Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: LIRI

Ti paske qenë e egër, liri dhe se dashuria dhe se durimi.
Paske qenë e egër liri.
Zemra, trupi në ty u provuan.
Prangat ranë. Mishrat, kockat na fluturuan përtej
Si predhat prej skeleteve.
Liri ti na paske qenë minë nga brenda robërimit.
Djemtë si ciflat e pemës që pritet u shkëputën nga trungjet.
Lakuriq si copa shkëmbi të verbër nau larguan.
Dhe vajzat nuk i mbanin më fustanet e varfëra,
Fustanet e prangave qepur në vatrat tona të kalbura.
Ti nai lëvize themelet, liri
Paske qenë më e egër si dallga e lumit, se dridhja prej tërmetit.
Dhe gruaja harroi foshnjën e gjirit, dhe nëna babain tim.
Ne po kërkonim veten,
po kërkonim shokët që nuk po i njihnim më.
Liri, zemra sa e një kau të madh
Sa një mal me pyjet e detet përsipër
Nuk mundi ta mbajë, e rrëzoi tej dushkun e durimit.
Dashuria nuk mjaftonte për ty, liri.
Ti, tufan që na hodhe jashtë vetes.
Dhe u nisëm të gjejmë rropullitë tona
Fije-fije shpërndarë tej kujijve, në troje të përhënura.
(Poezi e pabotuar, 1993).
Please follow and like us: