Albspirit

Media/News/Publishing

Mbi dënimet me vdekje nga 1952 deri në 9-mujorin e 1977-ës

DOKUMENTI 7 RAPORT

Shokut Enver Hoxha, sekretar i Parë i KQ të Partisë

Lënda: Mbi dënimet me vdekje nga viti 1952 deri në nëntëmujorin e vitit 1977

Tiranë më 10.12.1977.

Sipas një porosie që më keni dhënë gjatë vitit vazhdues të studionim “sa dënime me vdekje janë dhënë që nga viti 1950 e deri në vitin 1977 e pse”, bëmë studimin të cilin po jua dërgojmë. Për këtë studim u këshilluam edhe me Gjykatën e Lartë. Studimi është bërë nga viti 1952 e këndej, sepse për 1950 e 1951 Gjykata e Lartë nuk ka evidenca të plota të shumës së dënimeve, për të cilat ligja parashikon dënimin deri me vdekje. Nënkryetari i Presidiumit, Spiro Koleka.

RAPORTI TEPËR SEKRET

Mbi shqyrtimin e dënimeve me vdekje gjatë periudhës 1952 deri në nëtmujorin e vitit 1977 Dënimet me vdekje nga organet e drejtësisë janë dhënë për krime kundër shtetit, për vrasje dhe për vjedhje të pasurisë socialiste (e një për shpërdorim të pozitës zyrtare). Gjatë periudhës 25 vjet e nëntë muaj janë dhënë dënime për 6.937 krime, për të cilat ligja parashikon dënimin deri me vdekje, të ndara kështu: 3.347 krime kundër shtetit, 1.424 vrasje me dashje dhe 2.166 përvetësime të pasurisë socialiste.

Në Presidiumin e Kuvendit Popullor kanë ardhur nga Gjykata e Lartë 747 dënime me vdekje, të ndara në këtë mënyrë: 283 ose 37.8 për qind për krime kundër shtetit, 320 ose 42.87 për qind për vrasje dhe 142 ose 19.07 për qind për vjedhje. U është falur jeta 255 vetëve ose 34.1 për qind të të dënuarve janë zbatuar 492 vendime. Po t’i marrim të dënuarit sipas llojit të krimit del: u është falur jeta 24.38 për qind të të dënuarve për krime kundër shtetit, 37.5 për qind të të dënuarve për vrasje dhe 45.77 për qind të të dënuarve për vjedhje. Nga ata që u është falur jeta 27.05 për qind janë për krime kundër shtetit, 47.06 për qind për vrasje dhe 25.49 për qind për vjedhje.

Në numrin gjithësej të të dënuarve bëjnë pjesë vetëm 10 gra ose 1,33 për qind. Prej tyre, dy për krime kundër shtetit dhe 8 për vrasje, të kryera për shkaqe të dobëta. Katër prej tyre iu fal jeta. Janë dënuar me varje gjithësej 8 veta ose 1.08 për qind, nga të cilët 2 për krime kundër shtetit, 2 për vrasje dhe 4 për përvetësim të pasurisë socialiste. Nga këta 3 janë varur, 5 janë pushkatuar.

PËR KRIME KUNDËR SHTETIT

Shihet se nga viti 1952 deri në vitin 1964, me përjashtim të viteve 1956, 1957, 1958 e 1960, në asnjë vit tjetër numri i të dënuarve me vdekje nuk ka zbritur nën 10 veta. Goditja e drejtësisë proletare ka qenë e fortë, në veçanti gjatë viteve 1952- 1955. Nga viti 1965 deri në vitin 1974, numri i të dënuarve me vdekje është nën 10 veta, nga 1 në vitet 1971 e 1972, nga 2 në vitet 1965 e 1974, 4 në vitin 1967, nga 6 në vitet 1966 e 1969, e nga 8 në vitet 1968 e 1973.

Në këto 10 vjet (1964- 1974), dënimet me vdekje për këtë lloj krimi kanë qenë më të pakta. Ndërsa në vitet 1975- 1977 ka një farë ngritjeje, si pasojë e punës armiqësore të puçistëve në ushtri, e grupit të sabotatorëve në ekonomi dhe i atij në fushën e kulturës dhe të arteve, që u goditën nga Plenumet e IV, V, VI e VII të Komitetit Qendror të Partisë. Vetëm në vitin 1970 nuk ka të dënuar me vdekje për këtë lloj krimi.

Për vrasjet: Vihet re se dënimet me vdekje nuk kanë qenë nën 10 për çdo vit, që nga viti 1952 deri në vitin 1968, me përjashtim të vitit 1961, kur kanë qenë 9 dhe të viti 1964, kur kanë qenë 7. Nga viti 1969 deri në fund të nëntëmujorit 1977, ato shkojnë nga 2 deri në 7 në vit. Nuk ka asnjë vit në këtë periudhë që të mos ketë pasur të dënuar me vdekje për vrasje po të gjykoç pa marrë parasysh ata të dënuar me 10, 15, 20 e 25 vjet burg, gjendja paraqitet shqetësonjëse.

Prandaj, organet e Partisë e të pushtetit, organet e Drejtësisë dhe organizatat e masave, ashtu si deri tani, duhet të bëjnë një punë shumë më të gjerë edukuese me punonjësit për parandalimin e këtij krimi. Për vjedhjet e pronës socialiste: Dënimet me vdekje vetëm në vitet 1952-1955 janë mbi 10 në vit (nga 16 deri në 31). Nga viti 1956 gjer në vitin 1977 ato kanë zbritur nga 8 në 1. Në këta të 25 vjet e nëntë muaj, ka vetëm 7 vjet në të cilët nuk është dënuar me vdekje asnjë për këtë lloj krimi (vitet 1959, 1963, 1970, 1971, 1972, 1973 dhe 1976). Pra, 90 dënime me vdekje për vjedhje janë dhënë në vitet 1952-1955 që llogaritet 63.38 për qind të krejt dënimeve me vdekje të dhëna për këtë lloj krimi nga vitet 1952 deri në vitin 1977.

Pakësimi i tyre në këta të 22 vjetët e fundit ndodh jo se dëmet e shkaktuara nga krimet që janë zbuluar gjatë kësaj kohe kanë qenë më të pakta, por se vetë gjykatat janë kufizuar në zbatimin e këtij dënimi. Nga të dhënat që paraqiten në pasqyrë del se në vitet 1952, 1957, 1960, 1962, 1965, 1967, 1969, 1972 të marrun së bashku, rreth 43 për qind e të dënuarve me vdekje për krime kundra shtetit u është falur jeta nga Presidiumi. Po kështu, për vitet 1952, 1954, 1956, 1957, 1958, 1960, 1961, 1963, 1965, 1969, 1970 rreth 50 për qind e të dënuarave me vdekje për krimin e vrasjes dhe të vjedhjes së pasurisë socialiste u është falur jeta nga Presidiumi.

Nga pasqyra del e qartë se politika e Partisë sonë për ta parë dënimin me vdekje si një fenomen të jashtëzakonshëm është zbatuar nga gjykatat tona: p.sh., kundrejt gjithsej 3.347 raste krimesh kundër shtetit në këta të 25 vjet e nëntë muaj, për të cilët ligja parashikon dënimin deri me vdekje, janë dhënë vetëm 8.5 për qind, për krimin e vrasjes 25.3 për qind dhe për atë të vjedhjes 6.6 për qind. Megjithëkëtë, në punën e gjykatave dhe të kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ka pasur tek-tuk ndonjë teprim në vendosjen e dënimeve me vdekje, çka tregon se nuk janë çmuar gjithnjë politikisht dhe me kujdes rrethanat dhe shkaqet e kryerjes së krimeve, si dhe përbërja politiko-shoqërore e ndonjë të gjykuarit, për të cilat ka tërhequr vëmendjen edhe Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Në politikën e dënimeve me vdekje, në përgjithësi organet e Drejtësisë duhet të tregohen shumë më të kujdesshme e më të matura. Punonjësit tanë, krimet kundra shtetit dhe autorët e tyre i urrejnë, i luftojnë dhe i dënojnë pa asnjë rezervë, pse rrezikshmëria e këtyre krimeve është më e qartë për ta.

Por, krime e tjera, si vrasje, rrahje, fyerje, vjedhje, dëmtime të pronës socialiste nuk i kuptojnë kudo e kurdoherë sa e si duhet, si shprehje e veprimtarisë së armiqve për të thyer unitetin e popullit tonë e për të degjeneruar e kompromentuar punonjësit dhe për të dëmtuar pronën e shenjtë socialiste. Në kërkesat për falje të paraqitura në organet e pushtetit e nga këto në Presidiumin e Kuvendit Popullor, jo për falje të të dënuarve me vdekje, por për falje të dënimeve me heqje të lirisë ose me zhdëmtim të pronës socialiste, vërehet një liberalizim jo i vogël nga organizatat e masave e nga ndonjëherë edhe nga organet e pushtetit që bëjnë propozime për falje.

Letra e Komitetit Qendror të Partisë, drejtuar komiteteve të Partisë në rrethe e në ushtri, që të analizohet në plenume gjatë muajit tetor gjendja mbi kriminalitetin dhe të merren masa të veçanta nga Partia e levat e saja për të përmirësuar rrënjësisht gjendjen në këtë fushë, do të ndihmojë shumë që të kuptohet drejt e të zhvillohet më me forcë lufta e klasave, duke forcuar sa më shumë e organizuar sa më mirë sqarimin dhe edukimin ideologjik të punonjësve për parandalimin e krimeve e të shkeljeve të ligjeve, e si rrjedhim të rrisin vigjilencën e të kufizojnë sa më shumë veprimtarinë armiqësore.

Please follow and like us: