Adil Çarçani, biri i Fushëbardhës, Labërisë dhe mbarë Shqipërisë
(Në përkujtim të jetës dhe veprës së Adil Çarçanit (1922-1997), birit të fshatit Fushëbardhë, krahinës së Kardhiqit, trevës së Labërisë dhe mbarë Shqipërisë me rastin e 111 vjetorit të lindjes, përfaqësuesit të shquar të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, liderit të urtë dhe të gjindshëm, popullorit dhe njerëzorit, 15 vjet zvëndëskryeministër dhe 10 vite Kryeministër i Shqipërisë, 40 vjet deputet i Kuvendit të Shqipërisë).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Jeta njerëzore nuk matet nga vitet e jetuara, por vitet në shërbim të shoqërisë. Fushëbardha, krahina e Kardhiqit, Labëria kanë nxjerrë figura të shquara të pushkës, të penës, urtësisë, legjislatorë popullorë, kapedanë të shquar të jataganit dhe pushkës, kundërshtarë të të gjithë rregjimeve pushtuese që shkelën tokën tonë, luftuan me ndërgjegje për kombin, luftëtarë të stërralltë që kanë rënë shekujve në fushbetejat e historisë për fshatin, krahinën, trevën e Labërisë, vilajetet e deri për truallin shqiptar, brenda dhe jashtë trojeve administrative shqiptare. Labëria ka nxjerrë njerëz të zëshëm, drejtues shteti që punuan me ndërgjegje për trevën dhe përparimin e Shqipërisë. Një ndër figurat kombëtare që i bën nder fshatit, krahinës, trevës labe, mbarë Shqipërisë është padyshim ish-drejtuesi i formacioneve të mëdha partizane dhe më vonë ish-ministër e Kryeministër i Shqipërisë Adil Çarçani. Pavarësisht nga kohët, pushtetet, ngjarjet, epokat, ujërat që kanë rrjedhur dhe do rrjedhin figura e Adil Çarçanit për bashkëfshatarët, mbarë krahinën, për lebërit kudo që janë dhe për mbarë vendin ka ngelur një figurë e dashur dhe e respektuar, sepse vetitë e një njeriu të urtë e punëtor, që jetën dhe sakrificat i shkriu për vendin, edhe në kohët më komplekse që kalonte Shqipëria. Duhet theksuar edhe në kohët më komplekse, sepse ka qenë mjaft e vështirë të ruaje ekulibrat e paanësinë në një rrebesh ngjarjesh gati gjysëmshekullore që shumë figura të luftës dhe të punës u denigruan, u goditën, u burgosën, u internuan e pushkatuan si dhe gjithfarë sjelljesh që njerëzit tashmë i kanë njohur dhe analizuar shkaqet e ngjarjeve e situatave, njerëz që erreshin në poste madhore, por edhe mund të gdhiheshin në qelitë e burgjeve apo edhe më keq akoma, ndërkohë që jo vetëm individi, por familje e rrethe miqësore e shoqërore mund të ndodheshin në rrebeshin e stuhisë së “shpatës së Demokleut”. Adil Çarçani ishte dhe mbeti stoik në vijën e parimeve të tij të pandryshueshme, luftëtar besnik antifashist që në ditët e para të pushtimit, lider krahinor dhe kombëtar në formacionet e vogla dhe të mëdha partizane, që mundi të siguronte unitetin luftarak të përbashkuar në luftë për çlirimin e përparimin e Atdheut. Në kartotekën e Ministrisë së Mbrojtjes gjendet edhe dosja e Nënkolonel Adil Çarçani me të dhëna që vijnë që nga koha e Luftës Nacionalçlirimtare, me një fotografi të bukur të dalë në kohën kur ka qenë partizan me gradën ushtarake nënkolonel, kur drejtonte BrVII Sulmuese. Fotua duket e realizuar në pushimet e luftimeve dhe është një copëz e historisë labe që u shkrua sukseshëm edhe në çlirimin e trojeve shqiptare në ish-Jugosllavi, Kosovë, Mali i Zi e deri në Bosnjë. Fushëbardha shtrihet në lartësinë 400 metra mbi nivelin e detit. Në pikëpamje gjeografike kufizohet nga Senica, Vergoi dhe Fushëvërria që janë përtej qafës së Skërficës, nga lindja është Kardhiqi e Prongjia dhe përtej Malit të Gjerë Mashkullora e Gjirokastra, më pranë është Zhulati e më tej Fterra, Kaparjeli e Golëmi.
Fushëbardha, fshati i lindjes së antifashistit të orëve të para
Fushëbardha është fshati i shtruar me zall të bardhë, rrethuar nga kodra e male me një bukuri të rrallë. Në mes të fshatit ka një shesh që quhet sheshi i Zhërmës, ndërsa rrotull saj ka kodra, hone, pyje e male, gryka e qafa, kullota pa mbarim, pasuri natyrore të shumta, një peizazh piktoresk shumë i lakmuar. Të gjitha këto i kanë bërë banorët të ndjehen zotër të Fushëbardhës, ku gjen gjithçka të do zemra: mikpritje, bujari, burrëri, trimëri, legjenda e mite, besë e shpresë për të ardhmen. Në Fushëbardhë gjen legjenda e histori të shumta edhe përtej historisë së Shpellës së Zhulit, ku prijësi Papa Zhuli, ka vendosur ligjet e para në Labëri dhe ka nënshkruar dhe marrëveshjen e parë më 22.6.1081, sipas revistës “Shejzat”, Romë, 1957. Ndërkohë që në më shumë se dhjetë shekuj Fushëbardha, Piksi, Honi, Gropa e Papa Zhulit, Bidërgjoni, Zhulati, fshatrat përreth dhe mbarë Labëria e shkuan historinë me jatagan, pushkë e penë. Dhe një nga ata që i dha dritë epokës ishte “Legjend Idriz Sulli; Kapedan i prerë; Kanunet i vuri; Shkrojti në defterë; Burrë labërie; Me vulë e me besë; Fjala të kish hije; Koburja në brez; E the fjalën tënde; Gjëmoi jehona; Në sheshe u ule; Me kanunet tona; Mali përmbi male; Me gjuhën stërrallë; Këmbëkryq në halle; Diplomat në fjalë; Parlament i bëri; Në ditën me vulë; Ç’i dëgjohej zëri; Se fliste një burrë..”. Adili u rrit me heroizmat e të parëve, që trimëritë dhe betejat i shkruan në memorien e fshatit: “Dhimqurk e Llagaturë,/kërcet briri gur mbi gur,/për mbi gur e breg më breg,/zini shtigjet e tepetë,/se vjen i ligu përpjetë,/mizë lisi porsi bletë,/të na rrjep e të na djegë,/në lugje përtej në urë,/bam me hark e bam me gurë,/armikut s’iu përulë kurrë”. Luftra të shumta nga periudha e Motit të Madh të Gjergj Kastriotit, të luftës antitanzimat, të katër luftrave për vilajetin e Janinës, betejat e Mecovë, Artë, Pesë Puset, Bezhan, Grebene, Qafë Gjashtë, Sarandë, Bradhomë, Palavli, luftës antiandart, Skërficë, luftrat për Pavarësi, Luftës së Vlorës dhe kudo ku zëri i atdheut i kërkoi, u bënë për Adil Çarçanin dhe Fushëbardhasit deviza për ta jetuar jetën të lirë, pa shtypës. Fshati dhe krahina më së shumti Adilin e mban në memorien e tyre sepse e kishin si djalin e tyre që kur ka qenë në moshën fare të re 20 vjeçare, kur çdo vatër e fshatit dhe e krahinave të Kardhiqit dhe të Rrëzomës e kishin si birin e tyre. E njihnin dhe i njihte, e donin dhe i donte me shpirt dhe me zemër, sepse ishte i thjeshtë dhe i dashur, njerëzor dhe gojëmbël, materializonte gjithë vetitë më të mira të një labi i brumosur me vetitë më të mira të njerëzillëkut dhe shkueshmëritë me të gjithë njerëzit, që mbeti përgjatë gjithë jetës një vlerë e njeriut të thjeshtë edhe pse u ngjit në majat më të larta të pushtetit. Por thjeshtësia dhe dashuria për njerëzit ishte evidente si në shtëpi, si në funksionet zyrtare si në takime dhe mbi të gjitha jetën e tij nuk e lidhte me interesa personale, por bënte sa të mundëtete për njerëzit, edhe pse korrniza ligjore e ish rregjimit që shkoi përbënte rrezik të ishte mik me të gjithë edhe me të “deklasuarit”, edhe pse në të vërtetë Adili nuk i harroi kurrë, miqtë e shokët e rinisë, pavarësisht se çfarë krahu morën në formacione politiko-idologjike e ushtarake gjatë përiudhës së luftës. Ti hidhje dorën në qafë “armikut të klasës” në atë periudhë, apo të prisje e të kujdeseshe për “armikun e klasës”, ishte të merrje veten në qafë, por Adili ishte ndryshe dhe rrezatoi vërtetësi dhe bindshëm ka ndihmuar shumë njerëz aq sa ja lejonte mundësi praktike në një rregjim, që të kompleksonin edhe të ishte i “larë me diell”.
Oxhaku fisnik e aristokrat i Çarçane në Fushëbardhë
Adil Haki Çarçani ishte lindur në një derë të fisme të fshatit Fushëbardhë më 5 Maj 1922. Fisi i tij e kishte origjinën nga fshati i Kapedanëve, nga Qeparoi që dikur thirreshin me mbiemrin “Gjika”. Por emigracioni në Korfuz dhe gjetkë dhe më tej me vështrim sërish nga vendlindja pas 400 vjetësh erdhën si vëllezëri një pjesë në Senicë, që mbetën me të njëjtin mbiemër dhe një pjesë u bënë “Çarçan”, si dhe administratorë ushtarako-civilë të kalave. Për më shumë shkruhet tek Papa Gjika, Nik Gjika. Fushëbardha në djepin e historisë labe është e tejmbushur me kala historie, legjendash, trimëri, lavdi dhe pune, ka lindur një figurë madhore të historisë Adil Çarçanin, që për periudhën e LANÇ-it, për çetën partizane, ngjarjet madhore krahinore dhe si drejtues i formacioneve të mëdha partizane si drejtues në Brigada e divizione partizane është ndër burrat më të shquar të Labërisë, që nderoi e respektoi gjakun e derdhur në luftë si dhe vlerat e larta të atifashizmit shqiptar. Fushëbardha dhe njerëzit e saj ngeli përjetësisht në zemrën e tij në të gjithë ciklet e jetës, kudo ku luftoi dhe punoi, duke e fiksuar kujdesin e dyanshëm jo për një por për dy fshatra sikurse bënin edhe të parët e tij, për “Zhulati i tejmë për Zhulatin aktual dhe Zhulati i këtejmë për Fushëbardhën”. Zemërbardhësia e nxorri faqebardhë në luftë dhe në punë, e bëri gjithënjë e më tepër më njerëzor edhe përballë planeve të ashpër pesë vjeçarë, në kohë rrethimi e vetmie përballë një bote që nuk kishte asnjë lloj vëmëndjeje për Shqipërinë. Brenda limiteve të kufizuara, edhe kur nuk kishte asnjë lloj mundësie për të dërë diçka më shumë për fshatin, krahinën e Labërinë, si një ndër zotat më të varfëra të rretheve të Jugut dhe veriut bashkë, Adili e gjente një mundësi për t’u dhënë pak më shumë dritë shprese edhe në ditët më të zymta Fushëbardhës dhe mbarë krahinës e trevës labe. Adil Çarçani ishte lindur në lagjen “Çarçanaj”, në Fushëbardhë të Gjirokastrës më 5 Maj 1922 në një familje me tradita e rrënjë atdhetare. Datëlindja e tij korespondon me ditën e dëshmorëve. Babai i tij Hakiu dhe nëna, Sadrie kanë qenë njerëz të nderuar, punëtor e derëhapur për miq të shumtë në fshat, krahinë e më gjerë. Adili ishte i etur për dije që në fëmijëri. Arsimin fillor e kreu në Fushëbardhë në vitet 1929-1934, në shkollën që kishin çelur për herë të parë që më 1907, mësuesi fisnik Nexhip Çarçani i cili solli abetaret e para nga Stambolli, bashkë me shenjtorin fushbardhas të Bektashinjve Dervish Mehmet Golemi, si përhapës i shkollave dhe diturisë në gjithë fshatrat e krahinës së Kardhiqit dhe Rrëzomës. Më tej Adili u arsimua në arsimin e mesëm duke e nisur në Gjirokastër, vijoi në Shkodër dhe i përfundoi studimet në Tiranë. Në janar deri qershor 1942 ka punuar kontrollor i kolive postare në Drejtorinë e Përgjithshme të Postë-Telegraf-Telefonave. Në korrik 1942 viti u anëtarësua në Partinë Komuniste dhe po atë vit u përjashtua për disa ditë nga partia, pse ishte vonuar në lejen që i kishin dhënë. Ai ka qenë ndër figurat më të njohura të antifashizmit në krahinën e Kardhiqit dhe të Rrëzomës, ndërkohë që në fshatin e tij të lindjes Fushëmardhë më 12.12.1942 u krijua çeta partizane “Çerçiz Topulli”. Në shkurt 1943 – gusht 1943 ishte caktuar zëvendëskomisar i çetës “Çerçiz Topulli” të Gjirokastrës. Nga gushti 1943 deri në janarin e 1944 qe zëvendëskomisar i batalionit “Baba Abaz” në Zonën e Parë Operative Vlorë – Gjirokastër-Mallakastër. Në janar deri mars 1944 u caktua përgjegjës politik i BrVISulmuese “Hero i popullit”. Në mars deri në nëntor 1944 ishte zëvendëskomisar e Komisar i BrVIIS. Nga nëntori deri në prill 1945 komisar i Divizionit 4 Sulmues. Në maj 1945 deri 1947 shërbeu si komisar politik në Komitetin Qarkor të Durrësit. Më 1947 komisar politik në Komitetin Qarkor në Shkodër. Në fillim të vitit 1948 emërohet ndihmësministër i Tregtisë. Në fund të vitit 1948 – 1949 emërohet Drejtor i Drejtorisë së Prapavijave në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Më 1949 – 1951 sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Më 5.3.1951 deri 31.7.1959 ministër i Industrisë dhe Minierave. Nga viti 31.7.1959 deri më 27.12.1965, ministër i Industrisë dhe Gjeologjisë. Më 27.12.1965 – 18.12.1981 ishte zëvendëskryeministër. Pas vdekjes së Mehmet Shehut u caktua kryeministër i Shqipërisë. Adil Çarçani ka drejtuar pesë qeveri shqiptare në dhjetë vite: qeveria “Çarçani 1” (15.1.1982-23.11.1982), qeveria “Çarçani 2” (23.11.1982-19.2.1987), qeveria “Çarçani 3” (19.2.1987- 2.2.1989), qeveria “Çarçani 4” (2.2.1989-7.7.1990), qeveria “Çarçani 5” (8.7.1990-21.2.1991). Adili vetëm në pesë vitet e para pas çlirimit ka qenë dekoruar me pesë dekorata: Urdhëri Ylli Partizan, Kl II, Urdhëri Ylli Partizan Kl III, Medalja e kujtimit, Medalja e trimërisë, Medalja e çlirimit, Urdhëri i punës i Kl I-rë si dhe me mjaft vlerësime të tjera. Në fund të 1991 u arrestua dhe u dënua për “shpërdorim detyre”, një akuzë qesharake për një drejtues model shteti të qelibartë dhe shumë njerëzor. Ai u mbyll në shtëpi për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ndërkohë që më 2.7.1994 Gjykata e dënoi me 5 vjet burg, dhe shlyerjen e një shume financiare “për shkelje” të pavërtetuara kurrë. Gjykimi i një lideri si Adili të dashur nga populli, gjykim që ju bë nga 21.6.1994 deri më 2.7.1994 në Gjykatën e Rrethit Tiranë, si “procesi kundër nomeklaturës”, që kishin qenë anëtarë të BP-së, ministra… etj., ku gjykata me vendimin nr.505, datë 2.7.1994, i deklaroi fajtorë, “Adil Haki Çarçani, u dënua me 5 vjet burgim dhe me detyrimin e shumës 667.727 lekë, dënimin do ta kryente me kusht”. Një akuzë tejet qesharake politike, që as vetë përfaqësuesit e drejtësisë së kohës nuk e besonin. Pas lirimit u arrestua përsëri, me akuzën “për genocid”, edhe pse në arkivin e shtetit nuk ka asnjë dokument që vërteton akuzat qesharake të rregjimit, por në ngjarjet e marsit 1997, me hapjen e burgjeve, më 13 mars 1997 duke qenë mbi 60 vjeç, përfitoi nga amnistía dhe pas shtatë muajve nga aminstia, ka ndërruar jetë në Tiranë më 13 tetor 1997, në moshën 75 vjeçare. Edhe pse ishte politikan shqiptar i periudhës së socializmit, deputet për 41 vite, nga viti 1950 e deri më 1991, anëtar i Byrosë Politike nga 1961 deri më 1991, kryeministër i Shqipërisë për një dekadë. Pavarësisht se Adil Çarçani u përfshi në listën e përpiluar nga ISKPK “Për pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e ..drejtuesve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”, askush në asnjë rast nuk ka mundur të gjejë një të metë në biografinë zyrtare dhe arkivore të Adil Çarçanit, përkundrazi me fakte ngeli përjetësisht një figurë e pastër, me botë të gjerë shpirtërore dhe zemërbardhësi, sa në Fushëbardhë, Labëri, në mbarë vendin, bile dhe në diasporë përmendet për vepra të mira në limitet që e lejonte koha.
Njerëzor, dashamirës dhe shumë i ndershëm që gëzonte simpatinë e të gjithëve
Adil Çarçani në qeveri dhe shoqëri përfaqësonte të drejtin dhe ishte racional dhe objektiv. Në një rast FSHF-ja i bën një “puç” më 1987 Luftëtarit të Gjirokastrës dhe për pak i la jashtë Kupës Ballkanike në vitin 1987. “17 Nëntori” në atë sezon, kishte zënë vendin e pestë, por mjaftoi ndërhyrja e kryeministrit Adil Çarçani që vendimi të zhbëhej dhe “Luftëtari” që kishte zënë vendin e katërt në klasifikim dhe sipas formulës së kampionatit, mori pjesë në Kupën Ballkanike. Kryetari i Komitetit të Gjirokastrës Flamur Çani shkoi në Tiranë tek kryeministri Adil Çarçani, që e kishte pyetur, “Ç’vend ka zënë Luftëtari në kampionat?”. Dhe kur mësoi ishte në vend të katërt ndërsa “17 Nëntori” në të pestin, vendimi dredharak i federatës ndryshoi menjëherë me ndërhyrjen e kryeministrit Adil Çarçani dhe Luftëtari luajti në futboll në Kupën Ballkanike, me “Sllavian” e Bullgarisë, “Pitesh” të Rumanisë dhe “Paokun” e Greqisë, ku grumbulloi edhe katër pikë në atë turne. Në bisedë me bashkëfshatarë të tij flasin çiltër për zemrën-behar të Adilit dhe ata që flasin drejtë dhe pa komplekse nuk janë ata që mund ti quajmë “Çarçanaj”, por nga gjithë fshati dhe krahina e më gjerë si Pajtim Bello, Boshek Golemi, Trifon Golemi, Nexhip Onjea, Hosho Onjea, Teli Resuli, Ëngjëllush Golemi, Adriatik Cama, e dhjetra qindra njerëz që e kanë njohur nga afër apo kanë episode që vërtetojnë zemërbardhësinë e tij. Një rast për takimin me Piran Çaçi, kërkonte bursë për djalin, por në pamundësi takimesh i doli përpara në Vergo për hallin që kish. Adili e pa dhe i thotë, “hajde nesër në Shtëpinë e Pritjes në Gjirokastrës”. Ishte viti 1981 dhe menjëherë ja zgjidhi hallin dhe sa e sa raste të tjera, sepse shkollat e larta ishin mjaft të kufizuara për kohën, “një ndër tre fëmijë do studjonte” dhe duhet mbi të gjitha jo vetëm të ishe me dhjeta por dhe me “biografi të mirë”, mundësisht të ishe familje dëshmori. Fushëbardha falë kujdesit të Adil Çarçanit u bë me dritë elektrike katër vjet përpara fshatrave të tjerë të Shqipërisë, duke marrë dritë nga motorrat e gjeologjisë në krye të fshatit, që më 1967. Adil Çarçani ka kontribute për dhënie bursash, për hapjen e minierës dhe të gjeologjisë, veçanërisht për ujin e pishëm nga Piriu dhe Lëmëthi, ngritjen e linjave të ujit për vaditje nga Piriu deri në gropë të Zhulit që ngeli si një ogur i mirë trashëgimie për Fushëbardhën vepër e vitit 1983, kanalizim që kalon përmes shkëmbinjsh, rrëpirash e greminash, që i dhanë Qafë Dardhës gjallëri, Adili ishte edhe ideator dhe realizues i kantjerit të ujësjellësit të vitit 1982-1983 që bashkë me minierën e fosforiteve të Fushëbardhës tek Kodra në Qafë të Priftëre, ku ishte kariera e Gjologji-Minierës ju shtua dhe ujësjellësi për Fushëbardhë, për të “ndihmuar Ferrëzën historike” dhe për të lënë brezave një vepër në ndihmë të të gjithë komunitetit. Fushëbardha shpejt u bë në atë periudhë edhe me shkollë të re tetëvjeçare por dhe të mesme. Fushëbardhës nuk i mungonte asgjë nga objektet social kulturore e shërbimeve, vatër kulture, muze, shërbim shëndetësor, dyqan, shtëpi lindje, fotograf, kinema, këpucar, berber, dentist, furrë buke e dyqan buke etj. Adili mbështeti hapjen e aktiviteteve industriale në zonë në gjeologji, miniera, shfrytezimi i mbarështimi pyjor, përkujdesje për kullotat, për ndërrmarrjen e druve dhe në fund të fundit shumica e familjeve të Fushëbardhës kishte punonjës shteti, por dhe djem dhe vajza të Fushëbardhës i dhanë djersë e mund Atdheut në shumë fusha të zhvillimit në mësuesi, mjekësi, në ushtri, polici, kufi, detari, aviación, ekonomi, transport etj. Ai ka qenë pjesë e vijueshme e festimeve më të mëdha të krahinës së Kardhiqit, që ka qenë përvjetori i 7 gushtit 1943, ku ishte themeluar batalioni partizan i krahinës “Asim Zeneli”. Fakt është se pas LANÇ-it, Adili edhe pse shtëpinë më 1958 e shiti tek Neki Golemi e Fero Golemi, babë e bir, si dhe i mbajti lidhjet shumë të ngushta me Fushëbardhën, bile Ferua dhe Razua, të zotët e shtëpisë kur vinte rasti i dërgonte edhe ndonjë peshqesh, prodhime të tokës së tij, si raki ftonj, bukëfiqe etj., vetëm për ta nderuar dhe respektuar birin e fshatit Fushëbardhë. Adili mbajti një qëndrim shumë të ekulibruar, nuk nxiti dhe nuk mbështeti perçarje mes palëve, pavarësisht prejardhjes “klasore”, nuk nxiti luftën e klasave dhe bëri kujdes njerëzor ndaj bashkëfshatarëve pa dallim. Fushëbardhasit kujtojnë se kur erdhi në fshat Gaze Alikua e internuar dolli ta takonte, ndërkohë që shoqëruesi i preu rrugën, Adili e vuri re dhe iu tha: “Lereni Gazen të vijë…”, çka bisedoi si vëlla e motër, e dëgjoi me vëmendje ç’ka bëri shumë përshtypje tek të gjithë “paria e kohës”. Adili personalisht ka dhënë shembull në shuarjen e grindjeve të trashëguara. Kështu në një rast Zenel Bellon në një kongres partie e pati thirrur të takoheshin personalisht me qëllimin e mirë për të hedhur pas krahëve një sherr e mëri të trashëguar në mes familjes Bello e Çarçani, ngjarje që bëri jehonë pozitive në Fushëbardhë e mbarë krahinën. Ka qenë e rrallë që një Ministër e anëtar i Byrosë Politike të ulej këmbëkryq të pinte kafe e raki me njerëz nga më të thjeshtët e Fushëbardhës , dhe gjithë vendit. Adil Çarçani në çdo 5 maj në ditën e lindjes së tij midis shumë shokësh e miqsh që shkonin për urim, priste edhe një “delegacion vëllazëror”, bijë e bija të Fushëbardhës që ai i donte si vëllezër e motra dhe qante hallet me ta dhe bashkarisht vendosnin se çfarë mund të bënin një gjë më shumë të mirë për Fushëbardhën dhe mbarë krahinën, që i kishte dhënë aq shumë gjak të kulluar Luftës Antifashiste. Poeti Zeqir Cama në nëntor të 1971 botoi një poemë “Komisarët”, në gazetën “Zëri i Popullit”, gazetë, që rrallë botonte poema, që u kushtohej në fakt komisarëve, por në imazhin e autorit kishte parasysh bashkëfshatarin e tij nga Fushëbardha Adil Çarçanin. Adili ishte njeri i drejtë dhe jo inatçor apo hakmarres dhe nuk e shfrytëzoi kurrë postin. Kur vajza e tij u nda me burrin, Ai ndaloi nëpërkëmbjen e dhëndërrit të cilin donin ta transferonin si ndëshkim. Në një vizitë në vitin 1968 në ekspeditën gjeologjike në Gdheshtë të Kuksit në një sondë, ku shpohej për mineral bakri nga kulla e sondës bie një çelës i rëndë metalik dhe i kalon ngjitur Adilit. Natyrisht u krijua gjendje alarmi dhe oficerët të alarmuar donin të arrestonin kryesondistin, por Adili nuk i lejoi. Ai me qetësinë që e karakterizonte i’u tha “mos e prekni”, pasi pakujdesi në punë edhe mund të ketë dhe ne nuk mund të sakrifikojmë një kryesondist shembullor, siç ishte Vesel Tusha, që më vonë u bë edhe“hero i punës socialiste”. Shoqata Kulturore Atdhetare “Fushëbardha”, e krijuar më 4.4.2004, por dhe shoqata “Labëria” e ka obligim madhor nderimin e bijëve dhe bijave të përkushtuar të Labërisë, që kanë dhënë kontribute madhore në luftën Antifashiste dhe në punët e drejtimit të shtetit t’i nderojë e respektojë si vlerë e personalitete, duke i promovuar me shkrime e publikime, me vlerësime, pse jo edhe me ngritje bustesh, emisione të posaçme televizive, emërtim rrugësh dhe nderime e vlerësime në të gjitha nivelet më të larta të shtetit.
–