Rektori Zija Këlliçi dhe sekretari i partisë Deko Rusi, karakteristikat për Aleks Budën dhe Stefanaq Pollon
ALEKS TAQ BUDA
Datëlindja 7.IX.1911, Vëndlindja Elbasan, Vëndbanimi Tiranë, Rruga “Fortuzi”, Profesioni Historian
Origjina shoqërore Tregtar i madh, Gjëndja organizative pa parti.
KARAKTERISTIKE
Rrjedh nga një familje me origjinë tregtar i madh. I jati i tij përveçse një farmaci, ka pas 20 pendë qe, tokë edhe 500 rrënjë ullinj në Elbasan, të cilat iu shtetëzuan nga reformat e pushtetit popullor.
Qëndrimi politik i familjes dhe i vetë sh. Aleks ka qenë dhe është i mirë. Në shtëpinë e tij janë strehuar shokë të Luftës. Eshte arrestuar nga fashistët italjanë si pjesëmarrës në demonstratë.
Që në vitin 1942 ka bërë pjesë në Këshillin Nac-Çlirimtar provizor në qytetin e Tiranës dhe në Elbasan, deri në gusht të vitit 1944, datë në të cilën del në ilegalitet dhe punon në terren. Në këtë kohë zgjidhet si N / Kryetar i Këshillit Nac-Çlirimtar i Qarkut t’ Elbasanit. Prej tetorit 1944 thirret për të punuar pranë Qeverisë Provizore në Berat.
Vëllai i tij, Sofokliu ka qenë partizan, po kështu dhe dy nipat, Pirro dhe Niko Dodëbiba, si dhe i vëllai i gruas, Viktor Stratobërdha.
Nuk ka pasur dhe as nuk ka njeri nga farefisi të dënuar ose në rradhët e armikut.
Prej vitit 1920 deri më 1938 ka qenë në Austri, ku ka kryer arsimin fillor, të mesëm dhe arsimin e lartë në fakultetin e Filozofisë (Histori e Letërsi).
Pas mbarimit të studimeve, emërohe si profesor pranë shkollave të mesme, në Tiranë, Korçë dhe Elbasan. Mbas çlirimit si shef seksjoni pranë Ministrisë së Arsimit, në 1945-46, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare, prej 1946 deri në 1957, pranë Institutit të Shkencave dhe tani në Universitet si Profesor, Kandidat i Shkencave.
Pranë Institutit të Shkencave ka qenë anëtar Presidiumi, anëtarë i Institutit dhe Drejtor i Instituti Histori Gjuhësi. Nga funksionet e drejtorit dhe anëtarit të presidiumit, është shkarkuar për mungesë organizmi në punë edhe se nuk ka realizua planet e punës shkencore.
Në vitin 1952, kryesia e Institutit i ka bërë një vërejtje me shënim në biografi, për neglizhencë të tepruar dhe indisiplinë në punë.
Sh. Aleks ka një të metë të madhe se premton shumë por nuk i mban dot premtimet, e ka vështirë të shkruaj se është dhe ca dembel.
Megjithatë sh. Aleks ka cilësira të mira, është punonjës me përgatitje të mirë shkencore, punën e nxjerr me kualitet mjaft të mirë, jep mendime të çmueshme në zgjidhjen e problemeve.
Ndjek me kujdes zhvillimin e shkencës sovjetike dhe përpiqet që të fitojë sa më shumë nga eksperienca e saj.
Mban urdhërin e Punës të kl. të III-të.
PER KOMITETIN E PARTISE TE UNIVERS.
Rektori Zija Këlliçi, sekretari Deko Rusi
STEFAN THEMISTOKLI POLLO
Datëlindja 25.1.1923, Vëndlindja Përmet, Vëndbanimi Lagjia “Partizani”, Rruga “Naim Frashëri”, Nr. 30 Tiranë, Profesioni Historian, Gjëndja shoqërore Tregtar i pasur, Gjëndja organizative A.P. Tetor 1943
KARAKTERISTIKE
Rrjedh nga një familje tregtar i pasur, i jati i tij para okupimit të vëndit nga fashizmi italajan, gjatë okupasonit e deri në vitin 1943 ka vazhduar tregëtinë (një dyqan në Përmet dhe një në Këlcyrë). Në vitin 1943, fashistët i dogjën dyqanin e shtëpisë dhe kështu babaj nuk është marrë me tregëti. Kushëriri i tij, Vangjel Pollo është dënuar nga gjyqi i Gjirokastrës me 20 vjet burg për arsye politike.
Shoku Stefan arsimin e mesëm e ka marrë në Liceun e Korçës, kështu qysh atje (Korçë), ka filluar aktivitetin antifashist. Në vitin 1942 ka hyrë në rradhët e Rinisë Komuniste dhe në majin e 1943 doli në mal (partizan), bashkë me shokët e klasës, ka punuar në terren (fusha e Korçës) me njësitet agitatore të rinisë, më vonë ka kaluar në terrenin e Kolonjës.
Shoku Stefan mbas Kongresit të Përmetit ka punuar në Qarkorin e Rinisë Komuniste të Korçës. Ka qenë delegate në Kongresin e I-rë të Rinisë dhe atje është zgjedhur në Këshillin e Përgjithshëm të B.R.A.SH.-it, njëkohësisht atje (Kongres), është dëguar përgjegjës i agjit-propit në Divizionin e II-të Sulmues.
Nga Tetori 1944 e deri në Tetor 1945 ka punuar në sektorin e BRASH-it si redaktor i gazetës “Kushtrimi i Lirisë”, dhe më vonë si redaktor i gazetës “Bashkimi”.
Për qëndrimin e tij të mirë dhe si një shok me perspektivë, në tetorin e vitit 1945 dërgohet nga Qeverija jonë për të kryer studimet e larta në Bashkimin Sovjetik. Atje për pesë vjet rresht vazhdoi studimet në Universitetin e Moskës dhe në vitin 1950 u dipllomua.
Shoku Stefan si kreu studimet e larta, emërohe pedagog i Historisë i Institutit të Lartë Pedagogjik, duke qëndruar si i tillë deri në nëndorin e vitit 1951. Nga nëndori i atij viti (1951) e deri me krijimin e Universitetit, ka punuar në Institutin e Shkencave si N/Kryetar (dhe punonjës shkencor në fushën e Historisë), kurse me krijimin e Universitetit, u emërua Dekan i Fakultetit Histori-Filologji, detyrë të cilën e kreu deri në nëndor 1958, në këtë kohë duke u patur parasysh se shoku Stefan, ka qenë i ngarkuar me shumë punë, nuk ka ndjekur problemet e fakultetit, si ato në anën mësimore ashtu dhe ato në anën shkencore, por detyrën e dekanit nuk e bënte me shumë qejf.
Si rrjedhim i këtyre çështjeve, u shkarkua nga detyra e dekanit të fakultetit dhe mbeti përgjegjës sektori.
Ka punuar mirë së basku me shokët e tjerë lidhur me përgatitjen e vëllimit të parë të Historisë së Shqipërisë dhe tani po punon për përgatitjen e vëllimit të dytë. Shoku Stefan është i dhënë shumë mbas interesit personal.
Ay mban titullin docent dhe vazhdon aspiraturën. Eshte dekoruar me medaljen e Kujtimit dhe me urdhërin e punës së kl. të II-të.
PER KOMITETIN E PARTISE TE UNIVERS.
Rektori Zija Këlliçi, sekretari Deko Rusi