Rifat ISMAILI: SI NJË LIBËR I HARRUAR
E keni parasysh atë librin e vjetër vendosur në një cep të bibliotekës, lart, në katet e sipërme, ku të duhen një palë shkallë të ngjitesh dhe ta marrësh? Një libër kapaktrashë, që pret e pret në mënyrë stoike, dorën e butë të dikujt që ta nxjerrë prej aty, ta marrë e ta vendosë mbi tavolinë bashkë me librat e tjerë dhe ta shfletojë gjithë kuriozitet duke asimiluar me etje dijen që mbart brenda vetes.
Ashtu jam bërë dhe unë me kalimin e viteve. Një libër kapakmbyllur e hijerëndë, i pluhurosur, i harruar, i mënjanuar, i heshtur dhe pa fjalë. Rri dhe bluaj mendime dhe gjithë kohën e kaloj në pērgjumje. Në atë “përgjumje” të rreme, lundroj me fantazinë duke çarë si barkë qiej e dete, duke fantazuar dhe duke u takuar me heronjtë e librave të fëmijërisë por edhe të ditëve të sotme. Ashtu rri dhe ndërtoj në heshtje një botë tjetër brenda botës, pa mburrje dhe pa delir e ndjenjë madhështie. Vetëm po të më marrësh nëpër duar, të më shfletosh me butësi, të më lexosh e flasësh ëmbël, filloj e rizgjohem, e fletë pas flete bëhem më i gojës, më i shpenguar nga ndjesitē, gjersa kurdisem e filloj të flas papushim. Në këtë kohë kur mendja ime punon si sahat dhe s’ka të ndalur, më pëlqen që nëpërmes përsiatjeve të mia të ndalem dhe tek udhëtarët e përjetshëm të mendimit, të pij pak ujë në burimin e mendimit të tyre të stolisur me fjalē dhe thënie tē arta, t’i rikujtoj bëmat e tyre që na i kanë përcjellë shekull pas shekulli, e të vazhdoj përsëri udhën time prej vetmitari, si një udhëtar me sëmundjen e erës që si somnabul shkon nga dëgjohen thirrje pulëbardhash dhe dallgë në brigje detesh…
Në njërën prej këtyre ndalesave nëpër fantazi e libra, kujtoj edhe mendjendriturit e Lindjes, dhe njërin prej tyre në veçanti, Rumin.
Tani të gjithë e dimë se Rumi ishte një mendimtar i madh oriental. E keqja është se sado ta mendojmë si këta njerëz, si Rumi dhe të tjerë që e çuan përpara mendimin e vyer dhe i dhanë aq shumë njerëzimit në përsosjen e jetës dhe ndërgjegjësimin, ne nuk mund ta praktikojmē në jetën e përditshme, tërë atë arsenal të jashtzakonshëm urtësie që ata na e lanë trashëgim. Sepse shoqëria në të cilën jetojmë nuk ka asnjë lloj përngjashmërie me shoqërinë në të cilën veproi Rumi apo ndonjë tjetër. Shoqëria jonë duket sikur dikush, mbase një përbindësh e ka mbërthyer prej fyti dhe po i merr frymën. Ky përbindësh quhet materializëm, konsumizëm, kapitalizëm, globalizëm, quajeni ju si të doni e si tju vijë më mirë.
Shumë mirë e ka Rumi, ky udhëtar i madh në përçimin e dijes, me atë urtësinë e tij të jashtzakonshme. Po për ne gati e huaj, sikur vjen nga një tjetër planet, e mpirë, e pazbatueshme në praktikë. Sepse kemi fatin e keq të jetojmë në një shoqëri materialiste e artificiale. Një shoqëri në të cilën, po provove të kundërshtosh mentalitetin, tē vihen kundër e të flakin pa mëshirë jashtë dhe sa hap e mbyll sytë e sheh veten lakuriq, të përjashtuar nga gjithçka, një i mohuar dhe i përbuzur, një rrezik për shoqërinë.
Pra, nuk është te rebelizmi si komb. Por tek fryma e zhvillimeve. Ka më rëndësi një personazh i Big Bradherit, këtu tek ne, sesa një shkrimtar i rëndësishëm. Ky është njëri prej konstatimeve, midis çudive tashmë të pafundme.
Gjithçka sipërfaqësore, gjithçka me interes. Gjithçka në shitje, trupi edhe ndjenjat. Shoqëri si verë e thartuar, që sa e vë në gojë të kapin të vjellat. Pa ideale, pa qëllime. Një shoqëri e lodhur, e gjunjëzuar, me brryla përtokë. Një shoqëri që promovon kryesisht antivlerat. Dhe ashtu si shoqëritë janë dhe njerëzit!
Ndaj shpesh ndjehem një libër i harruar në fundin e një biblioteke, ku shpesh nuk ka ndriçim, dhe asnjë që kalon nuk kujtohet më për prezencën time prej shkrimtari. Dikush që bluan mijëra e mija mendime dhe pastaj i rigëlltit. Një heshtje e ndrydhur, ditë që shkojnë e vijnë pa shkëlqim.