Albspirit

Media/News/Publishing

Baleti mbeti kur gjithçka sovjetike u shpall “revizioniste” dhe u ndalua

Valerij Modestov

Shqiptarët e quajnë vendin e tyre Shqipëri, ndërsa veten shqiptarë. Nëse do t’i besonim legjendës së lashtë, atëherë fjala “shqiptar” ka rrjedhur nga fjala shqipe shqiponja (shqipja). Sigurisht që filologët dhe historianët kanë versione më prozaike rreth kësaj, por gjithsesi mua më pëlqen kjo legjendë e bukur. Tek e fundit, në folklorin e pasur shqiptar, përfshirë atë mbi hedhjen e valles, shqiptarëve u mvishen të gjitha cilësitë e këtij zogu të fortë, të guximshëm dhe liridashës. Kanë kënduar e hedhur valle shqiptarët ngaherë, por kërcimi skenik është shfaqur në Shqipëri së voni. Përpjekjet e para, u përkasin viteve ’40 të shekullit të kaluar, kur pas Luftës së Dytë Botërore, në vend filloi të zhvillohej bujshëm vetëkrijimi artistik, në krye të të cilit erdhën profesionistë me përvojë. I porsalindur në vitet e luftës Ansambli i Ushtrisë Popullore (1944) u shndërrua në të parin kolektiv artistik, në Ansamblin Artistik të Ushtrisë Popullore. Më 1957, u krijua Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore, i njohur tashmë përtej kufijve të Shqipërisë dhe pjesëmarrës e laureat i shumë festivaleve apo konkurseve ndërkombëtare. Më 1946, pranë Shtëpisë së Rinisë në Tiranë u organizua studioja e parë e kërcimit për fëmijë, pjesëmarrësit e së cilës përbënin bërthamën e kolektivit koreografik të Filarmonisë shtetërore. Është koha e bashkëpunimit aktiv kulturor midis dy vendeve tona. Në Shqipëri erdhën koreografë sovjetikë (Georgij Pjerkun, Marat Gazijev, Kira Karpinskaja) dhe pedagoge (Rushova, Dashkova, Caplin etj), më të talentuarit nga studio në fjalë nisën të mësojnë në licetë koreografikë të Moskës dhe Leningradit (sot Shën-Pjetërburg), si edhe në institucione të tjera mësimore të arteve në Bashkimin Sovjetik. Ndërsa në përbërje të ekipeve koncertore që vinin për turne në Shqipëri, kishte artistë të shquar sovjetikë të baletit. Në vitin 1951, gjatë festave të pranverës, baletmaestri moskovit, Georgij Perkun, me forcat e artistëve të rinj të studios, vuri në skenë fragmente nga baleti “Shatrevani i bahce sarajit” (muzika Boris Asafjev, libreti Nikollai Vollkov). Shfaqja u bë eveniment në jetën kulturore të Shqipërisë së asaj kohe. Në rolin e Han Girejit ekzekutoi Panajot Kanaçi, në rolin e Maries kërceu Ikbale Marina, në atë të Zaremës, Melanie Terca (balerina karakteristike e ardhshme e Teatrit të Vogël të Operas dhe Baletit të Leningradit (Shën-Pjetërburgut). Dy vite më vonë, në janar 1953, Pjerkun vuri në skenë baletin “Esmeralda” (muzika Cezare Puni, libreti Kamirova dhe Burmeister). Rolin kryesor e luajti M.Terca, ndërsa Klod Frolon, P.Kanaci. Në të dy rastet, Kanaci përformoi edhe në cilësinë e asistent/koreografit. Në vitin 1956, në Tiranë u përurua çelja e Teatrit Shqiptar të Operas dhe Baletit, tashmë edhe me një shkollë baleti. Kjo ngjarje përkoi me kthimin në atdhe të të diplomuarve të parë të artistëve të baletit, që kishin përfunduar me sukses studimet në shkollat koreografike të Moskës dhe Leningradit (Shën-Pjeterburg). Midis tyre, edhe solistët e ardhshëm (Zoica Haxho, Ganimet Vendresha, Agron Aliaj, Xhemil Simixhiu, Petrit Vorpsi etj), që njëkohësisht ushtronin pedagogjinë në shkollën e baletit, duke shfrytëzuar dijet dhe metodikat e mësuesve të tyre. Kështu që, baleti shqiptar në zanafillë u brumos dhe u zhvillua mbi bazat e traditës së shkollës ruse të baletit klasik. Njëra prej studenteve shqiptare, Milushe Bebeziqi, u ftua pas shkollimit të kërcente në Balshoi Teatër (ndërkohe, ajo ishte martuar me Georgij Perkunin, prandaj qëndroi në Moskë). “Në mënyrë të veçantë më bien ndërmend Agron Aliaj dhe Milushe Bebeziqi, – kujton Artisti i Merituar i Rusisë, Boris Berezin, i cili mori mësime atyre viteve në Shkollën Koreografike, pranë Balshoi Teatrit dhe kishte miqësi me studentët shqiptarë. – Të dy zotëronin një muzikalitet të rrallë. Agroni ishte një kërcimtar klasi i tipit europian, ndërsa në kërcimin e Milushes ndjehej ndikimi i kulturës orientale”. “Milushja ishte artiste e mrekullueshme, zotëronte një ndjenjë të lindur stili, kishte aftësinë të përcillte karakterin e personazhit, nuancime të holla të ndjenjave, – thotë Artistja e Popullit të Bashkimit Sovjetik, prima-balerina e Balshoi Teatrit, Olga Lepeshinskaja. – Por për role të mëdha solistësh, asaj i mungonte fuqia fizike; ajo u nda herët nga jeta, nga një sëmundje e rrallë e zemrës”. Po në vitin 1956, në degën e Mjeshtërisë së Baletit, të Institutit të Teatrit Artistik (kursi i prof. Shatinit) përfundoi studimet Panajot Kanaçi, i cili kishte përftuar ndërkohë një përvojë solide të punës praktike me trupa të ndryshme baleti në Shqipëri dhe në Bashkimin Sovjetik. Është me vend të thuhet, se ishte, pikërisht, P.Kanaçi që asistoi Igor Moisijevin, në vënien në skenë të kërcimit shqiptar në programin e tij, “Vallet e popujve të botës”, në kuadër të të cilit trupa e Asamblit të Valleve Popullore përshkoi në turne gjysmën e botës. Në arkivin personal të P.Kanacit, janë ruajtur fotografitë e tij amatore të punëve-diplome të baletit në institut, si ajo e “Franceska da Rimini” me muzikë të fantazisë simfonike të Pjoter Çajkovskit dhe “Paganini” me muzikë të Sergei Rahmaninovit; apo e punëve eksperimentale studentore, si ajo e duetit të Hajries dhe Bektash agës, me muzikë të Rahmaninovit, që u bë bazë e të parit balet kombëtar shqiptar “Halili dhe Hajria”, të cilin P.Kanaçi e bluante në mendje atyre viteve dhe që e vuri në skenë me 1963, në Tiranë ( muzika Tish Daia, libreti P.Kanaçi bazuar mbi dramën me të njëjtin titull të Kol Jakovës). Me rastin e përurimit të Teatrit te Operas, balerinët e rinj performuan në skenë me spektaklin “Përkujdesje pa dobi” me muzikë të Peter Gertelit, i cili në një masë të madhe ishte përsëritje e spektakleve, që ata kishin parë në Moskë e Leningrad, kurse pjesët kryesore ishin përgatitur në cilësinë e punëve-diplome me pedagogët e Shkollës Koreografike të Moskës. Premiera tjetër në vitin 1957 ishte “Romeo dhe Xhuljeta”, e venë në skenë nga baletmaestrja Kira Karpinskaja, me muzikë të  Pjoter Çajkovskit. Në të njëjtën kohë, trupa e baletit në mënyrë aktive merrte pjesë në turnetë e teatrit të operas anembanë vendit. Falë këtyre koncerteve, shumë shqiptarë, për herë të parë, u njohën me baletin klasik, i cili u bë shpejt njeri prej arteve më të dashura të skenës. Kjo u mundësua, në një masë të konsiderueshme, nga muzikaliteti  dhe prirjet e natyrshme valltare të artisteve të rinj, të cilët i habitën spektatorët me virtuozitetin e ekzekutimit teknik dhe numrat e baletit të mbushura plot emocion. Një vit më pas, më 1958, u shfaq premiera e baletit “Lola”, me muzikë të Sergei Vasilenkos dhe e vënë në skenë nga koreografi sovjetik Marat Gazijev. Në vitet 1959-1961, Skënder Selimi, i diplomuar në degën e baletmaestrit të Institutit të Arteve Teatrale, vuri në skenë tre balete: “Shurale” (muzika Farid Jarulin, libreti Faizi dhe Jakobson), “Faleta” (muzika Aleksander Krein, libreti Mandelberg). Sakaq, më 1961, me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, u shkëputën edhe të gjitha kontaktet e tjera ndërmjet vendeve tona. Prej ambicieve të pamata të Nikita Hrushovit dhe Enver Hoxhës, udhëheqësit e vendeve tona të asaj kohe, e pësuan, në radhë të parë, lidhjet humanitare dhe kulturore sovjeto-shqiptare (specialistët tanë u thirrën mbr
apsht, shqiptarët u larguan urgjentisht nga BS-ja për në atdhe). Miqtë e kishin të ndaluar të shoqëroheshin me njëri-tjetrin, ç’mund të kishte  gjë më të panatyrshme? U ndërpre bashkëpunimi kulturor, u shkatërruan fate njerëzore dhe krijuese. Gjithçka sovjetike u shpall “revizioniste” dhe u ndalua. Miqtë e sinqertë e besnikë në Shqipëri e paguan miqësinë tonë të përbashkët, me karriera të rrënuara, me burg, internime dhe ndonjëherë edhe me jetë. Vendi e rrethoi veten me perde të hekurt nga e gjithë bota, duke i mbyllur pasardhësit e “shqiponjave të maleve” në kafazet e padepërtueshëm të“parajsës komuniste”. Premiera e baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, e menduar nga P.Kanaçi me një stof liriko-epik, kushtuar luftës çlirimtare të shqiptarëve gjatë shek.XVIII, kundër zgjedhës së Perandorisë Osmane, u shndërrua nga udhëheqja e Partisë në një aksion propagandistik. Që prej kësaj kohe, në skenë viheshin vetëm balete të kompozitorëve shqiptarë me tema shqiptare (për hir të së vërtetës, do thënë, se disa prej tyre, falë talentit krijues u bënë ngjarje dhe fenomene të shquara në jetën kulturore të vendit). Përjashtim u bë për disa vepra klasike ruse si, “Franceska da Rimini” (muzika Çajkovski, koreograf Kanaçi, 1962), “Sheherezade” (muzika Rimskij-Korsakov, koreograf Selimi,1963), baleti i parë për fëmijë “Petja dhe ujku” (muzika Prokofiev, koreograf Selimi, 1964), “Paganini” (muzika Rahmaninov, koreograf Kanaci,1965), “Lola” (muzika Vasilenko, koreograf Aliaj, 1980). Në vitin 1981, ndodhi ajo, për të cilën gazetat shqiptare, për arsye të kuptueshme, nuk bënë me dije. Laureate e Konkursit të IV Ndërkombëtar të Artisteve të Baletit, që u zhvillua në Moskë, u be solistja e trupës së “Baletit klasik të Moskës”, Margarita Pjerkun-Bebeziqi (vajza e Milushe Bebeziqit dhe Georgi Pjerkunit), për të cilën  pedagogia e saj, Artistja e Popullit të BRSS-se, prima-balerina e Balshoi Teatrit, Marina Kondratjeva thoshte: “Midis nxënësve të mia Margarita tërheq vëmendjen me individualitetin e saj, me aftësinë e jashtëzakonshme për punë, muzikalitetin. Kjo artiste zotëron një lehtësi me atë kërcimin fenomenal që varet në ajër, gjë të cilën nuk e kam hasur te asnjë balerinë. Çdo spektakël i saj, është një zbulim më vete, çfarëdo roli të jetë ajo e ekzekuton me atë fuqinë fenomenale, si tek ajo vetë dhe me elegancë”. Është për të ardhur keq, që fati i Margarita Pjerkun-Bebeziqit, sikurse edhe i nënës së saj, Milushes, ishte tragjik: në po atë vit fitimtar për të, Margarita vdes në një katastrofe automobilistike. Kurse në Shqipëri njerëzit mendonin për ndryshim të kohërave. Vdekja e Enver Hoxhës (1985) ngjalli shpresa. Por era e ndryshimeve, që frynte nëpër kampin socialist në Europe, arriti, më në fund, në vendin e shqiponjave, veç në vitin 1990. U rivendosën edhe marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Rusisë. Këtë vit kemi një jubile të llojit të vet: plot 60 vjet më parë në Shqipëri u vu në skenë baleti i parë klasik “Shatrevani i Bahcesarajit”. Për baletin ky është afat i gjatë. Yjet e viteve ’50 po përcjellin përvojën dhe dijen e tyre të rinjve. Është ndarë nga jeta (1996) Mjeshtri i koreografisë shqiptare, P.Kanaçi, nuk qëndron më në krye të punëve të baletit shqiptar, balerini i talentuar i së kaluarës, Agron Aliaj, i cili e ka rekomanduar veten, si një koreograf jo më pak të talentuar. Shqiptarët marrin pjesë në konkurset ndërkombëtare të baletit. Disa punojnë jashtë shtetit, përfshire edhe Rusinë (Enton Hoxha ka kërcyer në Moskë në baletin e K.Uralskit “Valsi i orkideve të bardha”). Në skenën e baletit të Shqipërisë janë shfaqur spektakle të reja, si “Don Kishoti” (1990), “Dafnis dhe Kloja” (1992), “Romeo dhe Xhuljeta” (1993). Sidoqoftë, vetizolimi stoik 30-vjeçar nga e gjithë bota nuk ka kaluar pa pasoja. Baletit shqiptar do t’i duhet të bëjë shumë, që të kapërcejë kohën e humbur, si në gjininë klasike, ashtu edhe në baletin bashkëkohor. Detyra është e vështirë, por plotësisht e realizueshme, mbasi shqiptarët e kanë në gjak muzikën dhe kërcimin, por edhe për talent nuk i zëvendëson kush.

*Doktor i Shkencave Filologjike/Prof. në Institutin Letrar “Gorki”/ Anëtar i Kolegjit Redaksional të revistës “Baleti”/7.3.2012

Please follow and like us: