Albspirit

Media/News/Publishing

SOFIA LOREN DHE FOTOJA E “PABESЁ” E GJON MILIT

Kristaq Balli
Me rastin e 89-vjetorit të lindjes
Si sot më 20 Shtator 1934 ka lindur Sofia Loren. Por mosha nuk e zbeh famën. Një nga aktoret filmografike më të njohura, më të sukseshme e më të vlerësuara italiane kontemporane gjatë gjysmës së dytë të shek. XX. Ёshtë shfaqur në skenë si finaliste e Miss Italia 1950, ndërsa karierën e saj filmike e ka filluar në moshën 15 vjeçare me disa role episodike. Rolin e parë të plotë ia kanë rezervuar në filmin “Aida”, 1953, ndërsa më 1954 luan si aktore protagoniste në filmin “The Gold of Naples” (Ari i Napolit),1954 të Vittorio De Sica. Pas dy vitesh, më 1956 iu ofruan 5 oferta nga kompania hollivudiane “Paramount”, të cilat e bën të njohur në opinionin ndërkombëtar. Talenti i saj si aktore nuk ishte edhe aq i njohur para performancës në filmim Two Women (Dy Gra), 1960 me regjisor Vitorio De Sica, rol i cili më 1962 e bëri atë artisten e parë që fitonte çmimin Oskar për aktrim në gjuhë të huaj. Ajo mban rekordin për fitimin e 7 çmimeve David di Donatello për aktoren më të mirë, çmimin e aktrimit më të mirë në festivalin e Kanës, çmimin e parë kryesor Academy Award për aktoren më të mirë, etj. Ajo ka fituar 22 çmime ndërkombëtare për filmin “Two Women” (Dy Gra). Gjatë viteve ’60 Loren ishte një nga aktoret më popullore në botë dhe vijoi të realizojë filma në Amerikë dhe Europë. Përgjatë viteve ’70-’80, ndonëse më rrallë, por përsëri shumë e suksesshme, në Itali dhe ShBA ajo luan dhe vlerësohet role kryesore në filma me Richard Burton dhe Marcello Mastroianni, me të cilët u vlerësua me 11 çmime ndërkombëtare, si dy Oskar, Golden Globe dhe Cesar Award. Ajo ka perfomuar në disa seri televizive dhe ka regjistruar, gjithashtu më shumë se 25 këngë. Sofia Loren mori më 1991 çmimin e nderit Academy Award për kontributet e saj në kinemanë botërore dhe u shpall “një nga thesaret e kinemasë botërore” Shumë aktivitete dhe reklama të parfumeve e stolive mbajnë emrin e saj. Është e pambaruar lista e çmimeve dhe dedikimeve që i janë atribuar Sofia Loren-it, ndërkohë që ajo jeton ende mes familjes së saj e rrethuar me aureolën e një fame të jashtzakonshme artistike e humanitare.
Sofia Loren ka luajtur në rreth 100 role filmash, shumica kryesore dhe të një suksesi të posaçëm e të vlerësuar në të gjithë globin. Ajo mbetet një prej sex-simboleve kinematografike dhe shembëlltyrë e lëvizjeve feministe botërore. Disa prej filmave të saj janë: “Dy Net me Kleopatrën”, 1953, “Orhidi i Zi”,1958, “Filloi në Napoli”, “Dy Gra”, 1960, “Dje, Sot dhe Nesër”, 1963, “Martesa në Stilin Italian”, 1964, “Më Shumë se Një Mrekulli”, 1967, “Luledielli”, 1970, “Lundrimi”, 1974, “Ditë e Veçantë”, 1977, “E shtunë, e Diel dhe e Hënë”, 1990, “Nëntë”, 2009, etj, etj…
Takimi i Gjon Milit me Sofia Loren ka ndodhur në vitin 1965 gjatë xhirimeve të filmit “Ledy L.”. Ja si e tregon ai vetë këtë episod: “Isha në Rivierën franceze të bëja disa foto publicitare për një film. Lady L (Zonja L.) me Sofia Loren dhe Pol Njuman. Pra, isha ay për një a dy javë dhe ju e dini që duhet të zini shokë.
Për fat të mirë kisha ndihmës një fotograf tjetër, i cili kishte punuar me mua. Një djalosh italian më tha: ‘A mund t’ju shoqëroj? Dua të shoh çfarë do të bëni’. (Ai ishte paparac). I thashë ‘Pse jo’! E kuptoni, Sofia Loren është pronë e Eisenstadt (Alfred Eisenstadt fotograf shquar amerikan); ne e ndajmë botën në çifligje, le të themi, po nejse… Kështu një mëngjes të kthjellët, në orën nëntë, që ishte shumë herët për Madamën, unë iu afrova asaj me një aparat fotografik. ‘Ç’dreqin, bëni, protestoi ajo, Jo, jo, jo! I dashur zotëri, është akoma shpejt’! Dhe dora e saj lëvizi instiktivisht të mbulonte fytyrën e saj nga kamera. Të them të drejtën, nuk isha i sigurt që mund të kisha qullosur ndonjë foto, por fatmirësisht dhëmbët dhe syri që dukeshin nëpërmjet gishtave të hapur ishin mjaft për të dëshmuar kundërshtimin, vitalitetin, shpirtin e saj eksploziv e, sigurisht, sharmin e feminitetin e zonjës”. (Photography Within the Humanities, p. 48)
Më pas, po ato ditë, Mili i bëri edhe të tjera portrete e foto “legale” shumë të bukura asaj gjatë xhirimit të filmit.
Please follow and like us: