Japonia dhe ujërat e ndotur të Paqësorit!
Kryeministri japonez Fumio Kishida ju shfaq botës mbarë me pamje të transmetuara nga qeveria japoneze, duke ngrënë peshk “shumë të shijshëm” nga Fukushima! Këto pamje mbuluan pjesën më të madhe të madhe të mediave botërore!
Zona e rezervimit të ujit të ndotur radioaktiv në centralin bërthamor të dëmtuar në Fukushima(Foto:VCG)
Kishida në fakt ka konsumuar ushqimin e quajtur sashimi, një specialitet japonez që bëhet nga peshku i freskët, transmetuan mediat. Qytetaret e thjeshtë të Europës, të cilët nuk është se i ndjekin lajmet politike, kur kanë parë qeveritarët japonezë duke ngrënë peshk, padyshim kanë menduar se bëhej fjalë thjeshtë për interesa kulinare të këtij vendi të rëndësishëm të Azisë.
Më vonë mësuan se videoja u publikua pasi që Japonia së fundmi ka filluar me lëshimin e ujit të pastruar, nga mbetjet radioaktive nga centrali i shkatërruar bërthamor Fukushima në Oqeanin Paqësor dhe se Agjencia për Energji Bërthamore e Kombeve të Bashkuara, kish njoftuar se lëshimi i ujit do të ketë “ndikim minimal” tek njerëzit dhe në ambient.
Vendet fqinje mbeten nervoze, jo vetëm Kina dhe Koreja e Jugut…
Zëvendësministri i Jashtëm kinez Sun Weidong ka thirrur ambasadorin japonez në Kinë mbi njoftimin e Tokios në lidhje me fillimin e shkarkimit në oqean të “ujërave të ndotur” nga termocentrali bërthamor Fukushima.
Protesta në Seul të Koresë së Jugut kundër lëshimit të ujit të ndotur radioaktiv në det nga Japonia(Foto:VCG)
Kina ka ndaluar gjithashtu disa importe ushqimore nga 10 prefektura japoneze dhe industrinë vendase të peshkut. The People’s Daily e quajti ujin e trajtuar si “ujërat e zeza bërthamore” të Japonisë. Guvernatori i Hong Kongut, John Lee, ka urdhëruar qeverinë e tij që të zbatojë “menjëherë” shkurtime në importin e disa produkteve ushqimore japoneze.
Në Korenë e Jugut, ku importet e ushqimeve të detit nga ujërat pranë Fukushimës janë ende të ndaluara, një ligjvënës i opozitës paralajmëroi se “askush nuk mund të thotë ose të parashikojë me siguri se çfarë do të thotë hedhja e materialeve radioaktive në det për një kohë të gjatë.” .
Megjithatë për arsye të kuptueshme të marrëdhënieve gjeopolitike të fundit, Qeveria e Koresë së Jugut ka zgjedhur një rrugë më diplomatike dhe ka deklaruar: “Nuk shohim ndonjë problem teknik apo shkencor në lidhje me shkarkimin e ujit të trajtuar, por kjo nuk do të thotë se jemi dakord me planin”.
Protesta në Japoni kundër lëshimit të ujit të ndotur radioaktiv në det(Foto:VCG)
Peshkatarët në Filipine kanë kritikuar Japoninë për hedhjen e ujit të kontaminuar në Oqeanin Paqësor, duke u zotuar të zhvillojnë një tubim proteste përpara ambasadës japoneze në Manila për të përforcuar protestën e tyre kundër veprimit arbitrar të Japonisë.
Reagimet shkencore ndaj këtyre zhvillimeve të paqarta në rreziqe?
Nga ana tjetër, disa shkencëtarë pyesin në mënyrë më të hapur nëse qeveria japoneze dhe kompania që menaxhon termocentralin, Tokyo Electric Power, kanë qenë mjaftueshëm të qartë në lidhje me materialin radioaktiv që mund të mbetet në rezervuarët e ruajtjes nga të cilat uji i trajtuar do të derdhet për një periudhë prej rreth 30 vitesh?
Ken Buesseler, një radiokimist detar në Institutin Oqeanografik Woods Hole, i cituar nga New York Times, ka thënë se donte të shihte analiza më të hollësishme të asaj që mbetet në tanke, veçanërisht atyre që tashmë i janë nënshtruar disa trajtimeve.
Buesseler tha se ndërsa tritium është “një nga materialet radioaktive më pak të rrezikshme”, të tjerët, si ceziumi ose kobalti, mund të jenë më të rrezikshëm nëse lëshohen në oqean. Ai gjithashtu argumenton se qeveria japoneze nuk ka studiuar alternativa të tilla si ndërtimi i më shumë rezervuarëve ose përdorimi i ujit të trajtuar për të bërë çimento.
“Unë mendoj se ata thjesht duan zgjidhjen më të lirë dhe më të shpejtë” – ka konkluduar Buesseles.
Protesta në Fiji kundër lëshimit të ujit të ndotur radioaktiv në det nga Japonia(Foto:VCG)
Reagimet dhe protestat brënda vetë Japonisë
Një ditë më pas shkarkimit të këtyre ujërave në oqean dhe nën nxehtësinë përvëluese të këtij gushti, qindra japonezë nga i gjithë vendi u mblodhën para selisë së TEPCO në qendër të Tokios, duke kërkuar nga qeveria japoneze dhe TEPCO të ndalojnë hedhjen e këtyre ujërave në oqeanin Paqësore.
Protestuesit, duke mbajtur pankarta me vizatime të produkteve detare dhe Godzilla, brohoritën slogane “Nuk ka shkarkim të ujit të ndotur nga Fukushima” dhe “Ndaloni ndotjen e detit me ujë radioaktiv”.
Taeko Fujimura me Federatën Kombëtare të Shoqatave të Kooperativës Bujqësore të Japonisë, e njohur gjithashtu si Zen-Noh, tha se shkarkimi i oqeanit “nuk mund të falet” dhe ishte “jashtëzakonisht i paarsyeshëm”.
Organizata Greenpeace e Japonisë kritikoi menjëherë njoftimin e qeverisë japoneze për të filluar hedhjen e ujit radioaktiv nga termocentrali bërthamor Fukushima në Oqeanin Paqësor. Sipas shoqatës mjedisore, ky vendim injoron provat shkencore, shkel të drejtat e njeriut e të komuniteteve që jetojnë në Japoni dhe rajonin e Paqësorit dhe nuk përputhet me ligjin ndërkombëtar detar. Së fundi, sipas kësaj organizate ky vendim gjithashtu injoron shqetësimet e njerëzve, përfshirë ato të peshkatarëve.
Në një takim midis kryeministrit japonez Yoshihide Suga dhe Hiroshi Kishi, president i Federatës Kombëtare të Shoqatave të Kooperativës së Peshkimit, kreu i shoqatës së peshkimit përsëriti shqetësimet në lidhje me dëmin e reputacionit që mund të shkaktojë hedhja në Oqeanin Paqësor për produktet e peshkimit nga prefektura e Fukushimës.
Kishi i bëri thirrje qeverisë japoneze të ndërmarrë hapa për të trajtuar dëmtimin e reputacionit të industrisë dhe të japë shpjegime të shumta për vendimin e saj – duke përfshirë diskutimin e çështjeve të sigurisë – për peshkatarët dhe publikun e gjerë.
Administrata e Përgjithshme e Doganave e Kinës deklaroi ndalimin e importit të produkteve detare japoneze, 24 gusht 2023
Z. Geng Shuang zv. përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB bën thirrje komunitetit ndërkombëtar ta nxisë Japoninë të ndalojë lëshimin e ujit të ndotur radioaktiv, 25 gusht 2023(Foto:VCG)
Reagimi i vendosur i Kinës
Në konferencën e rregullt për shtypin të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, pyetjes së gazetarit të agjencisë franceze të lajmeve nëse ka ndonjë bazë shkencore kundërshtimi nga pala kineze i planit japonez për lëshimin e ujërave të ndotura bërthamore në det… Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin u përgjigj se ujërat e ndotura bërthamore në centralin Fukushima janë nga zemra e reaktorit të tejnxehur dhe janë krejtësisht të ndryshme nga ujërat e mbetura normale nga centralet bërthamore.
“Ato kanë karakter të ndryshëm, burim të ndryshëm e duhet të trajtohen në mënyrë të ndryshme. Pala japoneze i ngatërron me qëllim këto dy gjëra, gjë që pasqyron pikërisht mënyrën joshkencore të trajtimit prej saj të këtij problemi, si dhe synimin e saj për të mashtruar bashkësinë ndërkombëtare.” – deklaroi Wang Wenbin
Kina e kundërshton dhe e dënon ashpër këtë veprim dhe i ka paraqitur demarsh serioz palës japoneze, duke i kërkuar që të ndalojë këtë veprim të padrejtë, tha ministria e jashtme e Kinës në një deklaratë menjëherë pasi filloi procesi i lëshimit të enjten.
Sipas Konventës së OKB-së për Ligjin Detar, vendet kanë detyrim të mbrojnë dhe përmirësojnë mjedisin detar. Si palë nënshkruese e kësaj konvente, Japonia ndoshta duhet të mbajë përgjegjësi ligjore. Bashkësia ndërkombëtare gjithashtu ka të drejtë të plotë të përdorë mjetet ligjore dhe të kërkojë mbajtje përgjegjësie dhe dëmshpërblim prej Japonisë./CRI.CN