Albspirit

Media/News/Publishing

USHTARAKU MADHOR QË SHËRBEU DENJËSISHT NË FORCAT E ARMATOSURA DHE NË POLICINË E SHTETIT

KOLONEL GJON VORFI – USHTARAKU MADHOR QË SHËRBEU DENJËSISHT NË FORCAT E ARMATOSURA DHE NË POLICINË E SHTETIT

 (Përgatitur në kuadrin e 65 vjetorit të lindjes së ushtarakut madhor Gjon Vorfi, i cili shërbeu denjësisht në Forcat e Armatosura me gradën “kolonel” si dhe dhe në strukturat e Policisë së Shtetit në Akademinë e Sigurisë)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Në rrënjët e oxhakut “Vorfi”

Është e njohur shprehja “Bënë baba të të ngjaj”. Shembullin e babait për atdhetari dhe përkushtim ndaj Atdheut, e ndoqi edhe i biri, Gjon Vorfi që në fëmijëri dhe përgjatë gjithë rrugëtimit jetësor. Gjon Preng Vorfi  është lindur më datën 27 Gusht 1958  në Sukagji të Lezhës, në një ambjent fisnik atdhetar, oxhakun e të cilëve nuk e kishin përkulur pushtimet dhe rrebeshet e kohës. Babai i Gjonit, Preng Pjetër Vorfi kishte lindur më 1920 në Sukagji, fshat i Lezhës me rreth 150 shtëpi. U përball me sfidat e jetës duke i dalë krah familjes, ndërkohë që u burrërua para kohe. Sikurse shumë nga bashkëmoshatarët e tij, ju bashkua formacioneve luftarake partizane. Ai ishte pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në BrVIIS, që bashkë me 20.000 luftëtarë të tjerë ishin kontribues për çlirimin e Shqipërisë por edhe të trojeve shqiptare në Kosovë, Bosnie e Hercekovinë dhe Mal të Zi, si ish-luftëtar i Brigadës së shtatë sulmuese. Në vitet 1945-1948 ka punuar në Vaun e Dejës dhe më tej edhe në Lezhë në qytet deri më 1958, kohë që u rikthye në fshatin e tij në Sukagji. Pas LANÇ-it krijoi familjen e tij dhe së bashku me bashkëshorten Gjela Nikollë Dedgjoni/Vorfi lindën, rritën dhe edukuan 9 fëmijë, katër djem dhe pesë vajza. Preng Vorfi ngeli përgjatë gjithë jetës një njeri i i nderuar dhe respektuar në krahinë dhe në qytetin e tij të Lezhës deri kur ndërroi jetë më 1979 në moshën 59 vjeçare.

 

Brigada e shtatë sulmuese e trimërisë, lavdisë dhe nderit

Bijtë e fisit Vorfi kanë qenë pjesë e antifashizmit shqiptar. Kështu në këtë Brigadë ka shërbyer edhe babai i Gjon Vorfit, Prenga. Djemtë, burrat dhe gratë që morën pjesë vullnetarisht në këtë brigadë i dhanë shpirt dhe zjarr luftës së madhe antifashiste të shqiptarëve. BrVIIS, është brigada e lavdisë, nderit dhe trimërisë partizane përballë murtajës fashiste në messhekullin e kaluar. Partizanët e kësaj brigade vinin nga formacionet më të vogla partizane të çetave dhe të batalioneve partizane, por që sollën eksperiencën e pasur në luftime në nivelet e larta të formacioneve luftarake. Br.VIIS u krijua më 17.3.1944 në Vlush të Skraparit. Në ditën e përurimit kishte 420 luftëtarë, të ndarë në tri batalione. Gjatë zhvillimit të Mësymjes pranverore të UNÇSH. BrVII S veproi në qarkun e Beratit dhe në krahinat përreth tij. Në maj 1944 u ngarkua për të mbrojtur Kongresin e parë ANÇ të Përmetit. Me fillimin e Mësymjes së përgjithshme armike të qershorit 1944 luftoi me sukses për mbrojtjen e rrugës Berat-Përmet. Pas kësaj, nga qershori në shtator, në bashkëveprim me forcat partizane të qarkut të Beratit, luftoi për çlirimin e këtij qyteti. Më vonë, bazuar në urdhërin e ShP të UNÇSH, Br. VII S u dërgua në Veri, duke kaluar përmes Sulovës, Belshit, Çermenikës, malësisë së Tiranës, krahinës së Matit dhe të Mirditës. Në tetor 1944 u rreshtua në DIIS të UNÇSH. Në përbërjen e tij ajo zhvilloi luftime të ashpra, sidomos në Shpal, në Gëziq e në rrugën Milot-Lezhë, ku çliroi Lezhën, zonën e Zadrimës dhe mori pjesë në luftimet për çlirimin e qytetit të Shkodrës. Me çlirimin e Shkodrës, BrVIIS e rreshtuar në DVIS të UNÇSH sipas urdhrit të Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH Enver Hoxha, kaloi në tokat e Malit të Zi, për të ndihmuar në çlirimin e këtyre krahinave nga gjermanët. Prej 12.12.1944 e deri më 7.2.1945, bashkë me Br VI S dhe BrXIIS kreu një varg luftimesh të përgjakshme kundër armikut, gjer në çlirimin e plotë të Vishegradit, e deri në në Bosnjë, Sanxhak, Kosovë e Maqedoni, duke fituar dashurinë e popujve. Në këtë kohë Brigada kishte 6 batalione me 1200 partizanë. BrVIIS ka kryer më se 120 luftime të ndryshme dhe ka përshkuar 3200 km marshime, nga radhët e së cilës ranë dëshmorë 232 partizanë. Partizani Preng Vorfi dhe partizanët e tjerë kanë pasur afër kuadro të shquar të luftës së asaj periudhe Ramiz Alia, Adil Çarçani, Myqerem Fuga, Niazi Demi, Tajar Grepcka, Nexhmedin Ballka, Foto Çami, Skënder Libohova (dëshmor), Guçe Stropani, dhe kuadro të tjerë drejtues të saj.

 

Karrierë e sukseshme ushtarake

Të dhënat për Gjon Preng Vorfi gjenden lehtësisht në Qendrës e Personel Rekrutimit (QPR), sikurse gjithë ushtarakëve të tjerë. Por nëse e shikon me vëmëndje ecurinë në karrierë të tij nuk e ke të vështirë të dallosh kulturën dhe edukatën e gjerë qytetare të admirueshme, që e rrezatoi që kur ka qenë drejtues i k2b2këmbësor në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerave dhe më tej në të gjitha detyrat. Gjon Vorfi ka dosjen me nr. “26405”. Por duke e pasur epror dhe koleg për këto vitet e fundit e kemi më të lehtë të depërtojmë tek të dhënat e karrierës, edhe kur të dhënat shef Gjoni i ofron me shumë kursim, deri edhe nuk e ka për zemër që të dhënat e tij të jenë objekt në gazetë. Megjithatë të njohësh vlerat dhe kontributet edhe të njerëzve që kanë shumë vlera por futen në grupin e “rezervimit të të dhënave”, që të duhet pak kohë për t’ju mbushur mendjen se brezat duhen ushqyer me vlrat që në fakt kanë pasur njerëzit në Forcat e Armatosura dhe jo vetëm. Pse jo është edhe detyrim për misionet e kryera me sukses dhe këtë përvojë e eksperiencë të pasur nuk mund që ta burgosim dhe ta quajmë si dikur “TSRV”, ndërkohë që transmetimi i eksperiencave është detyrim brezash për zhvillimin e mëtejshëm të vendit në gjithë sektorët e saj.

Gjon Preng Vorfi i datëlindjes 27.08.1958. Arsimimi fillor dhe tetëvjeçar në vendlindje në 1965 -1973 në shkollën 8-vjeçare Kashnjet me rrezultate shumë të mira, ndërsa arsimimin e mesëqm e ka kryer në vitet 1973 deri në vitin 1977 në Shkollën e mesme të kulturës në Tiranë me rrezultate të shkëlqyera. Të mësuarit gjatë gjithë jetës ka bërë që Gjon Vorfi nga viti 2001 deri më 2013 ka kryer kurset e orientimit për burimet njerëzore, të programimit dhe menaxhimit te burimeve te mbrojtjes, për auditor i burimeve të mbrojtjes së NATO-s, për marrëdhëniet civilo ushtarake CIMIC, terminologjise ushtarake te NATO-s, kurs orientues dhe trajnimet të NATO dhe pfp, si dhe kursi i menaxhimit dhe sigurisë së Informacionit. Në pikëpamje të karrierës, pas kryerjes së stazhit në Kalivaç të Lezhës pa dëshirën e tij dërgohet në SHLBO. Ai ka përfunduar studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerave “Enver Hoxha” në vitet 1978-1982. Megjithëse arsimimi mbeti objektiv themelor i pandryshueshëm i Gjon Vorfit përgjatë gjithë jetës. Pas titullimit oficer, Gjon Vorfi, ka shërbyer në detyra të shumta në strukturat ushtarake në Tiranë, Shkodër, në NATO në Bruksel dhe me studime në Shkollën e Luftës në Paris, pra ka shërbyer si oficer aktiv nga viti 1982 deri në daljen në rezervë më 2014, plot 36 vite nën uniformë në shërbim të shtetit në dy rregjime. Në vitin 1985 Gjon Vorfi me kërkesën e tij largohet në Shkollën e Kuadrove rezervistë Vau i Dejës në Shkodër, me detyrën Pedagog taktike, dhe më tej Komandant Batalioni, Shef Edukimi në Brigadë dhe Shefi i Marrëdhënieve me Publikun në Divizion këmbësor të Shkodrës. Një nga detyrat sinjifikative ka qenë ajo që ka kryer në vitin 1997-1998, kur ka shkuar në mision në Bosnie Hercekovinë si “gazetar », Reporter në Qendrën e Shtypit dhe Informacionit i gazetës “SFOR Informer” të NATO-s (Qendra e shtypit dhe Informacionit të NATO-s në Sarajevë), që bën pjesë ndër misionet e para që kryenin ushtarakët shqiptarë jashtë vendit. Në vitin 2000 emërohet në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë (Sektori i Atasheve) në MM. Në vitet 2002 – 2003 kryen me sukses Shkollën e Luftës, (Ecole Interarmee de Defence) në Paris. Në vitet 2004 – 2009 ka qenë në përfaqësinë Ushtarake shqiptare në Bruksel, që ka qenë në fakt periudha më intensive e marrëdhënieve me NATO-n, për një personel më katër vetë, mbulohen të gjitha veprimtaritë në shtabin qendror të NATO-s.(HQ NATO). Puna si Oficer i Shtabit në PU të RSH pranë NATO-s, përfaqësues permanent për mbi pesë vite në funksion politiko-ushtarak e diplomatik, ku fitoi eksperiencë të jashtëzakonshme në fusha dhe çështje si: Siguria, operacionet, armatimet, logjistikë, emergjenat civile, mbrojtja e infrastrukturës, mbrojtjen kibernetike dhe sigurisë së informacionit, menaxhimin e buxhetit dhe të menaxhimit të ciklit jetësor të burimeve, në fushën e kërkimit shkencor dhe teknologjisë. Në NATO Gjon Vorfi ka qenë pjesëmarrës në takime pune por edhe ka përgatitur raporte, brifingje, analiza e vleresime si dhe propozime para ftesës për anëtarësim të Shqipërisë në Bukuresht më 2008-ën, ashtu edhe pas marrjes së ftesës për anëtarësim të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut në Samitin e Këln-Strasburgut në prill 2009. Për dy vite më 2009 – 2010, ka kryer detyrën e shefit të kabineti i SHSHFA, ndërsa në vitin 2011 ka kryer detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Politikave të Burimeve njerëzore në MM. Në vitet 2012 – 2014, ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Auditit të Burimeve Njerëzore të NATO-s në IMS (International Military Staff) në NATO HQ Bruksel. (Vend i fituar me Biding Process – Konkurim kandidaturash nga 28 vendet e NATO-s. Një ndër detyrat prestigjioze dhe që meriton vlerësime është ajo e Kryetarit të Auditit për Burimet Njerezore të NATO-s, pozicion gjatë së cilit ka udhëhequr një shtab të përbërë nga ekspertë përfaqësues të vendeve anetare të NATO-s si autoriteti drejtues përgjegjës direkt për validimin e strukturave organizative ushtarake të NATO-s, duke këshilluar dhe bërë rekomandime vendeve anëtare të NATO-s lidhur me përdorimin e burimeve njerëzore, të personelit ushtarak dhe për çështjet organizative. Nën drejtimin e Gjon Vorfit Autoriteti i Auditit si institucion i pavarur i NATO-s, fitoi besimin dhe nderimin e vendeve anëtare të NATO-s, kjo e demonstruar dhe me vlerësimet e dhëna me shkrim nga autoritetet më të larta të NATO-s. Pas përfundimit të karrierës ka punuar edhe si këshilltar për sigurinë në fillim pranë Klik Ekspo Group dhe pastaj me Kompanine e Sigurise Private ARB për llogari të TAP, deri në Mars 2019, kur ka filluar punë deri në pensionim me detyrë në Akademinë e Sigurisë në sektorin e Botimeve në Qendrën Kërkimore Shkencore dhe Projekteve.

 

Ekselent në të gjitha shkollat, akademitë, kualifikimet, trajnimet e specializimet

Shkolla dhe librat kanë qenë pasioni i përhershëm i Gjon Vorfit, edhe pse në kohën e lirë edhe firzamonika që i jepte muzikalitet shpirtit. Pasionant pas leximit, përfshi edhe gjuhët e huaja anglisht, frëngjisht e italisht, Gjon Vorfi e dinte mirë thënien profetike aristoteliane se, rrënjët e shkollimit janë të hidhura, por frutet janë të ëmbla . Ai ishte përjetësisht i lidhur me librat, ndërkohë që Latinët thoshin “Habent sua fata libelli/Librat kanë fatin e tyre”, ndërsa filologu ynë i madh Sami Frashëri thoshte se “nëse do të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim dhe kulturë”. Prandaj destinacioni shkollor i Gjon Vorfit ishte shkolla, arsimi dhe kultura për të qenë i denjë me fuqinë që të jep drita e diturisë dhe intelektualizmit, pasi “jeta pa dije është si të shkosh në luftë pa armë”!. Etiketimi për Gjon Vorfin, diplomuar “Shkëlqyeshëm“ ishte një normalitet. Gjon Vorfi nga gjithë brezat e shokëve të tij si dhe nga dokumentacioni i depozituar në arkiv e kartotekën e QPR-së rezulton me etiketimin: “student dhe kursant i shkëlqyer” i të gjithë  shkollave dhe akademive ushtarake, brenda dhe jashtë vendit, përfshi edhe shkollimin në Francë. Ai u dallua për zell e ambicje të lartë për dije të thelluara dhe të qëndrueshme, çka e rezatoi atë përgjatë gjithë detyrave të tij në karrierën e gjatë ushtarake dhe në vitet e fundit edhe atë policore. Që në ditët e para të karrierës e përgjatë gjithë kohës nuk e ndali studimin, punën e shkrimin, duke e parë librin dhe bibliotekën si të shenjtë, të domosdoshme, bashkëudhëtarë të suksesit dhe ngritjes e konsolidimit të personalitetit. Prandaj ai e formatoi bindshëm dhe denjësisht individualitetin e mençurisë, duke ja kryer miqve, bashkëpuntorëve, shokëve, kolegëve dijet dhe seriozitetin në çfarëdo lloj pune. Nga ana tjetër ka mbajtur lidhje e bashkëpunim të ngushtë më shokë e kolegë si Gjovalin Deda, Vlash Leka, Bilbil Mema, Feksor Shkurti, Hamza Bodlli, Albert Hitoaliaj, Rasim Balla, Ilir Mema, Adem Klefti, Behar Salillari, Qemal Halilaga, Aleksandër Lamçe, Avdi Larti, Agron Papdeja, Beqir Halilaj, Dhimitër Golemi, Fadil Gucaj, Flamur Muskaj, Gjet Bushi, Ilirian Kolleshi, Isuf Vllaso, Kristo Rapo, Kastriot Goga, Kamber Zaimi, Luljan Taullaj, Nikollaq Gjoka, Pandeli Dema, Simon Stambolli, Shpëtim Bllaca, Thoma Xoxa, Zaho Golemi, Xheladin Doshlani e shumë të tjerë. Kushdo që e njeh nga afër Gjon Vorfin e vlerëson si një aset të mençur që ka qenë në dispozicion të strukturave ushtarake me njohoritë e tij solide, duke lënë emrin e një ushtaraku madhor të klasit të lartë, por dhe figurën e disiplinuar e njerëzore me kulturë të lartë, kulturë që ua ka transmetuar të dy fëmijëve të tij, që punojnë aktualisht djali në Ministrinë e Mbrojtjes së Belgjikës dhe vajza në një kompani biznesi prestigjioze në Dubaj.

 

Kontribues në fushën e publicistikës së mbrojtjes dhe sigurisë

Pas përmbushjes me sukses të karrierës ushtarake, ka qenë ish-Rektori i AS-së Gjeneral Prof. Asoc. Dr. Bilbil Mema që ja njihte vlerat duke e punësuar Gjon Vorfin si personel akademik në Qendrën e Kërkimeve Shkencore dhe Projekteve në Akademinë e Sigurisë, strukturë vartëse e Policisë së Shtetit. Në vitet kur Gjon Vorfi ishte në kulmet e njohurive të akumuluara përgjatë më shumë se tre dekadave e gjysmë ishte fat për Akademinë e Sigurisë për të patur një vlerë më shumë, si lektor i lëndës “Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri”, por edhe si punonjës akademik që njohuritë i ka vendosur në interes të progresit të Akademisë së Sigurisë dhe Qendrës së Kërkimit Shkencor. Përgjithësisht ka qenë i kursyer në fjalë dhe i matur, ndoshta më shumë se duhet. Por gjithsesi “..e shkruar ngelet”, sikurse thonë latinët dhe firmën Gjon Vorfi e gjejmë në gazeta, revista, veçanërisht në “Ushtria”, “Mbrojtja”, “Albanian Armed Forces”, “Policimi dhe Siguria”. Me një vështrim të shpejtë gjejmë shkrime që lidhen me sigurinë kombëtare dhe globale, me pranimin e Shqipërisë në NATO, që ishte si të thuash fusha e tij e punës për disa vite me radhë ku raportet për këtë janë të panumërta. Ndërsa kontributi për revistën “Policimi dhe Siguria” është sinjifikativ të paktën në këto pesë vitet e fundit, sikurse janë: në Maj 2019, kordinator për Konferencën shkencore, “Siguria rrugore dhe përdoruesit e rrugës në Shqipëri”; më 12.2.2020, kordinator i përgjithshëm i konferencës: “Krimi mjedisor, Siguria mjedisore dhe siguria kombëtare”, ku ka publikuar edhe temën “Mjedisi dhe siguria parë nga këndvështrimin e NATO-s; më 2021 ka publikuar: “NATO në operacionet e ndihmës emergjente në rastet e katastrofave natyrore”; më 2022, “Kontributi i policisë për emergjencat civile në tre dekadat e fundit”, që është përgatitur me bashkëautorësi në kuadër të Konferencës së VIII-të shkencore ndërkombëtare “Siguria në komunitet  në kontekstin e fenomeneve ekstreme të natyrës dhe emergjencave civile” si dhe mjaft punime të tjera edhe në kuadër të doktoraturës.

 

Vlerësimi i një jete të jetuar me përkushtim për detyrën

Gjon Vorfi në karrierën e gjatë ushtarake, por edhe në Akademinë e Sigurisë ka pasur vlerësime në urdhëra, medalje, dekorata e certifikata vlerësuese e mirënjohëse, por fakt është se ai nuk ka rendur kurrë pas tyre. Edhe pse nuk i ka kërkuar kurrë Ai është vlerësuar me dekorata nga Presidenti, MM, SHSHP-së, dhe nga NATO. Dy herë në Akademinë e Sigurisë në dy strukturat e fundit të saj ka qenë “Specialist në Sektorin e Botimeve në QKSH” dhe së fundi “Lektor/Redaktor Shkencor në Sektorin e Botimeve dhe Informimit të Publikut në QKSHP”, por përpara se të flisnin dekoratat për Gjon Vorfin fliste puna. Gjon Vorfi me jetën e tij nuk shkroi një libër-jete, por ngriti një memorial mençurie të vlerave shembullore të ushtarakur dinjitoz. Në gjithë etapat e ngritjes, arsimimit, punës dhe veprimtarisë qytetare shoqërore, në të gjithë etapat e jetës së tij ndriçon më fort periudha e arsimimit dhe kualifikimit, që jo rrallë lidershipi e “harron” ose e “thjeshton” vetëm në pak rreshta. Arsimimi elitar është pazgjidhshmërisht me veprimtarinë e përditshme të punës. Nuk ka dhe nuk mund të ketë progres pa lidhur teorinë me praktikën, librin me jetën, prandaj Gjon Vorfi e ka parë librin si një buqetë me dije që nuk shterron, duke e parë librin si të shenjtëruar. Ai ishte dhe mbeti gjithmonë solid në të gjitha nivelet e shkollimit dhe pati një karrierë të sukseshme elitare deri në funksionin e Drejtorit të Auditimit të NATO-s, funksione që rrallëkush i arrin dhe që i dha dritë e besueshmëri vendit të vogël, Shqipërisë në arenën e funksionarëve të sigurisë globale në Bruksel. Përvojën e gjatë në strukturat e sigurisë e mbrojtjes nuk e kurseu edhe në një front tjetër atë të strukturave policore. Për këtë arsye në 10 maj 2023, Drejtori i QKSHP-së Drejtori i Qendrës së Kërkimit shkencor dhe Projekteve, Prof. Asoc. Dr. Xhavit Shala nëpërmjet Rektorit të Akademisë së Sigurisë, Prof. Dr. Ilirjan Mandro i propozuan Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, që Zoti Gjon Preng Vorfi me detyrë Lektor/Redaktor Shkencor në Sektorin e Botimeve dhe Informimit të Publikut në QKSHP, të vlerësohet me “Certifikatë Mirënjohjeje”, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me motivacion: “Për korrektesë të lartë në përmbushjen e të gjitha detyrave të ngarkuara në funksion të kërkimit dhe botimeve cilësore në Akademinë e Sigurisë si dhe në kryerjen në kohë e me përgjegjshmëri të çdo detyre të ngarkuar në funksion të përmbushjes së misionit në interes të Policisë së Shtetit”. Faktikisht vlerësimi për punën e përkushtimin e Gjon Vorfit ishte i argumentuar dhe saktësuar qartë, për të cilin në më shumë se katër dekada ka folur puna dhe përkushtimi i tij. Miratimi i “Mirënjohjes” është miratim i punës dhe përkushtimit në interes të kryerjes së misionit në interes të të përgatitjes dhe forcimit institucional edhe pse kontributi më cilësor dhe më i njohur i Gjon Vorfit është padyshim në punën përgatitore të pranimit të Shqipërisë në strukturën më të madhe botërore të sigurisë NATO. Gjon Vorfi ka shkrirë energjitë shumëvjeçare të pashtershme me gatishmëri, përkushtim e gatishmëri optimiste duke marrë vazhdimisht përgjegjësi të shumta mbi supe, ku horizonti kulturor e professional i jepte avantazhe në raport me lidershipin e gjerë ushtarak. Ai ka qenë mbështetës dhe kontribues me mendim të pjekur dhe të thellë, analizues i kujdeshëm të vendit dhe rolit të Shqipërisë në organizmin e sigurisë globale si dhe ka drejtuar një ndër sektorët më të rëndësishëm në NATO-si drejtor i parë i Auditimit, që për Shqipërinë ka qenë një ndër kontributet e para dhe që ka marrë vlerësimet më të larta si nga spektri politik ashtu edhe ushtarak i NATO-s. Ndërkohë lidhja e bashkëpunimi ka qenë i gjerë edhe me studjues të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes të shtetit shqiptar, me studjues të fushës së studimeve historike, me anëtarë të Shoqatës së Historianëve Ushtarakë shqiptarë, me Qendrën Kërkimore Shkencore dhe Projekteve në Akademinë e Sigurisë, ku herë pas here edhe ka publikuar artikuj me vlerë që shkojnë tek lexuesi i gjerë, por veçanërisht tej studjues të fushës së studimeve të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Eksperienca e gjatë e punës në drejtim të sektorëve, degëve e drejtorive deri në NATO e kanë bërë Gjon Vorfin një personalitet që  punon me qetësi dhe maturi, ku nën qetësinë dhe maturinë e tij qëndron edhe mençuria e punës me qetësi dhe pa bujë e pa llustra, pa kërkuar dhe të bëhet i zëshëm me pahir, pra është si kalliri plot ku duke qenë një lexues i thekur dhe njeri smart, ka meritur respektin dhe vlerësimin e njerëzve kudo ku ka punuar brenda dhe jashtë vendit. Aristoteli thoshte: “Dinjiteti nuk matet me titujt që zotëron, por me vetëdijen që i meriton”, dhe Gjon Vorfi as i ka dashur dhe as i ka lakmuar titujt, sepse vetëdija e tij është merita reale e mencurisë dhe njerëzillëkut të tij, që kolegët mendojnë e gjykojnë për veprimtarinë e tij. Shokët, miqtë dhe kolegët shpirtërisht i urojnë Gjon Vorfit, “Edhe njëqind vite lumturi e shëndet”!

 

Please follow and like us: