Dr. Vlora Obertinca: Formula e qetësisë dhe lumturisë brenda vetes
“Në rrugëtimin njerëzor nuk është parametër vlerësimi pasuria e krijuar por, veprat dhe ndikimi i tyre që len pas në shoqëri dhe histori“, Dr. Vlora Obertinca.
Çdo ditë që e jetojmë ikën sa hap e mbyll sytë. Aq shpejt ikin ditët, muajt dhe viti sa që nganjëherë nuk jemi të vetëdijshëm fare. Sa njerëz kanë ikur nga kjo jetë dhe sa të tjerë kanë ardhur në këtë jetë, është diçka që rrallë herë e mendojmë. Po jetuam në mënyrë mekanike dhe në limite materiale, i bie që s’kemi jetuar fare dhe në fund nuk do të jemi asgjë më shumë se një numër në statistikat demografike.
Kjo ngase, preokupohemi për së tepërmi me gjëra materiale dhe e lodhim veten për t’i krijuar e tejkaluar ato. Dhe një ditë kur i krijojmë ato sërish nuk jemi të kënaqur, nuk na mjaftojnë sepse e kemi pyetur egon dhe jo shpirtin se çfarë po kërkon. Dhe natyrisht egoja don ta shikojë veten mbi të gjithë… egoizëm sa më s’ka dhe sigurisht krijojmë shumë karma me apo pa vetëdijen tonë.
Secili nga ne ka nga një dhunti të lindur e cila na lumturon nga brenda vetëm kur e mendojmë, se lëre mē ta realizojmë atë çfarëdo qoftë ajo dhunti sepse është hyjnore.
Të dashurit e mi, mosha është vetëm numër dhe nuk është vonë kurrë që ta përmbushim anën tonë shpirtërore.
Andaj them, nëse keni krijuar një mirëqenie stabile në jetë filloni ta dëgjoni zërin tuaj të brendshëm se çka e bënë të lumur atë dhe kur e gjeni përgjigjen, mos keni frikë ta realizoni në realitet, qoftë të filloni të shkruani, të pikturoni, të udhëtoni, të ndërtoni… Çfarëdo qoftë ky pasion i shpirtit, është mision dhe leksion që keni marrë me vete me ardhjen në këtë jetë, në mungesë të realizimit të së cilit ndjeni boshllëk emocional dhe ndjeheni sikur asgjë nuk ju bën të lumtur.
Duke e tejkaluar egon ju do ta gjeni formulën sekrete të qetësisë dhe lumturisë brenda vetes dhe do jetoni jetën të lumtur e të balancuar emocionalisht si dhe do të keni mundësi ta lëni pas vetes një emër të ndritur e jo vetëm një numër në të dhënat statistikore. Filloni sot!
Please follow and like us: