuar planin e nisjes nga Australia dhe akomadimin në Itali. Ëndrra e saj po bëhej realitet dhe një pjesë e amanetit të gjyshit, do të plotësohej ashtu siç ajo e kishte menduar. Ajo kishte vendosur të bëntë sfidën e jetës së saj. Ajo do të kalonte Otranton me not nga Brindisi i Italisë në Vlorë. E kishte menduar gjatë, por edhe përvoja e fituar gjatë këtyre viteve, duke kryer distanca të gjata notimi, i kishte krijuar besimin dhe sigurinë, edhe për këtë sfidë. Ajo kishte parë bukuritë e vendet historikë, të cilat ja kishte rrëfyer me kënaqësi shumë ditë e netë gjyshi. Kështjellat në Berat, Shkodër e kishin krenuar. Kishte qenë në vendin e lindjes së gjyshit, në Berat,ku kishte njohur kushurinjte e saj. Ajo shkoi në Lezhë aty ku ndodhej vendvarrimi  e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit. Ajo kishte parë kanionet e famshme në Këlcyrë dhe mjaft male; nga Kruja e deri ne Alpet e veriut. Dhe këto ishin bërë në disa nga udhëtimet e fundit, por ëndrrën e lidhur me pasionin e notimit, për të kaluar Otranton, nuk mund ta linte pa e provuar. Kjo do të ishte sfida e jetës së saj, por kjo do përmbushte edhe amanetin e gjyshit. A mund të kapen gurët xhevahir aq lehtë? Otranto, kanali i frikshëm për mjaft emigrantë, që kishin kaluar dikur nga Shqipëria në Itali, ishte gjithçka dhe sfidë për të. Ajo kishte vendosur ta sfidonte, si femra e parë, që do t’i sillte krenarinë dhe do t’i jepte kuptim asaj lidhjeje të fortë të ëndërruar, si mirazh në vendin e bukur magjik,me të cilin kishte “biseduar” që nga fëminia e saj. Dhe një nga ëndrrat më të forta ishte kalimi i kanalit te Otrantos me not. Tashmë mbetej vetëm realizimi.

*  *  *

Kur mbritën në Itali, koha ishte e trazuar dhe ditët e paqëndrueshme. Parashikimi për gjendjen e motit ishte mjaft e paqartë. Kur frynte erë apo dielli shkëlqente e më pas retë lundronin në qiell duke lëshuar papritmas shiun e rrëmbyeshëm, sillte panikun e momentit. Ekipi shoqërues, tranieri dhe mjeku pasi bën ekzaminimet mbi gjendjen fizike të saj, vendosën se çdo gjë ishte brenda kufijve normal për një sfidë të tillë. Mbi 91 km do të notohej papushim dhe pa u kapur asnjëherë në barkat shoqëruese. Ky ishte rregulli i këtij sporti.

Në vilën e pushimit, në Itali u ndje zilja e telefonit. Eva dëgjoi zërin e një vajze që fliste anglisht. Ajo fliste nga Tirana. Kërkonte një intervistë nëpërmjet skype. Ajo e pranoi dhe pas disa orësh u ndodh në vendin, ku do të fillonte aventura. Gazetarja nga Tirana ishte e televizionit kombëtar nga më të shikuarit. Lajmi për sfidën e saj u përhap shpejt, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në disa media lokale të Pulias, të cilët erdhën tek rezidenca e saj, hoteli ku ishin akomoduar. Ajo, po ndjente nga ora në orë, se iniciativa e saj po merrte famë. Ju bën mjaft pyetje dhe shumë urime, të cilat u përhapën shpejt edhe në rrjetet sociale.

…Ekipi ishte gati atë mëngjes për të nisur aventurën. Ajo ishte me shumë emocione. Po mundohej të përmbante rregullin dhe disiplinën që i kërkonte ai lloj sporti. Por, ndjente një farë shpërqëndrimi. Kishte panik? – “Jo, kjo s’kishte për të ndodhur kurrë….” nga se do të kishte frikë? Ajo ishte mësuar të notonte me delfinët oqeanikë, dhe peshqit e llojeve të ndryshëm. Ajo ishte bërë pjesë e kësaj bote të ujit dhe e quante veten një banore e natyrshme e saj. Por, kësaj radhe, diçka po e mundonte nga shumë raste të tjera. Çfarë ishte vallë? Ajo do të zhytej në ujë dhe më pas gjithçka ishte në dorën e saj. Uji i kripur i detit është më i favorshëm se ai i liqenit. Ajo kishte notuar edhe mbi liqenet e Zvicrës dhe kishte arritur suksesin. Otranto ishte vërtetë det, por rrymat e saj ajo nuk i njihte në praktikë. Eva kishte marrë mjaft informacion edhe për shumë fenomene, që kishte kjo zonë. Orët e minutat iknin me vrap dhe ajo tashmë duhej të ishte gati për çdo gjë. Çdo gjë ishte menduar dhe duhej kryer në kohën e vet.

*  *  *

Mëngjesi i asaj dite vinte i bardhë nga vendlindja e gjyshit. Ajo e pa në sy diellin rrezatues, i buzëqeshi dhe e veshur me kostumin e notarit morri vrrullin drejt bardhësisë së atij rrezatimi. Ajo nisi aventurën. Shkëlqimi i fort, i atij dielli i kujtoj fjalët e arta të gjyshit “ai vend është si një gur xhevahiri”. Ajo po shkonte drejt atij shkëlqimi, do të harxhonte tërë energjinë e saj, talentin dhe përvojën për kapjen e këtij xhevahiri.

Maratona ujore e Sirenës…

Nuk do ta besonte njeri, por fakti ishte fakt. Orë maratonomaku mbi ujë. Radio ku dëgjoheshin biseda të shkurtra, celulare që binin pa pushim. I ati dhe e ëma e Evës, të ardhur nga Australia, prisnin në Vlorë. Komunikohej gati çdo minutë për gjendjen e saj. Ata nuk fjetën tërë atë natë ndërkohë që, “Sirena” ujore rrëshqiste mbi ujrat e Otrantos. Krahët e saj përplaseshin fort në ujë duke shtyrë trupin gjithnjë e më afër brigjeve shqiptare. Kishte kaluar e tërë nata dhe ishte rizbardhur bregu matanë. Ajo rrëshqiste mbi Otranto drejt Vlorës. Ajo ndjente lodhjen, por jo dorëzimin. Ajo ndjente se kufijtë e saj të fuqisë ishin në limitet e përfundimit, por jo vullneti dhe dëshira. Ajo po luftonte me dallgët që u krijuan nga erëra të paparashikuara. Ajo ndjeu kafshimet dhe lëngun djegës të shumë oktapodëve dhe qenieve ujore të panjohura më parë, por trupi i saj nuk ndalej. Ajo ecte dhe sytë i shikonin jo shumë larg tokën e gjyshit… Ajo ndjeu që tranieri i bërtiste, që të ndërpriste garën, por ajo shikonte vetëm bregun. Lëvizjet ishin bërë më të ngadalshme, më të mundimshme, por ato nuk u ndalën. Frymëmarrja ishte vështiresuar nga ënjtja e lëngut djegës të mjaft qenieve ujorë të çuditshëm dhe oktapodëve. Ajo nuk po ndalej, por një litar u hodh mbi trupin e saj dhe e tërhoqi atë. Ajo ishte akoma në ëndrrën e saj, por jo ajo nuk mund të vazhdonte.. aty, ajo ishte ndërprerë përkohësisht… ajo ra në gjumë.

Premtimi…  

Kur u përmend ajo pa Lindën, njerën nga kushurirat. Ajo i fërkonte krahun e kafshuar nga… dhe askush nuk e mësoi se nga cili peshk, oktapod apo… Ajo hapi sytë më shumë dhe vuri re se shumë njerëz po hynin e dilnin në dhomën e saj të spitalit në Vlorë. Ajo pa mjaft kamera dhe aparate fotografikë pranë shtratit të spitalit. Ajo ndjeu interesimin e një publiku të veçantë, që pak e njihte. Tregimet e gjyshit mbi gjithçka do të rikujtoheshin në ato momente të vështira. Sy njerzish, që e ndiqnin me vëmendje, fëmijë që i vinin nga pas. Telefonata të shumta nga Shqipëria, Australia dhe miqtë e saj në shumë vënde në botë, mesazhet pafund i hoqën hidhërimin e përpjekjes së parë, të humbur përkohësisht. Ajo ndjeu frymën e gjyshit që i rrihte në vesh me fjalët e arta: “Ai është një vend xhevahir, të cilin duhet ta njohësh bijë”. Ajo, sapo kishte prekur e ndjerë bukurinë e atij vendi magjik, duke vërtetuar fjalët e gjyshit. Ajo do të kthehej përsëri vitin tjetër, në ujrat e Otrantos për të realizuar ëndrrën e saj, amanetin e gjyshit.

 

Tiranë, më 1 shtator 2023.

Please follow and like us: