Albspirit

Media/News/Publishing

Borrell: Kosova dhe Serbia dështuan të tejkalojnë dallimet rreth normalizimit të marrëdhënieve

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk u pajtuan të enjten rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, duke theksuar se pa normalizim nuk ka ardhmëri evropiane për të dyja vendet.

Zoti Borrell tha se ishte kryeministri Kurti ai që nuk e pranoi një propozim të tij për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga marrëveshja e arritur ne Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas zotit Borrell, kryeministri Kurti kërkon zbatimin e aspekteve politike fillimisht, ndërsa Beogradi kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Fatkeqësisht pas një takimi të gjatë kryeministri Kurti nuk ishte i gatshëm të ecte përpara me fillimin e një procesi të besueshëm drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai këmbënguli në fakt në zyrtarizimin e njohjes “de facto” nga Serbia si hap i parë”, tha zoti Borrell, duke theksuar se presidenti Vuçiç e pranoi propozimin e tij.

Kryeministri Kurti, tha ndërkaq se nuk mund të bënte kompromis me atë që ai e cilësoi si “kushtëzim të vjetër të Serbisë” për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Është për të ardhur keq që emisari evropian, (Miroslav) Lajçak, e ka pranuar një kushtëzim të tillë”, tha kryeministri Kurti pas takimit, duke theksuar gatishmërinë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit, “një orë e më parë, në plotni, pa asnjë kusht”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se zoti Kurti është duke iu shmangur detyrimeve siç është ai për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Udhëheqësit e të dyja vendeve u takuan në Bruksel mes tensionesh të larta dhe thirrjeve të diplomatëve perëndimorë për shmangien e veprimeve që mund të nxisin një ripërtëritje të dhunës në rajon. Tensionet shpërthyen në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave me mbështetjen e policisë. Protestuesit serbë u përleshën me forcat e sigurisë dhe 93 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja mbetën të plagosur.

Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e uljes së tensioneve, duke përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Ajo pret që Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës të cilat u vendosën në qershor për shkak të situatës në veri.

Zoti Borrel tha se hapat e hedhur nga Kosova nuk përmbushin kërkesat për një shtensionim të plotë. Ai tha se Bashkimi Evropian e sheh dorëheqjen e kryetarëve aktual të komunave në veri të Kosovës “si rrugën më të shpejtë dhe më të mirë për të siguruar zgjedhje të reja. Procedura tjetër, me nënshkrime është e gjatë dhe e pasigurt”.

Në muajin gusht, ligjvënës amerikane dhe evropianë paralajmëruan se diplomacia perëndimore nuk po ushtron trysni të mjaftueshme mbi presidentin serb Vuçiç, i cili ndonëse pohon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është synim u tij, vazhdon të ruajë lidhje të ngushta me Moskën dhe refuzon t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Vëzhgues perëndimorë tërheqin vërejtjen se Kremlini mund të përdorë Beogradin për të rindezur konfliktet në Ballkan, për të tërhequr vëmendjen e botës nga lufta e tij në Ukrainë.

Dështimi për të arritur nje përparim ndodhi një ditë pasi Komisioni Evropian njoftoi se donte t’u hapte rrugën vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE.

“Pa normalizim, nuk do të ketë të ardhme evropiane as për Kosovën, as për Serbinë. Ato rrezikojnë të mbeten prapa ndërsa partnerët e tjerë rajonalë po lëvizin më shpejt drejt Evropës”, tha zoti Borrell

Please follow and like us: