Albspirit

Media/News/Publishing

Tërheqja e vëmendjes për mbrojtjen e shtresës së ozonit dhe reduktimin e ndryshimeve klimatike

 

 

 

Si në çdo vend të globit, edhe në Shqipëri po zhvillohen gjatë kësaj fundjave aktivitete informuese dhe ndërgjegjësuese në kuadër të Ditës Botërore të Ozonit. Konkurse, ekspozita pikture, forume diskutimi mes ekspertëve, aktivitete sportive etj., kanë si qëllim tërheqjen e vëmendjes për mbrojtjen e shtresës së ozonit dhe reduktimin e ndryshimeve klimatike.

Dita Botërore Ozonit u shpall në përkujtim të 16 Shtatorit 1987, dita e nënshkrimit të Protokollit të Montrealit, ku vendet palë u angazhuan në gjetjen e makanizmave për mbrojtjen e shtesës së ozonit nëpërmjet instrumentin të eliminimit gradual të konsumit dhe prodhimit të substancave ozon holluese. Tema e Ditës Botërore të Ozonit për këtë vit është “Protokolli i Montrealit: rregullimi i shtresës së ozonit dhe reduktimi i ndryshimeve klimatike”.

Ndërsa shtresa ozonit rimëkëmbet, planeti po nxehet me një shpejtësi alarmante. Pikerisht për këtë arësye, në 15 tetor 2016 u firmos Amendamenti Kigali i Protokollit të Montrealit nëpërmjet të cilit synohet të reduktohet prodhimi dhe konsumi i hidrofluorokarboneve (HFCs) të cilat janë gaze me potencial të lartë të ngrohjes globale. Duke reduktuar gradualisht gazet HFC-të, Amendamenti i Kigalit pritet të parandalojë ngrohjen globale deri në 0.5 ° Celsius deri në fund të shekullit, duke dhënë kështu një kontribut pozitiv në arritjen e objektivave të marrëveshjes së Parisit. Zbatimi i masave për efiçencën e energjisë mund të dyfishojë këtë shifër.

Shqipëria është vendi i parë në rajon i cili ka ratifikuar Amendamentin e Kigalit, nëpërmjet Ligjit nr. 91/2018 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Amendamentin e Kigalit të Protokollit të Montrealit për Substancat që Dëmtojnë Shtresën e Ozonit”, dhe rrjedhimisht është bërë pjesë e kalendareve për eliminin gradual të gazeve HFC sipas përcaktimeve të Amendamentit Kigali.

Njësia Kombëtare e Ozonit në Shqipëri ka planifikuar dhe veprimtari të tjera ndërgjegjësuese dhe infomuese, sidomos me të rinjtë, nxënës dhe student, për të theksuar rëndësinë e Protokollit duke siguruar që ai të mbetet instrument në mbrojtjen e shëndetit të njeriut, natyrës dhe klimës për brezat e ardhshëm.

Please follow and like us: