Dy poezi nga Katjusha Pogaçi
FJALA DHE HESHTJA
Mos mëno mërguar
Nëpër shteg e prag,
Fjala si kurorë
Heshtja si zambak.
Si hamall i fjalës
Matem diç të them,
Heshtja vjen kaluar
Nën mantel më mbledh.
Trokëllimë rrokjesh.
Ngrysem të dëgjoj,
Porse heshtja ulet
Ëmbël më mbulon.
Butë, butë e ngadalë
Me paqe më vesh…
Fjala si rrufe
Më ndan mespërmes.
Si në një balancë
Vetëtimë a shi,
Fjala bën ylberin
Heshtja qiellin gri.
E premte, 12 prill 2013.
ME CA KOKRRA MANAFERRE
Me ca kokrra manaferre kopsit bluzën në mëngjes…
Jaka sport e bardhë mëndafsh rrethon gushën butë sedef.
Për ku bëhesh kaq e bukur e me klas, moj bukuri
Në një zyrë ku qahet populli me gjithë ngjyrat varfëri.
I dëgjon, do t’i dëgjosh, ajo është puna qe ke
Po a mundet t’i ndihmosh, ti moj bluza kadife?!
Të kanë dhënë barrë të rëndë, s’është për ty ajo zyrë,
Ato zyra janë kot fare. Ato janë dreq me brirë.
Ato janë zyra sajesa për të thënë e për t’u tallur
S’ka nevoj për ato zyra kur ka kishë për t’u falur.
Nuk e zgjidhin hiç problemin statistikat nëpër letër
Me një kokërr manaferre ti e mbyll në drekë kuletën.
Edhe nisesh të drekosh me makinë për në shtëpi,
Pikë-pikë kullon rimeli, ç’është gjithë kjo varfëri?!
T’i përpiqesh të harrosh… Përmbi sofrabez pret supa
E ka bërë mami me gjalp, rreth e rreth i ka vënë fruta.
Si në një shilarës tundesh ndoshta thellë nuk e kupton
E në grykë shpesh të ngel buka, je e re, kjo të trishton…
Dhe e ndien, jo kështu, zgjidhen hallet për një popull
Me ca zyra llafazane varfëruar gjer në strofull.
Ti e sheh se duhet ndryshe të kërcasë serioziteti
Hap pas hapi duhen zgjidhur, ndryshe zgjidhjen bën mileti.
Dhe në ballë të rri një rrudhë, në ballin ku s’kishte re
Nuk ke faj, je pa përvojë, zyrë e rëndë, ti shumë e re.
Do kalojnë vite plot gjersa të kuptosh përse,
Manaferrat do këputen një nga një nëpër thile.
E enjte, 18 prill 2013.
Marrë nga libri “Jetoj për ty”.