Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Stinë ndjenjash

Vera e bukur u arratis e prapa la shumë kujtime,

si shiu i rrëmbyeshëm pluska fustanit tënd të mëndafshtë.

Me të u mbyll një epokë, disa mund ta pagëzojnë lumturie,

por ata që e duan borën e stuhinë, mendojnë ndryshe.

 

Vjeshtë. Mugëtirë. Stinë e mjegullës.

Ti ke ndërruar fustanin, ai ka ngjyrë gështenje,

si flokët e tu.

Por ndjenjat s’kanë stinë, kohë, as ngjyrë.

Ne gëzohemi kur shohim pafundësinë e qiellit,

ndonëse misteret e tij na turbullojnë mendjen

dhe vonë e kuptojmë se kurrë s’ka kohë për lumturi.

 

Vjeshtë. Mugëtirë. Stinë e mjegullës.

Pemët zhvishen, kurse ne vishemi.

 

Ti e menduar thua: fustani në duart e mia duket parashutë shpëtimi nga furtuna.

E dashur, pemët zhvishen dhe s’bëjnë dashuri si ne.

Ato prapë mbulohen me bukuri në stinën e tyre.

Prandaj neve s’na duhet acari.

 

Pemët gjithmonë kanë stinën e tyre, kalendarin që s’ua përfillim.

Ne na pëlqen vera, ndonëse shpesh mbytemi në stuhi ndjenjash.

Por çka ndodh kur fustani yt mbetet në duar si flamur disfate?

Dashuria sa stinë ka, poema që ti e mësove përmendësh?

Ti s’më thua, s’të them as unë dhe ky është ekuacioni i pazgjidhshëm.

S’vërtitëm nëpër libra shkencorë.

 

Të kujtohet si shikonim të habitur livadhin e shkretë

dhe përcillnim shndërrimin e natyrës.

Natyra e heshtur lëviz sipas rregullave të universit.

Po ne si lëvizim?

Çfarë rregullash zbatojmë ne, kur godet dimri dhe trishtimi?

Ëndërrojmë gjithmonë stinën e jetës, sythat e pemës sonë.

Natyra ndryshon sipas ligjeve të vendosura nga një fuqi që s’e kuptojmë.

 

Kur çel dashuria, lule bëhemi,

kur na lë, vyshkemi dhe bëhemi baltë.

 

Mugëtira. Dielli shfaqet rrallë.

Natyra s’ka jetë dhe pemët duken hije të frikshme;

hije kohësh të shkuara,

tregime plot enigma që përfundojnë në zbrazëti.

Please follow and like us: