XOSIYAT RUSTAMOVA- POETJA UZBEKISTANASE QË VLERËSON LETËRSINË SHQIPE
Rifat ISMAILI
Poetët janë më së fundmi si ato shenjat e tabelave ndanë udhëve! Më ngjajnë si ato të vjetrat, prej druri, ngulitur në ndonjë udhëkryq,apo rrugë të harruara fshati.
Gjë e mirë që poetët shkruajnë për poetët, dhe siç ndodh me shenjimet në këto rrugë të humbura fshati apo shenjimet në pyll se ku mund ta gjesh burimin e ujit, kështu të ndodh të gjesh edhe poetin e duhur apo thjesht poetin apo poezinë tënde të parapëlqyer. Tek poezia e Xosiyat Rustamova shkova i tërhequr nga indicjet e të dhënat që ofronte Rudolf Marku në një shkrim të tij për autoren, pastaj duke ndjekur Rudolfin gjurmët e tij shkonin tek gjurmët e Vangjush Zikos dhe nëpërmjet përkthimeve të tij të mrekullueshme, zbulova vlerat e çmuara poetike të kësaj poeteje të veçantë uzbekistanase që i do poetët shqiptarë dhe poezinë shqipe.
Rastësisht, përdora emrat e Rudolfit dhe Vangjushit, por edhe të tjerë krijues, si Adriatik Jace, apo Gjeke Marinaj, kanë shkruar diçka për Rustamovën, mbresat dhe përshtypjet e mira qē kanē pasur nga takimi i drejtëpërdrejtë apo virtual me të. Por për t’u përmendur janë edhe dy shkrimet profesionale të Fatbardh Amursit dedikuar kësaj poeteje me vlera dhe në vecanti librit të saj publikuar më së fundmi në anglisht me titull “Më gjeni në zemra”. Pra, siç thashë më lart, poetët bëhen lajmëtarë të poetëve të tjerë, ashtu sikurse dikur për shembull, nëpër male ndiznin zjarre, dhe nga fshati në fshat, nëpërmjet zjarrit nënkuptonin se po u kanosej ndonjē rrezik lufte, dhe përgatiteshin të përballnin çdo gjë që mund t’u kanosej. Por jo vetëm në rast lufte, por edhe kur festohej apo gëzohej, ndizeshin zjarre, apo i binin borive, ose këndohej. Në një kohë kur gazetat dhe librat nuk ekzistonin, poetët gojorë, apo rapsodët, lanë të gdhendur në kujtesën e popujve mjaft ngjarje historike të rëndësishme, luftëra të lavdishme, emra heronjsh e mbretërish të dashur apo të urryer nga populli, figura femrash të praruara nga magjia e bukurisê, zana dhe hyjni, ninfa dhe perëndi.
Por le të ndalemi pak tek autorja Xhosyat Rustamova. Arti i saj letrar ndër vite është farkëtuar dhe mbrujtur në kovaçhanën më të mirë të letërsisē botërore, sidomos asaj ruse, dhe njëri prej poetëve më të mëdhenj rus, Pushkini është idhulli i saj i preferuar. Që në fëmijërinë e hershme, e dashuruar pas këtij gjigandi të poezisë, Rustamova zhytet e përhumb në magjinë e heshtur të fjalëve dhe do të rilindë e tjetërsuar prej tyre, duke e parë botën ndryshe, me vizionin e saj krejt origjinal për jetën. Gjatë veprimtarisë letrare shumëvjeçare ajo ka shkruar mjaft libra me poezi, por edhe në prozë, gjithashtu ka lëvruar dhe dramën. “Shtëpia në qiell” – 1997, “Shpëtimi” – 2003,
“Veshja e zisë” – 2004, “Muri” ~ 2006 “Gusht – 2008, “Pushtimi” – 2011 janë vetëm disa prej librave të saj me poezi.
Libra me poezi në gjuhë të huaja; “Ditë pa nesër” (në gjuhën turke) – 2008 “Frika” (në Azerbajxhan) – 2009, etj.
Poezia saj është botuar dhe në mjaft vende të ndryshme të botës, në 30 me sa kujtoj, duke gjetur vëmendjen dhe dashamirësinë e lexuesit. Poezia e saj êshtë si një thirrje për çlirim dhe për të qenë vetvetja, dhe duke qenë e ndjeshme ndaj jetës së kufizuar, çdo varg i saj është një lëshim i butë krahëve të gjithësisë në një përqafim simbolik me zotin.
Në vargjet e saj janë fshehur të katër stinët e jetës, dhe për çdo stinë e për çdo ndjenjë ajo ka fokusimin e saj individual, të pavarur nga gjithçka, por që shkon paralel e në sintoni me përjetësinë dhe sublimitetin e të jetuarit.
Si tek çdo grua, dashuria është një nga temat e ndjeshme, por jo vetëm ajo dashuri që përligj marrëdhënien burrë e grua, por një dashuri abstrakte dhe e pamatshme që prek çdo gjë dhe është brenda gjithçkaje. Për të poezia është linfë që ushqen trungun e jetës, e mbush me fletë dhe e gjelbëron, u jep kuptim ditëve , herë të ëmbla e herë të vrazhda njerëzore.
Falë teknologjisë dhe njohjeve me krijues të ndryshëm, ajo ka lexuesit dhe adhuruesit e saj edhe këtu në vendin tonë të vogël, Shqipërinë, por të mbarsur me art dhe me dashurinë për të bukurën. Krijuesit me të cilët ka bashkvepruar fillimisht, na japin portretin e saj të një gruaje të hijshme dhe fisnike, e dedikuar pas poezisë, por dhe mikpritëse dhe dashamirëse për poetët e tjerë.
Në karrierën e saj të pasur e të gjatë letrare, krahas botimeve individuale, drejton me pasion e përkushtim edhe periodikun letrar më të rëndësishëm në Uzbekistan dhe nëpër faqet e tij ka gjetur vend për të botuar poetë e shkrimtarë shqiptarë, ndërmjet tyre edhe Ndre Mjedën, por çuditërisht edhe Qemal Stafën, një eksponent i partisë komuniste, të viteve 40 të shekullit të kaluar, vrarë nga fashistët në një pritë, në 5 maj 1942, i njohur së fundmi tek ne , prej të vetmit libër të tij, titulluar ” Qortimet e vjeshtës”.
Në këtë organ letrar, falë përkujdesjes së kësaj poeteje të talentuar, kanë zënë vend edhe krijuesit dhe letërsia shqipe. Si per shembull, Ndre Mjeda, Ismail Kadare, Rudolf Marku, Vangjush Ziko, Fatbardh Amursi, Gjekë Marinaj, Adriatik Jace etj, duke u kthyer në ambasadorë të fjalës edhe në Uzbekistanin e largët. Dhe kjo demostron qartë shpirtin e madh të autores, si dhe paanësinë e saj për të pasqyruar krahas emrave të mëdhenj të letërsisë klasike, si Dostojevski, Tugenjevi etj., edhe krijues që vijnë nga vende të vogla të Ballkanit, dhe shpesh të diskriminuar.
Angazhimet e saj me këtë gazetë prestigjioze janë impresionuese, ajo qē bie në sy është faqosja e gazetēs shume e kuruar dhe e veçantë nga ana e saj dhe e bashkëpuntorëve, ku i bëhet jehonë figurave të shquara të letërsisë botërore të të gjitha kohërave, krijuesve dhe letërsisë bashkëkohore, si dhe asaj vendase.
Dëshira ime do të ishte që kjo poete e talentuar, kjo njohëse dhe dashamirëse e letërsisë shqipe, të ishte akoma dhe më e përfaqësuar te ne, jo vetēm me botimet sporadike e miqësore të disa poezive të përkthyera, por dhe me ndonjë përmbledhje të veçantë poetike, e cila do të arrihej nëpërmjet aftësisë së përkthyesve të specializuar, që të na përcjellin joshjen dhe flladitjen e vargjeve të saj, me sa më shumë poeticitet dhe kulturë.
Savona shtator 2023
Please follow and like us: