Albspirit

Media/News/Publishing

Anila Kalleshi: Të dua e bukura ime e do të dua gjithmonë

 

Dedikuar gjyshes sime, Adlijes!

Ti gjyshja ime e shtrenjtë, ti që sot më mungon shumë, ti që më mësove të ec, të hedh hapat e para në jetë, kur ti kishe mjaftueshëm hallet e tua.

Më mësove të jem e duruar, kur ti brenda teje rënkoje nga dhimbja e njerëzve të tu që i kishe larg.

Më mësove të dua njerëzit, kur ti vetë vuaje nga mospërfillja e tyre. Më mësove të jem e edukuar, më mësove të jem e gëzuar, kur ti vuaje nga hidhërimi që tek ti kishte shkaktuar largësia me njerëzit e tu më të afërt (është e tmerrshme të jesh larg për gjithë jetën nga ato që do më shumë: nëna, babai, vëllai, motra).

Më mësove të dua më shumë mamin dhe babin, kur ti bëje rolin e tyre. Më mësove të bëlbëzoj fjalën “mami”, më mësove të dua jetën kur ajo të kishte sjellë ty shumë goditje.

Më mësove të ngrihem pas një rrëzimi, kur tashmë fuqitë e tua ishin të shteruara nga ngritjet e detyruara të jetës. Më mësove të jetoj, kur ti ishe në vitet e fundit të saj… Më kujtohet kur më krijoje kukulla prej lecke e ndërsa mua më pëlqenin më shumë ato që në dyqan.

Kur më qortoje për ndonjë gabim të vogël që bëja me atë zërin tënd të butë e me atë gjuhen tënde herë të kuptueshme herë të pakuptueshme për mua që nuk dija të flisja gjuhën tënde.

Kur më këndoje ninulla dhe unë të imitoja zërin e stonuar. Kur më tregoje përralla dhe unë qeshja me dialektin tënd. Kur më gatuaje fasulet e mia të preferuara pasi qe të më bëje t’i haja më kishe thënë që kane veti të të bëjnë të bukur. Më kujtohet fytyra jote lutëse, kur ftoje Gezimin, Arianin djemtë e vegjel të lagjes të ngjiteshin tek pema gjigande e kumbullës të këpusnin 10 kokrra kumbulla Stambolle pēr Anilën e atyre u jepje leje të hanin e të kepusnin sa të donin. Më kujtohet kafeja e mëngjesit që pije dhe më kur më thoje nuk kam shoqe do të vish ta pijmë bashkë? Dhe unë me pafajsinë e një fëmije 5-6 vjeç të thoja po unë nuk e pi kafenë. Ti që më thoje do tē ta mësoj unë dhe në prushin e tangarit më skuqje pak sheqer e më bëje kafenë pa kafe.

Më kujtohet kur vija të shtunën e më thoje Anila e di çfarë të kam blerë – nallane druri. Vdisja të më kërcisnin takat e këpucët. Ajo mi dinte fiksimet e përpiqej të më trajtonte si një princeshë.

Më kujtohet kur buzëqeshje sa herë që unë flisja ndonjë gjë të mençur, ndërsa unë të pyesja paturpërsisht për dhëmbët e rënë… Më kujtohet kur më këshilloje që të vishja xhupin kur dilja përjashtë, ndërsa unë hiqja edhe trikon që kisha veshur.

Më kujtohet që të këpusja pullat e fustaneve që ti i kishe aq të bukura e nuk më thoje kurrë pse e bëre. Më kujtohet kur gatuaje bukën dhe unë shpërndaja miellin nëpër shtëpi. Më rrite si një nënë pa pasur përparësitë e saj…

Më ushqeje pa pasur qumësht ne gji… Flinim të dyja në një krevat. Më tregoje përralla në versionin tënd me atë shqipen çalë-çalë. Pyes veten si ia bëje? Si më qetësinë një nëne, por përballoje mundin e një gjysheje…

Sot pas kaq shumë vitesh kuptoj që gjoksi yt pa qumësht ishte i mbushur plot me dashuri, dashuri që të ushqen dhe të rrit më mirë se çdo ushqim, dashuri që të lumturon më shumë se çdo dashuri tjetër.

Kur isha e vogël nuk e dija që ai zëri yt i stonuar do ishte melodia më e bukur që do dëgjoja në jetë… Nuk e dija që ninullat e tua do ishin më të bukura se tingujt e Mozartit apo Bet’hovenit. Nuk e dija që thirrjet e tua do ishin të vetmet që do u përgjigjesha me dëshirë. Nuk e dija që lutjet e tua për të veshur xhupin do ishin përkujdesjet më të mëdha që kam marrë ndonjëherë në jetë. Nuk e dija që qortimet e tua do ishin më të butat që kam dëgjuar, kukullat e tua do ishin më të dashura se çdo kukull. Nuk e dija që në asnjë restorant nuk do të gatuante gjellë aq të mira sa të tuat…

Nuk e dija që buzëqeshja jote do ishte më e magjishmja, më e bukura, më e dashura, më e singerta, më qetësuesja, më e domosdoshmja për mua.

Po ta dija, do të të kërkoja te mos mërziteshe kurrë me mua. Nuk e dija që do doja kaq shumë të kthehesha pas në kohë. Po ta dija… do jetoja çdo sekondë, s’do flija fare në dreke dhe as nuk do rrija të luaja derisa të errej. Nëse do dëgjoja sërish zerin tënd “vishu se bën ftohtë”, do i lutesha Zotit të mos shkrinte akujt.

Nëse do shihja sërish fytyrën tënde të buzeqeshte do vuaja edhe vetë për të të bërë ty të lumtur. Sot nuk e di pse të dua kaq shumë, nuk e di pse mami është xheloze për ty, nuk e di pse njerëzit habiten që unë të dua kaq shumë. Mbase mbase e di… ata nuk kanë pasur kurrë gjyshe si TI…

Unë jam bërë e madhe. Im bir ka një gjyshe të mrekullueshme siç të pata dhe unë ty. Po më beso për çdo shqetesim e hall që kam sytë e mendjen i kam te ti. Sa do të doja të flisja e flisja me ty. A e di sa herë kur vë kokën në jastek filloj e flas me ty, flas e flas e ti më degjon e si bekim vjen e më puth në gjumë. Të nesërmen jam një Anilë e fortë, ajo që do të doje ti të isha.

Më mungon gjyshja ime. Kam 28 vite pa të parë po do të jepja shumë vite nga jeta ime të të kisha vetëm 1 ditë e të të thoja që ia kam dalur të jem Anila që ti kishe ëndërruar.

Të dua e bukura ime e do të dua gjithmonë!

Please follow and like us: